Shqiptarja.com
Përditësimi i fundit në 13:26 Regjistrohu | Identifikohu 
Home Aktualitet Politikë Ekonomi Sociale Kosova Bota Sport MetroNews Intervista Kulturë Shëndeti Blog Horoskopi
Kulture
20 Maj 2016 - 18:39 | përditesuar në 13:00
Sata pas koncerteve, promovon
albumin “Hana e plotë” në Paris
“Kisha kohë që e kisha mendue, sot,/due m’u kthy n’shpi me shkue/ Veten time,/ At’ që lashë gjithmonë atje nuk kam harrue,/ due m’e e gjet prap’, m’iu bashkue”
Erdhi dita që kantautori Vlashent Sata, të promovoj në Tiranë, “Hanën e plotë”. Artisti i mirënjohur në skenat shqiptare dhe ato evropiane, vjen për të performuar live “jetën e tij” në një koncert recital, të realizuar nga Qendra Kulturore Tirana (Teatri Metropol). “Hana e plotë” është një koncert, ku do të promovohet dhe albumi me të njëjtin titull, këngët e të cilit flasin për fëmijërinë, shokët e parë, lojërat, familjen, dashurinë dhe sfidat e së ardhmes. Janë himn për kohën e bukur që ikën dhe gjithashtu për vlerat e një vendi, duke reflektuar jetën me ngjyrat e saj. 

“Ndihem i privilegjuar që Qendra Kulturore Tirana (Teatri Metropol) më bëri ftesën për të dhënë këtë koncert që do të shoqërohet edhe me albumin “Hana”, për dy netë me rradhë në sallën “Shekspir”. Më pëlqen, që do të jap koncert aty, pasi teatri dhe salla prej druri të krijojnë një atmosferë ku ndihesh si në shtëpi. Kontakti i publikut me artistin dhe i artistit me publikun është kaq i afërt, madje unë adhuroj sallat e vogla dhe të rrumbullakta”, shprehet kantautorit Vlashent Sata.
Ky koncert që do të organizohet në datat 25- 26 maj në sallën “Shekspir”, vjen në vazhdën e strategjisë dhe projekteve që QKT ka për të promovuar vlerat më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare, pas koncertit “JalbaniaZZ Society” të Gent Rushit dhe koncertit “Ritual Moods” nga poli- instrumentisti Robert Bisha. 

“Kam rendur shumë, para se të regjistroja albumin dhe në mendjen time, të gjitha komponentët përbërës, vargjet, instrumentët, muzika ishin të plotësuar. Tani erdhi dita që më fund ky album u regjistrua. Është, albumi im i parë, i cili flet për të gjithë etapat e jetës sime, duke nisur që nga fëmijëria e deri aktualisht. Në të gjitha këngët ndihet një lloj ndjeshmërie për të treguar historitë e mia, e më pas ti ndaj ato me njerëzit. Është bukuria e epokës sime”, thotë Vlashent Sata.
Zëri dhe timbrika e veçantë e kantautorit Vlashent Sata, stili i tij, poezia e teksteve e tingulli shumë i zgjedhur i muzikës, që në të njëjtën kohë ruajnë thjeshtësinë, çelësin për të arritur deri tek dëgjuesi natyrshëm, bëjnë që ky projekt të jetë bashkësia e shumë elementeve të një niveli te lartë artistik e me vlera të rralla. Ky album na bën të besojmë për një frymë të re në muzikën shqiptare me risitë dhe ndjeshmëritë që sjell për dëgjuesin. “Ky album është një përmbledhje e të gjithë viteve të mia, një frymëzim dashurie, padashur të flas për dashurinë në çift, pasi dashuria në çift është vetëm një aneks, por i gjithë dashurisë në tërësi”, tregon kantautori.
Por jo vetëm aq, familja është prezente në tekstet e këngëve të tij, po aq sa dhe shoqëruese në rrugëtimin artistik. “Ëmbël, me dy gishta pikturonte, botën time, ma ndryshonte…” , shkruan Vlashent Sata në një nga poezitë e tij, ku shumëkush mund ta ndjej si një poezi kushtuar të dashurës së parë, apo asaj të fundit. Në të vërtetë artisti ia ka kushtuar nënës, personit të vetëm që i ka dhënë kurajo për të vazhduar më tej. 

“Familja është një nga shtyllat më të rëndësishme të krijimit tim dhe shumë e rëndësishme gjithashtu. Kudo që shkoj dhe jap koncert ndjej se kam nga një familje. Gjej gjithnjë njerëz që më duan. Por familja ime, është kërcelli më i mirë i imi, ku unë mund të çel lulet gjithandej dhe të jem sa më i qetë me veten time. “Embël” është një këngë e shkruar herët për mamin dhe kur kam filluar ta shkruaj, kam kuptuar se ajo ishte vajza që më ka dashur në mënyrën më speciale. Naiviteti i saj artistik dhe kurajoja e saj prej profesioniste, më kanë ndryshuar botën time në çdo moment, kur kam ndjerë se jam tkurrur. Babai gjithashtu ka qenë i rëndësishëm, pasi me të kam një lidhje të ngushtë profesionale për muzikën”. 
Koncerti “Hana e plotë”, në Teatrin Metropol, i paraprinë promovimin të albumit shqip dhe koncertit “Hana e plotë” në Francë, në datën 3 qershor në “Le Palace”, një nga skenat më të njohura ku kanë interpretuar artistë me emër si Sting apo Stevie Ëonder, Majkell Xhekson apo Madonna. Në koncert Vlashent Sata i cili do të luajë edhe në piano, do të shoqërohet muzikantët, Gent Rushi në fizarmonikë, Ermal Rodi në klarinetë, Kiril Tufekcievski në kontrabas, Emiljan Dhimo në bateri dhe Denis Hima në kitarë. Ky koncert zgjat rreth 1:30 minuta. 

Ja këngët e albumit “Hana”

 Këmbëzbathuri
 Erdhi dita
 Bab'
 Çelesh
 Ëmbël
 E di unë
 Hana
 Kasollja
 Djemtë e balonave
 Ëndërruar
 Në botën tonë
 Tregimi i fluturës

Vlashent Sata, u lind në Tiranë në 1983 në një familje muzikantësh. Ngjitet e këndon në skenë që në moshën pesë vjeçare si solist. I inkurajuar e i drejtuar nga i ati Loro Sata, muzikolog, këngëtar lirik tenor, nis pianon në moshën 6 vjeçare në shkollën 8 vjeçare "Servete Maçi". Merr pjesë në festivale të ndryshme për fëmijë si këngëtar e më pas në "Zërat e rinj" ku merr çmime për çdo prezantim. Në moshën 15 vjeçare një ëndërr tjetër e zgjon të krijojë muzikën e vet. Mëson kitarën në mënyrë autodidakte dhe nis të kompozojë këngët e para. Paralelisht përfundon studimet e pianos në liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë me rezultate të larta. Në 2002 shkon të thellojë studimet për piano në Francë ku edhe i përfundon shkëlqyer të gjitha ciklet e konservatorit në fillin në Bordeaux e më pas në Paris me profesorë e solistë me meritë e njohje ndërkombetare si Denis Pascal, Romano Pallottini etj. Më pas i tërhequr nga dëshira për të transmetuar dijen, dashuria për mësimdhënie, diplomohet në 2011 për pedagogji. Që nga ky vit ai është i emëruar si pedagog i pianos në konservatorin e "Xenakis" dhe "Oliver Messiean" në Evry e gjithashtu në konservatorin "Paul Ducas" dhe “Gabriel Faure” në Paris. ka bashkëpunuar me Elina Dunin nga ku lindi dhe nevoja për të bërë album, gjithashtu dhe me artistë të fushave të ndryshme, ku bëhet pjesë e disa urave komunikimi midis muzikës e arteve të tjera si kinemaja teatri, baleti e performancave të ndryshme kontemporane.

Redaksia Online
m.ç/Shqiptarja.com 

 

13 Ndiqni Shqiptarja.comFacebook dhe në Twitter

Licenza Creative Commons
Ndalohet riprodhimi i shkrimit!
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
Intervista
Ish ushtarakët, çfarë do ndodhë me llogaritjen e pensioneve
Mirgeni, rockeri që beson tek  ​shijet muzikore të shqiptarëve
Gjinushi: I zhgėnjyer me Ramėn do mė ftojė kur t’i prishet makina
Këndi i Njoftimeve
Oferte Punesimi
Shtypi i ditës
Datë 22/10/2017, Viti VII - NR.250