Shqiptarja.com
Përditësimi i fundit në 22:31 Regjistrohu | Identifikohu 
Home Aktualitet Politikë Ekonomi Sociale Kosova Bota Sport MetroNews Intervista Kulturë Shëndeti Blog Horoskopi
Homepage > Blog > Shkrimet e tjera
avatar Periferi
Alba Malltezi
28 Dhjetor 2016 2:40
Një e vërtetë, dhuratë
për veten këtë ditëlindje
Jetojmë në një vend ku edhe për shënjtoren Nënë Terezë kanë gjetur fjalë të papërshtatshme për ta përshkruar. Në vend që të ishte një vlerë absolute vetëmohimi e sakrifice, mençurie e ndriçimi për të gjithë shqiptarët, dalin disa që kanë për të rithënë e për të rishkruar e ripërshkruar atë që Universi e ka destinuar si të tillë: një grua të ndriçuar, të rrallë në mbarë Globin.

Jetojmë në një vend, kur edhe pse jemi në vitin 2016, me aspirata dhe vetëm një hap nga Europa dhe Perëndimi i shumëndërruar gruaja është pak më shumë se asgjë: Diçka që vlen për të hekurosur, larë, gatuar, shërbyer kafenë, rritur fëmijë; por nëse dëshiron të shpalosë e të tregojë natyrën e saj, atë për të cilën Universi e ka destinuar, inatos, xhelozon, vë në siklet e në pozita lufte, shpërfillje, shtypje, përbuzje Meshkujt. Të cilët, edhe pse në vitin 2016, e dashurojnë dhe admirojnë aq shumë njëri-tjetrin si të ishin akoma në kohën e hamameve të Perandorisë Turke.

Po rilexoja këto ditë një libër shqiptari me influencë që kishte renditur me radhë pa fund meritat e “burrave” te medias. Shumica trafikantë, evazorë, shkelës ligjesh, grabitës projektesh e financimesh projektesh komunitare, drogmenë, mashtrues bankash e bilancesh, stalkera apo imoralë ordinerë, por me “meritën e madhe” se kanë bërë në Shqipëri media luksoze. Në vendin më të varfër në Europë, me gazetarët më të keqpaguar në Europë, me tregun më të vogël në Europë, me më pak reklama të mundshme në qarkullim, por me më shumë media se kudo tjetër, këta “burra” kanë meritën dhe respektojnë njëri-tjetrin se kanë “bërë” Media. Dhe ka nga ata që i admirojnë e lavdërojnë, i sajdisin e respektojnë, sikur të kishin ndonjë talent tjetër veç atij të rrjepjes, lëpirjes, apo intrigave të radhës e të rastit. Po vërtetë këtë askush nuk e dallon?!

Jetojmë në një vend ku edhe pse po troket për pak ditë 2017, gruaja nuk mund të konceptohet më tepër se një shërbyese, pavarësisht etiketës së rastit që shpalos. Ajo mund të jetë një ministre, por nuk vlen më shumë se një sekretare, mund të jetë doktoreshë, por shihet si infermiere, është mësuese, por pak e besojnë se ka për të mësuar. Jemi në vendin kur ende gruas i drejtohen me “kjo”, e poshtërojnë për shkak të gjinisë dhe jo vetëm që nuk ja njohin meritat e punës së saj, por shpesh ia grabisin me dhunë apo me lezet atë që bën.
Prandaj për 2017 uroj që gruaja shqiptare të jetë me kokën më lart. Të bëjë siç ushtrohen balerinët: Ditë pas dite këmbën e hedhin më lart, e javë pas jave ushtrohen në më të bukurën piruetë.

E ta dini që unë nuk jam nga më të vuajturat. Përkundrazi: në rrugëtimin tim në fushën e vështirë të mediave, ndryshe nga shumë koleget e mia, kam pasur Maestro dhe në krah, bashkëshortin tim. Ka qenë gjithnjë si një mburojë transparente, por tepër e fortë për mua, që me kalimin e kohës bëri që të çelë tek unë Liria dhe mundësia për të thënë të vërteta me natyrshmëri e pa asnjë frikë e ndroje. Si ajo e 21 Janarit 2011, për shembull.
 
Nuk e di dhe nuk mund ta imagjinoj akoma sot se si do të kishin rrjedhur ngjarjet dhe si do të kishte ecur në Shqipëri historia, nëse unë, atë natë janari, rreth orës 22. 00 te mos shihja dhe rishihja videot e publikuara nga televizioni kombëtar i Sandrit, ku me aq pasion tregohej se si një i moshuar flokëbardhë, protestues, kishte kaluar afër Ziver Veizit dhe kishte qenë ai që e kishte vrarë. Atë ditë shqiptarët – sipas sandrogazetarëve dhe të tjerëve - ishin vrarë nga afër, me pistoleta çadra…

Qëllova atë natë në shtëpinë time në Bari, siç jam dhe sonte, ku pres ditëlindjen time të 44 dhe isha kryeredaktore në distancë e News24. Carlo ishte ende në redaksinë e “La Gazzetta del Mezzoggiorno”, ku në atë orar kontrollonte faqet e fundit për në tipografi të gazetës puljeze që drejtonte që prej 2008.

Ndoshta largësia nga Tirana, ndoshta gjakftohtësia apo ndriçimi i kujt kërkon të shohë më mirë, më bindën që Veizi kishte rënë përdhe nga të shtëna që vinin nga drejtimi i Qeverisë e jo nga i moshuari që kalonte aty afër me duar ne xhepa. Në atë orë, redaksia e News24 ishte gati bosh. Dita e gjatë dhe e lodhshme kishte bërë që gazetarët të largoheshin pa kuptuar akoma se çfarë kishte ndodhur në bulevard. Kontaktoj në messenger redaktoren përgjegjëse në turn, Erin, ku i kërkoj të shohim ç'kemi filmuar, i them që unë kuptoj se nga këto pamje me ngadalësim te Klan shihet e kundërta e asaj që ata thonë, shihet se nga është qëlluar vërtetë.
 
Pas pak minutash Eri, edhe pse me lodhjen e një dite të gjatë e të vështirë,  më konfirmoi se edhe kameramanët tanë i kishin ato pamje: "Alba, ne i kemi ato pamje"..., po i rishikonin, kuptohej se nga kishin qëlluar. Vendosëm të gjejmë, e të thërrisnim në studio Artan Hoxhën. Kush më mirë se ai njihte fytyrat, njerëzit..., pastaj teknikët tanë me rrathët e famshëm të kuq shënuan kush qëlloi, si qëlluan e kë vranë. Carlo nga La Gazzetta, pa mëdyshjen më të vogël dha OK! Të futemi Live e të komentojmë se çfarë ka ndodhur... Historinë më pas të gjithë e dinë, por sot, në këtë ditëlindjen time, dua t’ia bëj këtë dhuratë vetes: Nëse unë nuk do të kisha parë 20 herë videon e Tv të Sandrit, nëse Carlo Bollino nuk do të jepte OK për publikimin, nëse Artan Hoxha nuk do të ishte kthyer në studio të tregonte fije për pe nga ishte qëlluar e kush kishte qëlluar, si do të kishte vazhduar sot Historia?

Në ditët në vazhdim u kthjelluam dhe i thamë njëri-tjetrit: Po ato pamje i kishin të gjitha televizionet. Atë ditë të gjitha kamerat ishin vendosur në një pedanë prej druri dhe të gjithë filmuan. Të gjithë, edhe pse i kishin, jepnin vetëm pamjet e News24, që në atë kohë menaxhohej nga ne. Italianët e shitën menjëherë grupin që ata kishin në pronësi e ne drejtonim prej 18 vitesh, duke marrë 6 milionët e eurove. Ne u rikthyem të brishtë në vjeshtë të atij viti duke themeluar Shqiptarja.com si të ishim në shpellën e Ciklopit.
Kjo ishte një histori e vogël-e vërtetë e imja. Por sa të tilla kanë shumë vajza dhe gra në profesionet e tyre? Askush nuk i di, janë si medalje në gjokse të pamerituara. 
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
avatar
Anonim
Indriti Une them se Berisha e kishte mbyll muhabetin siē e kishte programuar ;) ia thyte vezet ne shporte :)
Rezultate tė tjera: 1
Intervista
‘5 Pyetjet’ Paloka: SHBA-BE na kėrcėnuan qė tė hyjmė nė zgjedhje
Vetting/Min.Drejtėsisė nė Report Tv: KLD tė vepronte mė shpejt
Erion Veliaj nė Report Tv: Ja sfidat e reja pėr Tiranėn 
Këndi i Njoftimeve
Shtypi i ditës
Datë 21/09/2017, Viti VII - NR.223