9 gra të vrara nga
burrat gjatë vitit 2016

9 gra të vrara nga<br />burrat gjatë vitit 2016
Janë 9 gra, të cilat janë vrarë nga bashkëshortët apo partnerët e tyre vetëm gjatë këtij viti si pasojë e krimit brenda familjes që është shndërruar tashmë në një plagë të rëndë sociale në Shqipëri e që kërkon reagim të menjëhershëm jo vetëm nga institucionet por edhe shoqëria.

Shumë prej tyre ishin viktimë e dhunës së vazhdueshme të burrave e madje kishin edhe urdhër mbrojtje nga gjykata.
 
1 janar 2016, Sarandë
Afrim Uzo vret gruan. Ky vit do të niste frikshëm me një krim të dyfishtë në qytetin e Sarandës. 50 vjeçari Afrim Uzo i merr jetën gruas së tij Liljana dhe më pas vret edhe veten. Në momentin e krimit, në shtëpi ndodhej vajza e tyre 22 vjeçare, e cila rrëfeu disa ditë më vonë se prindërit ishin drejt divorcit, ndërsa gjykata kishte lëshuar urdhër mbrojtje për Liljanën. Natën që kreu krimin, Afrimi kishte kërkuar që të bashkohej me familjen por gruaja dhe fëmijët nuk kishin pranuar. Pas një debati të ashpër, rreth orës 8 të mëngjesit ai qëlloi drejt saj më armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa më pas vrau dhe veten.
 
19 qershor, 2016, Korçë
Një tjetër krim i dyfishtë do të trondiste opinionin publik, kësaj here në Korçë, ku 34 vjeçari Mikel Xhiko i mori jetën bashkëshortes Yllka pasi e qëlloi me thikë. Pas krimit, ai goditi edhe veten disa herë në bark, duke mbetur i plagosur rëndë. Rrugës për në spital Xhiko do të ndërronte jetë për shkak të plagëve të rënda. 34 vjeçari kishte qënë i dënuar me 4 vjet heqje lirie për trafik lëndësh narkotike dhe çifti kishte një vajzë 5 vjeçare. Policia dha si motiv xhelozinë, por pa përjashtuar ndikimin e heroinës që Mikel Xhiko kishte konsumuar përpara se të shkaktonte tragjedinë.
 
25 korrik, 2016, Patos

Krovaç Goxhaj vret gruan me thikë gruan e tij Resmije, pas një debati të ashpër me të. 55 vjeçari që tronditi Patosin në orët e vona të së djelës, kishte konsumuar alkool dhe ishte i dehur. Bashkëshortët jetonin vetëm në banesë dhe ishin fqinjët ata që njoftuan policinë për krimin e rëndë. Sipas policisë një grindje për motive banale kishte qënë pikënisja e konfliktit në familjen Goxhaj, që degjeneroi deri në dhunë fizike dhe më pas vrasje me armë të ftohtë.
 
15 gusht, 2016, Kavajë
Sokrat Shani mbyt me duart e tij të dashurën 36 vite më të re dhe më pas vret veten me një plumb në gojë. 65 vjeçari ishte i martuar por ndërkohë kishte prej 3 vitesh një lidhje me Jonida Çanakun, e cila banonte në fshatin Kryekuq të Divjakës. Përpara se ti jepte fund jetës, biznesmeni kishte lënë një letër ku tregonte krimin. 29 vjeçarja u gjet e zhveshur krejtësisht e shtrirë në krevatin dopio, lidhur me fasheta në pjesën e këmbëve dhe në duar, ndërsa shenjat e dukshme të hematove në trup tregonin se ishte torturuar. Sipas mjekëve ligjorë, viktima pasi është lidhur dhe i është vënë spango në fyt, është goditur sërish nga 65-vjeçari. Ajo ndërroi jetë pas gjakderdhjes, nga tortura dhe dhuna.
 
