​BunkRock, Elton Deda: Sot këndoj
në Bunk Art 1,një nate jo si të tjerat

​BunkRock, Elton Deda: Sot këndoj<br />në Bunk Art 1,një nate jo si të tjerat
Kantautori dhe pianisti i mirënjohur Elton Deda do të ngjitet sot, ora 21.00 për të performuar live në sallën e Kuvendit, në Muzeun "BUNK'ART1".

Gjithnjë i admiruar nga publiku, Elton Deda këtë herë do t’i japë vazhdimësi në ngjitje festivalit "Bunk Rock", i cili rezervon edhe një surprizë tjetër.

Deda shprehet se e ka pritur me shumë kënaqësi ftesën për këtë festival të veçantë. 

"Ftesa ishte shumë interesante, ishte intriguese, sepse të mendosh që në një vend ku është një strehim antiatomik. Një strehim të cilin dikur Byroja Politike do të rrinte dhe pleqëronte derisa të mbaronin të gjitha mbetjet toksike dhe kimike që do kryenin fuqitë e mëdha. Populli i thjeshtë sigurisht që kishte mbaruar në atë kohë, ndërkohë që këta do shikonin filma të realizimit socialist dhe ndonjë film të Charlie Chaplin. Ideja është shumë e bukur, sepse pikërisht në këtë skenë ku do ndodhte ky lloj absurdi, unë si një nga pionerët e parë të muzikës rrok të cilët krijuan idenë se në Shiqpëri do të ndryshonin shumë gjëra...është shumë intriguese të këndosh në këtë skenë", thotë Deda. 

Elton Deda është një nga këngëtarët më të njohur dhe autor këngësh që janë kthyer në hite për publikun. Lider dhe frymëzues i grupeve “Tingulli i Zjarrtë”, “Aneroid grup”, e më gjerë Deda ka krijuar disa albume interesante muzikore.

Më tej, Deda zbulon disa nga surprizat që do të performojë në sallën e kuvendit në Bunk'Art 1. 

"Unë kam ushtruar një repertor që ka këngë shqiptare, këngë nga të miat, disa covera të asaj periudhe, sigurisht kam përfshirë edhe disa covera botërorë. Mendoj që programi bëhet më i larmishëm, por shumica e këngëve janë të asaj periudhe. E kam organizuar me pak këngë 'pacifiste', pak këngë kundër luftës së Vietnamit, pra gjëra që kanë ndodhur në kohën e Luftës së Ftohtë", thotë kantautori Elton Deda. 

Ndërsa flet për festivalin që do të mbahet në "Bunk’Art 1", Deda në intervistën e tij për Report TV flet edhe për rëndësinë e te kënduarit Live, një sfidë e vërtetë kundrejt muzikës me kompjuter dhe tallavasë që ka pushtuar tregun muzikor në Shqipëri.
  
Ju nuk i mungoni skenës muzikore, por i mungoni një pjese të publikut, atij që nuk merret konkretisht me muzikën rok. Tani keni vendosur të performoni në BunkArt. Si e keni pritur ftesën për këtë lloj festivali?
Ftesa ishte shumë interesante, që kur m’u bë ishte shumë intriguese, sepse të mendosh që në një vend ku është një strehim anti-atomik, ku është një strehim në të cilin dikur Byroja Politike kishte zgjedhur si vendi ku do të rrinte e pleqësonte deri në momentin që do të zhdukeshin të gjitha mbetjet kimike e toksike të sulmit të fuqive të mëdha, ndërkohë që populli i thjeshtë sigurisht që do të kishte mbaruar, teksa ata shihnin filma të realizmit socialist apo të Charlie Chaplin. Ideja është shumë e bukur sepse pikërisht në këtë skenë ku do të ndodhte ky lloj absurdi, unë si një nga pionierët e parë të atyre grupeve të muzikës rok që krijuan idenë se në Shqipëri do të ndodhnin shumë gjëra, është shumë integruese të këndosh pikërisht në këtë skenë. Është një lloj kundërpërgjigjeje ndaj asaj që ata do të bënin duke ndenjur atje, duke shijuar të mirat materiale. Pikërisht kjo intrigë më solli edhe mua pasi u bë ftesa, të cilën e prita me shumë kënaqësi. Është gjë shumë e mirë, sepse BunkArt frekuentohet nga shumë njerëz që nuk e kanë idenë se çfarë ndodhte atëherë.
 
Pra ju konkretisht do të performoni nostalgjinë tuaj të asaj kohe?
Pak a shumë. Sigurisht, unë kam një repertor i cili ka këngë shqiptare, këngë nga të mijat, nga këngëtar të tjerë shqiptarë të asaj kohe, kam përfshirë edhe nga këngëtarë botërorë, pasi mendoj që programi bëhet më i larmishëm. E kam organizuar me pak këngë pacifiste, pak këngë kundër luftës së Vietnamit, pra për gjëra që kanë ndodhur në kohën e luftës së ftohtë.
 
