11 Prilli kur vdiq Enveri, si e ka pritur lajmin Lasgush Poradeci

11 Prilli kur vdiq Enveri, si e ka pritur lajmin Lasgush Poradeci

Meri Lalaj duke folur për 11 prillin, ditën e vdekjes së diktatorit, Enver Hoxha

Lajmin se vdiq Enveri, në Pogradec na e solli helikopteri. (Në çdo qytet të Shqipërisë fluturuan helikopterët, këta lajmëtarë të Komitetit Qendror të Partisë. Kudo nëpër rrethet e vendit u mblodhën në salla të caktuara komunistët, që ta kthenin dhembjen në forcë.) Unë e mora vesh lajmin aty rreth orës dhjetë të paradites së datës njëmbëdhjetë, ma tha një grua komuniste me lot në sy (në orën dymbëdhjetë, në emisionin e lajmeve në radio, u dha komunikata e plotë për këtë ngjarje). Sapo e mora vesh lajmin, erdha me nxitim në shtëpi dhe u putha me time bijë, që ishte e sëmurë me rubeolë, duke i thënë: "Shpirt i mamit, të më rrosh ti, se Enveri na e mori të keqen!" Vajza ime ka të atin në burg, se ia ka futur Enveri, gjyshin ia ka varur në litar Enveri, stërgjyshin ia ka pushkatuar Enveri. Mendimi i parë që më erdhi në kokë në ato çaste, ishin fjalët e Mirit, kushëririt tim shkodran: "Tan Shkodra e ka rujt rakinë me e pi ditën kur të vdesë Enveri!" Dhe, o Zot, çfarë mrekullie që vdiq para Lasgushit! Dihej nga të gjithë se do ta zëvendësonte Ramiz Alia, dhe unë solla në mendje një ndodhi që më pati treguar Lasgushi, kur ishte profesor dhe jepte mësim në gjimnazin e Tiranës. Në një orë mësimi, vizatim më duket, Lasgushi u dha nxënësve një detyrë dhe u ul në katedër për të lexuar a shkruar. Befas dikush theu qetësinë e klasës. Lasgushi u ngrit i inatosur dhe i bërtiti një nxënësi që ishte më i vogli nga të gjithë: "Pusho, mos bëj zhurmë!" ( a diçka të tillë) Më vonë, kur u ngrit përsëri për t'i hedhur një sy klasës, nxënësi i vogël që e shau Lasgushi, ishte duke qarë; atëherë Lasgushi nxori nga xhepi i sipërm i xhaketës së tij shaminë e bardhë të mëndafshtë të hekurosur dhe ia fshiu lotët. Ky nxënës ishte Ramiz Alia. Gjatë viteve të pushtetit popullor, ndërsa Ramiz Alia punonte në Komitetin Qendror dhe drejtonte kulturën e artin shqiptar, Lasgushit i qëllonte hera-herës që të shkonte tek ai. Dhe ai (Ramizi) natyrisht që e priste, por Lasgushi kurrë nuk pati privilegje nga pushteti në fuqi. Kështu Lasgushi (siç e kam shkruar gjithnjë) torturohej për të gjetur një makinë për të ardhur në Pogradec ose për t'u kthyer në Tiranë, në kohën që komunistët u binin kontinenteve kryq e tërthor me supersonikë për të mbrojtur të pastër marksizëm-leninizmin kudo në botë. Lasgushi kurrë nuk shkroi një varg për Enverin a për Partinë, sepse ai nuk ishte dhe nuk donte të ishte sahanlëpirës (një fjalë që e përdorte aq shpesh për ata që e shisnin veten dhe talentin e tyre.) Vetëm një herë më ka thënë, dhe mua më përvëloi shpirtin me këto fjalë: "Më duket sikur tani ata (të diktaturës) po më besojnë se unë nuk po influencoj më te rinia". Lasgushi ishte i vetëdijshëm se në çdo çast e përndiqnin, por nuk e përfilli kurrë përndjekjen. Enver Hoxhën ai e shante vetëm kaq: "Mut i mutit!" Shtatë ditë e shtatë net vazhdoi zia kombëtare për vdekjen e Enverit, lumenj lotësh e të tjera e të tjera. Ditën kur po e varrosnin, në shtëpinë e Lasgushit në Tiranë, kishin ardhur fqinjët për të ndjekur transmetimin televiziv të varrimit. Lasgushi hyn e del në dhomën ku janë fqinjët, pyet se kush ka vdekur, i japin përgjigje, përsëri hyn e del, pyet përsëri, i japin përgjigje dhe ai disi i çuditur thotë: - A, a, nuk e ditkërkam! - Përsëri hyn e del dhe, meqenëse ceremonia e përmortshme zgjat shumë, ai pyet i habitur: "Po tani çfarë po i lëvdojnë akoma ?" Pas vdekjes së Lasgushit se nga doli një fletë ditari e shkruar (gjoja) nga E. Hoxha në gusht 1981, na mblodhën dhe na e lexuan në Degën e Lidhjes së Shkrimtarëve të rrethit në Pogradec, u botua në gazetën "Driloni" ditën e enjte, më 22 dhjetor 1988.

