Shqiptarja.com
Përditësimi i fundit në 09:43 Regjistrohu | Identifikohu 
Home Aktualitet Politikë Ekonomi Sociale Kosova Bota Sport MetroNews Intervista Kulturë Shëndeti Blog Horoskopi
Aktivitete Carlo BOLLINO*
05 Dhjetor 2016 - 11:00 | përditesuar në 11:42
Bollino: Kush ka frikë nga
Bunk'Art e kujtimi i komunizmit?
Të rrëfesh tmerret e komunizmit mbetet një punë jo e lehtë. U bënë mbi 20 vjet që përpiqem, po tani e kuptoj se jo vetëm që ka shumë ende për të rrëfyer, por mbi të gjitha, bllokada kulturore e përbërë nga paragjykime e tabu’ që pengojnë përhapjen e kësaj, është ende e fuqishme, e ushqyer jo aq nga zemërimi nostalgjik i komunistëve, se sa nga urrejtja e antikomunistëve. Sado të duket paradoksale, opozitorët më të mëdhenj kundër tregimit të krimeve komuniste vijojnë të jenë në fakt pikërisht ata politikanë dhe analistë që prej 25 vitesh e kanë bërë antikomunizmin flamurin e tyre.

Sfida ime për të rrëfyer të fshehtat e komunizmit filloi që nga muajt e para të “Gazeta Shqiptare”(qe themelova ne 1993): fillova me ndihmën e studiuesit dhe mikut Dashnor Kaloçi të publikoja dossier-et lidhur me periudhën e sundimit të Enver Hoxhës. Gazetarët e mi rrëmonin në arkiv, ashtu si në vende të tjera gazetarët rrëmojnë nëpër sallat e parlamenteve apo dhomat e partive. Për mua, që vija nga një vend ku gazetat shkruanin vetëm gjëra lidhur me aktualitetin, ishte një surprizë e madhe të zbuloja që për Shqipërinë gjëja më aktuale për të rrëfyer ishte Historia. Po ato muaj nisën ndaj meje kundërshtimet e para të fuqishme nga ana e Sali Berishës dhe kalemxhinjve të tij (që nga viti 1993, doktori ka patur rreth vetes gjithnjë gazetarë-killer): për vite të tëra besova se gjithë kjo armiqësi ndaj meje vinte nga fakti se “Gazeta Shqiptare” në atë moment ishte e vetmja gazetë që në Shqipëri botonte lajme mbi kriminalitetin, temë tjetër kjo që rregullat e ngurta komuniste e kishin ndaluar për 45 vjet. Ndërsa sot arrij të kuptoj se Berisha nuk më urrente vetëm sepse kisha thyer tabunë e kronikës së zezë, por edhe pse shkoja të gërmoja nëpër arkiva për të rrëfyer tmerret e komunizmit. Kush e di se nga çfarë trembej se do të zbuloja…    
       
“Gazeta Shqiptare” edhe në këtë drejtim u kthye në shkollë. Sot nuk ka asnjë gazetë të vetme në Shqipëri, apo gazetar, që të mos ketë botuar të paktën një faqe dedikuar mistereve të historisë. Madje, ndonjë bën edhe libra. Kështu, për të kërkuar forma të reja të komunikimit, nisa t’i kushtohem projektit “Bunk’Art”. Në fund të fundit “Bunk’Art”-i është një mënyrë tjetër për të rrëfyer të fshehtat e komunizmit, me të njejtën “lehtësi” (ndonëse të shoqëruar me korrektësinë e njejtë historike) që ka dalluar gjithnjë rrëfimet e gazetarëve nga rrëfimi i bërë prej historianëve. “Bunk’Art” nuk pretendon të jetë një muze’ klasik (muzetë klasikë, të cilët në të vërtetë janë në krizë në botën mbarë, ua lemë akademikëve t’i bëjnë) por më tepër një ekspozitë moderne video-muzeale, në të cilën historia rrëfehet në një formë më tërheqëse dhe, ku është e mundur, artistike. Natyrisht, gjithshka që përmban “Bunk’Art”-i është i saktë dhe i dokumentuar (në sajë të punës tejet skrupoloze të koleges Admirina Peçi dhe bashkëpunëtorëve të saj), por rrëfimi është bërë në mënyrë divulguese.

Është pikërisht kjo formë “e lehtë” dhe moderne, që solli suksesin e madh të “Bunk’Art”-it të pare, dhe tani të “Bunk’Art”-it 2: të dy ata janë vendosur brenda ish-bunkerëve prej betoni që u ndërtuan nga Enver Hoxha në kuadër të delirit të tij për plotfuqishmëri të shpërthyer në vitet ’70, kur pretendoi të bunkerizonte vendin për të zbatuar projektin e tij të çmendur të izolimit të plotë, që do të përfundonte me prishjen me Kinën. “Bunk’Art-1” rrëfen historinë ushtarake të Shqipërisë komuniste dhe jetesën e përditshme në vitet e regjimit, ndërkohë që “Bunk’Art-2” përqendrohet në historinë e ministrisë së Brendshme, e cila, nëpërmjet Sigurimit, ishte nga përgjegjëset kryesore të krimeve më të rënda të kryera nga komunizmi.

Grumbullimi i materialeve zgjati muaj të tërë, dhe kjo punë më dëshmoi se si kultura e fshehjes së historisë, në vend që ta ruante atë për ta rrëfyer (“Rrno vetëm për me tregue”, thoshte At Zef Pllumbi), ka shkaktuar dëme të pariparueshme. Plaçkitjet e filluara në vitin 1997 nuk prishën vetëm depot e armëve, por boshatisën edhe magazina të tëra, ku ruheshin mijëra objekte të së kaluarës, tashmë të fshirë një herë e përgjithmonë nga muzeu i kujtesës kolektive duke përfunduar në tregjet e huaja, duke u asgjësuar si skrap apo të përfundurara në fshehtësinë e koleksioneve private. Mania për të fshirë gjurmët e së kaluarës që ka frymëzuar për 25 vjet politikën personale dhe kulturore të Berishës e njerëzve të tij, ka prishur ndoshta për gjithnjë mundësinë për të rindërtuar me themel, për qëllime historike dhe didaktike, makinën dhe mekanizmat e pushtetit komunist.

Kam gërmuar ndër magazina të rrënuara dhe hekurishte të vjetra të hedhura për të gjetur ndonjë objekt simbol të një të kaluare të kapërcyer, duke u përballur madje edhe me ligje të shtetit, që janë hartuar pikërisht për të penguar që ky operacion rekuperimi të mund të kryhet në mënyrë të lehtë. Kjo më detyroi në mungesë të materialeve origjinale, në ndonjë rast, të rikrijoj atmosferën e persekutimeve duke përdorur simbole dhe jo relike.

Projekti “Bunk’Art”, që natyrisht nuk mund të pretendojë të mbushë plotësisht boshllëkun informativ i cili që prej 25 vjetësh vijon të fshehë tmerret e komunizmit, është një përpjekje për t’u rrëfyer, treguar dhe shpjeguar, sidomos brezave të rinj, përveçse të huajve, se çfarë ndodhi në të vërtetë në 45 vjetët e terrorit enverist. E djathta shqiptare duhej të ishte e para që të duartokiste një operacion të tillë të transparencës historike, ndërkohë që është pikërisht pala politike që po e kundërshton më egërsisht. PD dhe media e saj sulmojnë një muzeum që denoncon komunizmin, dhe kjo është me të vërtetë e pabesueshme.

“Analistët” berishianë prej muajsh përpiqen të kriminalizojnë projektin “Bunk’Art” në çdo formë dhe me argumentat më qesharakë, ku përfshihet edhe më i fundit – komik dhe grotesk në të njejtën kohë – sipas të cilit bunkerët në të cilët janë vendosur dy ekspozitat, “nuk ishin anti-bërthamorë”. Konstruksione të viteve ’70-’80 me mure të trashë 240 centimetra shkëmb, hekur e çimento, me pesë porta të blinduara në hyrje, nuk janë anti-bërthamore? Çfarë teknologjie tjetër anti-bërthamore mund të dispononte Shqipëria në ato vite për të bërë më shumë se aq? E pastaj, në fund të fundit, çfarë ndryshon në se janë anti-bërthamorë apo jo? Kur dikush tregon me gisht Hënën, vetëm të marrët shohin gishtin. Kështu ndodh me kritikët e “Bunk’Art”-it: Në vend që të analizojnë materialet dhe dokumentat e ekspozuara, diskutojnë lidhur me ambjentin ku ato ndodhen. Në komunikim forma ka një vlerë të jashtëzakonshme, por vetëm sepse ndihmon për të shpërndarë mesazhin. Të rrëfesh tmerret e komunizmit brenda ish-bunkerit të ministrisë së Brendshme, që kishte bërë të lindnin këto tmerre, sigurisht është më e efektshme se të rrëfesh të njejtat tmerre në sallën e akullt të një muzeu.

Megjithatë, pasi kam injoruar shumë kritika të nisura nga pretekse të rreme dhe shpesh qesharake që kam lexuar lidhur me “Bunk’Art”-in, mendoj se disa prej tyre meritojnë vëmendje dhe përgjigje.
 
