Shqiptarja.com
Përditësimi i fundit në 22:06 Regjistrohu | Identifikohu 
Home Aktualitet Politikë Ekonomi Sociale Kosova Bota Sport MetroNews Intervista Kulturë Shëndeti Blog Horoskopi
Homepage > Blog > Shkrimet e tjera
avatar Periferi
Alba Malltezi
12 Dhjetor 2016 18:59
2017-a dhe puna e mirë
dhe e butë femërore
Do të doja të tregoja një histori të vogël në këto ditë të fundit të 2016, me të riun 2017 në horizont: Një histori që më vjen shpesh në mëndje... Në vitin 1999, ambasada e Zvicrës në Tiranë organizoi një udhëtim dhe qëndrim disaditor për gazetarë, të zgjedhur nga mediat kryesore të Shqipërisë. Për mua ishte udhëtimi i parë që bëja me kolegë, por pas atij, mbeti dhe i fundit deri në 2015. Ministria zvicerane kishte programuar një vizitë në qytetet kryesore të Zvicrës si dhe takime me politikanë dhe personalitete  të zonës. Shumica e hoteleve ku qëndruam ishin me 5 yje; një ëndërr për ne gazetarët e Tiranës. Nga një takim në tjetrin na shoqëronte gjithnjë një zyrtare e Ministrisë së jashtme të Zvicrës: Një grua e sjellshme, serioze, shumë korrekte dhe profesionale në marrëdhënie. Mes grupit të kolegëve meshkuj, ishim vetëm dy vajza, unë dhe Marjola Xhunga, motra më e vogël e Rudinës e cila për impenjimet e saj nuk mundi t'i bashkohej grupit.
 
Ishte hera e parë që takohesha me Marjolën dhe mendoj se nuk ishte e rastësishme që qëlluam njësoj në mendime dhe solidale në atë udhëtim sa të bukur aq dhe të çuditshëm. Ishim të dyja të përkushtuara e të interesuara me seriozitet në atë që do të shihnim e dëgjonim. Por jo i gjithë grupi e mendonte si ne: Gazetarët në grup, shumica e të cilëve sot janë në politikë ose në organizata të tjera, nuk kishin fare dëshirë të shijonin atë që mikëpritësit kishin menduar. Në çdo takim që bëhej, unë dhe Marjola merrnim presione të tipit "Ej mos bëni pyetje se s'do ta kalojmë ditën këtu në Bashkinë e Bernës... Duam shopping"... Çdo drekë apo darkë e menduar mirë, këndshëm, e ofruar me produktet e zonës që vizitonim ishte një stres tjetër. Për shembull, burrat gazetarë në tavolinë bënin sërish presion (në shqip) që të mos pranonim të pinim verën zvicerane të qytetit mikpritës (sepse s'ishte asgjë në krahasim me atë franceze, si në shije ashtu dhe në kosto). Dukej sikur asnjëri nuk kishte ardhur me dëshirë nga Tirana për të parë se si funksiononte një nga shtetet më përfektë të botës, por vetëm për të bërë shopping, pirë verë franceze a dalje nëpër klube nate... Dukej sikur grupi i gazetarëve shqiptarë ishin zviceranët që i dinin të gjitha, ndërsa autoritet zvicerane, ishin shqiptarët që çdo gjë duhej ende ta mësonin.
 
Ndërsa do të largoheshim nga Zvicra, zyrtarja e Ministrisë së Jashtme, e cila shumë herë kishte ndjerë situata për të të pakuptuaeshme, por kurrë nuk kishte reaguar, më tha mua dhe Marjolës në përshëndetje e sipër: Jam e bindur se gratë e vajzat shqiptare janë  forca progresiste për Shqipërinë. Jeni ju një pasuri e madhe për vendin, ndaj mos u dorëzoni. Ju do ta ndryshoni. No Comment per burrat!". U përshëndetëm për të mos u parë kurrë më, por fjalët e zyrtares zvicerane më kthehen shpeshherë në mendje në rrethana të tjera, në të përditshmen tonë shqiptare.
 
Jam e bindur se seicila grua shqiptare mund të sjellë shembuj, rrethana nga profesioni i vet, apo nga mjedisi i saj i punës. Nuk është e tepërt të dëshmoj se gratë e vajzat janë më të përkushtuara dhe më serioze në punë, me më pak dëshirë për të korruptuar e për t'u korruptuar, me më shumë integritet dhe individualitet dhe rezistencë ndaj presioneve për shkeljen e rregullave. Dhe kur janë kaq të mira në një mjedis të ashpër e patriarkal siç është ende Shqipëria, mendoni se si mund të jetë dhe sa mund të japë për shoqërinë gruaja shqiptare në ditë më të mira.
 
Kjo e Zvicrës ishte një histori e vogël fare, por e solla për të treguar sa sa rrugë duhet bërë akoma në çdo profesion e mjedis që gruaja shqiptare të mos jetë vetëm, e izoluar dhe ndryshe përballë kolegëve apo partnerëve të seksit tjetër.
 E tregova këtë histori për të uruar dhe për t'ja dedikuar vitin e ri 2017 grave e vajzave të mira, korrekte, serioze, të përkushtuara, aspak indiferente ndaj zhvillimeve dhe evoluimit të shoqërisë. Këtë Periferi në prag festash ua dedikoj vajzave dhe grave që njoh, me të cilat punoj, komunikoj rrallë apo përditë; kolegeve, të njohurave  dhe mikeshave: Lindita, Entela, Genta, Eda, Edlira, Linda, Brizida, Silvi, Elvana, Anjeza, Monda, Evisi, Daniela, Anduela, Erjona, Jona, Aida, Eneida, Admirina, Dhurata, Ema, Erma, Beçina, Tefta, Silva, Mirlinda, Greta, Rudina, Ilva, Anila... e shumë e shumë të tjera që në përditshmërinë e tyre, me ndershmërinë e tyre intelektuale dhe pozitivitetin që tregojnë, të mund ta kanalizojnë gjithë energjinë në përmirësime për veten, për familjen dhe shoqërinë shqiptare.
Do të doja shumë që 2017 të ishte viti i lulëzimit të ideve e punës së butë e të mirë ferërore, i qëllimeve të vlefshme të vajzave dhe nënave të Shqipërisë. 
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
avatar
Anonim
Era Ju jap shume te drejte. E njejta gje ndodh Dhe ne udhetimet qe bejme ne te administrates. Niveli i kolegeve eshte teper i ulet Dhe aspak korrekt.
Rezultate tė tjera: 1
Intervista
‘5 Pyetjet’ Paloka: SHBA-BE na kėrcėnuan qė tė hyjmė nė zgjedhje
Vetting/Min.Drejtėsisė nė Report Tv: KLD tė vepronte mė shpejt
Erion Veliaj nė Report Tv: Ja sfidat e reja pėr Tiranėn 
Këndi i Njoftimeve
Shtypi i ditës
Datë 21/09/2017, Viti VII - NR.223