Opozita vijon bojkotin e Kuvendit, ja debatet në seancën e sotme nga mazhoranca

Manja: PD-LSI përfituesit më të mëdhenj të bixhozit! Braçe: Të shtetëzohen 

Sot është zhvilluar seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa opozita e ka bojkotuar sërish. Në rendin e ditës ishte vetëm një projektligj, ai për disa shtesa dhe ndryshime ligjin për ‘Gjendjen Civile’ që kaloi me 73 vota pro, ndërsa ‘opozitën’ përballë qeverisë në seancën e sotme e bëri kryetari Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe, i cili replikoi gjatë interpelancës me ministrin Ahmetaj për ligjshmërinë fiskale të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai kërkoi barazi para ligjit për të gjithë, që FSHF të mos ketë imunitet fiskal.

 

Jashtë debatit nuk mbeti as çështja e mbylljes së lojërave të fatit, të cilën Braçe e përshëndeti dhe propozoi që të shtetëzohen “Shtetëzojini, bëjini monopol shtetëror, që mos të bëni luftë guerrile bodrumeve”. Ndërsa Ulsi Manja ‘thumboi’ LSI-në dhe PD-në. ‘Po ti përmendje LSI-së mbylljen e lojërave të fatit, fillonte avazin ‘do iki sot, do ikim nesër nga koalicioni’. Berisha dhe Basha janë përfituesit më të mëdhenj të bixhozit’ tha ai.

Ora 10:50 - Ahmetaj nxjerr pagat: Lojtarë e trajnerë bëjnë evazion fiskal! Braçe zbulon manovrat e FSHF

Kreu i Komisionit të Ekonomisë e Financave, Erjon Braçe thirri në një interpelancë ministrin Arben Ahmetaj lidhur me ligjshmërinë fiskale në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ministri Ahmetaj u shpreh se FSHF është një organizatë jofitimprurëse, që paguan disa taksa.

 

Por Braçe deklaroi se nuk mori përgjigje nga ministri për dy çështje  kryesore; Sa është % që i takon buxhetit nga e drejta televizive në 10 vitet e fundit dhe se çfarë është zëri ‘paga jashtë federatës’? Sipas deputetit të PS, vlera e zërit ‘paga jashtë federatës’ është tre herë më e madhe se vlera e pagave të paguara për personelin në FSHF. E ndërsa nuk i kurseu sulmet ndaj presidenti të FSHF, Duka, ai kërkoi nga Ministri që askush nuk duhet të ketë imunitet fiskal dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, qofshin legjendë e kombit ndërsa mori disa shembuj në Europë nga Gjermania në Spanjë, por edhe vende të tjera.

 

 

Ora 11:20 – Bashkim Fino duartoket Braçen, nxehet me Bushatin: Ktheji përgjigje Saliut e Lulit, atë bëj

Pas fjalës së deputetit të PS-së, Erjon Braçe, ish-kandidati për president i FSHF-së, Bashkim Fino duartrokiti fjalën e kologut të tij. Në këtë moment ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka filluar të qeshë, gjest i cili nuk ka mbetur pa përgjigje nga ana e Finos.

 

“Mos qesh, je i akuzuar nga PD-ja për vjedhje votash. Ktheji përgjigje Saliut e Lulit, atë bëj!”- iu drejtua Fino, Bushatit.

Ora 12:50 - Videoja e kunatit të Babales/ Balla: U regjistrua në oborrin e SHQUP-it, PD në krye të ‘puçit’

Kryetari i grupit të PS, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit deklaroi sot se ‘Babaja’ është një ‘puç’ nga Partia Demokratike, që do i mbetet si njolla më e madhe në historinë e pluralizmit shqiptar. Ai kërkoi nga Basha që të distancohet nga videoja e dytë që sipas tij është bërë në oborrin e SHQUP-it, nga ish-drejtori i bashkisë së Bashës, Florenc Hoxha.

Ora 13:10 - Nga foltorja e Kuvendit, kryetari i grupit të PS, Taulant Balla deklaroi se gjykata Italiane nuk ka pranuar dëmshpërblimin prej 2 mijë eurosh të ofruar nga dhëndri i Sali Berishës, për dhunën e ushtruar ndaj tij në vitin 2016 nga Jamarbër Malltezi në aeroportin e Romës. Në 25 qershor të vitit 2016, kryetari i grupit të PS dhe dhëndri i ish-kryeministrit Berisha u konfliktuan në Romë, ndërsa më pas Taulant Balla e kallëzoi.

Ora 13:20 - Pr/ligji për gjendjen civile, deputeti Ulsi Manja: Gruaja ka 30 vite që ka vdekur, por voton

Gjatë diskutimit të projektligjit për Gjendjen Civile deputeti i PS, Ulsi Manja deklaroi se listat do të pastrohen nga personat që kanë ndërruar jetë, por që figurojnë ende në listat e zgjedhjeve, ndërsa tregoi një rast që shkaktoi të qeshura në sallë. 

 

"Ka 27 vite që regjistrat e Gjendjes Civile nuk pastrohen nga personat e vdekur dhe sa për humor, vajti një burrë 80 vjeç të votonte dhe pyeti një anëtar të komisionit, a votoi gruaja ime sot? Ai i tha po ka votuar në orën 08:30. Më raft pika tha plaku, që nuk erdha të votoja më herët ta takoja. Pse i tha anëtari i komisionit, jeni të divorcuar, nuk jetoni bashkë? Jo tha ai, ajo ka 30 vite që ka vdekur dhe të vetmen mundësi me e takuar është në zgjedhje se ajo vjen voton dhe ikën". - tregoi Manja

 

Ora 13:50 - Presidenti Meta ktheu ligjin për Teatrin, Balla: Do ta shqyrtojmë me qetësi, me dashuri

Pasi presidenti Meta ka kthyer për të dytën herë radhazi në Kuvend ligjin për Teatrin Kombëtar, jashtë Kuvendit për PS-në është prononcuar kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla. Në fjalën e tij, Balla është shprehur se do ta shqyrtojnë projektligjin dhe se më pas do të zbatohen procedurat e Kuvendit.

 

"Sapo ka ardhur dokumenti, do fillojmë ta shqyrtojmë dhe më pas do të kalojë në seancë plenare. Ne jemi seriozë në marrëdhënien me presidentin. Nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe, do ta shqyrtojmë me qetësi dhe dashuri. Por sigurisht që do të zbatohen procedurat e kuvendit". - tha Balla

(11/10/2018)