Shqiptarja.com
Përditësimi i fundit në 19:26 Regjistrohu | Identifikohu 
Home Aktualitet Politikë Ekonomi Sociale Kosova Bota Sport MetroNews Intervista Kulturë Shëndeti Blog Horoskopi
Homepage > Blog > Shkrimet e tjera
avatar Periferi
Alba Malltezi
27 Nentor 2015 20:00
Gjëra të vogla për Pavarësinë e madhe
Para se të rrahim gjoksin plot krenari që jemi shqiptarë, e të festojmë në eufori përvjetorin e Pavarësisë a bëjmë dot një gjë të vogël: A vendosim të jemi më pak krenarë dhe më shumë mendjehapur? Thjeshtë, të kanalizojmë pozitivisht energjitë tona për të ndërtuar diçka të mirë dhe të pranojmë pa pasoja mendimin ndryshe, kritikën. E që të jemi mëndjehapur, duhet lënë pak mënjanë kjo superkrenari për çdo gjë, apo kjo superego që kërkon vetëm të përkëdhelet.
 
Rilindasit ishin mendjehapur, ndoshta sepse kishin parë e shëtitur botën dhe kishin matur veten realisht me të tjerët. Ata kishin sensin e humorit dhe të autoironisë. Në veprat e tyre gjejmë shembujt më të bukur të thumbimit të veseve të shqiptarëve. Pas Rilindasve erdhën të tjera kohë që e vunë shqiptarin në "qendër" të Gjithësisë. Sidomos në kohën e Diktaturës. Atëherë, si në art ashtu dhe në jetën e përditshme, Enver Hoxha na nguli në mendje se ne ishim më të mençurit, më të lumturit, më të aftët në gjithë botën. Dhe pasojat e 50 viteve, ndjehen.
 
Sot, nëse shtrëngon një miqësi apo bashkëpunim, funksionon deri në momentin që thuren lëvdata reciproke. Nëse një nga palët, nga miqtë, shokët, kolegët, të afërmit, guxon të thotë disa të vërteta për gjëra që nuk shkojnë, ndodh jo fundi i botës, por aty afër. Në 50 vite diktaturë njeriu i ri i Enver Hoxhës nuk ishte ai i plot virtyteve, me muskuj, drejtësi e zgjuarsi; ishte një tullumbace e fryrë që nuk po shfryhet edhe sot e kësaj dite. Një njeri-tullumbace që plas vetëm nga fjalët. Sa i rrallë është në politikë pranimi i kritikës dhe vlerësimi i saj si një mundësi ndriçimi për të gjetur rrugët më të mira për t'u përmirësuar.
 
Ne shqiptarët e sotëm, viktima të asaj diktature të ashpër, ta pranojmë, jemi njerëz ndryshe. Mund ta them? Pak të ngurtësuar në pozicione strikte. Jemi të mirë për gallatë, por në të parën kritikë që mund të themi a na thuhet, shndërrohemi në të frikshëm: minimumi në të zhurmshëm, maksimumi në të dhunshëm. Përballë një mendimi ndryshe, një "sharjeje", reagimet e kujtdo janë gati katastrofike; në rastin më të mirë përfundojnë me një prishje miqësie apo marrëdhënie pune, në rastin më të keq... i njohim ngjarjet e kronikës së zezë kur thuhet: "E vrau për motive të dobëta... apo për një fjalë goje".
 
Në këtë përvjetor të Pavarësisë askush nga ne nuk ka në dorë të bëjë gjëra të mëdha. Kjo e jona, për shumë arsye, nuk është epoka e shqiptarëve mëndjendritur. Sikur të tentojmë të ndryshojmë me disa gjëra të vogla: Si krenaria e tepruar, për shembull.
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
avatar
Anonim
Jaupi Po ne nuk merremi me gjana te vogla. Jemi kokat ma tndricueme č ma intelligjente
Rezultate tė tjera: 1
Intervista
Gjinushi: I zhgėnjyer me Ramėn do mė ftojė kur t’i prishet makina
Deputetja 23 vjeēare Floida Kėrpaēi:S'​pres asgjė nga kjo qeveri
/UNESCO:Ndėrtimi nė Butrint u bė pa na konsultuar
Këndi i Njoftimeve
Oferte Punesimi
Shtypi i ditës
Datë 16/10/2017, Viti VII - NR.244