Shqiptarja.com
Përditësimi i fundit në 22:46 Regjistrohu | Identifikohu 
Home Aktualitet Politikë Ekonomi Sociale Kosova Bota Sport MetroNews Intervista Kulturë Shëndeti Blog Horoskopi
Kulture Nga MIRANDA H.
29 Shtator 2013 - 02:19
Ti fle në ndonjë vend të panjohur…
Duke menduar se leximi është bërë një  pasuri me të cilën do merret shkenca si një gjë që i përket së shkuarës, janë të rrallë ata që do të duan të lexojnë ende ndonjë gjë të palexuar, duke menduar se në punë, në shtëpi,  kur je para kompjuterit, të shfaqen mizëri e-mailesh reklama, gjëra të zakonshme, pa shpirt e ta nxijnë ditën – mendova se guximi im për të nisur këto copa poezie është i denjë për t’u lëvduar. Para pesë vitesh botova një libër, KUR QAN HIRUSHJA E BLLOKUT, e tërë këto kohë jam hallakatur në ditë e net të shqetësuara, të gëzuara, të rrëmbyera dhe të flashkëta. Ndonjë varg është shkruar pas ndonjë pikëllimi të madh, ndonjë tjetër është shkruar në vazhdën e gëzimeve që vijnë mes nesh, të tjera janë gjurmët që lë shiu i jetës kur bie. E vetmja frikë që kam ende, është mos mes tyre ka cërka balte, jo nga ajo që shkelim me këmbë në një rrugë të paasfaltuar, por ajo që hedh njeriu kundër njeriut.

Sepse unë i dua njerëzit. Por i dua duke i çmuar, duke iu qenë mirënjohës, duke i respektuar në çdo gjë që e kanë të shenjtë dhe të çiltër në karakterin e tyre. Libri im SHENJAT E SHIUT  botohet nen siglën MIRANDA H. Pasi për vite e vite me radhë, çdo letër, mesazh apo e-mail e kam përcjellë me nënshkrimin MIRANDA H. Asgjë nuk i heq mëvetësisë sime, asgjë nuk i shtoj “bohemisë” së shpirtit tim. Unë jam fshati ku jam lindur, shkolla ku kam mësuar, punët që kam bërë, streha që kam krijuar;  jam për njerëzit e mi një lloj shqiponje që fundin ia ka përcaktuar vetes - do mbysë veten me sqepin e saj të ngulur në fytin e vet.

Me këto rreshta, na ftoi për lexim drejt vëllimit të saj poetik “SHENJAT E SHIUT”, shkrimtarja Miranda Haxhia, një ftesë që rezultoi një surprizë e bukur letrare. Lexuesve të suplementit tonë ju sjellim një cikël poetik, përzgjedhur nga ky libër, duke e ftuar ti bashkohet kësaj surprize letrare. 
 
 
DYZETË E NËNTË PA TË FUNDIT
 
Është një nga ato ditëlindje
që nuk e ndjell, por s’e harron.
Qëndroj fshehur me punë e pa punë,
si fëmija pas fustanit të nënës
me drojë pse sheh, gjithë kërshëri.
 
Nuk di në zemrën mbaj dot në dorë,
 
 
të gjej një cep për veten time,
pasqyrës që rri shushatur në mur,
dritën t’ia marr, t’ia bëj thërrime.
Kaleidoskop për netët pa gjumë,
botët që pashë dhe desha aq shumë.
 
Përpiqem t’i flas, ajo nuk më sheh,
një mijë e një vjet pa u parë kurrë.
Se jeta dhe vdekja nuk kanë kufi ,
mes brigjesh thepisur, ngrihet furtunë.
 
***
Një bisedë me mamën, që me natë
më rrëfe pak si qe ajo ditë?
A kishte diell, a hënë në qiell?
 
A vuante bota sa unë më pas?
Një lumë, një kulm, kur linda unë.
A rridhte i lumtur, si dëshmitar?
Po qentë që lehnin larg nëpër terr?
Frikën ta vranë?
Kurajë a gjetën?
Në sy më panë?
 
Diell nuk njoha kur erdha në jetë.
Terri dhe ngrica në shpinë m’u thyen,
m’u ngjit në fytyrë e qara e vjetër.
 
Çdo herë një pellg, pastaj një burim,
të shuaja etjen e pata mallkim.
Përmbysen lotët, lëmshenj të zjarrtë,
mbushin zemrën si pusin thellë.
 
Ti hapat s’i hodhe në ciknat e jetës,
pa njohur baltën dhe dëborën gri.
Atje kërruseshin jetët nga pak,
atje përvëlonin ëndrrat në liri.
Gropat që linin gjurmët mbi udhë,
u bënë humnera ku rrëshqisje ti.
E mjerë koha me gardhe përqark,
e madhe ëndrra, kur u shfaqe ti.
Zemrën do doja ta mbaja në dorë,
të kullonte malli nga fole e saj.
Diku në një cep jam ulur, po qaj.
 
Pastaj...lexova: mesazh nga im bir
“Gëzuar ditëlindjen, o mama ime!”
Ç’u bë ai qiell me re dhe shkëndija?
Dielli përflaket e bëhet thërrmija.
 
Trëndafi lit fletët shumë ia përskuqi,
ajo gjysma ime që më vjen vërdallë.
E bukur si nata, ferishte e brishtë,
shkulmi i zemrës, gjë shumë e rrallë.
 
Lëshuan zjarrin që dogji një botë,
sa dëshpëruese të mbërrish pesëdhjetë,
pa vitin e fundit gjithmonë më pak.
Deri këtu, kam përpirë një det.
 
I dogja thinjat në pellg me këna,
rrudhat i fsheha nën lëkurë thellë,
magji e pasqyrës në shpirtin tim,
rikthemë një herë aty ku më gjen.
 
 
 
FUSTANI
 
Fustani i mamës
ishte i kohës tjetër.
Jeta matej me copë teke,
gjithsej nëntëdhjetë centimetra;
Dhe kilometrat e një kombinati
që tym pafund prodhonte,
basme dhe një gjeografi të re.
Vajza ndarë në tre turne
si kategori pambuku
në xhepat e vjelëseve,
kurrize e lule të shtypura,
njësoj si kodra e shkretë,
me gjumin e një tufë dhish,
së bashku, gjumë kolektiv.
 
Fustani i mamës u bë i bukur.
Gërshëra preu ngadalë
përkushtimin e saj,
linjat e buta të trupit,
harkimet e ëndrrave
dhe ca pika loti
Nëpër tegela ngjitur;
Flutura rreth jakës
me të qeshurat e çdo moti.
Në xhepin e vetëm,
dashuria e tim eti.
Vështrimi im aty mbeti.
 
Pastaj, fusha e tërë,
e zbrazur si një orizore
pas stuhisë së shiut.
Mamaja dukej e bukur
me atë fustan lulebore.
Copëzat e petaleve,
aty- këtu, dalë boje,
kallamishte që fsheh mushkonja,
ndonjë kallëz në fushë të kuqe,
i ruajti për motrën
ditën e parë të shkollës,
 
atje,
në oborrin e shkollës,
me ca mbeturina vere
nëpër gjethe e bar të djegur.
Ishte shtator.
Streha e gjatë e godinës
rënduar nga qindra fole
zogjsh.
Sapo kishin ikur.
kush e di se ku...
 
Fërgëllonte fustani,
mbushur histori,
rrahje dhe aromë djerse.
Bota e mbetur pezull,
mes një litari që vërtitet,
kapërcen majtas e djathtas.
Mbështjell qiellin e tokën.
Mes një reje pluhuri.
Pluhur ose baltë.
Dhe ëndrrat tona zbardhur,
si fustani i mamës,
me erë të vjetër gjethurinash.
 
