​20 vite nga rënia e Republikës së
Berishës. Kronologjia e ngjarjeve në '97

​20 vite nga rënia e Republikës së<br />Berishës. Kronologjia e ngjarjeve në '97
Sot politika dhe institucionet po shkojnë drejt një ngërçi institucional që po mban peng edhe Reformën në Drejtësi. Nga çadra e ngritur përpara kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon largimin e qeverisë aktuale dhe hapjes rrugë të asaj që ai e cilëson si Republika e re.

Por teksa PD-ja e sotme kërkon krijimin e një republike të re, 20 vite më parë, më 2 mars 1997 iu dha fund republikës së parë.

Rebelimi i vitit 1997 i njohur ndryshe edhe si Kriza piramidale apo Anarkia në Shqipëri ishte një lëvizje antiqeveritare që filloi më 24 janar në Lushnjë dhe përfundoi më 24 korrik 1997, pas dorëheqjes së Sali Berishës si President i vendit. Shkaku i rebelimit ishte falimentimi i skemave piramidale, të cilat morën me vete rreth 1,2 miliardë $ kursime të shqiptarëve. Opozita arriti të përfitonte nga situata e rëndë dhe i kanalizoi protestat në rrugë politike duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe të Presidentit Berisha. Paaftësia dhe dezertimi në radhët e ushtrisë bëri që vendi te binte në duart e Komiteteve të Shpëtimit Publik dhe bandave të armatosura, e sidomos pjesa jugore. Qendra absolute e rebelimit ishte Vlora.

Më datën 1 mars 1997, Vlora u vu nën pushtetin e bandave dhe trafikantëve. Në Lushnjë policët rrihen barbarisht, ndërsa thuajse i gjithë territori u vu nën pushtetin e armëve.

Pikërisht në këtë ditë nisi shpërthimi masiv i depove të armëve dhe largimi masiv drejt Italisë.

Një ditë më pas, më 2 mars, si sot 20 vite më parë qeveria e Aleksandër Meksit u shpërbë. Kuvendi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të cilin përfshihej edhe ndalim qarkullimi nga orët e mbrëmjes deri në mëngjes. Disa viktima sidomos në Tiranë janë shkaktuar nga policia që i ka qëlluar për shkak të lëvizjes.

Po në të njëjtën ditë Kuvendi miratoi ligjin për bashkimin e Shërbimit Sekret me ministrinë e Brendshme kurse Kryetari i SHIK Bashkim Gazidede u emërua kryetar i operacionit për normalizimin e situatës.

Gazidede urdhëron mbylljen e shkollave në mbarë vendin në një afat të pacaktuar. U vendosën gjithashtu kufizime ndaj shtypit dhe ndaj furnizimit me mallra konsumi të popullatës. Tashmë Republika e parë kishte rënë.

Në Kavajë, bastion i PD, mbi 5000 veta vullnetarisht armatosen për të mbrojtur qytetin nga një sulm i mundshëm nga bandat e armatosura. Krimet dhe sulmet ndaj institucioneve ishin të shumta, ndër më të rrezikshmet ishte edhe ai i datës 3 mars kur shpërthen burgu 313, duke lënë të lirë qindra kriminelë.

Më datën 4 Mars, në Shkodër ushtria kapitullon. Studentët grevistë i japin fund grevës duke festuar me shampanjë në diskotekë. Më datë 4 Mars Komitetet në Sarandë, me në krye Arben Imamin, patrullojnë detin me anijet e marinës, policia detare dorëzohet, shteti humb kontrollin mbi hapësirën detare, po në të njëjtën ditë Saranda shpall autonominë duke deklaruar se në këtë zonë banojnë 20.000 grekë. Një ditë më pas në Vlorë, afro 50 ushtarakë bashkohen me protestuesit dhe formohet "Komiteti i Shpëtimit Publik të Vlorës", fillon të veprojë si strukturë paralele duke kryer defakto një grusht shteti.

