Shqiptarja.com
Përditësimi i fundit në 22:19 Regjistrohu | Identifikohu 
Home Aktualitet Politikë Ekonomi Sociale Kosova Bota Sport Intervista Kulturë Shëndeti VIP & Spektakel Horoskopi
Aktualitet Nga ELONA ELEZI
08 Shkurt 2013 - 10:34
Rakipi: Gafat e Gjykatës, anashkaluan
vrasjen e 4 demonstruesve
TIRANE - Pafajësia e dhënë për dy gardistët e akuzuar për 4 demostruesit e vrarë të 21 janarit 2011, nga ana e gjykatës ditën e djeshme, ka alarmuar edhe ekspertë të jurisprudencës në vend.
Ish kryeprokurori Arben Rakipi, në një intervistë për shqiptarja.com e konsideron këtë si anashkalim të faktit se katër njerëz u vranë. Duke analizuar kërkesën e bërë nga prokuroria dhe vendimin e gjykatës, Rakipi sqaron disa nga detajet e rëndësishme të vendimit.

Zoti Rakipi, një nga argumentimet ligjore që dha Gjykata ndaj Prendit dhe Llupos, ishte heqja e akuzës së “vrasjes me dashje” dhe mosngritja e një akuze të re si referencë ndaj vendimeve të Kolegjeve të Bashkuara. Si e komentoni këtë?
Rakipi: Nuk është ky problemi i vërtetë. Këto janë aksesorë të vendimit. Problemi i vërtetë i vendimit ishte anashkalimi i vrasjeve. Katër njerëz u vranë atë ditë. Por gjykata e hoqi këtë akuzë dhe tha se nuk ishte “vrasje me dashje”. Gjykata kishte dy mundësi: t’i shpallte ata të pafajshëm, ashtu siç ndodhi, ose t’i dënonte për vrasje. Nuk ka rëndësi nëse do ishte “vrasje me dashje”, “vrasje nga pakujdesia” apo një tjetër lloj vrasjeje. Vrasjet nuk anashkalohen dot. Gjyqtarët rrëzuan akuzën e ngritur nga prokuroria. Ky është problemi i vërtetë.

A do të thotë kjo se akuza e prokurorisë kishte mangësi?
Është një problem më vete formulimi i akuzës nga ana e prokurorisë. Ajo çka bëri Gjykata është rrëzimi i plotë i akuzës. Vendimi për pafajësi u bë me argumentimin se gjithçka ndodhi në kushtet e mbrojtjes të nevojshme, pra Garda bëri vetëm detyrën. Ra akuza e prokurorisë. Gjykata i dha zgjidhje të padrejtë kësaj çështjeje. Ndryshoi tërësisht akuzën e prokurorisë.

A e ka gjykata tagrin ligjor për t’a bërë?
Gjykata foli dhe të tjerët heshtin. Gjykata e ka këtë të drejtë. Por varet se si e bëri këtë gjë.

Argumente të tjera
Ndërkaq duket se vendimi ka lënë të pakënaqur shumë penalistë që analizojnë se bie ndesh me Kodin e Procedurës Penale në nenin 375 dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ditën e djeshme gjykata penale Tiranë iu referua një vendimi të kolegjeve të bashkuara. “Gjykata në referencë të vendimeve të Kolegjeve të Bashkuara nuk mund të krijojë një akuzë të re për të pandehurit tej fakteve dhe pretendimeve të parashtruara nga organi i akuzës për të cilat nuk është hetuar nga ky organ.

Në këto kushte gjykata nëpërmjet këtij vendimi i përgjigjet akuzës së ngritur dhe faktit nëse provohet ose jo. Gjykata nuk mund të shprehet për fakte të pa hetuara nga prokuroria ndaj këtyre dy të pandehurve”, lexuan dje gjyqtarët. Por ndërkohë, sipas disa juristëve, Kodi i Procedurës Penale në nenin 375 të tij, “Ndryshimi i cilësimit juridik të veprës” parashikon se “Me vendimin përfundimtar gjykata mund t’i japë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori ose i dëmtuari akuzues, më të lehtë ose më të rëndë, me kusht që vepra penale të jetë në kompetencën e saj”. Në lidhje me këtë nen të Kodit të Procedurës ekziston edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që mban datën 30 shtator 1999.

“Në këtë rast, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, gjykata nuk merr kompetencat e prokurorit dhe as kthehet në organ akuzues, por vetëm zbaton ligjin, gjë që është detyrë funksionale e saj… gjykata nuk është organ akuzues, nuk formulon akuzë të re dhe as e ndryshon atë, por mbi bazën e faktit të paraqitur, bën cilësimin e duhur ligjor të veprës, duke i dhënë faktit një përcaktim tjetër.”


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 8 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

2 Ndiqni Shqiptarja.comFacebook dhe në Twitter

Licenza Creative Commons
Ndalohet riprodhimi i shkrimit!
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
Intervista
Reforma nė Akademi, Gjinushi pėr Report Tv: Unė, rol katalizatori
Duma: PD po konsultohet pėr kandidatėt pėr kryebashkiakė
Gazidede, zbulohet lidhja sekrete me Sigurimin qė 1991
Këndi i Njoftimeve
Shtypi i ditës
Datë 25/02/2018, VITI VIII- NR.45