Presidenti Meta refuzon Cakajn: Pa përvojë, qëndrime të rrezikshme. Kryeministri Rama: Vendimi antikushtetues

Ora 12:40 - Presidenti Ilir Meta ka refuzuar propozimin për emërimin e Gent Cakajt ministër të Jashtëm në vend të Ditmir Bushatit. Dekreti prej pesë faqesh i është kthyer kryeministrit Edi Rama për rishqyrtim këtë të enjte. Kreu i shtetit rendit arsyet e kthimit të dekretit duke theksuar se Gent Cakaj nuk ka përvojë politike dhe diplomatike si dhe ka mbajtur qëndrime publike të papranueshme për çështjen e kufijve të Kosovës si dhe ka cenuar informacionin e klasifikuar gjatë ushtrimit të detyrës si zv/ministër i Jashtëm pa u pajisur më parë me certifikatë sigurie. 

Presidenti Meta i konsideron këto deklarata të rrezikshme dhe me pasojë të paparashikueshme në rajon dhe më gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Europian.  

Dekreti i presidentit Meta, kliko për ta parë më të madhe

Ora 13:30 - Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Ilir Meta refuzoi të dekretojë emërimin e Gent Cakajt ministër të Punëve të Jashtme. Kreu i qeverisë thotë se vendimi i Metës është antikushtetues, ndërsa argumentet sipas tij janë skandaloze dhe turpëruese për institucionin. Kryeministri e mbyll reagimin me fjalët: "Ndjesë Kosovës për këtë turp".  

Ora 13:40 - Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha është shprehur Report TV se refuzimi i emërimit të Gent Cakajt për të qenë në krye të Ministrisë së Jashtme ka qenë tërësisht i merituar. 

Ajo tha se ndaj figurës së Cakajt gjithnjë ka pasur pikëpyetjet e saj që lidheshin drejtpërdrejtë për eksperiencën. 

“Pikëpyetjet kanë qenë për eksperiencën e tij, mos njohjen e Shqipërisë. Diplomacia nuk do të thotë të lexosh libra, por eksperiencë”, u shpreh Gjosha.

Duke përmendur edhe besueshmërinë e kërkuar brenda institucionit të MEPJ-së, deputetja e LSI-së e cilësoi vendimin e Metës të bazuar në Kushtetutë.

“Certifikata e sigurisë rrezikon sigurinë kombëtare. Në MEPJ kalojnë dokumente sekrete,në krye duhet të jetë një ministër i besueshëm”, tha ajo duke shtuar në fund se Partia Socialiste ka mjaft figura të besueshme nga ku mund të zgjidhet ministri i ri i Jashtëm.

Ora 14:00 - Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu është shprehur për Report TV se presidenti Ilir Meta i ka të gjitha argumentet për mosdekretimin e kandidaturës së Gent Cakajt për të qenë në krye të Ministrisë së Jashtme.

Shehu u shpreh për Cakajn se ishte një kandidat me staturë të dobët dhe se opinionet e dhëna prej tij  për ndryshimet e kufirit territorial Kosovë-Serbi shkojnë paralelisht me qëndrimet e Beogradit.

“Deklaratat e tij bien ndesh me interesin tonë kombëtar dhe politikat e BE-së në rajom, si dhe me politikën e jashtme të Shqipërisë në gjithë këto vite”, u shpreh më tej ai.

Deputeti demokrat e përmbylli duke thënë se qeveria e PS-së është një qeveri e dështimit dhe shkërmoqjes.

Ora 14:20 - Në një prononcim për Report TV, numri dy i socialistëve Taulant Balla tha se presidenti nuk ka të drejtë të refuzojë propozimet e kryeministrit.

“Nuk e gjej të bazuar në Kushtetutë as mosdekretimin e shkarkimit dhe as emërimin. Presidenti nuk ka të drejtë të refuzojë një propozim të kryeministrit dhe ky është një diskutim i mbyllur qysh me rastin e z. Lleshaj. Gent Cakaj ka formim diplomatik dhe plotëson të gjitha kushtet për të qenë një ministër i besueshëm”,- tha Balla në një prononcim dhënë gazetares Esiona Konomi.

Konstitucionalisti Çlirim Gjata është shprehur për Report Tv se refuzimi i emërimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm nga ana e presidentit Ilir Meta dëshmon se nuk është rast që mund të cilësohet si lojë politike, pasi është ndërmarrë me të drejtë kushtetuese e ligjore.

Gjata cilësoi se presidenti Meta ka shkuar shumë më tej me këtë vendim, pasi kësaj radhe vendimi i tij karshi Cakajt është bërë publik.

 

"Ai person mund të jetë i ndershëm por ama duhet ndjekur rruga shtetërore dhe këtë gjë bëri edhe presidenti Ilir Meta. Më në fund po shohim një president që po sillet me autoritet", u shpreh më tej ai.

Ora 15:00 - Pas refuzimit që presidenti Ilir Meta i bëri kandidaturës së Gent Cakajt për ministër të jashtëm të Shqipërisë, ka reaguar edhe ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Edita Tahiri. Tahiri përshëndet vendimin dhe thekson se Cakaj ishte pro prekjes së kufijve të Kosovës. Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës thotë se Gent Cakaj u nominua me djallëzi nga kryeministri Edi Rama. 

 

“E pershendes vendimin kombetar dhe vizionar te Presidentit te Shqiperise ne mbrojtje te kufijve te Kosoves. Ai sot nuk dekretoi nje kandidate per minister te jashtem qe ishte pro prekjes se kufijve, te nominuar qellimshem dhe me djallezi nga kryeministri Rama.“-shkruan Tahiri në rrjetet sociale. Reagimi i Edita Tahirit vjen pas rolit që ajo ka patur si kryenegociatore në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ora 15:15 - Reagimit të Tahirit iu përgjigj menjëherë kryeministri Edi Rama. Rama thotë se ish-ministrja kosovare u bashkua me qyqarët që përshëndesin vendimin e presidentit, që Rama e quan “Vizionari”. Kryeministri thotë se është llum dhe terr që vizionarët japin si “dashuri” për kombin.

Ora 15:40 - Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish por në Twitter për refuzimin e kandidaturës. Për Metën, pavarësia dhe integriteti i Kosovës janë të padiskutueshme përsa kohë që drejton Shqipërinë si President.

 

“Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë  janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim.”-shkruan Meta.

Ora 16:00 - Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Metës dhe thotë se presidenti shkelë kushtetutën për rastin e Cakajt dhe të merret me fjalë për të njësoj sikur të ishte Dëshmitari X.

 

“Që Presidenti ynë të shkelë Kushtetutën, godasë qeverinë, nëpërkëmbë një djalë të ri e të paktën 1000 herë më të ditur se ai, duke u marrë paturpësisht me fjalë si të ishte Dëshmitari X...Oh çfarë marre! IM me qyqarët e kadrinjtë mbrojnë Kosovën nga një shqiptar i Kosovës.”-shkruan Rama në Twitter.

Ora 18:30 - Takimi me trupën diplomatike, Rama: Gent Cakaj nuk ka predikuar për ndryshim kufijsh

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë pasdite një takim me trupën diplomatik në Shqipëri. Në takim ishin edhe ministri i jashtëm Bushati edhe kandidati për ministër të Jashtëm, i propozuar nga Rama, Gent Cakaj. Gjatë fjalës së tij Rama nuk la pa përmendur mosdekretimin e Cakajt nga Meta. Ai i doli në mbrojtje Cakajt dhe tha se ky i fundit nuk ka dalë kurrë kundër interesit shqiptar. Kryeministri tha se në pranverë Shqipëria do të hapë kufijtë me Kosovën dhe se do të punohet për të hapur kufijtë edhe me Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Ora 19:20 - Lëvizja Vetëvendosje: Shqipërisë s’i duhen ministra të Baton Haxhiut të paguar me rrogë për vite

Vetëvendosje shprehet se Shqipërisë nuk i duhen ministra të “sjellë” nga analisti Baton Haxhiu apo presidenti Hashim Thaçi. Më herët, Baton Haxhiu i drejtoi edhe një letër presidentit Ilir Meta ku i kërkohej të dekretonte Cakajn si ministër. 

Vetëvendosje sqaron se para 2011, Cakaj ka qenë anëtar i VV-së dhe është larguar pa dhënë shpjegime. Vetëvendosje shton se Cakaj ka mbajtur qëndrime të rrezikshme në dy intervista të tij për Baton Haxhiun. Më tej në reagim thuhet se Cakaj është paguar nga Baton Haxhiu për vite me radhë për të realizuar sondazhe.

(10/01/2019)