Meri Lalaj

Dhe ja teksti i plotë:

Nga kujtimet e shokut Enver Hoxha për Lasgush Poradecin
Pogradec, e premte 28 gusht 1981

Dita e fundit e pushimeue verore në qytetin e këndshëm buzë liqenit të bukur, siç e përshkruan këtë poeti Lasgush Poradeci. U interesova për Lasgushin pranë shokëve të Partisë dhe më thanë se është mirë me shëndet. Jam interesuar për të, rron në një shtëpi komode të tij tok me çupën. Shokët më thanë se kanë dëgjuar që ka bërë një vjershë për Kosovën. U gëzova. Lasgushin e kam njohur që para lufte, kur isha profesor në gjimnazin e Tiranës. Më kish ftuar dy herë në dhomën e tij të thjeshtë e pa zjarr dhe me një velenxë në krahë më kish lexuar disa nga vjershat e tij të bukura të asaj kohe. Më kujtohet se krijimet e tij i përpunonte në mënyrë metikuloze. Ishte ca pesimist në jetë, por jo në vjershat e tij. Ai ishte i dëshpëruar nga regjimi i Zogut, prandaj preferonte të rronte i vetmuar. Dikur dilte dhe hashkohej me ne. Mbante një borsalinë të vjetër dhe një pardesy të palosur. Ishte edhe shëndetlig, poeti ynë i mirënjohur. Këto kujtime të mia ua tregova edhe shokëve drejtues të Pogradecit, duke iu lutur atyre që të mos e zvogëlojnë interesimin për të, për shkrimtarët dhe për poetët e rinj të rrethit, t'i japin të falat e mia Lasgushit dhe t'i thonë që unë ruaj kujtimet më të mira për të. Tefta Tashkoja më pati thënë se kishte respekt për Lasgushin, dhe ajo ka kënduar me atë zë të mrekullueshëm këngë të harmonizuara me vjershat e tij. Duke biseduar me shokët e Pogradecit, u rekomandova, siç e kam bërë këtë edhe më shokë të rretheve të tjerë, që të përkrahin pa ngurrim zhvillimin e arteve të bukura, të përkrahin talentet, t'u nxitin fantazinë në realitetin e bukur të atdheut tonë, të krijojnë pa i komanduar dhe pa ua kufizuar në korniza stereotipe frymëzimet e tyre. Të bëjnë një politikë të tillë që të materializojnë në vepra shpirtin dhe ndjenjat e tyre në rrugën e Partisë, por jo siç kërkon ndonjë nëpunës i Ministrisë së Arsimit e të Kulturës pa asnjë shije artistike. Ne duhet të bëjmë që të afirmohen me frymëzim jo të komanduar, duke filluar që nga punimet e artizanatit dhe deri te parqet e lulet." I miri Lasgush, i dashur e zemërgjerë me të gjithë! Dyzetë vjet me radhë erdhi me pushime Enveri dhe kurrë nuk pycti për Lasgushin, kurse pas vdekjes po, kërkon Nexhmija që t'i lidhë me një fije diktatorin me poetin, sepse dihet fare mirë që "Lavdia e Lasgushit nuk ka për asgjë nevojë, paska nevojë lavdia e Enverit për të!" Rastësisht, ndërsa isha duke lexuar te revista "Klan" pjesë nga një libër me kujtime për Ramiz Alinë, aty shkruhej pikërisht kështu për Lasgushin: "Personalisht atë e ka njohur edhe Enveri, kur ndodheshin si kolegë për pak kohë në gjimnazin e Tiranës. Enveri thoshte se ai ishte ca pesimist për jetën..." Sipas këtyre fjalëve të Ramiz Alisë del fare qartë se ajo fleta e ditarit e vitit 1988, që u shfaq në kohën pasi kishin vdekur edhe poeti, edhe diktatori, nuk qenka shkruar as prej Enverit, as prej Nexhmijes, por bash prej dorës së Ramizit.

( Pamje nga momenti i ceremonisë së varrimit të diktatorit, Enver Hoxha )

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Morri: 12/04/2018 02:41

    FYTYRA te poshtra NJEREZ PAFE .TE VRASIN dhe te VIJNE NE funeral.PRAPE Jane kelyshet e tyre NE PUSHTET .

    Përgjigju
  • Vlora: 11/04/2018 17:06

    Shiko Salen si gezon si legen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet