POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

5 skandalet e “shpëtimtarit” të politikës shqiptare

Xhemal Gjunkshi, Sali Berisha, Lulzim Basha

Xhemal Gjunkshit, deputetit të PD në Peshkopi i është ngarkuar prej Bashës detyra titanike për të shpëtuar i vetëm politikën shqiptare nga figurat e inkriminuara. Si kryetar i një komisioni “fantazmë” të ngritur prej PD për vetingun në politikë, ish-shefi i Forcave të Armatosura supozohet të ishte një figurë e provuar për pastërtinë e tij.

Pasja e një autoriteti të pacënueshëm moral, në kushtet kur komisioni nuk ka asnjë mandat kushtetues dhe shërben vetëm si një strukturë paralele që rivalizon strukturat e vërteta të vetingut, do të ishte thelbësore për kauzën e pretenduar të PD-së.

Megjithatë, edhe këtë herë, Basha ka dështuar në zgjedhjen e tij, duke i besuar “vetingun” që supozohet se PD mund të bëjë e vetme, një prej figurave më të përfolura dhe më të baltosura të politikës shqiptare.

Gazeta ka numëruar disa prej skandaleve më të rënda, në të cilat Gjunkshi është përfshirë.

1 – Gjysma e rrogës për t’u dërguar në Afganistan. E kanë publikuar amerikanët, në kabllogramet e raportuara prej “Wikileaks”. Sipas vetë raporteve të Ambasadës Amerikane, Gjukshi pretendonte deri në 7 mijë euro (50% e pagës) për person, nga çdo ushtar që emërohej për të shërbyer në misionet 6-mujore në Afganistan.

2 – Afera e SHQUP – Gjunkshi ishte instrumental, në skandalin e transformimit të Shtëpisë Qëndrore të Oficerëve në seli të Partisë Demokratike. Ndonëse fillimisht kundërshtoi tjetërsimin, më pas Gjunkshi luajti një rol thelbësor në aprovimin e këtij ndryshimi anti-kushtetues, rol për të cilin u shbërlyer me një vend deputeti në zgjedhjet e vitit 2017

3 – Përmbytjet, vjedhja e rezerva ushtarake – Në një cikël përmbytjesh që goditën vendin gjatë kohës së Gjunkshit si shefi i FA, ushtria shqiptare rezultoi tërësisht e papërgatitur për të përballuar situatën. Nga një auditim i mëvonshëm i KLSH, rezultoi se në depot e ushtrisë rezultonin vetëm pak thasë sheqer, miell apo fasule, kur në letra duhet të ishin me tonelata të tëra. Asnjëherë nuk u shpjegua se ku shkuan ushqimet e vjedhura.

4 – Vëllai dhe dëshmori Feti Vogli – Në të njëjtin kontigjent, në të cilin humbi jetën Feti Vogli dhe u plagos një tjetër efektiv i ushtrisë shqiptare në Afganistan, figuronte edhe i vëllai i vetë Xhemal Gjunkshit. Megjithatë, ndryshe nga efektivët e tjerë që rrezikonin jetën në terren, i vëllai i tij qëndronte si “kuzhinjer” në bazë i sigurtë, ndonëse ushtarët shqiptarë në fakt përdornin mencat kolektive të bazës për të ngrënë, pa pasur nevojën e një kuzhinjeri shqiptar.

5 – “Skandali me degën e PD në Dibër” – Si njeri i besuar i Lulzim Bashës, Gjunkshi pati se detyrë të parë të tij pastrimin e Dibrës nga demokratët “jo të besuar” të gjetur në detyrë, të cilët u zëvendësuan nga kukulla të lideri të ri të demokratëve. Për këtë rol, Gjunkshi është akuzuar publikisht në media nga disa figura me peshë midis demokratëve të Dibrës./Tema

ma.nd.
Komento