Himara pjesë e Kaonisë, grekë e romakë flasin për përkatësinë ilire

1 / 9
2 / 9
3 / 9
4 / 9
5 / 9
6 / 9
7 / 9
8 / 9
9 / 9
17 Gusht 2018, 13:30

Nga Rami Memushaj

Në lashtësi, krahina që sot quhet Labëri dhe para dy shekujsh Himarë, quhej Kaoni dhe banorët e saj kaonë. Kaonët kanë qenë një nga fiset e Ilirisë Jugperëndimore, që përmenden për herë të parë prej Hekateut, dijetar grek i fundit të shek. VI–fillimi i shek. V para Krishtit, në librin e tij “Udhëtim rreth botës” dhe prej Skylaksit, bashkëkohës i Hekateut, i cili thotë se “pas ilirëve vijnë Kaonët... pas Kaonisë vjen fisi i Thesprotëve”. Pas tyre, kaonët i përmend Tuqididi në çerekun e fundit të shek. V para Krishtit si aleatë të spartanëve dhe të ambrakasve kundër Athinës. 

Emri i Kaonisë dhe i kaonëve del tek të gjithë autorët e mëvonshëm grekë dhe romakë, duke përfunduar me Stefan  Bizantinin,autor i shek. VI pas Krishtit, i cili jep hartën etnike të Epirit para se fiset të zhduken përgjithmonë. Paskëtaj emri i Kaonisë nuk del më në dokumentet mesjetare. Atë e hasim vetëm një herë te Kritobuli, historian grek i shek XV, i cili, kur përshkruan fushatën e vitit 1459 të sultan Mehmetit II kundër shqiptarëve të viseve përballë Korfuzit, thotë se “në fillim ilirët e kësaj treve quheshin mahaonë”. Në gojën e banorëve të krahinës, emri Kaoni do të jetë ruajtur më gjatë, siç mund të gjykohet nga dëshmi të shkruara dhe nga folklori i krahinës. Kështu, më 1759, në një informacion vendës për provincën e Himarës, thuhet se “provinca që quhet sot Himarë, ose popujt himarjotë, janë Epiri i vjetër Perëndimor, që njihej më emrin Haoni dhe popuj të Haonisë”. Dëshmitë nga folklori janë edhe më të shumta, madje këngë popullore labe që përmendin Kaoninë janë ruajtur deri në ditët tona.  P.sh., vargjet e një kënge të vjetër të Himarës thonë:“Ata dinë ç’trima jemi/ që në ko të Haonisë”. Në përmbledhjen me këngë popullore të Thimi Mitkos, botuar më 1878, emri Kaoni del dy herë: si fillim i një përralle: “Në Haoni, në mes të Hormovës e Tepelenës...”; dhe si titull: “Kënga e Gjikë Thanasit nga Borshi i Haonisë”.