Objekti misterioz poshtë vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë

1 / 5
2 / 5
3 / 5
4 / 5
5 / 5
16 Gusht 2018, 18:57

"Objekti misterioz që fshihet 2.43 m poshtë dyshemesë së navatës së katedrales mesjetare të Shën Nikollit dhe Përmendores së Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu në qytetin e Lezhës".

*Në bazë të të dhënave që ruhen në Raportin e gërmimit të A.M.H.Lezhë i mbajtur nga drejtori i nderuar i asaj kohe, Z.Loro Gjeçi(ndjesë pastë) që shënon dt.23.07.1978, flitet për zhvillimin e një ekspedite arkeologjike nën udhëheqjen e arkeologut të madh shqiptar Prof.Frano Prendi(ndjesë pastë), ku gjatë së cilës u realizua eksplorimi i dyshemesë së katedrales mesjetare të Shën Nikollit.

Përveç disa fragmenteve murale të mbivendosura mbi njëra-tjetrën, pikërisht në qendër të katedrales u zbulua një objekt shumë interesant, për të cilin, në qarqet shkencore është diskutuar dhe vendosur në mënyrë shumë konfidenciale. Ky objekt misterioz është i pozicionuar në drejtim veri-jug sipas gjatësisë dhe lindje-perëndim sipas gjerësisë së tij. Objekti përbëhet nga dy rradhë gurësh antikë me përmasa të konsiderueshme, të vendosur në formë drejtkëndëshi dhe të lidhur me plumb.

Radha e parë, pra pjesa e poshtme, është më e madhe dhe mbi të është vendosur radha e dytë. Sipas matjeve që unë kam kryer sot, përmasat e radhës së parë të gurëve janë; 2.85 m gjatësi, 1.96 m gjerësi dhe 0.29 m lartësi, e ndërsa përmasat e radhës së dytë janë; 2.54 m gjatësi, 1.64 m gjerësi dhe 0.26 m lartësi. Mbi sipërfaqen e radhë së dytë të gurëve duken mjaft qartë edhe shenjat e radhës së tretë, por që në fakt nga kjo strukturë nuk është zbuluar qoftë edhe një fragment i vetëm. Në qendër të radhës së dytë të gurëve gjendet një hapësirë e zbrazët, e cila sipas matjeve ka këto përmasa; 1.56 m gjatësi në drejtim veri-jug, 0.40 m gjerësi në skajin verior dhe 0.45 m gjerësi në skajin jugor. Pikërisht në këtë hapësirë duhet të ketë qenë e pozicionuar pjesa e poshtme e sarkofagut të gurtë ose ndoshta e punuar në mermer sipas tipologjisë së varreve monumentale të mbretërve dhe princërve të fuqishëm që janë ndërtuar aq mjeshtërisht nëpër hapësirat e brendshme të katedraleve mesjetare në vendet e Europës perëndimore gjatë Mesjetës së vonë.