U ngrit mundimshëm,
në copa kujtimesh.
Gjithmonë kam dashur ta nxjerr
Ta end nga e para.
Kombinati ka vdekur;
dhe shtigjet e grave kërrusur.
 
I paprekur është aty...
Avlëmendi i mallit,
gërryes, si vajtim i gjatë.
Këngë e pakënduar kurrë,
derisa e desha, derisa e pashë.
 
Në hijen e lisit të madh në oborr,
si të qe statuja gjigande
dhe sheshi i Shën Pjetrit në Romë,
lidh e zgjidh lule aromë livande
çdo ëndërr u bë, derisa agon.
 
Makinën qepëse,
S’e mban sepeti i lashtë,
gjilpërat thyhen mbi fustan të vjetër;
Nuk i fus dot ndër tegela dhe linja,
As lulet e fikura, as të fshehtat e mia.
 
Mbi kufijtë e fustanit të nënës,
ndërtuar me izotope ngado,
fusha e zbrazur, prerë me ngut,
dhe ndonjë lulëkuqe e këputur
shenjë orientimi, veri e jug.
U bë mëngjes, pasi u nis ime bijë
në ditën e parë të punës,
dalldisur nën një cohë
delikate, sa një pikë loti.
Mija kilometra
larg lisit të madh në oborr,
mija kilometra
larg vatrës, mbajtur me zor.
Dhe lisit me gjethe të vjetra.
 
Në hijen e lisit të madh në oborr,
si të qe statuja e fundit,
dhe sheshi i Shën Pjetrit në Romë,
lidh e zgjidh lulet aromë livande
çdo ëndërr e pashë, pastaj agon.
 
 
GJITHMONË KAM DASHUR
 
Gjithmonë kam dashur të marr një letër
me zarf e zhubra fjalësh mbështjellë,
me ëndrra, flutura dhe këngë mjellme.
Drithërima të më pushtojë, kam dashur.
Dhe pastaj të verbohesha thellë.
 
Sekrete e numra llogarie, bunacë rëre,
kuti plot arturina, qytet antik mbi komo,
tunele thesaresh dhe përralla magjie,
para atij malli,të vdisnin me radhë,
si gjyshja ime që u fik dosido.
 
Harta e humbur e detit ndër valë,
larg portit të shkretë në perëndim,
dy breshka të heshtura shekullore
e bezdia e polenit të vjetër në gishta,
brenda shpirtit tim, zhyten pikëllim.
 
Puthja e pamundur do zgjohej pas porte,
mbi shpatë lëkura e djegur do vetëtinte,
hojet e poreve mbushur drithërimë,
gishtërinj lakuar si kënde pa gradë,
fllad arabeskash do na përfshinte.
 
Letër e humbur mban fatin që s’e kam,
e shkruara e vjetër, vazhdon e endet.
Kundërmon dashuri dimërore postieri,
edhe pse te unë nuk trokiti kurrë.
Adresë e vjetër, nuk di ku gjendet.
...................................
As unë s’e shkrova dot një letër.
 
 
 
AUTOBUSI U NIS
 
Autobusi u nis,
qeliza e fundit e qytetit.
E mori me vete babanë tim.
Një kartëmonedhë i fut me ngut,
në çastin e fundit.
Shenjë dashurie, e pashprehur dot,
për udhët që bëra bashkë me tim atë,
në ditët e ashpra, në stinët me shi,
dhe hapat që hidhja, ku shkelte ai.
Autobusi u nis
Dhe dora ime hark përmbi qiell,
e shtyn për larg,
a sërish e ndjell.
Dashuri e thellë,
ndarje e vështirë,
babai im-një botë erëmirë.
 
