9 vjet nga Gërdeci, Dëshmia:Ja
ç'ndodhi një ditë para shpërthimit

9 vjet nga Gërdeci, Dëshmia:Ja<br />ç'ndodhi një ditë para shpërthimit
24 orë para shpërthimit në Gërdec më 15 Mars 2008 ku humbën jetën 26 persona e qindra të tjerë u plagosën, ka mbërritur një ngarkesa me mijëra fishek e predha 100 mm blindshpues nga depot e reparteve ushtarake të Beratit.
 
Këtë fakt e bënë publik Shefki Sefa ish-punëtor shkarkimi i cili nga ajo ngjarje rrëfen se ka humbur motrën dhe fëmijën pasi bashkëshortja e tij dështoi dhe prej asaj dite nuk lind dot fëmijë.

"Ka qenë ora 12 e natës dhe vinte një ngarkesë nga Berati me 100 blindshpues dhe pronari i fabrikës, Dritan Minxholli, më mori në telefon. Ishte errësirë dhe nuk i shkarkonim dot, por do ta bënim një ditë më pas. Ditën e tragjedisë i kemi shkarkuar në orën 07:30, ishin 6 makina me blindshpues të ardhura nga Berati", shpehet Sefa. 

35 kontenierë me barut dhe 6 kamion me predha blindshpues 100 mm janë ndër sasitë e municoneve që Shefki Sefa ish-punonjës në punishten e kompanisë “AlbaDemil” kujton që ishin magazinuar në fushën që sot njihet si karteri i shpërthimit.

Sipas Sefës, 26 viktimat e Gërdecit janë një krim shtetëror për të cilën drejtësia ende nuk ka dhënë një vendim. 

Si e kujtojnë të mbijetuarit ditën e shpërthimit, cfarë apeli kanë ata dhe shpresa se një ditë do të vendosen pas hekurave përgjegjësit që i morën jetën 26 të pafajshmëve janë rrugëtimi që ata kanë kryer këto 9 vite.

Z.Sefa, sot 9 vite më pas, çfarë kujtoni nga ai moment?
Atë zhurmë do ta kujtojmë sa të kemi jetën. Unë kam qenë punëtor i asaj fabrike, kam punuar pa ndërprerje për 9 muaj. Motra ime ka humbur jetën në atë fabrikë dhe ka lënë tre fëmijë. Kam pasur dhe bashkëshorten shtatzënë e cila humbi fëmijën në Gërdec. Prandaj, këtë ngjarje do ta kujtojmë sa të kemi jetën. 

Çfarë është kjo për ju, aksident, krim shtetëror, mund të shmangej?
është një krim shtetëror. E pati ndërtuar shteti. 

Cila është jeta juaj sot?
Jam i papunë. Jetoj me aq sa punoj diku. 

Me buqeta me lule, lot dhe fjalë ngushëllimi i afrohen memorialeve të vendosur aty me emrat e viktimave.
 
Gëzim Deliu është pjesëtari i familjes ku në Gërdec la 5 viktima nga fëmijë në të rritur.
 
Për Gëzimin, sot është një ditë e dhimbshme e cila duhet të shërbejë për të mos harruar kurrë cfarë ndodhi dhe për të familjarët u vranë dhe nuk ishin viktima të një aksidenti.
 
"Këtë fjalën viktimë që përdorin qeveritarët e kam të rëndë, se ata nuk u rrëzuan në shkëmb, as u mbytën në det, ata i vranë në këtë vend. Ne do i kujtojmë gjithmonë, më vjen keq për këta që bëjnë lapidarët që nuk vijnë të thonë një llaf, tregohen frikacakë. Shteti nuk është interesuar njëherë sesi jetojmë ne në këtë fshat. Për drejtësi, ne s'kemi drejtësi. Në Shqipëri s'ka drejtësi që nga ajo ditë e deri sot", u shpreh Gëzim Deliu.
 
Por cila ishte arsyeja që shumë persona i çoi në punishten e demontimit. Një prej tyre dhe ish- ushtarakun Petrit Behari i cili shprehet se gjithçka ndodhte në Gërdec ishte e paligjshme por ai u bë pjesë vetëm për shkaqet ekonomike.

"Unë mbijetova, por fati i keq i këtyre që nuk mbijetuan, sidomos disa të rinj, madje edhe fëmijë", tha Behari. 

Cila ishte arsyeja që ju pranuat që të punoni në një proces joteknologjik, por primitiv, jo siç duheshin parametrat?
Petrit Behari: Më shtyu gjendja ekonomike që erdha këtu. Me municione jam marrë shumë, që nga prodhimi e deri te demontimi. Gjyqi që u zhvillua ka qenë formal sepse dënoi njerëzit e pafajshëm, ata që nuk kishin punë këtu. Ndërsa ata që ishin të fajshëm iu shmangën drejtësisë, por u dënuan disa për një firmë. 

Dëshmia juaj është marrë ndonjëherë nga Prokuroria?
Petrit Behari: Dëshmia ime është marrë, por s'është marrë parasysh në vendim. 

Më 15 Mars 2008 shpërthimi i fuqishëm la 26 viktima, por askush për këtë ngjarje dhe pas 9 vitesh nuk ndodhet në burg.
 
Shumë persona u arrestuan por proceset e gjykimit ndaj tyre prodhuan dënime minimale ndërsa ish qeveritarët e asokohe dhe ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu mundi të shmang drejtësinë.
 
[gallery]21463[/gallery]

[gallery]21464[/gallery]


  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet