POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

140 vjetori i Lidhjes së Prizrenit/ Pika kulminante e identitetit shqiptar brenda perandorisë Osmane

Pikturë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Lidhja e Prizrenit padyshim që nuk ishte një organizim dhe manifestim rastësor i vetëdijes shqiptare dhe ruajtjes së zakoneve, kulturës e hapësirës së tyre territoriale. Janë të shumta rastet kur elementi shqiptar dallohet në rrafshin perandorak që prej hyrjes së osmanëve në vendet e banuara prej shqiptarëve në fund të shek. XIV deri në vitin 1912 kur shqiptarët do të shkëputeshin përfundimisht prej kësaj perandorie duke formuar shtetin e tyre të pavarur.

Regjistrimet më të hershme të vendosjes së regjimit osman në hapësirën shqiptare i përkasin dhjetëvjeçarit të fundit të shek. XIV. Vetë osmanët nuk sollën emërtime të reja por i njohën zonat dhe popujt sipas toponimeve dhe emërtimeve që ata përdornin për veten e tyre. Shqiptarët i quajtën arnavutë dhe në aspektin e grupit si arnavut kavmi ndërsa hapësirës territoriale si arnavudluk. Pavarësisht faktit se shoqëria osmane ishte e ndarë sipas përkatësisë fetare vërejmë se shqiptarët ortodoksë të cilët jetonin në zonat e Thesalisë nuk janë shënuar prej osmanëve si rum porse për ta është shënuar fjala arnavut çka i referohet në mënyrë të drejtpërdrejtë elementit etnik.

Periudha e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut padyshim që përbën njërën ndër pikat më kulminante të vetëdijes kombëtare ndër shqiptarë. Për rreth çerekshekulli shqiptarët jo vetëm që arritën të ndërtojnë elementë shtetformues nën udhëheqjen e heroit duke formuar një entitet etnik por u pranuan prej shumë fuqive të kohës. Parë nga ky këndvështrim, jehona e qëndresës së shqiptarëve pikërisht në kohën kur e gjithë Evropa ishte më e dobët se kurrë kundrejt osmanëve bëri që jo vetëm të formësohej vetëdija e shqiptarëve por fama e trimërisë së tyre të arrinte në të gjitha anët.

Një periudhë tjetër e rëndësishme si në fuqizimin dhe zhvillimin e hapësirës shqiptare ashtu edhe në formësimin e vetëdijes kombëtare ishte harku kohor që zuri fill nga gjysma e dytë e shek. XVIII deri në dekadat e para të shek. XIX. e njohur ndryshe edhe si periudha e pashallëqeve. Bushatllinjtë në Veri me qendër Shkodrën dhe Ali Pashë Tepelena në Jug me qendër Janinën për më shumë se gjysmë shekulli ushtruan një pushtet thuajse të pavarur në zonat përkatëse të administrimit, periudhë të cilën e kaluan në rivalitet me njëri tjetrin dhe në përplasje me qendrën, pra Stambollin. Ajo çka na intereson neve në këtë rast ka të bëjë me ekzistencën e elementit shqiptar, thuajse në mënyrë të pavarur, në të gjithë aparatin drejtues të këtyre pashallëqeve çka nënkuptonte vetëdijen etnike tek shqiptarët e kësaj periudhe.

Lidhja e Prizrenit paraqet pikën më kulminante të manifestimit të identitetit shqiptar brenda Perandorisë Osmane. Themi brenda Perandorisë Osmane sepse pas Lidhjes, penjtë që lidhnin shqiptarët me shtetin osman do të shkëputeshin gjithnjë e më shumë deri në Shpalljen e Pavarësisë. Përballë rrezikut të në të cilin gjendeshin shqiptarët dhe hapësirat ku ata jetonin vetë etërit e kombit shqiptar u vunë në lëvizje  për t’i treguar botës se kush ishin shqiptarët dhe, nga ana tjetër u përpoqën të zbulonin tek shqiptarët anembanë botës identitetin përbashkues të tyre.

Vetvetiu lind pyetja se cilët ishin elementët që e dallonin shqiptarin prej shtetasve të tjerë osmanë dhe në të njëjtën kohë ishin përbërës të asaj çka mund ta quajmë vetëdije, thënë ndryshe identitet. Sigurisht që në këtë kontekst është e mundur të evidentohen disa aspekte të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me strukturën shoqërore, të shkuarën historike por edhe me vetë karakterin e shqiptarëve do të na ndihmonin për të kuptuar atë çka mund ta quajmë vetëdije të shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane. Si figura të rëndësishme të Rilindjes ashtu edhe autorë e studiues të shumtë e theksojnë në mënyrë të veçantë pozitën që kishin shqiptarët në këtë shtet, element që dëshmon se disa veçori të shqiptarëve si komb arritën ti veçonin ata prej të gjithë kombeve të tjera të asaj perandorie.

Sigurisht që gjuha është elementi i parë dhe më kryesori ai që i veçonte shqiptarët si prej kombeve fqinjë ashtu edhe midis etnive të tjera pjesë përbërëse të shtetit osman. Ruajtja e saj pa një traditë shkrimi vetëm në të folur është një tregues i rëndësishëm i faktit se ky element ishte përcaktues në ruajtjen e vetëdijes apo identitetit të shqiptarit. Parë këtu edhe ndarja në kontekstin fetar të shqiptarëve, nuk ka dyshim se gjuha ishte faktori më kryesor përbashkues të cilët etërit e nacionalizmit shqiptar të shek. XIX e mbajtën kryefjalë të aksionit të tyre në ngjizjen e frymës kombëtare ndër shqiptarë.

Sipas Ismail Qemalit çdo shqiptar mban në zemër tre gjëra, të cilat janë: nderi, familja e atdheu. E mbi të gjitha këto qëndrojnë dy virtyte: fjala e dhënë (besa) dhe ndienja e atdhedashurisë. Pikërisht këto elementë e habisin edhe studiuesin e njohur Eric J. Hobsbawm i cili i referohet Naim Frashërit që thotë se “të gjithë ne kemi vetëm një klan, një familje; ne, vijmë nga i njëjti gjak dhe e njëjta gjuhë”.

Pikërisht dy elementët e përmendura më sipër, struktura shoqërore që bazohej në fisin apo klanin dhe gjuha përbëjnë edhe pikën kyçe të ruajtjes së kulturës dhe të identitetit shqiptar gjatë sundimit osman por edhe më herët. Kjo lidhje e gjakut që ishte karakteristike e shqiptarëve i tejkalonte të gjitha ndryshimet që ekzistonin midis tyre duke e ruajtur kështu, sipas Sami Frashërit, kombësinë dhe gjuhën e tyre brez pas brezi. Edhe Pashko Vasa, një figurë tjetër emblematike e rilindjes tonë kombëtare thekson se fisi dhe tradita janë zemra e strukturës shoqërore ndër shqiptarë e sidomos mes malësorëve gegë dhe suliotëve toskë.

Një element tjetër i rëndësishëm në ruajtjen e vetëdijes së shqiptarëve është edhe kujtesa historike. Në fakt, referimi i së shkuarës ishte karakteristikë e kombeve të ndryshme për të theksuar rrënjët e vjetra të tyre por edhe vlerat e traditat përkatëse veçanërisht në epokën e nacionalizmit. Këtë aspekt e vërejmë edhe tek shqiptarët e sidomos tek figurat kryesore të rilindjes të cilët i japin një vend të veçantë historisë së kombit shqiptar duke nisur që nga periudha pellazge për të ardhur deri në shek. XIX. Parë nga ky aspekt, e shkuara e lavdishme jo vetëm që mbajti gjallë vetëdijen e shqiptarëve përgjatë shekujve por, në periudhën e krijimit të shteteve kombe u bë një gurë themeli i ndërtimit të identitetit kombëtar.

Elementë të tjerë që karakterizojnë shqiptarin kanë të bëjnë me disa aspekte që i përkasin vetë karakterit të tij. Sigurisht që në krye të këtyre veçorive qëndron fjala e dhënë ose Besa e cila, sipas I. Qemalit, në sytë e shqiptarit qëndron më lart se çdo gjë tjetër. Si fjala e dhënë ashtu edhe ndienja e atdhedashurisë për shpallësin e pavarisë janë dy virtyte të cilat shqiptarët i kanë ruajtur për gjatë gjithë historisë së tyre si komb. Dashuria e madhe për lirinë, karakteri i fortë, marrëdhënia e ngushtë me vëllain e të njëjtit gjak e të njëjtës gjuhë qenë elementë të rëndësishëm që e dallonin shqiptarin prej gjithë të tjerëve. Përveç këtyre që përmendëm vjen edhe dashuria për armën për të cilën Pashko Vasa thoshte se “Pushka dhe jatagani janë armët që parapëlqen shqiptari; sidomos pushka ësht miku dhe shoku i pa ndashmë i tij; e ka në kujdes dhe i përkëdhel me një dashuri krejt të veçantë, bën be për armët e veta siç bën be për Perëndinë dhe për fen e tij; armët e bukura formojnë pasurinë dhe krenarin e tij.”

Sipas Todorovës feja nuk ka qenë një element motivues i përhapjes dhe zhvillimit të nacionalizmit. Sipas saj, klerikët dhe kisha ishin të fundit që iu bashkangjitën lëvizjeve nacionaliste dhe se këtu bën përjashtim vetëm Shqipëria ku klerikë të besimeve të ndryshme u bashkuan përreth nacionalizmit për vetë faktin se rreziku më i madh u kanosej prej qarqeve të krishtera, përkatësisht atyre greke e serbe se nga qendra myslimane, pra Stambolli. Parë nga ky këndvështrim, teza e Todorovës merr peshë nëse do të kemi parasysh fjalinë e famshme të Pashko Vasës se “feja e shqiptarit është shqiptaria” e cila karakterizon të gjithë frymën e rilindjes sonë kombëtare.

e.gj.
Komento