A i intereson Ramës fronti i ri
i luftës me mediat “aleate”?

A i intereson Ramës fronti i ri<br />i luftës me mediat “aleate”?<br>
Edi Rama ka hapur një front të ri dhe të papritur gjatë qeverisjes së tij, atë ndaj mediave që deri dje, në mos mike, kanë qenë mbështetëse të kauzave dhe reformave të qeverisë së tij.

Por që pas çështjes “Tahiri”, duket se diçka u kris. Në këtë lëmë, Rama kontribuoi energjikisht për ta përshkallëzuar situatën, me shfaqjen e sharjeve dhe akuzave që dhuroi përpara Parlamentit ndaj gazetarëve, qëndrim që e rikonfirmoi dje përpara Hahnit.

Beteja e fundit është ndaj Top Channel. Dje Rama e kritikoi në Facebook hapur televizionin duke shpëtuar vetëm themeluesin e tij Dritan Hoxha, pra duke nënkuptuar indirekt ndoshta, se me bashkëshorten e tij Vjollca Hoxha (pronarja aktuale e televizionit) nuk është e njëjta gjë.

Po çfare ka ndodhur mes Top-it dhe Ramës? Në editorialin e djeshëm të “Top Channel”, për të disatën herë, ky televizion e kritikoi kryeministrin se “në sy të Komisionerit Hahn... nuk (kishte kurajo që të) përmendte më fjalët ‘kazan mediatik’, as ripërsëriti epitete si ‘idiote’, ‘të paaftë’, ‘injorantë’, shprehje më të cilat gazetarët ndeshen rëndom gjatë punës me të”. TCH  aludoi madje se Rama nuk kishte transmetuar as aktivitetin për mediat në ERTV, çka shkaktoi reagimin e ashpër të Ramës, që e akuzoi këtë TV për gënjeshtra.

Por nuk është vetëm Top Channel. Edhe Mero Baze, i cili deri pak kohë më parë kishte një qëndrim mbrojtës ndaj Edi Ramës, në këtë pikë duket se nuk e ndihmon dot më. Prej kohësh Mero është shfaqur kritik ndaj kryeministri, por dje Baze shkruante se “Edi Rama ka mbajtur fjalimin më të dobët të jetës së tij për shtypin, në auditorin më të zgjedhur ballkanas, dhe para komisionerit të BE, që pret të dëgjojë gjëra të tjera nga kryeministri i një vendi, kandidat për anëtar të BE-së, në prag të hapjes së negociatave. Rama me fjalimin e tij nuk ka qenë as mish as peshk”.

Edhe Mapo e Opinion, drejtuesit e të cilave njihen deri diku për përkrahjen apo moscënimin e vijës  politike të qeverisë, nuk janë kursyer së fundmi. Mapo ka publikuar një opinion të Armand Shkullakut, në të cilin ai shkruan se “Krimi për të cilin kryeministri betohet se do ta luftojë, është pikërisht ai që u mboll dhe lulëzoi në katër vitet e famshme të Rilindjes”. 

Desada Metaj në Opinion e shton dozën kur thotë se “Të flasësh sot për Elvis Roshin apo Arben Ndoken dhe të heshtësh për denoncimet e përditshme të medias dhe opozitës për skandalin ku është përfshirë ish -Ministri i Brendshëm... është më shumë se gjuhë diplomatike ndoshta një mënyrë për t’iu bashkuar heshtjes që strategjikisht është zgjedhur nga qeveria si mënyrë për të tejkaluar këtë skandal”.

Skënder Minxhozi i Java News (nje tjeter media qe prej vitesh e ka mbrojitur Edi Ramën)  mendon se “Nëse kryeministri do të vijojë të reagojë me vonesë dhe pjesshëm, si në Elbasan, apo nëse do të vijojë të qëndrojë pasiv për të dënuar me metrin që i takon gjithkujt që ka lënë pas zullume dhe nuk është ndëshkuar për to, do të kemi sërish spektakle hipokritësh, si ky që po shohim sot”.

Së fundmi, edhe Pamfleti, një portal qe deri në qershor ka mbajtur qëndrime hapatzi pro-qeveritare, ka përcjllë një koment të gazetares Edlira Gjoni, e cila i drejtohet Ramës se “Ata që shan janë po ata që ‘bëjnë analizat’, drejtojnë emisionet, konferencat apo seancat që orkestron vetë ti, apo shokët e idealit politik”.

Nuk dihet nëse kjo luftë e nisur nga shumica me spektrin mediatik ''aleat'' (që i shtohet përplasjes tradicionale që ajo ka me mediat opozitare) është apo jo në dobi dhe interes të Edi Ramës, por një gjë është e sigurt, njeriu që e ngriti dhe mbështeti karrierën e tij te mediat, tani është në konflikt të hapur me to.

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali