Shqiptarja.com
Përditësimi i fundit në 06:05 Regjistrohu | Identifikohu 
Home Aktualitet Politikë Ekonomi Sociale Kosova Bota Sport MetroNews Intervista Kulturë Shëndeti Blog Horoskopi
Homepage > Blog > Shkrimet e tjera
avatar Periferi
Alba Malltezi
23 Gusht 2017 12:24
Ca fjalë të mira e ndonjë jo, për turizmin në Shqipëri 
"Va forte l'Albania. 4 miei amici sono la' adesso" (Në modë Shqipëria, 4 shokët e mi janë aty tani). Në bulmetoren në Bari, ku mocarelat më të mira i bën një mjeshtër shqiptar, menaxheri italian, një djalë rreth të 30-tave, në gushtin e 40 gradëve, ndërsa na përshëndet, duket se mendjen e ka tek 4 shokët që tashmë janë me pushime në brigjet e Shqipërisë së Jugut... "Beati loro, che belle foto stanno postando" (Lum ata, sa foto të bukura po postojnë).

Frutashitësi, po barez, pas dy viteve të kaluara në Sarandë, për këtë verë nuk ka gjetur vend: "Tutti i barezi sono li', non c'era piu' posto"... (Të gjithë barezët janë aty, nuk gjetëm vend). Jo vetëm nga Bari, por edhe nga Bologna, Ferrara, Milano e kudo nga Italia, tashmë krenohen se po kalojnë pushimet në Shqipëri. Tragetet nga Bari në Durrës vijnë plot me të huaj e shqiptarë: motoristë, këmbësorë e me makinë. Mes miqve tanë, kanë bërë valixhet të vijnë edhe ata që edhe pse prej 20 e më shumë vitesh i njohim, nuk kanë shprehur ndonjëherë kuriozitetin apo dëshirën të kapërcejnë kufirin. Tani për Shqipërinë po flasin të gjithë. Shqipëria është në modë dhe duhet ta shohin patjetër. Që nga shkrimet e CNN , Lonley Planet apo të të tjerave mediave leader në botë, nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

Por, të gjithë këta udhëtarë, a do ta gjejnë vetveten në Shqipëri? A ka vend në vendin e shqiponjave për atë që dëshiron shpirti i tyre? Nuk ka shqiptar që të mos gëzohet për këtë fluks, këtë energji. Ardhja e turistëve në një vend është një shenjë e mirë, e megjithatë, vetëm fluksi nuk mjafton. Duhen shumë gjëra për të fituar zemrën e atyre që vijnë, jo të të gjithëve, se kjo dihet nuk është e mundur, por të shumicës prej tyre, të paktën po.

E shtyrë nga kurioziteti, pata shumë dëshirë të flas me të huaj, me shqiptarë që jetojnë jashtë, por edhe me shqiptarë që pushimet e tyre, kursimet e një viti vendosën t'i shpenzojnë në mal apo në bregdetin tonë. Vaska dhe Ilda jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Erdhën këtë verë bashkë me vajzën, Sarën, e lindur dhe rritur në SHBA, por që flet një shqipe aq të ëmbël. Zgjodha të flas gjatë me ta për të kuptuar se ku kemi arritur, sa hapa kemi bërë përpara ne të Shqipërisë. E mahnitur për kulturën dhe informacionin e gjërë që kanë për Shqipërinë, për zhvillimet politike dhe sociale këtu, u bëra kurioze të mësoj: "Po nga i dini të gjitha këto?" "Në rrjetet sociale kemi shumë kontakte dhe ndjekim çfarë postojnë miqtë shqiptarë", më shpjegon Ilda dhe Vaska, por edhe nga ju mediat marrim shumë informacion. Ju mediat bëni punë shumë të mirë", thonë dhe më emocionojnë për këtë fjalë të mirë, pasi jemi në një kohë, kur mediat në Shqipëri nga vetë në shqiptarët futen të gjitha në një kazan për t'i ndotur me mjeshtëri...

Këto ditë pushimesh Vaska, Ilda e Sara, shëtitën nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim. U hodhën me parashutë e lëvizën me skaf në Karaburun e bregun vlonjat. Shkuan në restorante e takuan njerëz plot: Policë të mirësjellshëm, e kuzhinierë të mirë, "skafistë" të improvizuar e nervozë, qytetarë shumë të gatshëm për të ndihmuar, por edhe ndonjë hileqar, sidomos kur vjen puna për të respektuar ndonjë radhë, administratorë qytetesh të mëdha që u fshihen përgjegjësive që kanë, por edhe artizanë plot mjeshtëri në siklet e në darën e një shteti që me këto shtresa tregohet "gjigand".

