​Nis rindërtimi i Rrugës së Dibrës
Veliaj: Po mbaj premtimet

​Nis rindërtimi i Rrugës së Dibrës<br />Veliaj: Po mbaj premtimet
TIRANE-Bashkia e Tiranës ka nisur nga puna për t’i dhënë një pamje dinjitoze hyrjes veri-lindore të kryeqytetit. Përpos punës për rregullimin e të gjitha fasadave, bashkia po rindërton Rrugën e “Dibrës”, segmentin nga “Farmacia 10” deri në Kinostudio, e cila u shërben mijëra banorëve dhe është një nga portat hyrëse në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi nisjen e punimeve për pasjen e një rruge me standarde, me gjelbërim dhe korsi të dedikuar për biçikletat.

“Kjo është hera e katërt që vijmë në Njësinë 4 dhe ashtu siç u premtuam qytetarëve gjatë fushatës, puna nuk do të ndalet as gjatë pushimeve të verës. Kësaj here vijmë për një projekt madhor, për një nga arteriet kryesore të qytetit, e njohur si Rruga e Dibrës, e cila do të jetë edhe hyrja e Tiranës nga Rruga e Arbrit. Bashkia po ndërton Rrugën e Dibrës, si pjesë urbane, kurse qeveria do të bëjë Rrugën e Arbrit, nga kthesa e Tufinës deri në Peshkopi. Pra, po përgatisim një hyrje dinjitoze për Tiranën, siç bëmë me Rrugën “Dritan Hoxha”, e siç po punojmë në Kombinat dhe në Rrugën e Elbasanit”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj theksoi se po punohet me ritëm të lartë në mënyrë që shumica e punimeve në këtë segment të kryhen gjatë periudhës së verës, kur qytetarët janë me pushime dhe kur Tirana ka më pak lëvizje. Ai tha se projekti i rrugës parashikon ndërtimin e një korsie të dedikuar dhe të mbrojtur për biçikletat. “Do të punojmë me tre turne që të sigurohemi që kjo rrugë cilësore, e cila do të ketë një korsi të dedikuar biçikletash, të mbrojtur fizikisht nga korsitë e makinave, me një ndriçim bashkëkohor dhe sigurisht me të gjitha fasadat e rregulluara, në fund të verës t’i japë kësaj lagjeje një hapësirë shumë më dinjitoze se sa hapësira që gjetëm në fillim. Besoj se ky investim do përkthehet menjëherë në një rritje të vlerës së pronës në të dyja anët e rrugës”, tha Veliaj.

[gallery]23156[/gallery]
Kryebashkiaku kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e banorëve të zonës për të shmangur në maksimum lëvizjet me makina nga Rruga e “Dibrës”, për të mos u përballur me problematikat që sjellin punimet. “Banorëve të Rrugës së Dibrës u kërkoj që mundësisht t’i minimizojnë lëvizjet e tyre. Nëse do kemi bashkëpunimin e tyre do të ecim edhe më shpejt, jam shpresëplotë që fundi i verës, kur njerëzit të kthehen nga pushimet, kur fëmijët të përgatiten për në shkollë, do të gjejnë në këtë lagje kushte shumë herë më të mira se sa ato që lamë pas”, tha Veliaj. Ai bëri të ditur gjithashtu se brenda verës do të përfundojë edhe hyrja jugore e qytetit te Kombinati Ushqimor, ndërsa po ndërhyhet në të gjitha rrugët hyrëse në autostradë.

Ai garantoi qytetarët se Bashkia e Tiranës do të punojë me të njëjtin ritëm edhe në dy vitet e tjera të këtij mandati, për të mbajtur premtimin për të bërë çdo ditë nga një punë në shërbim të qytetarëve dhe transformimit të Tiranës. “Jemi të vendosur të vazhdojmë me këtë ritëm gjatë gjithë vitit dhe gjatë gjithë mandatit tonë, sepse motoja dhe fushata jonë është puna e përditshme, e cila nuk varet nga data të caktuara, por nga zelli ynë për të mbajtur çdo premtim që i kemi dhënë banorëve të kësaj njësie”, shtoi Veliaj.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti falenderoi Bashkinë e Tiranës për mbajtjen e një tjetër premtimi dhe për vëmendjen që i ka kushtuar në vazhdimësi Njësisë 4, duke e shndërruar atë në një nga zonat që ka pësuar ndryshimin më të madh në Tiranë. “Këtu kalojnë shumë mjete të rënda, kalojnë shumë qytetarë dhe me rikualifikimin e kësaj rruge i japim zgjidhje problematikës së gjithë Njësisë 4. Falenderoj shumë kryetarin e bashkisë që na mbështet përsëri me punë. Nuk punojmë për fushata, punojmë gjatë gjithë kohës për t’i rikthyer besimin qytetarëve, një besim që na është dhënë ndër vite dhe një super besim që u dha tani në 2017”, tha Gjylameti.

Në segmentin e Rrugës së “Dibrës” që nis nga “Farmacia 10” deri te rruga “Aleksandër Moisiu”, në afërsi të Kinostudios, është parashikuar të bëhen punime nëntokësore për kanalizimet e ujërave të zeza dhe të shiut, sistemim i asfaltit, trotuare të reja, ndriçim led, si dhe mbjellja e pemëve. Kjo rrugë do të plotësojë edhe një standard tjetër pasi për herë të parë do të ndërtohet një korsi e dedikuar me tapet të kuq për biçikletat. Në total rruga ka një gjatësi prej 1340 metrash dhe është një ndër akset më kryesore në qytetin e Tiranës.

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Lezhë, shoferi del nga makina e grushton kalimtarin,se i kërkoi të priste të kalonte rrugën

Lezhë, shoferi del nga makina e grushton kalimtarin,se i kërkoi të priste të kalonte rrugën