​Isuf Luzaj: Ku je, e
shkuara ime, moj trime? 

​Isuf Luzaj: Ku je, e<br />shkuara ime, moj trime? 
Isuf Luzaj (Kaninë, Shqipëri, 1913 - Çikago, SHBA, 2000), poet, filozof, historian, memorialist, u largua nga Shqipëria në dhjetor të vitit 1944, si shumë të tjerë, për shkak të bindjeve politike dhe e kaloi jetën në Evropë e Amerikë, ku bëri karrierë shkencore e universitare si profesor letërsie e  filozofie. 

Më 1936 u diplomua për Letërsi e Filozofi në Universitetin e Sorbonës; pas diplomimit punoi në shkollat më prestigjioze të vendit: në Normalen e Elbasanit, Liceun e Korçës dhe Tregtaren e Vlorës; më 7 prill 1939 i priti me armë në dorë pushtuesit italianë; në Konferencën e Mukjes më 1943, si delegat i Ballit Kombëtar, mbrojti tezën e Shqipërisë etnike; pas largimit nga atdheu punoi një kohë në Bibliotekën e Vatikanit si "Klasifikator i përgjithshëm Indeksi i Bibliotekës", kurse në vitet 1965-1990 ishte titullar katedre i filozofisë në Universitetin e Indianës në SHBA.

Autor i shumë veprave letrare e filozofike, pjesa dërrmuese e të cilave kanë mbetur në dorëshkrim, vepra e Luzajt përmblidhet në rreth njëqind vëllime dhe paraqet një minierë të vërtetë për artin, kulturën dhe mendimin shqiptar.

Nga ky autor sjellim sot për lexuesit një përmbledhje poezish shkëputur nga vellimi me poezi, rrëfime për vetveten, esse dhe analiza me titull “Festimi i yjeve agonia dhe eksta”, përzgjedhur dhe përgatitur për botim nga Xhevat Beqaraj dhe botuar nga “Ombra GVG”.
 
 
E DJESHMJA E SHEKULLIT
 
Ku je, e shkuara ime, moj trime?
Ti që mund të kishje qenë, po nuk qe
ashtu siç të dhashë, ashtu siç më dhe;
ti që u dogje në letra e shkrime;
ti që të gjitha ç’pate i dhe
pa u kujdesur kurrë për veten time.
U dogje, u zhduke me rrudha fytyre
si çikëndi përpara pasqyre:
pa të sotme, pa të nesërme, vetëm ç’pate dje.
Oh, sa e trishtuar e shkuara ime!
Dhe në pastë Zot, as ndëgjon, as na sheh.
 
Ti mund të kishje qenë arbitër drejtësije
i asaj lodre, me lojtarë lirije,
i asaj drame me aktorë tragjedije.
E lodhe ballin që në moshë rinije;
t’i mbaroje punët që mbetën të pambaruara.
E sotmja: gënjeshtër, e vërteta: e shkuara
nga uji i tërbuar, që rrodhi çdo vije.
E liga e mbëshehur vjen nga s’e pandeh.
 
                    ***
Ku është çasti që aq më përvëloi?
Ku besa që më shpëtoi nga qorrimi;
ku shtegu stinash që aq më largoi
nga zogjt’e sëmurë barbarë të një korbi
që hëngri këmbët e tij nga dëshpërimi,
që hëngri shokët e tij nga verbimi,
që ai vetë e krijoi, çmendur tmerrimi.
I bëri armike vlerat e goxha kombi.
 
Ku vajte, e gjora, e shkuara ime?
Në ç’roje kufije, në ç’tempull besimi?
Në ç’hije vetmije, në ç’shkolla mësimi?
më le të arratisur në mes një shkretije.
Shumica zhurmonjëse e metropolit më lodhi.
 
Ku e le shoqen time të mjerë
që më priti dhe do jetë duke pritur
në lëndinën pa pisha, ku hija s’di të bjerë.
Mbi kokë të saj: ndukin barin e rritur
kafshë shtëpije e shkelin duke baritur...
           
            ***
 
N’atë rrugë që ti dhe unë mirë e dimë,
është porta e madhe, me numër dhe emër
që ti vetë e ngjyeve kur fituam lirinë
me gjak që e nxore bujarisht nga çdo zemër,
hem nuse, hem nënë, hem mashkull, hem femër.
Në atë portë u shkrua, meseleja si ndodhi.
 
                          ***
                              
Ti më dhurove borça me xhevahirë
që unë i kam ruajtur siç qenë virgjinë.
Do të t’i kthej kur të jem i lirë.
 
Do fluturoj të të gjej ku je tretur,
do kumbisem mbanë teje si bonjaku i gjetur,
që, ndonëse s’ka faj, e rreh burri i nënës
Nga zona e Zodiakut më të mëngjër të Hënës.
Do të të puth eshtrat, mbase ma ndien zënë
lotëve të fatziut që do vdesë i përpjekur
ashtu siç pat lindur për letër e për pendë,
ashtu si jetoi për zjarr e për hekur.
 
 
    MALËSORIT TË ADHURUAR
 
Isha i ri, kur mësova nga ty
hovin epik nga shpirti i poetit.
Nga fletët e tua dilte si magji
Poseidoni nga fundi i detit.
Natë dhe ditë të pata në sy,
ditën e Flamurit në Kishë të Serreqit,
m’u bë obsesion, të adhurova si Hy.
 
Atë ditë filloi koh’e re në jetën time,
fytyra jote: Zeusi i Olimpit.
Harrova Homerin, Danten me rënkime,
M’u bëre shenjtor në udhë të mërgimit.
I lashtë të shplodhen shkrimtarë e poetë,
shenjtorë e shenjtore, heronjt’e mendimit...
Kozmogoninë, Astrologjinë e Egjiptit,
Konfucin e Kinës, Budën e Hindit.
 
M’u bënë fantazma, shokë të udhëheqjes
Osua, Marash Uci me të bijtë e Calit,
dy djem të shpejtë si shpendët e Malit,
siç t’i pa ty muza e Idealit.
Ngjit mbas tyre çeta e dekës
Sako Tona i Gurit të Lekës;
m’u bënë fantazma që ëndrra i nguci
kur më vërviti në krahë të Përpjekjes.
Natë e ditë pranë meje Osua e Marash Uci.
 
Të shoh në tribunën e Kishës së Fratit,
të shoh në shkollë kur më dhe çmimin.
Unë krenar, maturant i Gjimnazit.
Më fale Lahutën me fjalë bekimi;
obsesion në zemër, në ballë e në sy.
Herë pas here, jam bashkë me ty.
 
Shembulli yt më frymëzoi guximin
t’i këndoj Luftën e Vlorës Labërisë.
S’di deri ku ta mbajta premtimin,
s’di sa do rrojë në rini Kushtrimi.
Po t’më ndëgjonte do i lutesha Perëndisë
të të shoh përtej Urës, Kohës dhe Hapësisë.
 
Përtej Universit, së ligës e së mirës,
të të dorëzoja një flamur të lirisë
ngjyer me gjakun e gjithë Labërisë
që të adhuron si babë e si Hy.
Murgu i shenjtë i madh i Shën Mërisë
obsesion në zemër, në ballë e në sy.
 
 
     
VAGABONDJA E YJEVE
 
Kudo që u gjeta nëpër plagë të planetit,
në dasma ku lidhte mendimi krushqi
me ëndrra, fantazma, dashuri të poetit
martonin Metafizikën, Frymëzimin poezi.
 
Net’ e ditë të endura në avlëmend
me Kujtesën që të kthen ç’i ke dhënë,
duke u situr mielli me besën e shenjtë
karakteristikë vetëm e zërit tënd,
imagjinata dashuria me mend
që janë të bijat bonjake të shpresës.
 
Koha ime qe kohë e sëmurë.
I mblodha yjet, i ngjesha në gji;
i mbrujta me lotë, i poqa në furrë;
i derdha si oriz në pjatë farfuri.
Shkronjat lëvizën tutje-tëhu në pëlhurë
për të pikturuar një Idhull të ri.
 
Motër e dashur, kimerë  fantazi,
në paç ti fuqinë sa dëshirat e mia
do këndosh nëpër shekuj duke qarë pa mërzi.
Fjala memece s’shpreh dot ç’i thotë zemra.
Mendjet bonjake dhe kur lindën femra
mbetën shtatzënë me ideale dhe ëndrra,
s’ia japin dot jetës, pa qenë perëndi.
 
 
                             
 FANTAZMË
 
Lulet e bukura që ti ujitje në saksi
u thanë, o zonjë, që kur ike ti;
zemëruara që i harroi ibriku dhe dora
se ashtu mendojnë lulet e gjora
që s’dinë ç’është terror e tiraní.
S’kanë parë foshnja të vdekura në djepe
s’kanë parë toga ekzekutimi në heshtje
as kurora mbi varre, as arkivolë mavi.
 
Pemët po zhvishen e vështrojnë me çudi
që nuk të shohin në kopsht dhe avlli
me futën plot pjeshkë e mollë.
Çuditen pemët dhe lisat e gjorë,
përse mjegull e zezë mbi Vlorë,
se s’panë foshnje të vdekur në djepe
s’panë toga ekzekutimi në heshtje.
Ecin heronjtë të qetë pa urrejtje
në Mesovun  do takohen me vdekje;
dëshmorët e sotëm, Epopeja e djeshme,
pa emra varri, pa kujtim për rini.
 
Oshëtimë e thellë nga mali e nga deti.
Një grigjë engjëjsh trembur nga tërmeti
të pambaruar, të nevojshëm, të fshehtë
bjenë një mesazh tmerri të rreptë.
 
Harroi frymori emrin kush ishte
një koncert perëndish politeiste;
i luten Zotit të vështrojë nga rrëmeti.
           
Meteorë gjigantë zbresin nga qielli
për t’u mbytur në fundin e detit
si caktim kohe mes Zotit dhe djallit.
Të tregojë legjendë në shekuj i gjalli.
Dëgjohet një fshamë arratije nga mali,
do jetë thirrja jote që të lodhi malli.
 
Për jetë e për vdekje na ndau tirani
koha përtace gjysmë shekulli zgjati.
Sa zor do ketë të na tresë balta:
mua nga pendimi, ty ethet e zjarrta.
 
Ky qe zari, o Dritë, që na lozi fati!
 
 
              
FATALITET
 
Na jemi ata që s’deshëm të jemi
as deshëm të vimë, as duam të vemi,
as që e dimë, kur dhe ku do qëndrojmë.
Pyesim, s’e gjejmë cili është qëllimi;
udhëtarë të humbur si shpendë arratije;
diçka që s’e dimë, diçka që kërkojmë
në shkreti, në dete, në pyje
pa itinerar, as traguard përfundimi.
 
Na jemi koha që ndryshohemi dhe ndryshojmë
trajtat dhe ngjyrat nëpërmjet ethurisë:
Na s’dimë se pse qajmë e këndojmë
siç duan shpresat; nënat e mërzisë:
kur pas ironisë, ikin fluturojnë:
 
Siç na zë gjumi, aperitivi i vdekjes
siç na thonë ëndrrat, nuset e përpjekjes
në këtë tunel prej sere e thëngjilli.
 
Qorra, nuk shohim që gurët e yçit
i luan një dorë e mbëshehur dhe kyçit;
ia mbylli panxhat që kur nisëm udhëtimin.
 
Çmendëri aventure, komedi e vdekjes,
aktorë somnambulë në dramë të përpjekjes,
surprizë: fillimi; surprizë: mbarimi.
 
 
      
PLAKU LEGJENDAR
 
Takova një natë, në një vend të paemër
larg në kohë dhe hapësirë si në ëndërr
një plak në udhëkryq. I binte kitarës.
 
S’i fola, s’më foli, çudi e pashpjeguar;
mundohem ta harroj, kurrë pa e harruar,
më vështron dëshpëruar, duke qarë i penduar
që s’ma mësoi muzikën e dhembjes
ethen e trishtimit, vërbimin e mendjes
 
që: nga burimi i helmuar i farës
mbijnë ferra e driza në vijat e arës.
Enigmë misteri, kurrë e kuptuar.
 
Ndëgjoj ata tinguj që më plagosën në zemër.
Ia kuptova fjalët, çdo tingull një emër.
Origjina e njeriut, buroi nga një femër.
Gabimi i Ademit: mëkat i mallkuar.
 
 
          
VAJET E KOHËS
 
Shtëpia gërmadhë po kalbet nga shiu
qan se kujton kur qeshte çilimiu
në mes të djepit e të vatrës së zjarrit.
Qan pasqyra për hije njeriu,
qan një korb mbi një degë ulliu,
një plakë e panjohur qan sipër një varri.
 
Qajnë librat në rafte që i brejti egrasija
shtypur nën harrim të t’vdekurve nga urija
që nuk e pyesin të thotë fjalën e tija
plaku që kërkon varrin e djalit.
 
Qan kopshti me bimë, me pemë e me lule
duke u tharë, duke u shkrirë, duke u kalbur
trëndafili simetrik, vjollca me përvujtje,
krisja dhe ferra trazuar me antulje,
pështetur njëra-tjetrës vdesin duke iu falur
Zotit anonim që s’e dinë a ekziston;
frika dhe vetmia vdekjen e mëson.
 
Qajnë fantazmat që lashë në hajate
për kohën që vjen e shkon duke i plakë.
Qajnë shkronjat që mbetën në kartë;
dorëshkrimet që dogjën dy duar lapurake
me urdhër të një komisari të lartë.
 
Qajnë shtizat e sahatit të madh që e ngjiti
në mur të fortë një dorë fakiri
në net shekullore nëmëroi e përsëriti
ankimet e popullit që jehon arratia
pa u lodhur i gjori nga heshtja e vetmia.
 
Ashtu do qajë me ato letërsia
për boshësinë që la tirania.
 
Do ngjajnë monotone ankimet e mia
atij që nuk njohu si u varros Historia.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Nëna denoncon humbjen e fëmijës 3-vjeçar, në pranga gjyshi

Durrës/ Nëna denoncon humbjen e fëmijës 3-vjeçar, në pranga gjyshi