Në Memaliaj e Tepelenë Komisariatet e Policisë u dogjën dhe rendi në këto zona ra në duart e bandave. Veç luftës civile, në këtë kohë nisën edhe agresionet e jashtme. Në datën 5 mars, televizioni grek "Mega", në lajmet e orës 14:00 deklaroi:

"Sot grupe të armatosura në Jug të Shqipërisë ngritën për herë të parë flamurin e Vorio Epirit, kërkojnë ndarjen e pjesës së jugut nga pjesa tjetër e Shqipërisë, duke filluar nga Tepelena. Ndërsa dy ditë më pas në këto zona kapitulloi edhe ushtria dhe i gjithë jugu brenda datës 7 mars ishte i kapitulluar.

4 ditë më pas, teksa i gjithë kishte rënë dhe i ishte dorëzuar bandave të armatosura, bie edhe qeveria “Berisha” dhe më 13 mars qindra vullnetarë të armatosur prej Qeverisë, banorë nga Veriu, mobilizohet të mbrojnë kryeqytetin, sulmohet presidenca, Berisha përjeton natën më të rrezikshme të jetës së tij. Po në të njëjtën ditë dalin nga burgu Fatos Nano dhe Ramiz Alia.

Berisha braktiset edhe nga Bashkim Gazidede. Rebelët pushtojnë portin e Durrësit. Në ekranin e TVSH shfaqet gjithë ditën thirrja "Atdheu në rrezik!".
Më datën 15 Mars rimerret kontrolli i aeroportit të Rinasit.

Parlamenti miraton "Qeverinë e Pajtimit Kombëtar" me kryeministër Bashkim Finon. Prej kësaj dite nis rimarrja e e kontrollit në institucionet e rëndësishme se veçante, por jo ne te gjitha rastet operacionet ishin te suksesshme.

Më 28 mars Berisha kërkon falje për Piramidat, dhe u lutet komiteteve të jugut për bisedime. 

Vjen qershori. Nën një atmosferë të tensionuar zhvillohet fushata për zgjedhjet e parakohshme. Lidershipi demokrat e ka të pamundur që të zhvillojë një fushatë normale në zonat e Shqipërisë së Jugut. Nga ana tjetër, liderët e majtë shoqërohen nga kapobandat e këtyre qyteteve duke lënë pas edhe një bilanc tragjik. Më shumë se 60 persona mbeten të vrarë gjatë fushatës së Partisë Socialiste në Jug të vendit.

Kurse më 29 qershor 1997, zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Partia Socialiste me aleatët janë fituesit. Demokratët pësojnë humbjen më të thellë të historisë së tyre. Shumë nga anëtarët e "Komiteteve të Shpëtimit" dolën kandidatë për forcat e majta ndonëse publikisht kishin premtuar se nuk do të merrnin asnjë post qeveritar pa u zgjidhur kriza e fajdeve. Në të njëjtën ditë zhvillohet edhe referendumi për formën e qeverisjes së vendit. Me 65 % të votave fiton Republika kundër Monarkisë.

Më 3 korrik 1997,  Leka Zogu I organizon një demonstratë ku akuzon KQZ për manipulim të rezultatit. Nga përplasja e demonstruesve me policinë, 5 persona mbeten të vrarë.
 Por edhe ne muajin korrik bandat vazhdojnë të sundojnë vendin nën një atmosferë frike dhe terrori. Rritet numri i vrasjeve, grabitjeve dhe trafikut të armëve, qenieve njerëzore dhe drogës.

Ishte 24 korrik viti 1997 kur Sali Berisha dha dorëheqjen nga posti i Presidencës. Ai kishte premtuar se në rast fitoreje të socialistëve ai do të largohej pasi nuk mund të bënte "bashkëjetesë institucionale" me ta. Rexhep Meidani zgjidhet President i Republikës me votat pro të socialistëve dhe të forcave të tjera në koalicionin qeveritar. Mijëra armë shurdhojnë Tiranën për mesë një orë në shenjë gëzimi për largimin e Berishës, që ishte kërkesa kryesore e rebelëve. Rebelimi merr fund.

11 gusht 1997 : Forcat ndërkombëtare largohen nga vendi.

Sot 20 vite më pas gjithçka ka ndryshuar. Kemi një opozitë që bën thirrje për dhunë duke kërkuar rrëzimin e Republikës së të majtëve dhe ngritjen e Republikës së re.

[gallery]21289[/gallery]

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Beteja këmbëngulëse e Ramës ndaj një reportazhi të  RAI

Mero Baze: Beteja këmbëngulëse e Ramës ndaj një reportazhi të RAI