Më huton zvogëlimi pak e nga pak.
As shtjellat e tymit,
as gazmendin si lulkë mbi fustan,
gjëkund s’i ndiej,
 
 
si të jem banor i huaj
i një qyteti kinez.
U shpërndanë rreth meje
mijëra buburrecë shatërvanë,
rezistoj mes zhurmës së tyre,
shenjë historie për ta nuk jam.
 
Autobusi u nis,
perëndimi i fundit i qytetit.
kilometrat, një e nga një,
një qiell me re, një urë mbi lumë,
e morën me vete udhëtarin e dashur,
atë që nuk e ndaj kurrë,
nga ëndrrat dhe shenjat,
nga hapat e parë, nga ajo në fund,
nga rrugët që nuk i bëra unë.
 
Jam qerthull i një boshi,
ngecur në gropën e fshehtë.
Herë duket natë, herë bëhet gri.
Ku ajri mungon, merr frymë ai.
Iku pa mundur, më la në shi.
 
Pa ty s’e përfytyroj dot botën,
kur të jem e lodhur,
ku do ta vë kokën?
 
Në jetën time
nuk e zboj dot diellin,
as format nazike të hënës.
Prej vitesh yjet janë pakësuar,
netët pa to i mendoj shpesh.
Kërrusem të mbjell lule
në një kthinë betoni.
Si një zog ka harruar udhën,
provoj me gulshe,
më del pa frymë
një këngë e bardhë,
si trishtim fushe
pa kallëzat e grurit
dhe foletë e larashëve.
Larashët ikën...
pa tingujt e këngës së vjetër,
pas draprit dhe kombajnës.
 
Po babai im?
Autobusi e merr
dhe pas xhamit
Përqafimet nuk kanë vlerë...
 
Iku ngadalë...
si pjesë e humbur vegimesh.
 
Mesdita në Tiranë është valë,
pastaj tinëz të rrëqeth e ftohta,
përvëlim llahtar i zhegut,
rreth heshtjes së bardhë,
aq e bardhë, sa vetë syri,
pa lotin e madh të pengut.
 
Gjithmonë një autobus largohet...
lëmë gjurmë në vragat e ikjes,
pa mundur dot të mbajmë kthimin,
mbajmë ndër gishta pikëllimin,
si pajtonë të heshtur në cep.
Në cep të një kohe tjetër,
me kuaj të vdekur,
dhe kartëmonedha harruar,
në kthinën e xhepit në setër.
 
 
VETMIA
 

Vetmia është hëna që dot nuk del,
si ta ketë vrarë terri dhe shiu.
Vetmia është lumi që dot nuk rrjedh,
pasi ia ka tharë shtratin njeriu.
 
Pastaj shtëpia është mur prej përralle,
ndërtuar me ëndrra që dot s’i kujtoj.
Qershia e vogël aty nën dritare,
që frutat i deshi e gonxhe s’lëshoi.
 
Vetmia është shpirti i vjetër si deti,
që del nga lëkura dhe mbytet në lot,
kacek me tinguj të hidhur,të trishtë,
është shpend që qiellin nuk shikon dot.
 
Ta mbledh ndër duar, ta thur gërshet,
vetminë e zbehtë, të gjatë litar.
Ta vesh me lule ta hedh në det,
pastaj të rri në bregun përballë.
 
 
 
GJYSHJA
 
Sikur të mundja ta sillja ndër mend,
veç ditës kur iku pa bujë,përgjithmonë,
si shuhet dielli pas malit përfund,
si psherëtima e fundit në një jehonë...
 
Sikur të mundja ta ngrija sërish,
qoftë si një hënë të zhytur në terr.
Dritë të bardhë ajo do lëshonte,
shenjë dashurie, do ikte përtej.
 
Se ishte pupël, e butë si kadife.
Dhe botën të madhe s’e dinte në ish.
Por zemrën e pati si pusi të thellë,
ku etjen shuante çdo bir që e kish.
 
E kujtoj gjithmonë si një këngë,
që s’u dëgjua mjaftueshëm në fund,
e mendoj gjithmonë si një varkë,
që detin përshkoi, oh me sa mund.
 
