Shqiptarja.com
Përditësimi i fundit në 04:36 Regjistrohu | Identifikohu 
Home Aktualitet Politikë Ekonomi Sociale Kosova Bota Sport MetroNews Intervista Kulturë Shëndeti Blog Horoskopi
Homepage > Blog > Shkrimet e tjera
avatar Shastisje
Oltion Spiro
5 Mars 2013 12:26
Gjykata antikushtetuese
Nga gjithë shumatorja e premtimeve të Opozitës, vetëm një duhet të triumfojë në fund të mandatit të saj qeverisës, nëse ajo do të marrë frenat e Shqipërisë në dorë. Madje dhe aleancat me Ilirërat dhe Bamirërat do të jenë krejt anekdotike (fatkeqësisht…) nëse ky premtim do të mbahet në mos i plotë, i qartë dhe i prekshëm për popullin. Nga të gjithë instrumentat matës të suksesit të Opozitës, nëse ajo do të vijë në pushtet pas qershorit, ai ku duhet të fokusohen të gjithë, analistë, gazetarë, opinionistë, opinionbërës, opinionpësues, është suksesi në rikthimin e ligjshmërisë dhe e sensit të drejtësisë brenda gjykatave shqiptare.

Është e kotë të shpresohet në çrrënjosjen e korrupsionit, lubrifikanti par excellence i ecjes përpara të një ekonomie tregu gjithmonë e më në krizë dhe që ka nevojë për para, është e kotë të shpresohet në një drejtësi shoqërore kur përpara interesave të fuqishme të disa bizneseve, një shtet i tërë përkulet si shkop i hedhjes për së larti. Por ama një gjë duhet ta kërkojmë. Me ngulm. Nuk mund të kërkojmë dot çrrënjosjen e ligjit të rrugës nga rrugët shqiptare, është herët, por duhet të kërkojmë me vendosmëri largimin e tij nga gjykatat. Rikthimin e besimit te gjykatat në mendjet e individit të thjeshtë. Kaq gjë për katër vjet duhet bërë. Përndryshe…

Përndryshe do të ndodhë ajo që ka filluar tashmë dhe që po vazhdon pareshtur të kalbë shtyllën kurrizore të shtetit të së drejtës. Tashmë duket si një situatë e pakthyeshme, sidomos kur në lojë është nderi i marrë fund i Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë, që meriton edhe në kohë kolerash respektin më të madh të të gjithëve, sepse është shprehja më e lartë e mbijetesës së parimeve të shtetit të së drejtës, ka ca kohë që po tregon një zell reaksionar në mbrojtjen e interesave jo të shtetit, por të pushtetit që i dikton vendimet. Nuk jemi në brendësi të marrëdhënieve të pushtetit me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese por vendimet që ajo po merr janë pasqyrim shumë i saktë i një realiteti të hidhur.

Vendimi i fundit që mban vulën e shërbimit për pushtetin është ai që ka të bëjë me sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve. Aktet në fuqi deri në botimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 24.9.2010 rregullonin në këtë mënyrë pensionet e ish ushtarakëve: për 15 vitet e para të shërbimit, ushtaraku do të përfitonte 50% dhe për vitet e tjera të shërbimit mbi këtë afat do të përfitonte një rritje prej 2% të pagës referuese, për çdo vit shërbimi. Lufta e Qeverisë për ta ulur këtë përfitim ka qenë e paepur, provuan me të gjitha mënyrat, por gjithmonë është përcjellë me ceremoni nga e ndjera Gjykatë Kushtetuese, atëherë kur ajo e bënte mirë punën e vet.

Më 24.9.2010, Qeveria, në kuadër të luftës kundër ish ushtarakëve, gjeti një mënyrë për të mposhtur rezistencat e tepërta, duke luajtur me termat. Sipas Vendimit të Qeverisë, paga referuese do të kuptohej si paga mujore neto e ish ushtarakëve. Pasoja e kësaj luhatjeje gjuhësore është e rëndë për mijëra shërbëtorë të atdheut, të cilët këtë pension të parakohshëm që përfitojnë e kanë si të ardhur kryesore për familjet e tyre. Luhatja gjuhësore e teknicienëve të Qeverisë është e rrezikshme: së pari se një interpretim i tillë është i gabuar juridikisht dhe së dyti sepse është bërë thjesht dhe vetëm për t’i prishur punë një kategorie njerëzish që Qeveria nuk i ka shumë qejf. Është e gabuar juridikisht sepse paga, sipas përkufizimit të Kodit të Punës, nuk nënkupton vetëm pjesën që merr në dorë punëmarrësi, ose ndryshe e quajtur neto, e shpëlarë nga çdo detyrim ligjor që lidhet me tatimin për të ardhurat personale dhe për pagesën e sigurimeve shoqërore. Paga nënkupton tërësinë e shumës që i takon punëmarrësit, duke përfshirë dhe pjesën që do të merret në formë tatimi dhe atë që mbahet në formën e pagesës për sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Tatimi është një formë shpronësimi që bëhet mbi një pronë të caktuar, që në këtë rast është paga e plotë ose ndryshe bruto e punëmarrësit, ndërsa mbajtja e përqindjes së pagës në formën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është në fakt një lloj investimi i pasurisë së punëmarrësit për të ardhmen e tij dhe për rastet kur ai do të ketë nevojë për ndihmë mjekësore. Pra, paga, e marrë në tërësi, është pasuri e punëmarrësit. Kuptimi që i jep vendimi i Këshillit të Ministrave pagës, duke e asimiluar më pagën neto, është tërësisht i asimilueshëm me kohën e komunizmit, kur s’kishte as tatime, as sigurime. Dhe fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese e ka pranuar këtë argumentim.