1) “Bunk’Art” 2 nuk është i vetmi vend ku tregohen tmerret e komunizmit
Është e vërtetë që prej disa vitesh është hapur një pavion mbi krimet e komunizmit edhe në sallën e fundit të katit të fundit të Muzeut Kombëtar (për ta gjetur atë sallë duhet të pyesësh ciceronin, pasi nuk ka asnjë tabelë që të ta tregojë ekzistencën e saj), por  materiali që paraqitet aty është i mbushur kryesisht me foto “horror” (nuk e di se si mund ta vizitojë një klasë me nxënës). Atje duket sikur diskriminohen viktimat e komunizmit në vend që të nderohen të gjitha në të njejtën mënyrë. Duket se është bërë një dallim mes viktimave të famshme ose politikisht të rëndësishme dhe viktimave të tjera: emrat e përmendur të martirëve të komunizmit janë nja 50, jo më shumë. Ndërkohë në “Bunk’Art” janë listat me më shumë se 10 mijë emra (madje të lexuar me zë të lartë), pa dallime prej rangut: të pushkatuar, të burgosur, të internuar, të zhdukur:  fshatarë dhe intelektualë, fetarë dhe ateistë, nacionalistë e komunistë. Në “Bunk’Art” 2 një hapsirë e rëndësishme i kushtohet edhe zbulimit të teknikave të spiunimit që përdorte pa skrupuj Sigurimi ndaj qytetarëve për të internuar, burgosur dhe vrarë më pas. Ky është një ankth që ka përndjekur miliona shqiptarë në 40 vite, por që në pavionin e Muzeut Kombëtar nuk trajtohet aspak. Ndërsa krahas “Zërit të Popullit” aty vendoset gazeta “RD”, një lapsus frojdian ky që flet për maninë e Berishës për të nënshkruar gjithçka, madje edhe historinë e komunizmit.
Edhe në Shkodër murgjit françeskanë kanë hapur në vitin 2013 “Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës” ku tregojnë dhomat e manastirit të tyre që përdoreshin si burgje komuniste. Por vendi, shumë tragjik, ua dedikon pjesën e vet dokumentare dhe fotografike kryesisht viktimave të Shkodrës. Në fund është “Postblloku” i ndërtuar nga analisti Fatos Lubonja dhe artisti Ardian Isufi, një instalacion për të kujtuar vuajtjet në diktaturë përuruar në mars të vitit 2013 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Janë tri relike prej betoni (një bunker i vogël tip ‘qendër zjarri’, trarët e një galerie të minierës së Spaçit dhe një copë nga Muri i Berlinit) dhe kaq. Është me interes të kujtohet se edhe në ceremoninë e përurimit të këtij instalacioni, ish-kryeministri i atëhershëm Sali Berisha refuzoi të merrte pjesë.            
  
Asgjë prej këtyre tri vendeve nuk më duket e krahasueshme me Bunk’Art 2, sa u përket parmasave, mënyrës së ekspozimit, përmbajtjes dhe impaktit emocional që shkakton tek vizitorët. Natyrisht duhet që vende të tjera të kujtesës mbi krimet komuniste të realizohen, edhe më të mëdha për nga rëndësia dhe cilësia me atë që realizuam ne. Por për gjërat konkrete përgjigja duhet të jetë me vepra konkrete, jo me “bla, bla, bla”.

2) “Bunk’Art”2 tregon viktimat e komunizmit, jo xhelatët
Në ekspozitë tregohen me emër dhe foto të gjithë ministrat e Brendshëm që kanë mbajtur këtë post gjatë diktaturës komuniste, dhe ministrat e Brendshëm kishin një përgjegjësi të jashtëzakonshme politike e personale në ekzekutimin e urdhërave kriminale të dhëna nga Enver Hoxha. Ky është një projekt në evolucion të vazhdueshëm, kështu në ditët në vazhdim “Bunk’Art” 2 do të pasurohet me dokumenta të tjerë, përfshirë këtu emrat e të gjithë drejtorëve te Sigurimit, të drejtorëve të burgjeve dhe kampeve në të cilat dërgoheshin dhe torturoheshin të burgosurit politikë, emrat e gjyqtarëve përgjegjës për vendime skandaloze politike, etj.
“Bunk’Art” 2 do të kërkojë dhe do të ekspozojë edhe materiale të tjera në të ardhmen, por vazhdoj të pyes veten se si, në 25 vjet, askush nuk e ka bërë këtë para nesh dhe pse këta emra, të viktimave si dhe të xhelatëve, nuk janë ekspozuar deri tani në asnjë vend tjetër publik. Mangësi kjo, të cilën asnjë “analist” deri tani as nuk e ka konstatuar dhe për të cilën as nuk është skandalizuar.         
 
