170 fotografi të 'Marubit' në Milano, kuratori: Ekspozita përçon shijen e jetës shqiptare përpara një shekulli

Për të bërë një ritual të caktuar njerëzit shkojnë në një vend të caktuar, xhami apo kishë, por një tjetër vend ku ndodhte një ritual para 1 shekulli në Shkodër, ishte edhe atelieri fotografik i Marubëve, i cili shndërrohej në varësi të kontekstit. 25 negativë, nga 500 mijë të tillë, të ruajtur në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” prezantohen për herë të parë në Trienale-n e Milanos në ekspozitën “Rituali fotografik”. Kuratori i ekspozitës, Zef Paci, rrëfen për kamerën e “Report TV” rëndësinë e kësaj ekspozite, që ka në qendër jetën e shqiptarëve, erosin, vdekjen, çmendurinë apo edhe raportin me pushtetin para 100 vitesh.

Kjo ekspozitë lindi si fryt i shkëmbimeve, që kishte Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” me Muzeun e Fotografisë Bashkëkohore në Milano, që bënte pjesë tek Trienale e Milanos. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës zgjodhëm disa alternativa, për të çuar disa foto të koleksionit të “Marubit” në Milano.

Kjo ekspozitë vjen si nga një kohë e gjatë përgatitore, por edhe nga kontakti i vazhdueshëm me arkivën. Janë rreth 170, por printime fotosh janë 118 të ekspozuara në një nga fasadat e Trienale-s, janë 25 negative origjinale dhe pjesa tjetër një projeksion i vendosur tek struktura, që shfaq imazhe.

Zef Paci, Studiues dhe Kurator i ekspozitës

Këto imazhe prezantojnë shqiptarët e para një shekulli...

Fillimisht për kontekstin ku shkoi ngjallte kuriozitet për faktin se Pietro Marubi ishte një italian, një mjeshtër i fotografisë, dhe një mjeshtëri e nisur prej tij. Fotografia është diçka që nxit, pasuron kujtesën dhe në këtë drejtim ka një vlerë, sa si një kujtesë individuale aq edhe kolektive, si foto familjare, por ashtu edhe fotografime momentesh të rëndësishme historike. Në këtë drejtim është një burim shumë i çmuar për të ofruar një informacion, një situatë të vërtetë në bashkëpunim me situata të tjera, të asaj që ishte Shkodra para 100 vitesh.

Shkodra parë nga Zef Paci si studiues dhe kritik arti, si ishte para 100 vitesh?

Fakti që Pietro Marubi zgjedh që të ndalet në një qytet si Shkodra, mund të ketë qenë fakti që Shkodra ishte një qytet i hapur, një qendër edhe gjatë Perandorisë Otomane, duke qenë edhe pranë Lumit Buna dhe detit. Ishte një pikë takimi që në një farë mënyre priste edhe shpërndante prurjet. Ishte një vend i pasur, që mund t’i siguronte përveçse të qenit piktoresk edhe larminë, ku malësorët zbrisnin për të shitur mallrat e tyre. Pra mund që t’i siguronte një studio fotografike edhe një klientelë.

Por, përse ekspozita në Milano titullohet “Rituali fotografik”?

Kjo ekspozitë kërkon që të përçojë shijen e jetës në një periudhë në një vend të caktuar. Në këtë pikë pata përzgjedh disa imazhe që shfaq gjendjen njerëzore, ku përfshihen erosi, vdekja, çmendura, plaga, të cilat i kishin vendosur tek një strukturë e brendshme. Këto gjendje njerëzore, ku brenda një hapësire të erret janë ekspozuar edhe negativët... Përfshihen ritualet e fëminisë, të dashurisë dhe ritualet e vdekjes. Krejt kjo gjendje shpalosej në katër fasada. Në njërën janë imazhe me gjendjen njerëzore. Në një vend tjetër ekspozohen pamje nga vendi ku ka ndodhur ngjarja, jo vetëm një peizazh. Një fasadë tjetër u kushtohej veprimtarive njerëzore. Një tjetër merr në konsideratë marrëdhëniet dhe gjendjet njerëzore në raport më pushtetin, këtu përfshihen kremtimet edhe ndëshkimet. Rituali e ka shoqëruar njeriun për të përballuar gjendje të ndryshme njerëzore. Këtij rituali u bashkëngjitë edhe rituali fotografik. Ashtu siç për të bërë një ritual të caktuar njerëzit shkonin në një vend të caktuar, në xhami apo kishë, vendi ku ndodhte rituali ishte atelieri fotografik, që shndërrohej në varësi të kontekstit herë në një  peizazh idilik, përveçse vendit që ishte habitati ku ndodhte. Edhe për fotografinë njerëzit bënin gjeste të posaçme. Ishte marrëdhënia e shpalosjes para fotografit, herë e guximshëm edhe herë e ndrojtur...

Zef Paci, Kurator i Ekspozitës 

Ekspozita “Rituali fotografik” prezantohet në kuadër të 550-vjetorit të ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Do të qëndrojë hapur në Milano deri në datë 9 dhjetor 2018.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Arkeologët spanjollë, turistët e veçantë të Amantias: Park i mrekullueshëm por mungon sinjalistika

Arkeologët spanjollë, turistët e veçantë të Amantias: Park i mrekullueshëm por mungon sinjalistika