 
BOTA I KISHTE PËRZËNË
 
Bota i kishte përzënë,
njerëz, lodra dhe frymë,
sende pa vlerë.
leckat dhe shkopinjtë
mure të mbyllura,
dhe dimër pa fund i gjatë.
 
Foshnja e vdekur
nuk veshi dot një fustan,
as vel të bardhë,
ga mëngjesi i thartë.
Një herë të vetme
në udhëtimin mizor
do ikte lakuriq.
 
Një copë lëndine me bar,
a një mal të ashpër me gurë,
e donte si fustan,
për të ikur
me muzgun e madh të panxënë,
nga brinjët e saj të holla,
sa kulprat e parritura.
Gjithë njomështirë.
 
E kuqja përvëlonte
përtej velit të natës;
Kërkonte varr e shtrat
mbi lëkurë të njeriut,
vetëdija, ujë i ndenjur pusesh.
të gjithë fjalët, m’u bënë vegim
si dimra fjetur në shtratin tim.
 
Ishin të ashpër,
vërtiteshin si miq mizorë
iknin nga unë, hynin tek ti.
I mbanim me shpresë,
si të shkrinim akuj
në flakën e mjerë të kandilit.
 
Ç’përrallë humbëm pa magji?
Foshnja e vdekur pa një fustan,
çdo nënë do fikej thellë në lot.
 
Ishte dimër,
gjithmonë qe dimër
me acare të brishta.
 
Pa asnjë fj alë mbetëm.
Pa gjymtyrë, pa shqisa.
Gjithmonë vetëm...
 
Lotonim si balta poshtë këmbës,
në ditët me shi;
kullonim rrëshirë pa fund
për flakën që strukej tek vatra,
e zgjohej pa shpresë,
në çdo vit të ri.
 
Drurët kullonin tym në oxhak,
nuk mund të ishte
nata e fundit të vitit;
stisej si një plak bujar.
na vinin në rresht të kërkonim
atë vend të lumtur, pa lumturi.
 
Ah...merrnim dhuratë atë natë,
mbështjellë me copa gazete.
Gazeta mbushur me vrer të zi,
stihi që vrisnin njerëz pa faj,
shpallnin kongrese terr e lavdi.
Nën to strukur kundërmonin,
dy portokallë vrarëlije,
fituar në procesione të gjatë,
ushtri gurësh dhe mumiesh në varg;
guri i heshtur mungonte mbi varr.
 
Dhuratat rreth vatre,
përrallë e patreguar.
Pa të qemë gjithmonë më të veshur,
me setrën e gjyshit,
dhe eshtrat gjysmake të hënës.
 
Me kapotën e ushtarit të vrarë,
diku në kufi të një vendi;
atje, ku ruante vetminë.
Mbështollëm beben e fi kur.
Më të madhen shenjë,
ngulur si thikë
në yllin pesëcepësh.
 
As pemë ëndrrash nuk kishte.
Mbeti gjuhë e pamësuar,
larg kufijve të dritës.
 
Orë të gjata, përrenj pa kthim
fushat përmbytnin deri në agim.
Kortinkat dritareve, zbardhur me sodë,
yjet e pamundur i ndillnin më kot.
Ata qenë rrëzuar pa asnjë xixë;
Duart tona si ashkla të kalbura,
skamjen shuanin gjithë pikëllim.
 
Pastaj, nuk kujtoj më shumë...
veç një gjumë poshtë gazete,
gjumi qe njëqindvjeçar.
Me ëndrra të stepura.
Po shuhen të gjitha...
Përvëlojnë të gjitha...
Shkrihen si vesa e mbledhur
mbi lëkurën e atij fëmije
që aq shumë e deshi
një fl uturim;
Në udhëtim të nisej
me fustan përralle,
t’u lutej engjëjve
të zbrisnin në tokë,
në këtë tokë,
ku ishim të gjithë mallkuar.
 
Epoka që ndan jetën
deri në një farë,
mbjellë përmbys
pa çelur fi liz.
Botë dallëndyshesh
kjo kohë e marrë,
por tufat me korba
vetë stinën nga rrënjët
po nxjerrin mbi varr.
 
Bojatisen dhuratat,
gjithmonë ëndërr e vjetër.
Gjithmonë do jetë një natë
para vitit tjetër...
 
Një pikëvështrim nga larg
i zbut gjithmonë tragjeditë.
Zjarret janë fi kur,
ato që s’i ndeza dot kurrë,
as unë, as perënditë.
 
TI FLE NË NDONJË VEND TË
PANJOHUR

 
Ti fle në ndonjë vend të panjohur,
në një qytet të varfër
që përçudnon gjërat tona.
Ti zgjohesh. Edhe unë.
Mes nesh janë mure, shtëpi,
tregime që zmadhojnë të shkuarën
rresht për rresht,
si perëndimi i kuq
etheve të vogla
u dhuron hije të madhe,
para se të vijë nata.
 
Kërkoj librin që më dhe,
unë kurrë nuk ta ktheva.
Kujtesa ime e dashuruar
rend të gjejë parajsën,
që dot nuk e pëlqeva.
Ti fle në ndonjë vend të panjohur,
në një qytet të varfër,
ndërtuar me ëndrrat tona
që nuk ekzistojnë.
E ne i mbajmë akoma brenda.
Sikur të thoshim:-Dashurojmë.
 
 
DUHET TA FILLOJ
 
Duhet ta filloj me trëndafilat,
mes petaleve fshihej një bletë,
diellin që luante hap e mbyll sytë
zukama e ngecur polen nëpër fletë.
Përsëri. Përsëri. Përsëri.
Një ditë, më i bukuri diell bujar,
i hapi trëndafilat me magji.
Bleta ishte zhdukur në përrallë,
përmbys ranë qiejt,
ditën kur linde ti.
***
Pëllëmbët mbi bark i hapa unë,
si gjethja e madhe mbron një fryt
dhe krimbat i shtyn që era t’i marrë.
 
Në një maj më pak të vështirë,
ca mollë të kalbura për t’u kapërdirë.
Në botën e varfër kur linde ti,
liria luftonte me shpirt e zinxhirë.
 
Dhe miell misri në thasë të ngrënë,
njerëz dhe minj të mbushur me huqe,
qe koha kur Blloku shkulej i tërë,
përrallat lakmonin emblemën e kuqe
ëndrrat përpinin diell dhe rërë.
 
Perënditë nga lulet kanë ngjarë
por vendi im me gjak dhe mjerim,
i mbush rrëfenjat pa u treguar,
rrufe që djegin dhe ngjallim besim.
 
Gjithmonë më kërkoje një përrallë,
të vërtetë dhe me emrin tënd.
M’u deshën shekuj që ta jetoja,
nis e rrëfej derisa ta mbash mend.
 
SHENJAT E SHIUT
 
Nuk di në flas qartë për to,
për zhurmën që i sjell tek unë,
kur jam përmbys mbi dhè të ngrohtë
dhe pres që zërat të ushtojnë,
bashkë me shiun të më kërkojnë.
Shenjat e shiut nga unë te ti.
Se jam e hirtë sa qielli i zi,
fustan kam veshur gjithë ç’më dhe ti,
atë natë kur pamë një dritë,
aty ku terri yjet shpërtheu.
Rrëzoi qiellin enkas për ty,
një natë me diell, rrëke me shi.
 
Lodrat nuk di përse i humbe,
i vogël fare, sa një thërmijë,
rrëzoje përrallat që nga ballkoni,
kur bota shembej, ti pe lirinë.
Një jetë të bukur të ta rrëfeja,
nuk di në ç’ëndrra renda ta gjeja,
se ne u bëmë njësh përsëri,
fëmijë qesh unë, më rrite ti.
 