Jemi kuriozë të dëgjojmë vetëm pak nga ajo që do të këndoni...
(qesh) Themi t’ia lëmë – jo surprizë, sepse njerëzit i dinë ato hitet tona – por sigurisht do të këndohen këngë nga Tingulli i Zjartë, Albatros, një këngë që e kam pasur shumë qejf, “Jo, jo ti mos vrapo ashtu”, nga një grup i asaj kohe, Sunfloëer, por edhe nga Rolling Stones, Deep Purple, kemi muzikë të gjithanshme. Koncerti është edhe argëtues në një farë mënyre, kemi edhe muzikë të dlirë, të qeshur, që njerëzit të mos trishtohen dhe të mos mërziten, sepse nuk mund të kujtosh në një orë e gjysmë se çfarë ka ndodhur në atë kohë, se njerëzit ndoshta edhe nuk e kuptojnë. Kështu që e rëndësishme është që kam krijuar një program me pak nga të gjitha. Pak shije këtu, pak aromë atje, gjëra të cilat, po qe se ngjizen mirë, pretendojmë që të nxjerrim diçka të mirë. Me sa kam parë, edhe eksperiencat e dy javëve që ka filluar BunkArt, edhe Crossbones, edhe e Erjon Zaloshnjës me Rockstock Band kanë qenë shumë të mira, mendoj që do të jetë një natë e këndshme dhe speciale.
 
Edhe skena, është jo pak interesante...
Absolutisht, ajo skenë kam përshtypjen që është konceptuar si një lloj kinemaje edhe një lloj argëtimi ku ndoshta një ansambël o vogël valltarësh popullorë do të kënaqte parinë. Tani do të kënaqen njerëzit e thjeshtë, hyrja është falas, me muzikë rok, muzika që ka qenë rreptësisht e ndaluar.
 
Faleminderit për gjithë këto surpriza që na zbuluat, por tani dua të kthehemi pak te jeta juaj si muzikant. Sa kohë, sa orë i kushtoni muzikës, krijimtarisë?
Në momentin që jam kthyer nga SHBA dhe kam vendosur që të merrem pikërisht me atë gjë që di të bëj më mirë, muzikën, normalisht që kam ndërtuar, shkatërruar shumë gjëra, në anën artistike. U bë një kohë e gjatë që unë nuk kam krijuar gjëra të reja, kjo edhe për një lloj arsyeje, pasi më tepër koncerte live, kam punuar e punoj në rok stock, kam krijuar një tri muzikore që do të jetë edhe në Bunk Art, me dy muzikantë të tjerë shumë të talentuar, gjë që merr kohën e vet. Edhe për një këngë, sado e thjeshtë të jetë, merr shumë kohë. Ne nuk duam t’i luajmë thjesht ashtu siç i dëgjojmë nga CD, kështu që më merr 4-5 orë në ditë, me prova e gjëra të tjera, rikonceptime të ideve të mia. Sigurisht që kam shkruar edhe këngë të reja, por nuk i kam publikuar sepse akoma s’janë gati, ndoshta edhe vetë nuk jam i qetë, është situata pak e çuditshme, si gjithmonë Shqipëria. Kështu që muzikanti nuk është i qetë për të krijuar gjëra të reja. Është edhe mosha. Ndryshe tani, ndryshe kur isha 20 vjeç, nuk shkruhet kënga brenda pesë minutash. Tani je më shumë kritik, do më shumë kohë.  Krijimtaria nuk mungon, kam shkruar edhe për këngëtarë të tjerë.
 
Ajo që më bën kurioze nga jeta juaj artistike është që ju keni qenë jo pak herë lider dhe frymëzues i grupeve të ndryshëm të rokut, nga të cilat herë je shkëputur, herë janë shpërbërë, herë je ribashkuar. Kjo ndryshueshmëri, të konsumon apo të jep përvoja të reja?  
 Kjo është një pyetje shumë interesante, që me thënë të drejtën ka të mirat dhe të këqijat e saj. Sigurisht që të kesh një grup bazik, i cili është grupi yt dhe ti identifikohesh me emrin e tij, është diçka shumë e bukur. Normalisht unë gjithmonë kam qenë dhe jam një admirues i grupeve të tjerët e kanë kaluar gjithë karrierën e tyre pa u shpërndarë, ose që sido që të jetë prapë i kanë mbajtur regata njëri me tjetrin dhe kanë punuar bashkë. Problemi është që në Shqipëri jemi para fakteve të tjera që nuk ekzistojnë në botë, duke filluar që nga një treg inekzistent, nga probleme të tjera, siç janë financat. Është më e vështirë të lëvizësh një grup se sa të lëvizësh një muzikant solo, plus që idetë e mia kur luaj me muzikantë të tjerë më duket sikur ndihmoj sa do pak që edhe unë të çoj tek ata, edhe unë të thith prej tyre. Pra është më mirë kur luan me më shumë muzikantë, sepse mëson më shumë gjëra. Nga ana tjetër, grupi është gjëja ideale, sepse është figura unike artistike e një artisti.  

d.i./Shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Erdogan priti në Turqi liderin e Hamasit, ministri i Jashtëm i Izraelit: Turp

Erdogan priti në Turqi liderin e Hamasit, ministri i Jashtëm i Izraelit: Turp