Si ka arritur kjo Gjykatë të pranojë një argumentim të tillë që bie ndesh me çdo lloj kuptimi juridik? Përgjigja është më e thjeshtë se ç’mund të mendojmë: kriza botërore, e kudondodhura, preteksti shpëtimtar i pikuar nga qielli. Gjykata Kushtetuese thotë se është e vërtetë se disa ish ushtarakë do të përfitojnë më pak se të tjerë dhe kësisoj do të ketë një shkelje të sigurisë juridike, parim kushtetues i zbuluar nga vetë kjo Gjykatë. Por në praktikë, mund të ketë raste (dhe në fakt, potencialisht mund të ekzistojnë të tilla) ku siguria juridike mund të preket nëse ka një interes publik të fuqishëm që mund ta justifikojë një gjë të tillë dhe të jetë e arsyeshme dhe në përpjesëtim me gjendjen që ka diktuar ndërhyrjen. Gjykata Kushtetuese vlerëson çuditërisht se nëse nuk do të pranohet ndryshimi i qeverisë, buxheti publik “do të pësonte një goditje të konsiderueshme”… Është shumë e habitshme një shprehje kaq emfatike sepse në radhë të parë Gjykata nuk e sqaron ku do të goditet, sa do të goditet dhe a do e marrë ndonjëherë veten nga kjo goditje buxheti. Nuk e shpjegon, por në rastet e ndërhyrjes në sigurinë juridike të individëve, Gjykata Kushtetuese pikërisht duhet të shpjegojë qartë dhe pa ekuivoke si do të goditet interesi publik. Gjykata politike nuk e bëri. Gjykata, meqenëse mori tagra politike, duhet ndoshta t’i ishte referuar deklaratave të Kryeministrit për rritje pensionesh dhe rrogash, si dhe për zotimin e tij solemn se për tre vitet e para të punës për çdo student, shteti do të marrë përsipër pagesën e sigurimeve shoqërore. Këto nuk janë shenja krizash, sidomos kur je vendi i katërt në botë për mirëqenie dhe me rritjen ekonomike më lartë pas Gjermanisë.

Gjykata mori anën jo të shtetit, fenomen i njohur në gjykatat ndërkombëtare në rast se interesi publik e kërkon, por mori anën e pushtetit.

Kjo është çështja që duhet të zgjidhe Opozita, nëse do të vijë në pushtet. E ritheksojmë është vendimtare për të vetë dhe thelbësore për liritë e njeriut dhe të grupeve shoqërore.
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
avatar
Anonim
Nafizi Oltion te pershendes dhe te uroj qe te ecte pena! Reformimi apo permiresimi urgjent i sistemit te drejtesise dhe atij te gjykatave qe nga me te uletat e deri tek ajo Kushtetuese si pjese e rendesishme e sistemit, eshte deftuesi me i mire i vendosmerise, sinqeritetit dashurise qe ka PS per kete popull dhe shtresat e neperkembura te tij.
avatar
Analist
klodjan B Nuk dua te futem ne "permbajtjen" e shkrimit, por dua te them kete: Oltion, nese Rama vjen ne pushtet dhe do te kete vullnetin qe te reformoje sistemin e drejtesise ( dhe jo gjykatat, siē thua ti!), me kete kushtetute te mire qe kemi, do i duhen votat e opozites ( Pd, e zeme) nese Rama nuk merr 84 vende ne parlament ( praktikisht e pa mundur). Dhe ēeshtja eshte, a do e reforomoji rama dhe berisha drejtesine? un them se jo! kurre! jane te njollosur te dy! ne te kundert, e reforojne neser!!!!
avatar
Anonim
boku Nuk jane dhe aq sa i pershkruani ju, por duket qe rrifni majtas dhe c'do gje ju duket e zeze.
avatar
Anonim
aqif kete e kane ne dore shqiptaret qe te rregullojne ustallaret
avatar
Anonim
lima Gjykata eshte antikushtetuese sic eshte dhe shteti shqiptar antikushtetues
Rezultate tė tjera: 1
Intervista
Romani “E penguara”, Kadare intervistė pėr gjermanen “Die Welt”
Humbja e PD nė zgjedhje, Salianji: Basha mori pėrgjegjėsitė e duhura
Sėmundja e rrallė, 19 vitet e vėshtira tė Geraldinės
Këndi i Njoftimeve
Shtypi i ditës
Datë 25/07/2017, Viti VII - NR.173