85-vjetori i koreografit, Adela Muçollari: E lumtur që kërcej ‘Zhizelin’ e Agron Aliajt

Një ditë Adela Muçollari do t’ia shpërblente më së miri mjeshtrit që ia besoi rolin kryesor të Zhizelit në moshën 18-vjeçare. Dhe rasti erdhi...! Baleti “Zhizel” është rikthyer mbrëmë në skenën e “ArTurbinës”,  plot 30 vjet nga ngjitja e parë në skenën shqiptare, në nder të 85-vjetorit të lindjes së koreografit, “Mjeshtrit të Madh” Agron Aliajt.

Ndërkohë që “Zhizel” do të vijojë të ngjitet në skenë edhe në datat  10 dhe 11 nëntor, mbrëmë interpretimi i primabalerinës Adela Muçollari ishte gjëja e parë që binte në sy. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me një vepër të fortë nga ana emocionale, që shkon deri në tragjedi. Adela Muçollari e di këtë dhe i fal gjithë ndjeshmërinë e saj personazhit. Sytë dhe mendja e publikut janë drejtuar nga ajo.

Në intervistën për “Shqiptarja.com” primabalerina Muçollari shprehet se: Fakti që kam punuar me mjeshtrin Agron Aliaj, më bën të jem akoma më e ndjeshme për këtë balet. Ai besoi tek unë dhe unë dhe ja pas shumë viteve ngjitem në  skenë në rolin kryesor si primabalerina e baletit të tij të dashur “Zhizel”. Është një mrekulli kjo që ndodh sot”

Edhe koreografja Enada Hoxha është e emocionuar për këtë premierë përkujtimore. “Struktura e koreografisë është realizuar nga origjinali dhe punuar nga mjeshtri Agron Aliaj, por si produksion është komplet i ri.”, shprehet Hoxha.  E emocionuar është edhe primabalerina Ledia Sulaj, që ky balet i dedikohet Mjeshtrit të Madh Agron Aliajt. 

Libreti i “Zhizel” është shkruar nga Jules-Henri Vernoy de Saint-Georges e Theophile Gautier. Ky balet u ngjit në skenë për herë të parë në botë në operën e Parisit më 28 qershor 1841. “Zhizel” është vënë në skenën shqiptare për herë të parë nga koreografi Agron Aliaj në dhjetor të vitit 1988. Ndërsa në shfaqjen e këtij viti baletmaestër është Enada Hoxha, koreopetitore Alisa Gjoni, skenograf Renold Sula, kostumograf Ardi Asllani dhe koncertmaestër Enina Llozi. Solistë janë Zhizel: Adela Muçollari, Ledia Sulaj; Albert: Fatjon Lito, Anxhelo Muçollari; Hans: Dion; Gjinika; Fshatare (Pas de deux): Odeta Dishnica e Renato Lleshi, Jonida Qafmolla dhe Armando Meçi; Mirta: Rovena Shqevi, Elda Logo; Viliza: Erisa Gina e Odeta Dishnica, Elona Beqiraj dhe Jonida Qafmolla; nëna e Zhizelit: Matilda Reka; princesha: Alisa Gjoni; duka: Kujtim Hoxha.

Intervista
Adela, si e ke pritur rikthimin në skenë të baletit “Zhizel” që bëhet në nder të 85-vjetorit të koreografit, mjeshtrit të madh të baletit,  Agron Aliaj?
-Jam shumë e emocionuar që kërcej baletin “Zhizel”  për nder të Maestro Agron Aliaj. Për mua baleti “Zhizel” është një balet shumë i dashur, pasi ka një histori që të përcjellë shumë emocion. Në të vërtetë, me zor po pres që ta interpretoj këtë balet, pasi e kam shumë për zemër.  

A keni kujtime me koreografin e madh, sa vjeç ishit kur keni punuar me të. Si e keni njohur?
-Fakti që kam punuar me mjeshtrin Agron Aliaj, më bën të jem akoma më e ndjeshme për këtë balet, pasi kur është vendosur në skenë baleti “Zhizel disa vite më parë unë isha vetëm 18 vjeçe, kur maestro më vendosi si soliste në këtë balet në Grand pas de Deux të aktit të parë. Ai besoi tek unë dhe unë pas shumë viteve ngjitem në në skenë në rolin kryesor si primabalerina e baletit të tij të dashur “Zhizel”. Është një mrekulli kjo që ndodh sot.