     3) Bunkeri i ndërtuar në shesh është fals
Bunkeri që përbën hyrjen e “Bunk’Art” 2 është një simbol, një kujtesë, një maket. Saktësisht si edhe kulla e vrojtimit e burgut që ndodhet aty pranë. Bunkeri është një zgjidhje artistike për një problem logjistik (dikur në bunker mund të hyhej vetëm nga brenda ndërtesës së ministrisë së Brendshme dhe nuk kishte një hyrje nga jashtë). Ndonjërit një gjë e tillë mund t’i pëlqejë, dikujt jo. Por simbolika ka një vlerë të padiskutueshme jo vetëm për kujtesën, ndaj për këtë Enver Hoxha si gjithë diktatorët, përndoqi simbolet më parë se veprimet konkrete. Në muzetë e Holokaustit u rindërtuan dhoma gazi, dhe kjo vetëm e vetëm për të rikujtuar një simbol të tmerrshëm. Arti dhe Simboli janë të pandashëm njeri nga tjetri në historinë e njerëzimit, që nga origjinat e tij. Në atë objekt me formë bunkeri dikush sheh vetëm një bunker të ftohtë gjysmë të shkatërruar, të tjerë shohin një kupolë prekëse që përmbledh imazhet e martirëve. Arti është ndjenjë, nuk mund të shpjegohet. Por arti, mbi të gjitha, duhe të provokojë: dhe fakti që sot flitet për të, konfirmon se zgjedhja artistike për të realizuar atë bunker të sajuar ishte një zgjedhje e drejtë. Nëse ky debat do të stimulojë lindjen e vendeve të reja të kujtimeve për viktimat e terrorit komunist dhe do të ndihmojë për të hedhur edhe më shumë dritë mbi sekretet e diktaturës, atëherë e kemi kryer misionin tonë.

“Rilindja Demokratike” botoi madje një editorial të gjatë për të kritikuar “Bunk’Art” 2. Një pjesë e madhe e argumentave të përdorura nga bashkëpunëtori i saj holandez janë kaq subjektive dhe periferike sa të mos meritojnë asnjë përgjigje (mes të cilave, thuhej se kulla e vrojtimit është tepër e vogël në krahasim me bunkerin!). Por më bëri përshtypje fakti që, sipas “RD”-së, “Bunk’Art” 2 qenka “pa interpretim” dhe këtë e konsideron “çështjen kryesore dhe më problematike me ekspozitën”. Nuk më ka ndodhur të vizitoj ndonjë muze’ në botë, në të cilin kuratori të “interpretojë” përmbajtjet e tij. Muzeu i Holokaustit “Yad Vashem” në Jerusalem (duke qenë se kam jetuar për gati katër vjet në Izrael si korrespondent, ishte e pashmangshme të mos influencohesha) nuk bën asnjë interpretim të shfarosjes naziste të cilën e rrëfen: thjesht e tregon.    
  
Si mund të interpretohet tmerri i një pushkatimi? Çfarë duhet të interpretohet përballë faktit të një kampi përqendrimi? Çfarë duhet shpjeguar përballë tradhtisë së fqinjit që të spiunon? Të gjithë e dinë se sa mizor ishte komunizmi, ndërkohë që “Bunk’Art” tani tregon se si funksiononte mekanizmi që ushqente terrorin. Por “Rilindjes Demokratike” kjo nuk i pëlqen.
Si çdo vend modern përkujtimi, edhe “Bunk’Art” është një projekt në evolucion të vazhdueshëm dhe, prandaj, jo vetëm që jemi të interesuar të dëgjojmë sugjerime, por edhe jemi të gatshëm për të marrë dhe ekspozuar materiale e dokumenta që mund të kontribuojnë më tej për të hedhur dritë në terrin e tmerreve të kryera në 45 vjet diktaturë.
Një terr edhe informativ ky që ka vazhduar në mënyrë të dëmshme në 25 vjetët e demokracisë e të cilin shumë pak kanë qenë ata, që kanë me të vërtetë tentuar ta ndriçojnë.
 
*Gazetar dhe kurator i përgjithshëm i Bunk’Art

9 Ndiqni Shqiptarja.comFacebook dhe në Twitter

Licenza Creative Commons
Ndalohet riprodhimi i shkrimit!
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
avatar
Anonim
Tam tam Me ate bunkerin te Rogneri eshte keputur fare ai Lubonja. Ka punuar shume ma merr mendja
avatar
Anonim
Shtufi Carlo, ti ke krijuar VLERA qe keta o duhet ti kuptojne ose le te rrine ne injorancen e tyre. Ti je nga ata te huaj qe e ke treguar veten se kush je.
Rezultate tė tjera: 1
Intervista
‘5 Pyetjet’ Paloka: SHBA-BE na kėrcėnuan qė tė hyjmė nė zgjedhje
Vetting/Min.Drejtėsisė nė Report Tv: KLD tė vepronte mė shpejt
Erion Veliaj nė Report Tv: Ja sfidat e reja pėr Tiranėn 
Këndi i Njoftimeve
Shtypi i ditës
Datë 21/09/2017, Viti VII - NR.223