Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mbi 85% e fondit të projektit ‘1 miliardë dollar’ do të shkojë për investime në veri.
Nga Klosi, ku ishte i pranishëm në aktivitetin për çeljen e punimeve të ‘Rrugës së Arbrit’, tha se veriu do të ketë vëmendjen e qeverisë, duke ju përgjigjur kështu ish-kryeministrit Sali Berisha se ‘Rama e urren veriun’.
‘Hajgarja’ nuk pushon, ‘Rama urren veriun’. Mbi 85% e fondit të ‘1 miliardëve’ shkon në veri, nga Tirana e lart. Janë dhe një sërë aksesh tjera strategjike që do të ndërtohen. Rrugët tona do të jenë ‘HD’ dhe jo si rrugët e Saliut.
Më tej, kryeministri Rama akuzoi qeverinë e Berishës, duke thënë se nuk bëri asnjë rrugë, por la vetëm një gropë të madhe me borxhe. Sipas tij, ‘Rruga e Arbrit’ do të lidhë Klosin me Tiranën për 30 minuta.
Rrugët ekzistojnë, por janë në gjendje të mjerueshme. Nëse do ishin bërë gjërat me mend e projekte, Rruga e Arbrit do të kishte përfunduar 10 vjet më parë. Qeveria që e premtoi me më shumë fuqi e ulërima, jo që nuk e përfundoi, por vetëm sa e pickoi, siç bëri në të gjithë Shqipërinë, duke lënë një gropë të madhe borxhesh.