28 gusht, 2016, Golem
73-vjeçari Veli Dervishi vret me sëpatë bashkëshorten Zhazivare pas konflikteve të vazhdueshme dhe dyshimeve të tij se ajo e tradhëtonte. Ngjarja ndodhi në Golem, ku çifti kishte marrë një shtëpi me qera për të kaluar pushimet e verës. Para hetuesve Dervishi pranoi krimin monstruoz duke treguar se motivi ishin pikërisht dyshimet se gruaja e tradhëtonte. "Ajo më ka tradhtuar gjithë jetën. E kishte mbushur kupën. Nuk e duroja dot, më kërkonte gjithmonë llogari, ndaj më erdhi në maje të hundës. Më acaroi shumë nervat, ndaj e vrava”-deklaroi i moshuari para hetuesve.

22 tetor, 2016, Ndroq Tiranë
Afize Lila do të humbte jetën pas goditjes me armë nga i shoqi Kasëm i cili e qëlloi me çifte gruan. Ngjarja ndodhi në fshatin Çoçaj, pas një debati që 56 vjeçari kishte patur me të vëllanë me të cilin jetonte nën një çati. Gruaja kishte ndërhyrë për të qetësuar sherrin, por përfundoi e vrarë, ndërsa mbeti e plagosur edhe motra e saj, Zyra Lila. Dy vëllezërit që i kishin gratë motra jetonin në të njëjtën banesë, ndërsa autori e kishte pa leje çiften. Banorët e zonës rrëfyen se Kasëm Lila kishte kishte probleme mendore, dhe se ngjarja ishte e paralajmëruar pasi kishte patur debate vazhdimisht me familjarët e tij. Autori ka pranuar vrasjen e bashkëshortes, ndërsa tha se donte vetëm ta trembte.
 
11 nëntor, 2016, Lezhë
Alfred Nikolli qëllon me armë zjarri Etleva Ndokën brenda parukerisë ku ajo punonte në qytetin e Lezhës. 31 vjeçari kishte debatuar ashpër me të, pasi dyshonte se gruaja, me të cilën kishte një lidhje jashtë martesore, e tradhëtonte. 28 vjeçarja, parukiere dhe pronare e sallonit të bukurisë ku ndodhi krimi, ndërroi jetë në spital pas plagëve me armë zjarri që kishte marrë në zemër.
 
1 dhjetor, 2016, Kuçovë
Pak pas mesnate, në fshatin Drizë të Kuçovës, Manjola Luzi, nënë e 3 fëmijëve vritet me thikën e bukës nga bashkëshorti Ruzhdi. 57 vjeçari pranoi se e kishte qëlluar gruan pas një grindjeje për motive xhelozie, megjithëse fqinjët thanë se çifti nuk kishte patur probleme. Vrasja ndodhi kur në shtëpi ndodheshin dhe 3 fëmijët, ndërsa Ruzhdi Luzi e ka pritur policinë pa lëvizur nga banesa.
 
3 dhjetor, 2016, Fier
Edhe pse kishte kërkuar urdhër mbrojtje, sipas të cilit i shoqi nuk duhej ti afrohej as 2 metra, Liljana Rukaj përfundoi e vdekur, pasi i shoqi Ferdinand e hodhi nga kati i katërt i shtëpisë ku jetonin në Fier. Vetëm pak ditë më parë, gjykata kishte lëshuar urdhrin për 43 vjeçaren, pasi dhunohej vazhdimisht nga bashkëshorti. Vetë vrasësi, pranoi autorsinë e krimit përpara policisë. "Jemi grindur dhe e hodha nga pallati në momente gjaknxehtësie", është shprehur përpara uniformave blu, Ferdinand Ruko. Dy bashkëshortët kishin pak kohë që ishin kthyer nga Gjermania sëbashku me dy fëmijët e tyre, pas refuzimit për azil.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Kryebashkiaku Beci inspekton punimet e molos tek ura e Bunës: Projekti përfundon në qershor

Shkodër/ Kryebashkiaku Beci inspekton punimet e molos tek ura e Bunës: Projekti përfundon në qershor