Duke folur me miqtë e mi mësova shumë prej tyre: Mrizi i Zanave mbetet vendi me të cilin mund të krenohemi, te Shkëmbi i Kavajës kanë hapur një resort për kalërim si të ishte në një vend perëndimor, në Kavajë është një restorant në ish-poçeri ku hahet shumë mirë, Pogradeci e Korça asnjëherë nuk të zhgënjejnë, Dardha është vendorigjina e Vaskës, në Vlorë kanë ende probleme me komunikimin e korrektësinë, ndërsa Shkodra... "I thashë Sarës - tregon Vaska, - që kur të shkojmë në Shkodër do të takojmë njerëz që do të lenë rrugën e tyre e do të na ndihmojnë në rrugën tonë. Dhe vërtetë ashtu qëlloi: Një farmaciste la miqtë në kafe dhe hapi farmacinë për të na dhënë një ilaç. Pronarja e një hoteli mori makinën e saj e na udhëhoqi deri në restorantin që po kërkonim".

Rrëfimet e Ildës janë më të prera. Ajo dëshiron të nënvizojë se meshkujt shqiptarë nuk mund të vazhdojnë të sillen në një mënyrë që asnjë perëndimore nuk do t'ua lejonte, duke dhënë shembuj vrazhdësie dhe duke më treguar shenjat në trup që i kishte akoma kur skafisti vlonjat e kishte hedhur nga skafi për në brigjet në Karaburun. Por kjo nuk vlen për të gjithë: "Na bënë përshtypje të rinjtë, - vazhdojnë, - ndryshe nga sa kujtojmë, nga sa silleshin në vite të tjera, këtë herë i pamë më të mirësjellshëm, më të butë. Shqipëria, nëse vazhdon kështu, po ndryshon për mirë".

Edhe shqiptarët që pushimet i kaluan këtë vit në Shqipëri kanë informacione të sakta për hotele, apartamente ku çmimi dhe cilësia përshtaten mirë. Iliri shprehet i kënaqur me Velipojën dhe me mundësitë më të mëdha këtë vit në Sarandë për të ngrënë më mirë. Di ku të shkojë në Ksamil dhe di se çfarë duhet të shmangë. Genta ka gjetur për familjen e saj një vend të bukur në Orikum. Ajo tregon se ka vënë re të rinjtë që kanë studiuar në shkollën e Turizëm hotelerisë, që punojnë nëpër restorantet e Vlorës dallojnë, kanë marrë një profesionalizëm që i bën të gatuajnë e të shërbejnë më mirë. Shumë bashkëatdhetarë shprehen me perceptime të ndryshme për turizmin në Shqipëri: Dikush e shan, dikush e lavdëron sipas eksperiencave që ka pasur dhe eshte e natyrshme.


Për mendimin tim, bëjnë gabim vetëm ata që krahasojnë Shqipërinë me Greqinë apo Italinë a të tjera vënde që turizmin e kanë kthyer në një kolosal kombëtar prej dhjetëra e dhjetëra vitesh, permes politikave shtetërore të orientuara mirë e sidomos përmes një stabiliteti që i ka lejuar të mendojnë gjërat më qetë, më qartë dhe më mirë. Eshtë një turizëm cilësor në Itali apo Greqi të cilin nuk mund ta shijojnë as disa qytetarë të vetë atyre vendeve, të cilët, me kënaqësi kanë gjetur tarifat e përshtatshme për mundësitë e tyre financiare në Shqipëri. Ashtu siç qytetarë shqiptarë me një gjendje ekonomike të mirë ua krijojnë vetes mundësinë për një turizëm më të mirë kudo në Botë, por sidomos në vendet që janë prej vitesh leader turizmi.

Edhe unë, me familjen time i kam gjetur vendet e mia parajsë në Shqipëri: Në Drimadhë sa herë do të më bjerë rruga do të shkoj te Altea të shoh Udhën e Qumështit, duke pirë e duke ngrënë diçka të thjeshtë e të mirë; për të parë yjet në Dajt do të shkoj te Agroni në Paradise; për një fermë do të shkoj në Priskë te Agim Buxheli; në mal do të shkoj në Tamarë, ndërsa në Lin te shtëpia e Rozës. Në Gjirokastër te Kalemi e në Lezhë si mund të mos kaloj te Altini i Mrizit. Ende nuk kam gjetur vendet e mia në Valbonë, në Dibër, në Berat e Vlorë, por jam e sigurtë që në udhëtime të tjera që do të bëj, do ta gjej vendin tim. Në fund të fundit, mendoj dhe besoj, se në të gjitha udhëtimet që bëjmë ndalojmë në vendet që janë më afër bukurisë që kemi në shpirt. Ndalojmë aty ku projektojmë ëndrrat tona: disa i kanë ato në Shqipëri e disa... në Gjithësi.
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
avatar
Anonim
Bejte Une kalova shume bukur ne Sarande.
Rezultate tė tjera: 1
Intervista
Historia e Griseldit, pėr njė ėndėrr duhet tė ngulmosh 4 herė
Hoxha: Vettingu “ok” ndëshkoni drejtorat mos i bëni amnisti
‘5 Pyetjet’ Paloka: SHBA-BE na kėrcėnuan qė tė hyjmė nė zgjedhje
Këndi i Njoftimeve
Shtypi i ditës
Datë 24/09/2017, Viti VII - NR.226