POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Abdyl Banushi/ Antikomunistët në Nju Jork: Nuk e duam komunizmin, por e dua Shqipërinë

Personeli diplomatik

Pjesa e pestë

Në përpjekjen për të verifikuar sa të vërteta qenë pohimet në hetuesi të Abdyl Banushit mbi jo pak, por afro treqind bashkëpunëtorë të tij në SHBA dhe vende të tjera perëndimore, si edhe në Shqipëri, Njësiti Special i Zbulimit në Nju Jork, i përbërë nga tre vetë dhe i drejtuar nga Todi Rizo, pasi kreu takimet me antikomunistët Thanas Mërkuri dhe Nikolin Martini, filloi edhe atë me Theodhori Pasunin. Ky bashkëkombës kishte shumë kontakte me shqiptaro-amerikanët e tjerë dhe demonstronte epërsi në marrëdhëniet me ta, kjo për shkak se edhe qe ekonomikisht i fuqishëm. Ai kishte hobi, por edhe mani për të telefonuar. Në orët e vona të natës telefononte në Misionin Shqiptar pranë OKB-së dhe kërcënonte punonjësit e saj, të cilët i njihte emër për emër, por jo për fytyrë.

Zbuluesi Meno Dedaj shkruan në librin e tij “Emigracioni shqiptar”, pjesa e dytë, se “Pikënisja për ta organizuar një takim me të u bë pikërisht kjo mani e tij... I pati rastisur jo pak herë të bënte telefonata kur dezhur në Mision ndodhej “Presarani”, me të cilin, në një nga herët, biseda zgjati deri një orë e gjysmë. (E kuptueshme: punëtori operativ disa fragmente të bisedave me të arrinte t’i regjistronte.) Në një shkëmbim replikash, “Presarani” e “preku në sedër”: -Ti je nje cub frikacak e pa identitet që flet pas ferrave(!)  Krenar e kapadai - siç edhe ishte në realitet. Theodhori e kërkoi mbrojtjen te madhështia e heronjve: “Vetë jam pasardhës i Is Boletinit e Bajram Currit!” Tjetri përsëri e intrigoi: “I përkas fisit të Ismail Qemalit, të cilit Isa “iu ul në gjunj(!?) Nga Theodhori nuk pritej të qe ndonjë burrë. Por, kundërpërgjigjja erdhi me mendim të lartë: “Isa iu ul në gjunj flamurit e jo Ismailit. Flamurit ne i ulemi të gjithë!”Më pas ky episod vijon me zbuluesin “Presarani”, i cili duhet të jetë vetë Meno Dedaj, që rilexoi edhe një herë në dosjen e Theodhorit (midis të tjerash, ajo përmbante informata për vrasje të dikujt). Pas kësaj i kërkoi shefit që ta lejojë organizimin e një takimi me këtë antikomunist.

“Për saktësim përfundimtar të identitetit, shkruan Dedaj, i dërgon Theodhorit nga rruga një telefonatë në vendin e punës; më vonë edhe një tjetër në shtëpinë ku banonte. Në të dy rastet ndryshoi zërin dhe e “luti” të përpiqej “t’i gjente një shtëpi për ta blerë”. Kështu u bind me kë kishte të bënte. Ditë tjetër, në një orar të përshtatshëm, në afërsi të vendit të punës (nga ku nëpërmjet dritares ia vrojtonte ecejaket) e mori në telefon dhe i propozoi takim të menjëhershëm. Në bisedë e sipër, duke kontrolluar paralelisht lëvizjet e tij, e vendosi para një dileme: “Në qoftë se del,  mos u konsulto me xhaxhallarët..., as me kushëririn... Sepse në çdo rast do të përfundonte më keq për ty”. Kalimthi e me nëntekst i la të kuptonte se po sillte lajme të mira për t’ëmën e për të motrën që jetonin në Shqipëri. Theodhori në fillim u hutua. Nguli këmbë ta dinte se nga e paskëshim njohur etj. Punëtori operativ, për ta impresionuar “të njohim dhëmbë e dhëmballë” e shtyu bisedën: “Bile, mos i thuaj as... dhe shqiptoi emrin e të vëllait”.

Si i telekomanduar, Theodhori ngrihet nga ndenjësja, vendos pistoletën në brez dhe, i painteresuar për gjithçka tjetër, niset drejt e në  kafene, pa e ndalur hapin. Duke e hetuar së largëti çdo zhvendosje të tij, punëtori operativ sakaq i vajti pranë. U prezantuan... U ulën. Me një farë superioriteti, Theodhoriu iu drejtua sikur ta merrte në pyetje: “A keni ardh vetëm, a? A jeni i armatos...?”  “Presarani” lirshëm, me pak buzagaz: “Nuk ju kam thirrur për duel, po për të biseduar kokë më kokë”. Si kundërpërgjigje, priti prej tij shpjegim nëse e lidhte diçka me ata të dy...tek tavolina 5. (Tek një nga tryezat e lokalit koteshin ulur dy persona, për të cilët “Presarani” dyshoi se mund të shoqëronin në distancë Theodhorin. Ata binin lehtë në sy, ngaqë pak tavolina shiheshin të zëna: dy me zezakë dhe treta me një çift të rinjsh.) U bënë reciprokisht dorëzanë për vetveten: “Kam ardhur i vetëm”. "Të dy kureshtarë për t’u njohur si njerëz me njëri-tjetrin, nisën shtruar një bisedë të gjatë, duke kuvenduar së pari për çështje familjare. Ndonëse mjaft të acaruar kur dëgjoheshin me telefon, që në fjalët e para të njohjes së drejtpërdrejt shfaqën mirëkuptim e respekt të ndërsjellë, që do ta kultivonin në vazhdimësi”. Shkruan më tej Meno Dedaj se “Presarani” ishte vënë në dijeni të plota edhe për familjen e Theodhorit, pjesën që banonte në Shqipëri (Qendra i kishte dërguar edhe materiale filmike)”. Me qëllim që t’i përcjellë mesazhin “për ty dimë çdo gjë”, në krye të herës “Presarani” iu drejtua me emrin e fëmijërisë!...Duke nxitur bashkëbisedimin, fillimisht këmbyen  përshtypjet vetëm për xhaxhallarët. Më tej punëtori operativ u interesua me dhembshuri për fëmijën që i vuante nga një sëmundje. “U vendosën këto relacione psikologjike, shkruan Meno Dedaj, biseda po fokusohej te mëma dhe tek motra, për të cilat Theodhori ndiente dhembje shpirtërore të thellë...E la mënjanë kryeneçësinë e zuri të  shprehej...”

Kështu erdhi natyrshëm çasti për t’i bërë pyetjen “Na e thua ç’gjë di për “Fronti i Rezistencës”? “Nuk jam në dijeni të ketë një organizatë të këtillë... do interesohem...”, u përgjigj Theodhori. Më pas pranoi se “është e vërtetë: ajo organizatë ka ekzistuar”. U shpreh me hollësi për sa i kishte rënë në vesh dhe plotësoi me këtë gjykim: “Avdul Banushi është njeri i rrezikshëm, tip që ka për ju një armiqësi të tërbuar. I kish pas hy vetja në qejf e ia pat mbush mendjen vetes me shkue në Shqipni për nji qëllim të vjetër: me ba kërdi e terrorizëm kundër udhëheqjes tuaj atje...Unë e shumë si unë themi se këto punëra s’mbarohen vetëm me që na e ka qejfi neve. Nuk vriten liderët e një shteti nga një grup emigrantësh, pa u përkrahur e ndihmuar nga një tjetër shtet”.

Këtë rrethanë e la qartësisht të kuptueshme, duke e cilësuar UDB-në si më të interesuarën. Vijon rrëfimin e tij të jetuar zbuluesi politik Meno Dedaj: “Përsa i përket rreshtimit të tij (Theodhorit) si anëtar i “Frontit të Rezistencës” jo që s’e pranoi, por gjithnjë ngulte këmbë: “ka ekzistuar vetëm në letër”; “një grup i kufizuar personash e nxisnin Avdul Banushin në këtë kokëshkrepje”. Ndërsa Avduli, për t’u dukur para të tjerëve si drejtues, u propozonte që t’i venin pas, por një pjesë  janë tallur me të...Për Mexhit Dibrën, pa komentuar për të, vuri lehtësisht në dukje faktin se “e njoh mirë, kam pasë me të dhe marrdhanie punet”. Insistoi që UDB-ja nuk e harron zanatin e vjetër”.

Vëllezërit “Pali”

Këta i përkisnin grupimit ballist. E patën lënë atdheun në fund të vitit 1944. Si qëndruan disa vjet në Itali, shkuan e u vendosën në Amerikë. Krijuan familje secili dhe kishin nga dy fëmijë. Fituan të drejtën për të qenë e tyre një tregti e vogël, me të cilën jetonin. Vëllai i madh e  pati përfunduar arsimin e mesëm; çmohej për zgjuarsi, respektohej në komunitetin ku integrohej. Aktivitet kundër Shqipërisë nuk kishte zhvilluar asnjëherë. Shumë aktiv në këtë drejtim paraqitej i vogli: shkruante e fliste pa pushim kundër pushtetit në Shqipëri; ky bënte pjesë në kryesinë e “Ballit”.

Sipas Njësitit Special të Zbulimit në Nju Jork, Abdyl Banushi kishte ndërtuar marrëdhënie përafruese me ta, sidomos gjatë ndenjjes bashkë në kampet e refugjatëve në Itali; pikërisht mbi këtë bazë i afishonte si mbështetës të grupit të tij. Në hetuesi Avduli deponoi se dy vëllezërit “e kanë ndihmuar financiarisht” dhe se në lokalin e tyre“ është bërë mbledhja që u krijua  “Fronti i Rezistencës”. “Të sqarohej kjo e dhënë, shkruan Meno Dedaj në librin e tij “Emigracioni shqiptar”, pjesa e dytë, kishte rëndësi të dyfishtë”. Prandaj për t’u takuar me vëllezërit Pali, Njësitit i duhej pëlqimi i Qendrës. Ajo e miratoi dhe dërgoi udhëzimet. Ndonëse lokali ku qe i detyruar të bëhej biseda ndodhej në pozicion që mezi e justifikonte shkuarjen atje të punëtorit operativ, u mor vendimi që të shkohej kur në shërbim të gjendej vëllai i madh. Ky ishte njeri me kulturë, i qetë e mjaft i arsyeshëm. Nga vëzhgimet e mëparshme dihej që, zakonisht, në orarin e paradites pak njerëz e frekuentonin lokalin. Sipas planifikimit, “Presarani” me shefin e tij  u ndodhën atje, por kur hynë brenda, u ngjau e papritura e parë: në banak gjetën vëllanë tjetër. Si pinë kafe, u larguan pa tërhequr vëmendjen e, sidomos, pa folur asnjë fjalë shqip.  Shkruan Meno Dedaj: “Dështuan për takimin, po në vetvete shkuarja ia vlejti: në këqyrje të parë përmasat e lokalit nuk përputheshin me ç’fantazonte Abdyli”.

Ditë më vonë u përsërit vajtja. U ulën si klientë të zakonshëm. Bisedonin në gjuhën e vendit me zë të ulët,  mirëpo mjaftueshëm për t’u dëgjuar diçka më tej. Në shërbim, si barmen, ndodhej vëllai i madh. Mbasi shërbeu porosinë, bëri të ikte. Në moment, punëtori operativ, sikur ky harroi ç’kishin vendosur më parë, i foli shqip shefit të vet. Barmeni...u kthye rrëmbimthi: “Mos... jeni shqiptarë?” “Po, shqiptarë nga Shqipëria”. Saktësuan se “jemi punonjës të Misionit Shqiptar pranë OKB-së, u ndalëm për një kafe”. Pronari u prezantua me emrin e tij; menjëherë porositi birra; i entuziazmuar i luti të rehatoheshin se “jeni miqtë e mi”. “Prania jonë, duke qenë punonjës të Misionit, mund t’ju sjellë probleme me ballistët ose... me organet e vendit”, i thanë dy zbuluesit. “Pa e çarë kokën, u përgjigj tjetri, nuk dua t’ia di! Kam dashur të vi në Mision, por druaja a më pranonin”. Shtoi se ishte krenar si shqiptar e foli me respekt për një nga udhëheqësit e Shqipërisë, me të cilin ishin shokë në gjimnaz dhe, sipas këshillave të tij, gjatë Luftës paskej shpërndarë edhe trakte komuniste; kur këtë gjest ia shtinë në vesh të atit, ai e hoqi nga shkolla. Tha se i babai i tyre kishte qenë një ballist i vendosur, por “na mori më qafë që braktisëm mëmëdhenë”, sepse “ngelëm tërë jetën udhëve të botës”. “Që të bindeni,-na tha, pyesni... (përmendi emrin e udhëheqësit XY) kam qenë a nuk kam qenë anëtarë grupi”.

U verifikua më vonë... ishte vërtet ashtu”. Më tej sipas rrëfimit të shkruar të Meno Dedaj, “Në bisedë e sipër, për A. Banushin shpjegoi pa fije ngurrimi se njiheshin që në Shqipëri; në Itali “erdhi në kamp e u poqën me tim atë”; me Abdylin, atëherë, “u dërguam letër ca miqve tanë në mëmëdhe”. Vuri në dukje që A.Banushi vinte “disa herë në coffee bar”, kërkonte “bankroll to set up an organization” (mbështetje financiare); atij i rri mendja edhe sot e gjithë ditës si të përmbysi Qeverinë e Shqipërisë. Njerëzit, ama, nuk i besojnë, ka që i trëmben si provokator. Pohoi se “nuk e kam pasur me qejf të shoqërohem me Avdulin”. Më pas vëllai i madh i familjes Pali shqiptoi fjalët “Po mbajeni mënd nga unë: ai më tepër është mëndjefyell e budall, sesa  i rrezikshëm, një aventurier dull felloë”. Pyetjes së dy zbuluesve pranë Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, nëse ishte angazhuar vetë si anëtar i “Fronti i Rezistences”, i dha këtë përgjigje: “Unë s’ jam aq pa mënd sa të bjerja në pozitat e Abdylit. Këto gabime nuk i bëra në moshë të re e jo tani,- dhe heshti pak.- Por... unë do u lutem... më lejoni fëmijët të vinë në Mision e t’u jepni vizë për Shqipëri. Dua të mos vdes i mallëngjyer që fëmijët s’e panë dot shtëpinë tonë atje”. Ja edhe rreshtat e fundit të mbylljes së kësaj ngjarjeje: “U ndamë miqësisht. I plotësuam dëshirën për djalin e vajzën, 2 fëmijë të mrekullueshëm, intelektualë në rritje”. Abdyl Banushi duhet në burg per muze si nuk e vrao dit Enver Hoxhën Dy prokurorët-hetues që përpiluan aktakuzën kundër Abdyl Banushit, siç vumë në dukje në shkrimin e parë të këtij cikli, nuk e përmendën fare çështjen e planit apo edhe të tentativës së vrasjes së Enver Hoxhës. Megjithatë në institucionet e kohës kjo fjalënajë qarkullonte tinës, në mos në mënyrë të qëllimshme nga vetë njerëzit e Hoxhës. Kështu Banushi u kthye në një lloj miti kokëposhtë, si shembulli i një antikomunisti që nuk ja kishte dalë dot ta likujdonte kryekomunistin shqiptar.

Shumë funksionarë të lartë, deri edhe në nivel nënministri të Punëve të Brendshme, shkuan posaçërisht në burgun e Burrelit dhe fshehtas tij, nga pas xhamat e dritareve të komandës, ndiqnin plot kërshëri pamjen dhe lëvizjet e tij në orën e përditshme të “daljes në ajër”. Ndërkohë zbuluesi i njohur Hasan Luçi ka treguar publikisht se i ka shkuar Abdyl Banushit në burg dhe i ka propozuar, me porosi nga lart, bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit Shqiptar, por ky i fundit e ka refuzuar me përbuzje të thellë. Patjetër regjimit të kohës i arrestuari dhe i dënuari me vetëm burg i duhej i gjallë, si objekt muzeal dështimi, sepse vetëm aksionet e tij terroriste të kryera ndaj dy ambasadave shqiptare në Romë dhe në Paris, ku rrezikoi edhe jetë njerëzish, do të mjaftonin për të justifikuar deri edhe para ndërkombëtarëve perëndimorë, pushkatimin e tij. Nga sa rezulton prej vëshgimit të jetës dhe të veprimit të Abdyl Banushit, antikomunizmi i tij është tërësisht i besueshëm, i provuar, i ndjerë dhe aspak fals. Vërtet forca e tij i vinte prej pakënaqësisë që i ishte krijuar nga PKSH, duke, sipas tij, mosshpërblyer për kontributin që kish dhënë gjatë luftës në admirim e mbështetje të saj. Duke qenë një antikomunist i vërtetë, hipokrite tek Banushi është sajimi i tij se qe shef i një force të madhe politike dhe të armatosur, “Frontit  të Rezistencës...”. Me pak fjalë në mos ishte një udhëheqës, qe patjetër kapo. Ishte ndjenja e karrierizmit që ushqente tek ai pasionin për të zhdukur fizikisht jo vetëm Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, por po të mundej edhe tërë Byronë Politike. Këtë kartë sikur të qe person me peshe të madhe politike e luajtën edhe dy hetuesit, të cilën në aktakuzë shkruan se “Siç rezulton nga i gjithë materiali hetimor, i pandehuri Abdyl Banushi është një nga drejtuesit kryesorë të organizatës “Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare”, që zë vendin e katërt në kryesinë e saj”.

SHBA bëjnë lëvizje në të kundërt të antikomunizmit terrorist

Në faqet e para të aktakuzës thuhet po ashtu se Banushi “në vitin 1945, duke qenë në kampet e përqendrimit në Gjermani, është vënë në shërbim të zbulimit amerikan dhe në dhjetor të po atij viti është dërguar në Shqipëri nga ai zbulim me detyra spiunazhi”. Në fletët e fundit të aktakuzës theksohet këmbëngulshëm se “Nga sa u parashtrua më sipër, konkludohet se krijimi i organizatës terroriste “Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare” nuk është veçse një hallkë tjetër në veprimtarinë armiqësore të imperializmit amerikan kundër vendit tonë”.

Për t’i rritur shtat prestigji politik vetvetes Abdyl Banushi bëri gjithçka të dukej se kishte mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Libri i tij i kujtimeve thurr episode pa fund deri edhe për nëndetëse të vogla, speciale, amerikane, të cilat e zbarkojnë fshehtas në bregdetin shqiptar. Kështu u bashkuan në një, secili për interesat e veta, të dy palët, antikomunisti me kryekomunistët. PPSH-së një Abdyl Banush që mburrej se pas tij qëndronte më i fuqishmi shtet i botës dhe ai qe krahu i tij i veprimit, i leverdiste në favor të propagandës zyrtare kundërsuperfuqi.

Në 8 prill 1975, ditën kur Banushi u kap, në ditarin e tij për çështjet ndërkombëtare Enver Hoxha ka një shënim të gjatë me titullin “De profundis tjetër për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, në të cilën nënvizon se SHBA “i lanë duart nga Kamboxhia”, se ata “janë duke larë duart edhe nga Vietnami i Jugut”. Prandaj, sipas tij, “Mendimi im është se në këto situata të dyja superfuqitë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe Bashkimi Sovjetik, janë në krizë të madhe, ndaj lufta kundër tyre duhet të vazhdohet e ashpër në të dy frontet. Ne as mund të dalim e as mund të jemi dakord me konkluzionin e disave, sipas të cilëve «socialimperializmi sovjetik është më i rrezikshëm se imperializmi amerikan», prandaj «të ashpërsojmë luftën kundër të parit dhe ta dobësojmë luftën kundër të dytit». Nuk kishte rast dhe model më të mirë se Abdyl Banushi, i cili i futur në burg dhe i mbajtur atje si një muze, saktësisht si një avion luftarak USA të kapur, të cilin në vendlindjen e Enver Hoxhës, në Gjirokastër, e mbanin posaçërisht të ekspozuar. 

Pjesëtari i Njësitit Special të Zbulimit në Nju Jork, në përbërje të trupës diplomatike të Misionit Shqiptar pranë OKB-së, Meno Dedaj, në një bisedë na tha “amerikanët mund të kenë pasur dijeni për çfarë planifikonte dhe kryente Abdyl Banushi, ata besoj se i dinin edhe ata që bashkëpunonin me ne”. Sipas kësaj pikëpamjeje, CIA ka pasur interesa të forta të marrjes së informacionit rreth zhvillimeve në Shqipëri, por po ta projektonte e dëshironte vrasjen e Enver Hoxhës, nuk do ta linte atë të vetëm në aventurën dhe fiaskon e Banushit, të shoqëruar fillikat prej dy personave të lidhur me Sigurimin e Shtetit Shqiptar.

Historiani Hamit Kaba, përgjegjës departamenti në Institutin e Historisë, në librin e tij “Shqipëria dhe të Mëdhenjtë nga Lufta e Dytë Botërore deri në Luftën e Ftohtë”, Tiranë 2015, në faqen 297 shkruan: “NATO në një mbledhje të saj të thirrur në Bruksel në maj 1974 diskutoi edhe për Shqipërinë. Anëtarët e NATO-s diskutuan mbi gjendjen e Shqipërisë dhe pozitën e saj strategjike në Mesdhe, duke theksuar se politika e saj e asnjanësisë nga dy blloqet ushtarake, ishte disi në favorin e NATO-s, pasi BRSS nuk kishin ndonjë bazë të tillë në këtë rajon, ashtu si NATO. Situata u gjykua e tillë që nuk duhej të krijoheshin acarime me Shqipërinë, por duheshin përmirësuar marrëdhëniet me të. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglia duhej të vazhdonin të përpiqeshin të lidhnin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, por pa u nxituar”.

Ja pse mund të thuhet se aventura e Abdyl Banushit, e vërtitur në të kundërt të interesave ato kohë të Perëndimit, u mbyll si një teatër kukullash për fëmijë, si një punë jo shtetesh, por kalamajsh.

Hasan Luçi, i cili mbështet pikëpamjen e aktakuzës dhe delirin e Banushit si i mbështetur nga SHBA, në një intervistë do të vinte në dukje se në një prej takimeve që kish pasur me të pas rënies së komunizmit, këtij “I kishte mbetur vetëm një peng i madh: Gjatë viteve kur kishte punuar si agjent i amerikanëve ai paguhej mirë dhe dollarët i kalonin në një bankë atje. Ishin 150 mijë dollarë. Priti t’i merrte kur doli nga burgu pas 90-s, por nuk i mori kurrë. Madje nuk i dhanë as vizë të shkonte në Amerikë, dhe as në ndonjë vend tjetër. Vdiq në mjerim...” Thua, duhet shumë mundim për të kuptuar se kjo ishte gënjeshtra dhe megallomania e fundit e Abdyl Banushit.

 

a.s.
Komento