M’u bë se qava për sytë e tu,
kur më kërkonin, gjithmonë pa faj.
Shenjat e shiut befas u dukën
na mori rrjedha na shtyu larg.
Kufij plot mjegull e net plot mall,
ca zogj të trembur nga qielli i zi,
flutura pa lindur që rendin larg.
 
Të gjitha ç’pashë ty t’i rrëfeva:
për hekurat që krijojnë kafaze,
dhe muret që duan dritare,
pastaj një fushë e dashuruar,
me bimë e diell, aromë dheu.
Ja, kjo është shenja që nuk na theu.
Edhe pse shiu kërkon ta thajë,
shpresa ime të ka pushtuar.
Dhe unë guxim të kam kërkuar.
 
Nuk pashë si shfaqen të gjitha pikat,
në çdo planet me formë shkëmbore,
por lot e gaz qark kësaj bote
të dy i mbajtëm, një shtrëngim dore.
Në kulmin tonë nën qiell, mbi tokë,
Aty ku mbeti, aq lakmitare - dashuria.
I shtyj ca re, të shkojnë larg,
kur shenja shiu nuk shoh përqark.
Ndjell vetëtima në ëndrrat e mia,
copa ndjesish i mbledh ngadalë,
si streha ujin lëshon litarë.
 
Një qiell i tërë në shenja shiu
grunjëra mbi ujë, korrik i heshtur,
sa i kam dashur, ti fort e di.
Shija e bukës nga furra pjekur,
si shije dielli, pas nate me shi.
 
Çdo pemë të shkulur pas një furtune,
e mbollëm rishtaz, e ngritëm lart,
ku bën ftohtë, ku brigjet lodhen,
ku lind çdo ditë një diell i artë.
Gjithë shenja shiu vijnë vërdallë,
të më kuptojnë nuk ngopen dot.
I shpiem tjetrit shumë dashuri,
kur gjejmë në faqe një pikëz lot.
 
 
TË PËRFYTYROJ
 
Të përfytyroj në qytetin pranë,
mbështetur kokën mbi një roman,
duke fjetur, pa pasur kohë
të thuash lutjen e fundit.
 
Dy sy të humbur pas natës,
ëndrrash bardhë e blu.
Duke fotografuar këtë dashuri,
e mbërthyer në moshën jeshile,
pyes veten se raste të tilla,
janë imagjinata të krijuara,
për të rimbushur përrallat e vjetra.
 
Shpërbërja të bën gjithmonë të ëndërrosh,
kur qirinjtë e ndezur nuk të lënë
të dallosh profilin e hënës.
 
Jam gjithmonë në qytetin përbri.
Dhe pres që t’i dëgjoj hapat.
Rreptësisht, dua të më marrësh
në shtratin tënd të pashkelur.
Edhe po të vdisja këtë natë,
do të përkulesha
brenda kësaj skene të varrosur
jashtë kohe,
të së pamundurës dashuri.
Pa erotizëm, pa mallëngjim.
 
Shumë letra t’i shkruaj me mendimin
se nuk do t’i nis.
Dhe përsëri i shkruaj…
…dhe përsëri i nis.

 

4 Ndiqni Shqiptarja.comFacebook dhe në Twitter

Licenza Creative Commons
Ndalohet riprodhimi i shkrimit!
avatar

   
Komentet janë të hapura dhe nuk është e nevojshme të jesh i regjistruar.
Intervista
Humbja e PD nė zgjedhje, Salianji: Basha mori pėrgjegjėsitė e duhura
Sėmundja e rrallė, 19 vitet e vėshtira tė Geraldinės
​Nis rindėrtimi i Rrugės sė Dibrės Veliaj: Po mbaj premtimet
Këndi i Njoftimeve
Shtypi i ditës
Datë 23/07/2017, Viti VII - NR.172