POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

613 kg kokainë në Durrës/ Sekuestrohen llogaritë bankare të kompanive të Arbër Çekajt

“Forca e Ligjit” sekuestron disa llogari bankare në emër të kompanisë “Arbri Garden” shpk, të cilës iu sekuestruan 613 kg kokaine në 28 shkurt të këtij viti në Portin e Durrësit, si dhe subjektit “Ecoalmax” shpk, të dyja në pronësi të Arbër Çekajt.

Sipas task-forcës që heton grupet kriminale, e ngritur nga Ministria e Brendshme, vlera totale e llogarive të sekuestruar është rreth 38 mijë dollarë dhe mbi 10 milion lekë, që dyshohen si të përfituara nga aktiviteti kriminal i shtetasve të ndaluar nga Policia.

Në informacionin e detajuar nga Task-Forca, bëhet me dije se Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda po vijon hetimet intensive për këtë grup të dyshuar që operonte në fushën e trafikimit të drogave të forta.

Në 28 shkurt të këtij viti në një konteiner me banane, i ardhur nga Kolumbia si porosi e kompanisë "Arbri Garden", u gjetën në dyshemenë e dyfishtë të tij rreth 613 kg kokainë. Lënda narkotike u konstatua gjatë kontrollit në skaner. Në pranga u vunë menaxheri i kompanisë, Donald Lushaj dhe shoferi që do transportonte me kamion konteinerin nga Porti i Durrësit për në kapanonet e kompanisë në Maminas, ndërsa në kërkim u shpall pronari i "Arbri Garden", Arbër Çekaj, i cili ishte larguar ndërkohë në drejtim të Gjermanisë. 

Çekaj u arrestua në 4 maj në një provincë pranë Dusseldorfit nga policia gjermane, ndërsa në ndihmë të tyre për identifikimin e të kërkuarit, shkuan edhe dy efektivë të policisë shqiptare. Arbër Çekaj pritet të ekstradohet javët në vijim nga Gjermania në Shqipëri për t'u përballur me akuzat e drejtësisë.

l.q./al.sp.
Komento