Shqiptarja.com
Përditësimi i fundit në 00:17 Regjistrohu | Identifikohu 
Home Aktualitet Politikë Ekonomi Sociale Kosova Bota Sport MetroNews Intervista Kulturë Shëndeti Blog Horoskopi
Homepage > Blog > Shkrimet e tjera
avatar Grimca Urbane
Evis Cerga
30 Maj 2017 16:50
Sulafa
Sulafa vinte nga Mansura, një qytet 120 kilometra në verilindje të Kajros. Ishte vendosur në konviktin e vajzave, që gjendej (jo në mënyrë figurative), poshtë këmbës së urës që lidhte sheshin e madh të Gizës me rrugën që të conte tek piramidat. Në rast se ishe i panjohur me rrugët e saj, konviktin fare mirë mund ta merrje për një ndërtesë industriale, nga e cila më shumë hynin, sesa dilnin vajza mbuluar kokash me shami. Në krye të portës, ashtu sic dikur u kish hije rojtarëve të faraonëve qëndronte një Muhamed që zëvendësonte një Abdo, ose një Sherif që zëvendësonte një Mohsen. Për të hyrë në këtë ndërtesë shërbente një kartë e vogël e cila tregonte se personi kishte leje për të hyrë në konvikt dhe të cilën personalisht e tregova katër vjet me rradhë, ndonëse isha e vetmja e huaj në të gjitha godinat e vogla, që përbënin ndërtesën e madhe.


Dhoma e Sulafës binte përballë times. Unë kisha luksin që dhomën ta kisha të gjithë për vete, sepse respekti për të huajt është një ndër karakteristikat kryesore të popullit egjiptian. Atë e njoha vitin e dytë të fakultetit. Unë kthehesha nga pushimet në atdhe, ndërsa ajo dilte (sic morra vesh më vonë) për herë të parë në jetën e saj nga qyteti i saj i vogël, për tu bërë pjesë e botës së madhe të kryeqytetit me 14 milionë banorë. Me siguri matematikore, ajo mendonte se si e huaj dhe një vit më e madhe nga ajo (më shumë e para, sesa e dyta, nëfakt), përvoja ime mbi jetën duhej të ishte aq e madhe, sac duhej të ishte, për pasojë edhe respekti, por edhe besimi i saj tek mua.



Përpara se të tregoj historinë e saj, më duhet ta përshkruaj së pari fizikisht. Kur Sulafa ngjiste shkallët e kuptonte gjithë kati dhe vajzat kuturiseshin dhe thoshin me njëra-tjetrin: Erdhi këmbëmadhja! Me shtat baobabi dhe fytyrë gjyshesh të rritura me bulmet, Sulafa nga Mansura dukej më e madhe për moshën e saj. Këtë e dinte edhe ajo vetë, me plot besim që për këtë kishin ndihmuar të gjithë që e rrethonin. Në kokë nuk mbante shami, por gjithmonë vishte gelebien tradicionale, me material të thjeshtë, që tregonte edhe prejardhjen e saj nga fshati. Në shtëpinë e saj kthehej cdo fundjavë me mikrobusat që parkonin pa fund, në cepin e së njejtës urës përballë të cilës qëndronte konvikti ynë dhe që andej sillte gjithmonë japrakë të shkëlqyer, të mbledhur sa gishti i vogël, të cilët në i gllabëronim pa i nxjerrë ende nga tenxherja, me të cilën i sillte. Dorën e kishte të madhe dhe mund të na i mbushte pjatat shpejt e shpejt me wara el einab, gjethe rrushi, fjalë për fjalë. Dhoma e vogël stërmbushej dhe dera e saj qëndronte gjithmonë hapur.



Me pak fjalë, Sulafa ishte burim gëzimi për të gjitha ne vajzat e godinës nr. 1 të konviktit. Kur cdo mbrëmje, ekzaktësisht në orën nëntë bëhej apeli dhe vajzat duhet të nxirrnin kokat dhe mundësisht edhe trupat nga dhomat e tyre për të afirmuar praninë në ndërtesë(përndryshe rrezikohej përjashtimi nga konvikti dhe damkosja për jetë me turpin e “kthimit” fatkeq në vendlindjet përkatëse të vajzave nga të gjitha qytetet e qytezat, njëri më i rreptë se tjetri për cështje të “nderit”), ajo dilte e para dhe fliste edhe për mua. – El egnebeia (e huaja) është brenda në dhomë! Ndonëse isha pjesë e këtij konvikti me bursë shtetërore nga shteti egjiptian më bedziste pamasë e dala si përpara ekzekutimit cdo mbrëmje, për të dëshmuar pastërtinë e “figurës”. Sepse duke qenë brenda, nuk ishe jashtë dhe sipas të gjitha teorive zhveigiane, brenda tregonte ndershmëri.



Atë natë, gjatëEl Tamam (apeli), zërin e saj nuk e dëgjova. U cudita, por në moshën nëntëmbëdhjetë vjecare, në vitin 1992, njerëz si Sulafa të linin komplet indiferente në lidhje me mospërgjigjien ndaj ritualit të nderit. As të nesërmen nuk e dëgjova zërin e saj. U ngrita nga krevati me sustë hekuri dhe pasi nxorra kokën me përtesë nga dera e dhomës (kjo vinte ngaqë si Sulafa, shumë vajza kishin kuriozitet për një të huaj që kishte mundësinë të ishte e “lirë“ dhe “të bënte c’t’i donte kokrra e qejfit”, një kontinent larg nga familja e saj, sapo hapej dera e dhomës sime kërkonin të hynin brenda dhe të më bënin pyetje për gjëra, që sipas tyre unë duhej t’i dija), thirra emrin e Ranias, shoqes së saj të dhomës. Ajo doli, me flokët me bigudina, me sytë me kohl, me gelebie të stampuar me njëfellahe me shtambë me ujë, me sy të lyer me kohl dhe me vathë të mëdhenj, zbathur. Dukej që kishte qarë.

 
  • Rania, cfarë ke?- e pyeta
  • Sulafa,- mu përgjigj dhe nisi të qante.


Tërhoqa derën e dhomës dhe bashkë me të edhe vëemndjen e të gjitha vajzave të katit, të cilat, sa herë gërvëlitej dera e dhomës sime, aq herë nxirrnin kokat. Atëherë kjo më bezdiste, pamasë. Tani më vjen keq.
Hyra në dhomën e tyre. Dukej sikur kishte rënë bomba. Kësaj here, jo në mënyrë figurative. Egjiptianet shquhen për mungesën e vëmendjes ndaj punëve të shtëpisë, por në një dhomë konvikti, kjo merrte të tjera përmasa. Dy krevatët ngjanin me objekte kulti, ku mund të gjeje krehër flokësh, një këpucë, por edhe lugë apo pjata të lëna përgjysëm. Në dysheme, nuk dije ku të vije këmbët. Hapësira e mbetur zbrazur nga rrugica që përdorej për falje (dhe që sigurisht nuk shkelet) zotërohej nga tenxhere, tepsi, këpucë të tjera, ose shoqe të këpucës që ishte mbi krevat, furce flokësh, furce rrobash dhe furce dhëmbësh. Në të gjithë këtë kaos, në mes të tij, pa folur qëndronte Rania.


Instiktivisht e lashë të qante dhe prita të më tregonte, në këmbë, edhe unë, pa ditur ku të ulesha.

 
  • Ma, t’aodi, hena (ulu këtu)- më tha ajo, dhe unë u ula aty ku më tregoi ajo me dorë. Në dysheme.
  • Cfarë ka ngjarë?- e pyeta?
  • Sulafa…- tha ajo dhe e mbytën ngashërimet.
  • Rania, të lutem, qetësohu dhe mos bëj kështu, ja benti


Ajo pushoi së qari dhe pa parë fare nga unë, me sytë nga dritarja që binte mbi oborr, nisi të më tregonte për Sulafën.


Unë nuk e dija që ajo ishte e fejuar. Nuk më kishte thënë asnjëherë asnjë fjalë. Ti e di, ne ishim si motra, ajo gjithëmonë më tregonte gjithcka. Gjithmonë me buzë në gaz.


Ajo heshti një hop, dhe unë e kuptova që historia e Sulafës nuk duhej të ishte aspak gazmore.

Ajo që nuk dija, gjithashtu, ishte se ajo donte dikë tjetër. Një djalë nga Asuani, me emrin Mohamed. Ishin njohur në fakultet. Ai ishte në vitin e fundit dhe dëshironte të shkonte në Arabinë Saudite, sepse kishte dëgjuar që atje kishte nevojë për mësues të gjuhës angleze dhe pagesa ishte e majme. Sulafa kishte rënë në dashuri me të dhe ai i kishte premtuar martesë. Kur ajo i kishte thënë se ishte e fejuar, ai i kishte thënë se kjo nuk përbënte asnjë problem dhe se ai ishte një djalë i “hapur” që nuk e cante fare për të tilla gjëra. Përdorimi i kësaj fjalie, më habiti edhe mua, por edhe vetë rrëfimtaren, që dukej se kjo histori e kishte trimëruar. Sulafa ishte kthyer në shtëpi, atë fundjavë të fundit. Prindërit e saj e kishin marrë vesh. Dikush i kishte treguar të fejuarit të saj. Ai i tërbuar nga turpi me të cilin e kishte lyer e fejuara kishte shkuar në shtëpinë e saj dhe kishte shpallur prishjen e fejesës. Por nuk ishte ndalur aty, kishte kërkuar që ta conin Sulafën tek gjinekologia e familjes së tij për të parënëse ajo vazhdonte të ishte “vajzë“, përndryshe o ajo, o unë, kishin qenë fjalët e tij.


Rania po qante sërish, mbytyrazi, kësaj here. Kisha nisur të qaja edhe unë, pa e kuptuar, instiktivisht. Kisha jetuar në atë konvikt një vit të tërë dhe dicka merrja me mend.


Ata nuk arritën të shkonin tek gjinekologia e të fejuarit të saj. Sulafa kishte vrarë veten, me helmet që i ati përdorte për të spërkatur hurmat. Të gjithë në fshatin e saj në të hyrë të Mansurës fajin dhe turpin ia lanë familjes së saj në derë. I fejuari u largua triumfator drejt “presë“ së re. Tani ai ishte më “ i nderuar” nga më parë, në sytë e tyre.


Mohamedi kishte shkuar në familjen e Sulafës për t’i ngushëlluar dhe për tu folur për qëllimet e tij (të vdekura edhe ato) dhe prindërit e tij në Asuan, me të marrë vesh një “gjëmë“ të tillë e përzunë nga shtëpia. Ai u kishte kërkuar prindërve të saj, t’i bënin autopsinë të bijës dhe të bindeshin që bija e tyre kishte ikur nga kjo botë, “ e ndershme”. Ata ishin lebetitur nga kjo kërkesë, e padëgjuar. Por ai nuk ishte ndalur…
Rania nuk foli më. As unë, për disa ditë, me rradhë. Ishte fillimi i viteve 90-të, por mund të kishte qenë edhe fillimi i viteve 400.


Sulafa ishte larguar “e ndershme”, nga bota e ndyrë.
 
 
[i] O goce ( fjalë për fjalë “bija ime”, term që përdoret për të shprehur afërsi)
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
avatar
Anonim
ss Na bere per te qare. Nje lemsh ne gryke e ne gjoks per nje ore e mezi e morem veten. TE LUMTE...
avatar
Anonim
Zamalek Mohandesin Paske fillu me i ngja xhajes, talent me shkru Eviso.Urime, tregim i shkurter me nivel.
avatar
Anonim
Lorela Ashtu siē kishe luksin te jetoje nje jete te privilegjuar kur populli vuante per buken e gojes...
avatar
Anonim
Meri Histori e dhimbshme, shkruar bukur.
Rezultate tė tjera: 1
Intervista
Ekskluzive/ Fleckenstein rrėzon raportin e teknikėve tė PD-sė
Intervista/17 vjeēarja shqiptare hap shoqatė bamirėsie online
20 vjeēarja shtatzėnė:Ndihem grua e plotėsuar nga jeta 100%
Këndi i Njoftimeve
Shtypi i ditës
Datë 18/08/2017, Viti VII - NR.194