Adela, le të ndalemi në disa sekrete të interpretimit tuaj. Si do të shprehet me gjuhën e trupit forca e dashurisë që zotëron shfaqjen e “Zhizel”-it?
-Ajo forcë është brenda meje, ku gjallërohesh nga emocioni , të prek historia, njësohesh me kostumet, të bëhet edhe më intime skena...Ja kështu vjen magjia e interpretimit dhe e realizimit të rolit.  

“ArTurbina” nuk është një skenë klasike siç ka qenë në Teatrin Kombëtar të Operës. Çfarë ka ndryshuar më moderimin e një skene ndryshe. E kini të lehtë përshtatjen me këtë skenë të re?
-ArTurbina është një skenë vërtet shumë e nevojshme për vendin tonë. Pa diskutim që skena e Teatrit ka tjetër dimension, por ne jemi përshtatur mjaft mirë pasi kemi të gjitha kushtet e nevojshme.

Cilët janë protagonistët e shfaqjes dhe ç’mund të thuash për parterin tënd?
-Baleti ka shumë personazhe si : Zhizel , Albet , Hans , Mireta , Pas de deux Fashatarve , Vilisat , Nëna.. Është një përrallë e bukur për t’u parë dhe shijuar. Unë do të thosha që i uroj shumë suksese të gjithë kolegëve të mirë, pasi të gjithë bashkë kemi bërë një punë shumë të madhe dhe vetëm të gjithë bashkë mund të bëjmë një shfaqje të magjishme. Unë sonte (mbrëmë) interpretoj me Fatjon Liton , i cili është një balerin mjaft i talentuar dhe me një eksperiencë në Teatër dhe mendoj që sonte do të realizojmë vërtetë këtë balet. Por pa diskutim, unë dua t’i uroj shumë suksese gjysmës sime, Anxhelo Muçollarit, vëllait tim, i cili do të interpretoj nesër (sot) rolin e princit. Dhe i uroj të jetë princ siç Anxhelo është në të vërtetetë.

Si gjithmonë pyetja e fundit është se çfarë projekti ke pas kësaj shfaqjeje?
-Ka shumë projekte që janë në vazhdimin e punës, por besoj se çdo gjë do të zbulohet në kohën e vet. Ju falënderoj pafund për këtë intervistë.

Baleti “Zhizel” dhe veprat e tjera të Agron Alisë
Libreti i baletit “Zhizel” është ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane mbi vilisat, të fejuara që vdesin pa arritur të martohen. Filozofia e baletit “Zhizel” është dashuria. Një vajzë e re 15 vjeçe dashuron për herë të parë, por ajo zhgënjehet, sepse ai që hiqet si fshatar është në të vërtetë princ. Edhe në botën e përtejme ajo vazhdon ta dashurojë pavarësisht se ai e gënjeu.

Lufta e vilisave është e tillë që ata duan ta shkatërrojnë këtë dashuri dhe pas vdekjes, por forca e madhe e dashurisë bën që të triumfojë, megjithatë ajo është një hije rreth tij. Baleti “Zhizel”, i cili është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1988 kishte në rolet kryesore Mukadez Erebara, Albana Suljemani, Ludmill Cakalli, Ilir Kerni, Pëllumb Agalliu, Leonard Xhokaxhi etj.

Rivënia e dytë e tij ishte në vitin 1998 po me koreograf Agron Aliaj, skenografia Shaban Hysa dhe në rolet kryesore ishin Enada Hoxha, Gerd Vaso, Eno Birko, Ambeta Toromani, etj. Pas realizimit të shumë valleve dhe numrave koncertore, mjeshtri Agron Aliaj është autori i baleteve kombëtare, si: "Cuca e maleve" (1970), "Tokë e pamposhtur" (1977), "Para stuhisë" (1982), "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë", "Halili dhe Hajria" (1966), si dhe baletet klasike mes tyre "Don Kishoti" (1990), "Romeo dhe Zhulieta" (1996), "Hirushja" (2002), "Katedralja e Parisit" (2003), "Liqeni i Mjelmave" etj. 

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS