Adelina R. Mamaqi, shkrimtarja që 
ndrit letërsinë për fëmijë e të rinj

Adelina R. Mamaqi, shkrimtarja që <br />ndrit letërsinë për fëmijë e të rinj<br /><br>
Shkrimtari, personazhi, lexuesi i vogël – marrëdhënie, raporte dhe aspekte të komunikimit artistik në poezinë për fëmijë të Adelina R. Mamaqit. Ajo është modeli i vetëm prej shkrimtareje, që me talent e konseguencë, ka rrezatuar fuqishëm me një “bum” botimesh, veçanërisht pas viteve ’90... Në përrallat e Adelina R. Mamaqit gjejmë thesarin e artë njerëzor, triumfin e së mirës ndaj së keqes, rrugën drejt virtytit, gjejmë të pasqyruar doke, zakone, dukuri shkencore, etj…  

Adelina R. Mamaqi, edhe sot e kësaj dite, mbetet ikonë e Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. E ndërtoi profilin e saj prej artisteje si rrallëkush në fushën e letrave shqipe. Është modeli i vetëm prej shkrimtareje, që me talent e konseguencë, - siç thotë një poet “... të kesh gjëra për të thënë...”, ka rrezatuar fuqishëm me një “bum” botimesh, veçanërisht pas viteve ’90. Ndërkohë, kritika letrare, ajo pak kritikë që kemi, foli për librat e saj shumë pak ose heshti. Atë që se bëri kritika letrare e studimet, e bënë lexuesit e vegjël, por edhe prindërit, gjyshërit dhe gjyshet e atyre lexuesve, që si çdo herë i mirëpritën librat e saj, i rrethuan me dashuritë e zemrave dhe thanë pafund fjalë shpirti, e fjalë urimi...

 

Librat e Adelinës janë të jetueshëm. Kjo pasuri e vlefshme është dhurata më e bukur dhe fisnike që shkrimtarja nëpër vite i ka bërë Bibliotekës së Letërsisë për fëmijë dhe të rinj, dhe Kulturës shqipe. E gjej me vend të përsëris thënien e romancierit dhe akademikut francez Dominique Fernandez, i cili thotë: “Janë shkrimtarët ata që ndryshojnë botën.” Mendoj, që duke parë kontributin e saj, shkrimtarja Adelina R. Mamaqi i meriton këto fjalë. Dhe kjo e vërtetë, përkon në këtë fundviti (2017) kur Qeveria i akordoi pensionin special. Duhet thënë, që pas viteve ’90 është hera e parë që një shkrimtare e letrave shqipe për fëmijë e të rinj vlerësohet dhe nderohet kaq lavdishëm.

Duke qenë një njohës dhe studiues i kësaj letërsie, e në veçanti i krijimtarisë së kësaj shkrimtareje të nderuar, po paraqes disa gjykime e interpretime për një problematikë të caktuar nga krijimtaria e saj, të cilën e kam titulluar: “Shkrimtari, personazhi, lexuesi i vogël – marrëdhënie, raporte dhe aspekte të komunikimit artistik në poezinë për fëmijë të Adelina R. Mamaqit”.

***
Emri i Adelina R. Mamaqit u shfaq në letrat shqipe nga fundi i viteve ’50. Në vitet ’60 botoi librin e parë poetik për të rritur me titull “Ëndrra vashërie”.  Atëhere ishte 16 vjeçe, dhe... çuditërisht libri fliste për dashurinë. Brishtësia poetike dhe intimiteti i shpirtit sikur... nuk plotësonin kërkesat e letërsisë së realizmit socialist. Ishin në kontradiktë. Kjo, më vonë, pati pasojat e veta tek udha letrare e poetes. Gjatë viteve të krijimtarisë, poezia për të rritur, papritur, do t’i shndërrohej në një ëndërr..., një ëndërr në sirtar. Por... në të vërtetë ëndrra nuk do të rendte së kërkuari ‘Ëndrrën e Vashërisë’. Gjithsesi libri në fjalë pati shumë jehonë në atë kohë. Më pas u botua edhe në Kosovë. Pati dashamirësi, jetësim dhe jehonë, aq sa, kur Adelina shkoi në “Mitingun e poezisë, në Gjakovë, më 1972, fjala e parë e mirëseardhjes ishte: “Na e mbushe Kosovën, me Adelina, moj burrneshë!”

Si dëshmi e kësaj vepre poetike, Adelina R. Mamaqi u bë poetja e parë në letërsinë shqipe. Ajo i takon brezit të shkrimtarëve për fëmijë e të rinj të viteve ’60, një brez me kontribute të rëndësishme e me risi, si: në problematikë, gjini, profil, ligjërim e rrëfim në letërsinë për fëmijë e të rinj. Ndaj thuhet me të drejtë: ‘Vitet ’60, që përbëjnë një etapë të re në jetën ekonomike-shoqërore të vendit, shënojnë një stad të rëndësishëm për procesin e formimit të plotë të letërsisë shqiptare për fëmijë, si letërsi me tipare ideore dhe artistike të përcaktuara.

Shkrimtarë të ndryshëm, që ia kushtuan energjitë e veta krijuese kësaj fushe të letërsisë, ishin të vetëdijshëm për rolin e rëndësishëm të veprave letrare në edukimin ideoestetik dhe në formimin e personalitetit të brezit të ri.’ Më pas, dekadat e mëvonshme do të flasin se, kjo shkrimtare solli një krijimtari të pasur e të larmishme, krijimtari që vazhdon edhe sot. Kjo është arsyeja që për vlerat që bart e sjell (dhe në vazhdimësi...), shkrimtarja Adelina R. Mamaqi mbetet një ikonë e letërsisë për fëmijë e të rinj. I të njëjtit mendim është dhe studiuesi Prof. As. Dr. Astrit Bishqemi, i cili thotë: “Shkrimtarja dhe poetja e njohur Adelina Mamaqi, edhe sot e kësaj dite, vazhdon të ruajë postin e një përfaqësueseje të denjë të poezisë shqipe për fëmijë.”

Lënda poetike që na ofron shkrimtarja është e gjerë dhe e larmishme. Ajo të fton për shumë këndvështrime. Shqyrtimi i një aspekti, i formuluar në krye të këtij studimi si kredo, i selektuar nga  krijimtaria e gjerë dhe e larmishme poetike e Adelina R. Mamaqit, u bë formulim i këtij studimi, sepse i besova dhe u udhëhoqa nga kjo formulë filozofike-letrare, e cila thotë: “Ndër librat që të interesojnë, qëmto ata syresh që ia vlejnë të shqyrtohen e të konsiderohen dhe që ju rrëmbejnë në botën e tyre, në të vetmen botë të pacenueshme  nga tirania e kohës.”

E kam ndjekur në proces krijimtarinë e Adelina R. Mamaqit. Ashtu siç kam ndjekur dhe ndjek  në proces edhe mendimin kritik e studimor në lidhje me krijimtarinë e saj e të autorëve të tjerë të letërsisë për fëmijë e të rinj. Leximi i një vepre të një autori, aq më shumë disa vepra të tjera që janë të një gjinie a zhanri poetik, lexuesi, aq më shumë studiuesi, krahas përftesës së emocionit dhe kënaqësisë estetike, krijon marrëdhënie shumëplanëshe me të ose me to, e, po në këto rrafshe marrëdhëniesh bisedon e komunikon parreshtur...

E kjo ndodh, sepse ‘është komunikim i ngritur në sistem: të përcjelljes e të dërgimit të mesazhit e të marrësit, receptuesit, dhe, ky sistem, sikur nënvizojnë njerëz të dijes që nga Barti e deri te Fuko; duhet të bëhet hallka kryesore e interpretimit, shpjegimit dhe komentimit të vlerave artistike.’ Kështu, të lexosh korpusin e veprave të një krijuesi, siç është në rastin tonë të Adelina R. Mamaqit do të thotë: *‘t’ia dhurosh thelbin e përmbajtjen estetike’, *‘raporti në mes veprës dhe lexuesit përpunohet, përsoset dhe bëhet i ngushtë e i afërtë’, *‘statusi i veprës letrare qëndron në varësi nga mënyra e receptimit të tij’, *‘kurse shumësia e leximit shtrin rrjetën e tij tutje, me kuptimet që zgjon teksti i lexuar.

Në vitin 1963 boton librin poetik për fëmijë “Bubi i vogël”. Dukuria e parë e këtij libri është: edhe pse tani flitet për një adresë të re, autorja ruan të patjetërsueshëm statusin e shpirtit lirik që më parë e kishte shpalosur në poezinë për të rritur. Gjithashtu të bien në sy edhe disa prirje (këtu si fillesa), të cilat më vonë do të zhvillohen e do të thellohen në të mirë të shkëlqimit të personalitetit artistik të autores, si, p.sh.: brenda ndërtimit dhe zhvillimit të fabulës evidentimi i detajit  figurativ dhe konkret, shpirtëzimi i personazhit, mënjanime të moralizimeve e të rimave foljore, largimi nga stili deklarativ e i gjuhës pa figura; meditime të autores e fëmijës si bashkëlidhje e bashkëbisedim, të jetuarit e krijimit dhe të përjetuarit fëmijëror, etj, etj.

Thellimi i këtyre prirjeve pozitive, që do të gjejnë përmasat e veta në veprat poetike, do të pasurohen edhe me: pozicionimin (të narratorit) e vetës së parë ‘unë’, të rrjedhës së vetëdijes ‘unë’, të vetës së dytë ‘ti’, të vetës së tretë ‘ai’; dialogun e magjinë e përrallës; pasurinë e figurave letrare, si: epitetin, metaforën, anaforën. hiperbolën e paralelizmin figurativ; imazhet si përsëritje, meditimet e thjeshta, aliteracionin, onomatopenë, tonin si mëvetësi e si shkrirje organike brenda strukturës së poezisë, që nga njëri vëllim në tjetrin merr ngjyrë e dritë.

Në vijim, këtu, po shtojmë edhe mendimin e studiuesit Astrit Bishqemi, i cili thotë: “Poetja Adelina Mamaqi ka një varg të mrekullueshëm për fëmijët, varg të konsoliduar, varg të rregullt klasik, duke përdorur rima të freskëta e të pashfrytëzuara, vargje me tingëllimë të veçantë muzikore. Me këtë arsenal mjetesh e shprehësish në stil dhe në rrëfim kjo poete, është cilësuar me të drejtë nga studiuesi e poeti i talentuar Agim Deva, ‘si krijuese që hyn në gjeneratën poetike që manifestojnë Poezinë e imagjinatës së lirë’.

Krijimtaria e shkrimtares Adelina R. Mamaqi, paraqitet në dy tablo. Më saktë në dy periudha kohore, dhe të një pauze (ndonëse për një krijues të vërtetë termi pauzë është një nocion i trishtueshëm, - siç po e emertoj unë.) Periudha e parë nis me librin “Bubi i vogël” dhe i takon vitit 1963. Pastaj vazhdon me një bibliotekë librash nëpër vite, për të arritur në vitin 1990. Në mënyrë të përmbledhur dallojmë këto veçori:
*Zgjerim të spektrit tematik. 
*Lënda përmban ngjarje dhe tablo konkrete që i përshtaten psikologjisë fëmijërore. *Rrëfime interesante, me të papritura përmes një hapësire më të  gjerë trajtimi. 
*Pasurim të mozaikut të gjinive dhe zhanreve letrare.
Gjithashtu, duke marrë shkas nga poema “Orizi i milingonave” (1965), një studiues thotë: ‘Aty dalin në pah dy nga veçoritë kryesore që karakterizojnë krijimtarinë e poeteshës: fantazia dhe humori, veçori që janë çelësi i suksesit në krijimtarinë letrare për të vegjëlit’.
Prurjet dhe individualiteti krijues i Adelina R. Mamaqit, tani, i “interesojnë” kritikës letrare. Bëhen objekt studimesh i shkrimtarëve dhe i studiuesve, si: Muzafer Xhaxhiu, Odhise K. Grillo, Bedri Dedja, Naum Priftit, Pandora Dedja, Bekim Gaçe, Agim Deva, Astrit Bishqemi, Muharrem Xhaxho, Viktor Qurku, Çapajev Gjokutaj, Faik Shkodra, Xhevat Syla, Qibrie Demiri-Frangu, Fatos Kongoli, Sazan Goliku, Ramazan Çadri, Xhahid Bushati, Prend Buzhala, Hasan Ulqini, Ibrahim Ibishi, Shukrie Rama, Milaim Nelaj, etj. Kjo periudhë mbyllet si proces studimi me monografinë “Shpirti plot rubinë” dhe me shkrimin-fillesëstudimi “Kopshti i bukur” i vjershave dhe përrallave të Adelina Mamaqit”.

Në këto shkrime dhe studime evidentohen disa tipare të krijimtarisë për fëmijë e të rinj të kësaj autoreje, të cilat po i radhisim: 
*Autorja lëvron me sukses të gjitha gjinitë e zhanret letrare, por më të dashura ka poezinë
dhe përrallën.
*Përralla e kultivuar nga ana e autores ka natyrë poetike.
*Brenda gjinisë së përrallës zhvillon zhanrin shkencor.
*Në fillimet e krijimtarisë, autorja gjen mbështetje tek përralla popullore. Kjo marrëdhënie shpeshtohet në vitet e mëvonshme të krijimtarisë së saj artistike.
*Njeh kërkesat pedagogjike e artistike të fëmijëve, kërkesa që shtron koha dhe letërsia shqipe për fëmijë e të rinj.
*Autorja priret drejt vështrimit të fenomeneve më të rëndësishme që shtron e sotmja dhe e nesërmja e fëmijëve.
*Shfaq aftësi në njohjen e “enigmave” të botës dhe psikologjisë fëmijërore.
*Shquhet për mënyrën e të rrëfyerit dhe të komunikimit të ngrohtë dhe të çiltër me fëmijët.
*Universi i saj poetik shfaq këto dukuri: sinqeritet, çiltërsi, qartësi maksimale në të shprehur, imagjinatë dhe zgjon së tepërmi kërshërinë e fëmijëve.
*Poezia, krahas fabulës, priret drejt një lirizmi të lakmueshëm, lirizëm që vjen si tipar i individualitetit artistik të autores.
*Mesazhet mbartin probleme të kohës.

Shkrimet e studiuesve dhe të kritikëve në zbërthimin e kodit poetik të shkrimtares, në të shumtën e rasteve përmbajnë vlera të rëndësishme artistike, pedagogjike, didaktike, etike, etj., që edhe sot e kësaj dite nuk i kanë humbur  shumë pika referimi. Por e shohim me vend të themi se, është e nevojshme të paraqitet hopi i ri cilësor, dhe sidomos: përceptimi dhe ‘gjeografia’ e re botës fëmijërore, mënyra e dialogimit e zbërthimi i fjalëve kyçe të poetikës së autores, veçanërisht, pas viteve ’90. Më pas, është e nevojshme ndalesa në disa aspekte, si: pasurimi tematik e lëvrimi i temës së ditës në gjinitë të vjershës, përrallës në vargje e poemës, këndvështrimet e trajtesat e reja si dhe elementet e humorit në zhanrin e fabulave, komunikimi “intim” me personazhin, që është protagonist i ngjarjeve e i ndodhive brenda tekstit të librit, etj. Me një fjalë, meritojnë trajtim e interpretim më të thelluar për të dritësuar më tej individualitetin poetik të Adelina R. Mamaqit, që përmes korpusit të veprave, si gjithnjë, fal dashuri, emocion e kënaqësi estetike jo vetëm fëmijëve, por edhe të rriturve. E, këtu duhet përqendruar vëmendja se, Adelina i përket asaj tipologji shkrimtarësh, letërsia e të cilëve u ‘përket’ njëherësh, si fëmijëve ashtu dhe prindërve.
Periudha e dytë, të cilën për efekt metodik do ta quaja: pauzë, ka si cak vitin 1990. Kjo vazhdon afro një dekadë. Janë vite emigracioni që autoren e shoqërojnë një pafundësi dhembjesh, dëshirash dhe ëndrrash të trazuara si vetë dallgët e detit. Megjithatë, Malli dhe Dashuria për lexuesit e saj nuk tjetërsohen. ... dhe gjatë një bashkëbisedimi me poeten për këtë periudhë të dytë të krijimtarisë së saj, ajo në mes të tjerave më thotë: “ Vitet e para në emigracion, e dërmuar shpirtërisht, siç të dërmon largimi nga çdo gjë e dashur, mendoja se po jetoja pasvdekjen: emri dhe krijimtaria kishin vdekur bashkë me mua. Por, sapo u ktheva për herë të parë, më 1995-sën, qysh në aeroport, te personeli i shërbimit, e kuptova se isha ende e gjallë dhe jam ndjerë e lumtur. Këtë lumturi e kam provuar edhe më 2009-tën në Prishtinë, ku, çuditërisht, më njohën e më respektuan qysh në aeroport. Nuk kam si t’i harroj njerëzit që më ndalonin në rrugë, ku do të veçoj një vajzë të re, e cila, pasi më ndali, më përqafoi e më tha: “Të faleminderit për ato libra që na kanë rritur! Na e ke bërë fëmijërinë edhe më të bukur”!
Ndonëse janë vite që emri i poetes së mirënjohur sikur “hesht” në botime veprash e në publikime të përditshme. Boton më pak, vëzhgon dhe akumulon më shumë. Rikthimi te procesi krijues është diçka e natyrshme në jetën e shkrimtares Adelina R. Mamaqi. Sepse, konstatojmë se,  natyra e saj krijuese ndjek këtë marrëdhënie: “Secili prej njerëzve (edhe fëmijët, - nënvizimi im, Xh. B.) që takoj është një dallgë tek e cila zhytem me kënaqësi. Dhe më pëlqen kush ëndërron, kush buzëqesh, kush jeton..., kush nuk humbet besimin, kush mendon që një perëndim nuk është një fund, por një fillim. Dhe e gjithë kjo nuk ka të bëjë me moshën. E dashuroj kureshtjen kur është dëshirë për të njohur dhe jo ndërhyrje diku. ... Por besoj se kureshtja është e bukur, ... Asnjë nuk të dëgjon nëse nuk je i besueshëm. Dhe je i besueshëm kur nuk e fsheh universin tënd.”
Periudha e tretë fillon, aty, te pragu i vitit 2000 e në vazhdim... Autorja ka një varg botimesh të reja. Të pritshme, sigurisht. Është në një moment vrulli krijues. Autorja, sikur, ndjek këtë formulë si një akt besueshmërie e mirëbesimi: “Të rrëfehesh është të tejkalosh veten. Pastaj t’u thuash të tjerëve, pa u pozicionuar, vetëm me dëshirën për t’u njohur e për të ndarë bashkë diçka. Kush jam... pyetje e vështirë.”
Botimet e kësaj periudhe flasin: për prirje drejt përsosjes së stilit, mënyrës së rrëfimit, komunikimit me lexuesin e vogël dhe të një tematike sa më bashkëkohore. Zbulohen pjesë të panjohura të personalitetit krijues, të cilat e plotësojnë dhe i japin dimension të mëtejshëm. E kemi fjalën për shtresëzime të reja të botës e psikës fëmijërore. Krahas drejtimit artistik, Adelina  kërkon t’u jap fëmijëve sa më shumë njohuri, porosi, modele, didaktikë, veçanërisht dije shkencore. Librat e autores, ashtu si disa libra të autorëve të tjerë (ndonëse janë pak), tani ballafaqohen me ardhjen e një realiteti të ri historiko-shoqëror, me ardhjen dhe rrugëtimin e pandalshëm të Demokracisë, duke na kujtuar gjithnjë brishtësinë e saj.
Kjo periudhë është pothuajse e ‘paprekur’ nga kritika e studimet tona letrare.  (Do të thoja mungon kritka letrare. Kronika, informacioni dhe recenza janë prezente në shtypin periodik e në median vizive.) Lënda krijuese e ofruar nga autorja kërkon optikë të re leximi e studimi.
Mendojmë se autorja nis ta ndërtojë profilin e saj përmes dy opuseve: a) krijimtarisë së mirëfilltë  b) krijimtarisë që përfshin ripunime, përshtatje e përpunime të veprave të ndryshme të botuar nëpër vite.
Në grupin e parë hyjnë: “Përrallëzat e shkronjave”, “Lodërzat e alfabetit”, “Ora e Shibës”, Xhoi Toi”, “Sa shtëpi ka dielli?”, “101 gjëegjëza”, “Fluturo, kërce e rend” 1, 2; “Ariu dhe dy karriget” (fabula), “Pinguini Ping Ping Pi”, “Unë e di, gjeje ti”, etj. E përbashkëta e tyre është se motivi kryesor është përditshmëria e ndodhive dhe e ngjarjeve të fëmijëve e të kafshëve, shpendëve, insekteve, sa në mjedise reale aq dhe përrallore. Perceptimi i objekteve në largësi, onomatopetë e gjetura me mjeshtëri, shpirti lodërtar, përcjellja e informacionit shkencor dhe të  një fjalori të zgjedhur poetik, etj., etj., - janë disa nga veçoritë që flasin për një njohje të mëtejshme të botës e të një psikologjie fëmijërore (kryesisht parashkollore e të Ciklit fillor.)
Në grupin e dytë hyjnë: “Bardhoshi, Xhepkoshi”, “Hedhin valle bletët”, Zogu Pup në shtëpinë prej xhami”, “Si e gjete folenë, moj dallëndyshe”, etj. Konstatimi i parë që përftojmë në këto vepra është se, shkrimtarja kthen kokën herë pas here, ndalet në vite dhe “bisedon” përsëri me ato vepra të botuara më parë. I sjell me një koncept e strukturë të re. Ndjehet  freskia e motivit dhe aktualiteti i kohës. Theksojmë se, bashkëkohësia është pjesë e personalitetit krijues të Adelinës. Bëhet më e dukshme, në këtë periudhë.
Me këto vepra, autorja sikur shlyen një detyrim ndaj ndërgjegjes së saj artistike e lexuesit të saj, por, njëkohësisht ridimensionon aktin krijues dhe fisnikëron figurën prej krijueseje me emër në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj.

Opusi përrallor 
Opusin përrallor të shkrimtares e shoqëron një botë mrekulli-madhe fantazie, ashtu siç e ka në të vërtetë, në palcën e saj përralla si gjini e moçme krijuese, që nuk është gjë tjetër veçse produkt i mençurisë, zgjuarsisë e urtësisë popullore. Kështu, në përrallat e Adelina R. Mamaqit gjejmë thesarin e artë njerëzor, triumfin e së mirës ndaj së keqes, rrugën drejt virtytit, gjejmë të pasqyruar doke, zakone, dukuri shkencore, etj., etj., të shpërfaqura si motive e si subjekte, herë të realizuara në përralla të mirëfillta e herë  në përralla të mbështetura mbi modele popullore. Rrafshi mbi të cilën vendosen personazhet dhe mjediset ku ata veprojnë, flasin se: “..., krijimtarinë letrare të Adelina Mamaqit e karakterizo-n (-jnë) ... imagjinata e bujshme e autores për të bërë shpirtëzimin e gjallesave dhe sendeve, krejt me qëllim zhvillimi të imagjinatës së fëmijëve dhe gërshetimit të saj me realitetin ekzistues.” 

Marrëdhënia autore – personazh
Një dukuri që spikat në krijimtarinë e poetes Mamaqi është marrëdhënia autore – personazh, një marrëdhënie që rrezaton ngjyrë, ngrohtësi, emocion e dritë. Prania është jo vetëm te përralla, por edhe te poezia, gjini që autorja e lëvron po me aq dashuri sa edhe përrallën. Kështu, në shumë vëllime me poezi, kjo marrëdhënie ka konfiguracionin e saj, larg shablloneve e përsëritjes së njëllojtë. Për ilustrim, po sjellim një shembull nga libri “Vjershat e Majlindës”. Sipas studiuesit Astrit Bishqemi: “Në qendër të çdo vjershe është vënë i njëjti personazh, vogëlushja Majlindë. ... Rrëfimi është në vetën e parë. Çdo fëmijë mund ta vërë emrin e vet në vjershë dhe, në vend që të thotë Jam Majlinda vogëlushe / a nuk ngjaj si lule fushe?, të deklamojë: Jam Albana... kështu lexuesja bëhet vetë heroinë e librit dhe kjo ia ndez më tepër fantazinë.” Ndërsa poeti Odhise K. Grillo për këtë dukuri thotë: “Ajo (Majlinda, - shënimi im Xh. B.) vepron vetë nga një vjershë në tjetrën, apo tregon për ato që ka parë e ka dëgjuar. Kjo i jep vëllimit tiparet e një poeme të ndarë në shumë pjesë,  në mënyrë që fëmijët ta lexojnë e përvetësojnë më lehtë.

Kjo mënyrë paraqitjeje, pra, protagonizmi i personazhit, duke lënë shenjë në çdo poezi si pjesëmarrës a i nënkuptuar, mendojmë se autores i është kthyer në një veçori të krijimtarisë së saj. Dhe këtë veçori e gjejmë në disa libra. Por nga libri në libër, autorja sjellë larmi dhe këndvështrime interesante. Kështu, përmendim gjatë ecurisë së krijimtarinë së autores, librat, si: Goni trazovaçin, - siç thotë për të poeti Agim Deva: “Unë botës ia prish qetësinë”, Vjershat e Majlindës, Xhoin-Toin, etj.

Marrëdhënia e autores me këta personazhe që vë në qendër të librave shkon deri në adhurim. Autorja shqetësohet, loton, dëshpërohet, zhgënjehet, beson, qesh, buzëqesh, lodron, ëndërron dhe gëzohet me personazhin. Drithërohet dhe emocionohet si ai! Sepse personazhin e ka të shtrenjtë. E rrëfen bukur atë, e skalit, po aq sa krijimin e saj në tërësi.

Personazhi i falë botën e tij autores, atë botë që falë frymëzimit e krijoi më parë autorja,  se: “Autorët janë porsi aktorët; ne hyjmë nën lëkurët e personazheve tona, për të jetuar jetët e tyre...”  E, duke ndjekur udhën e personazhit, ku e kërkoi, ku e gjeti dhe si e krijoi atë, autorja shprehet kështu: “Pak nga pak, m’u bë diçka e natyrshme që, nëpërmjet disa fëmijëve të lidhem me të gjithë vogëlushët, të përpiqem të komunikoj me ta dhe, midis tyre, të gjej edhe motivet e personazhet. “Goni trazovaçin”, për shembull, e gjeta pak te djali im, që atëherë ishte më i vogël se Goni, pak te një djalë i pallatit, që ishte më i madh se Goni, pak te një djalë çamarrok, që kalonte rrugës, dhe, kësisoj, lexuesit e vegjël njohën një Gon që mund t’u ngjante disi edhe vetë atyre.”
Libri “Xhoi – Toi” paraqitet që në koncept i ndërtuar në mënyrë lodërtare. Vetë fjala TOI, në anglisht, do të thotë lodër. Kjo lojë si koncept e bërthamë nuk mbetet vetëm te ky libër, por gjurmët e kësaj natyre i gjejmë edhe në botimet e fundit në këtë gjini të autores, si te “Sa shtëpi ka dielli?” e “Pinguini Ping Ping Pi”, ndonëse këto libra i përkasin një grup moshe më të rritur. Pra, në këto poezi me këtë status, elementi lodërtar zë një hapësirë të konsiderueshme, gjithnjë, edhe në marrëdhënien autore-personazh, i cili ka hisen e vet. Por autorja duke i qëndruar besnike kësaj natyrë-poezie a tipologjie, edhe prozës (përrallës) herë pas here nuk harron t’i fal “pjesë”, “sythe”, “gjethe” e “pjesëza” lirizmi. Na vijnë në mendje shumë fragmente në veprat: “Si e gjete folenë, moj dallëndyshe” (përralla) e “Zogu Pup në shtëpinë prej xhami” (novelë-përrallë), dhe na ngjan sikur po lexojmë poezitë e autores.

Xhoi – Toi, realiteti dhe fëmijëria
Po kthehemi përsëri te libri “Xhoi – Toi”. Tematika e poezive paraqitet me një fytyrë të re, me larmi motivesh e rrezatim fantazie, me një fjalor interesant e komunikim dashurie, me një qiell ëndrrash e bëmash të natyrshme e të përligjura, që i shkojnë për shtat moshës që i adresohet libri.
“Xhoi – Toi, si personazh, i bashkon të gjitha vjershat. Vizatohet me realizëm e besueshmëri në një realitet që enkas e krijon mosha dhe fantazia e saj, por që më parë, të mos harrojmë, e ka “prekur” pena dhe talenti i shkrimtares Mamaqi. “Prekja” ka krijuar një  realiteti të magjishëm, sepse i magjishëm është dhe personazhi i krijuar.

Në këtë vështrim është e pamundur të mos ndjesh mall për fëmijërinë tënde, është e pamundur të mos thuash me nostalgji: “Ah, sikur të bëhesha edhe një herë i vogël!” Në fund të fundit, pse të mos kujtojmë edhe fëmijërinë e autores. Mos vallë fëmijëria aktuale e Xhoi-sit i ka sjellë gjyshes fëmijërinë e saj apo dukuri të kësaj fëmijërie?.. Gjithsesi mendoj që këto dy fëmijëri diku “takohen”, jo rastësisht, por si përligjje e si vazhdimësi organike e qëndrueshmërie të trungut familjar. Ndaj, me të drejtë thuhet se: “ Vargjet e Adelinës të vetmen qetësi shpirtërore e kanë kthimin në fëmijëri të vetë poetes... Zëri i saj është një zë i veçantë i një krijuese e zhytur emocionalisht në kohën e fëmijërisë, arti i së cilës në fakt është një shprehje emocionale e pamjeve të përditshme nga bota e fëmijëve.”

Realiteti artistik, që përftojmë nga prania e tij në këtë vepër, është larg përsëritjes e përngjasimit në librat e mëparshëm të poetes. Në këtë larmi autorja shpalos, si gjithnjë, fuqishëm personalitetin e saj artistik. Për këto raporte: realitet artistik - shkrimtar, studiuesi nga Kosova Faik Shkodra shprehet: “Adelina Mamaqi i fali letërsisë për fëmijë vepra të vlefshme dhe shumë të dobishme. S’ka dyshim se ajo është krijuese që me kohë ka kuptuar rregullat dhe ligjësitë, të cilat do të duhej të respektoheshin në procesin e krijimtarisë letrare. Me fjalë të tjera, ajo shkruan për probleme, për çështje, për dukuri e gjësende, që objektivisht i përgjigjen botës dhe kërshërisë së fëmijës.”  

“Xhoi – Toi” është një personazh që të lë mbresë. Siç të lënë mbresë edhe plot poezi për gjetje të befasishme brenda fabulës së krijuar, për detajet interesante me të cilët operon, për krijimin e një mjedisi floreal. Përmendim poezitë: “Xhoi – Toi”, “Kush ta fali emrin?”, “Yll, o yll i vogël!”, “Xhoi do një... vjershë”, “Tri pyetjet Xhoisit”, “Kjo lule dhe ti”, “Pyet, pyet... mos pusho!”, “Tring.. tring... telefoni!..”, “Xhois flet me Shibën”, “Nina – nana...”, “Xhoisin e uron pranvera”, etj. I përmenda këto poezi, ashtu siç do përmendja edhe të tjera, për të pohuar një tipar tjetër të autores, atë të origjinalitetit. Dhe origjinaliteti i Adelinës sikur përkon me një përcaktueshmëri të tillë, se: “Çdo krijues ka përpara realitetin, të cilin jo vetëm e sheh, por edhe e jeton, pasi ai vetë është pjesëmarrës aktiv në transformimin e tij.

Nga ky realitet ai merr temat, subjektet, brumin jetësor, të cilin do t’ia japë lexuesit artistikisht. Nga syri me të cilin e shikon këtë realitet, nga ajo që zgjedh dhe veçanërisht nga mënyra si ua transmeton lexuesve varet shumë origjinaliteti i krijuesit. Kjo autore e shikon realitetin me syrin e të vegjëlve, ashtu siç e shikojnë fëmijët, dhe kjo është një nisje e mirë për të qenë origjinal.” 

Xhoisi, në këtë libër, ka universin e saj. Shëtit së bashku me lojën e saj (realizim i produktit të moshës e të imagjinatës), lojë që i fal gëzim, buzëqeshje e lumturi, kureshtje dhe e zgjon të bëjë pyetje nga më të çuditshmet. Lojë që ia bën të jetueshme moshën e saj. Lojë që lë gjurmë mbresëlënëse: te vetë loja e te fëmijëria e saj. Kjo e bën kumtin poetik të komunikimit të figurshëm, me ngarkesë emocionale e me ngjyresë figurative. Kjo ndodh, sepse: “... poetesha, më tepër se çdo figurë tjetër parapëlqen metaforën, e cila jo vetëm freskon kuptimin e përgjithshëm të vjershës, por edhe e thellon atë duke nxitur te fëmijët fantazinë për të zbërthyer domethënien e vërtetë të figurës. Vizionet poetike dhe përfytyrimet që lindin krijojnë imazhe të qarta poetike, konkrete dhe të sakta, zgjojnë efekte me forcë të madhe psikologjike dhe emocionale mbi ndërgjegjen e lexuesit të vogël.” 

Një tipar tjetër i krijimtarisë së autores, është edhe ai i shkrirjes së natyrës poetike mes shpirtit të shkrimtares dhe shpirtit të  personazhit. Ndërsa, po ta shohim në planin njerëzor, ka bërë që “biseda” poetike mes autores dhe Xhois-it, pra, mes gjyshes dhe mbesës të jetë në një ndërprerje e harmonizime rrafshesh: ku intimja, shoqërorja, socialja etj., shquhet për një kod etik e model mbresëlënës, për një komunikim aq të dëshiruar edukativ, për një fjalor didaktik-edukativ, për një fjalor të pasur prej përralle, ku mbizotëron e magjishmja dhe e mrekullishmja.

“Jeta” e Xhois-it përceptohet e jetohet përmes dy realiteteve. Realiteti i parë është ai i mjedisit lodërtar, (ku njohja fillon nga e afërta dhe “udhëton” te më e largëta). Realiteti i dytë është ai i  mjedisit jetësor (ku njohja fillon përmes marrëdhënieve me prindërit). Në këtë njohje jetike për Xhois-in, shohim veprimet e saj “më të kontrolluara”, elementet e para të formimit të karakterit, pëlqimet e mospëlqimet e saj, veprimet e sinqerta dhe të pafajshme, botën lodërtare, e cila krijohet e ndërtohet nga bota e fantazisë së saj, etj. Për ilustrim po nënvizojmë vargjet: ... jam gaz e zemër, e bukur si barbi, jetë e nënës, dritë e diellit, nur i hënës, etj. ...), në mjedisin imitues e onomatopeik (kujtojmë poezitë: “Pllash e Pllush!” e “Bubi, Bubi!”, “Xhois flet me Shibën”, “Kukull, moj Edlirë!”), në mjedisin njohës e dituror ( mendojmë që hyjnë poezitë: “Tri pyetjet Xhoisit”, “Pyet, pyet... mos pusho!”).

Në afro pesë dekada, autorja Adelina R. Mamaqi krijoi raporte të ngushta me veprat që shkroi deri tani, raporte që krijon natyrshëm shkrimtari me letërsinë që shkruan, konkretisht për autoren, është letërsia për fëmijë e të rinj. Ajo derdhi frymëzimin e saj. Në këtë frymëzim, përcaktoi poetikën e saj, që, siç thamë dhe përmendur, rrezaton nga libri në libër. Dhe nga libri në libër, ndiejmë dhe atë pyetje që në vetvete është e zakonshme, por për një poete me një potencë të tillë poetike, është gjithnjë udhërrëfyese: “Ç’do të thotë të shkruash për fëmijë?” Dhe poetja që ka falur jetën për këtë letërsi, përgjigjet: “Të shkruash për fëmijë do të thotë së pari të kesh një talent të spikatur. Letërsia për fëmijë është pjesë integrale e letërsisë së një kombi dhe shkrimtarët që e lëvrojnë, pa diferencim, janë shkrimtarët e atij kombi. ... ... letërsia për fëmijë është një lule delikate, si vetë lexuesit e saj.”

Gjatë leximit të tekstit që na ofron shkrimtarja Adelina R. Mamaqi dhe qasjes së herë pas hershme ndaj tij, mësojmë se, librat që ajo krijon, përmes mesazheve që përcjellë, për të janë dhe u ngjajnë dritareve të shpirtit; të cilat janë shkruar për t’i prirë lumturisë së vërtetë të fëmijëve, të ardhmes së tyre. Ja, se çfarë na thotë autorja: “Me dritare i bëjmë shtëpitë / Të kenë ajër e diell e dritë // Po një libër i bukur me fletë, / A e di, vogëlush, ç’mund të ketë? // Ai ka mbi njëmijë dritare, / Të shikosh gjithë botën e madhe!

Lënda krijuese e deritanishme e ofruar nga shkrimtarja Mamaqi e shquan një kod magjik, kod që shenjon: ngrohtësi, çiltërsi, ngjyra, ëndrra të pafund që i ka vetë bota dhe jeta e fëmijëve (edhe lexuesi i saj). Po rikujtoj dy vepra të hershme nga krijimtaria e autores, për të cilat kritika letrare është shprehur: “ Një fantazi të pasur e tërë veprim sjellin veprat poetike të Adelina Mamaqit “Orizi i milingonave” e sidomos “Goni Trazovaçi”. 

Duke vërejtur në kohë dhe në hapësirë librat që më pas botoi Adelina, gjatë studimit tonë kemi vërejtur se këto dy parametra jo vetëm që nuk kanë humbur në rrjedhën e procesit krijues letrar, por kanë ardhur duke u forcuar dhe marrë ndjesi e përjetime  interesante; sepse çdo krijimi Adelina i jep një këndvështrim befasues. Befasimi është i lidhur me natyrën e saj poetike, të cilën e shpalos përmes një dialog përrallor, si te kjo vjershë që po citojmë: “Xhois, e vogla, porsi lulet, / Vjen pranë meje, do të ulet. // Cicëron si dallëndyshe: / - A ke zemër ti, moj gjyshe? // -Zemra ime, kam posi, / - A të ulem e të rri? // Xhois ulet, buzëqesh: / - Gjyshe, thuajmë një vjershë! // - Zemër, sa të duash ti, / Gjithë librin tim të ri! 

Koha e personazhit
Në marrëdhënien e saj, autorja i vë rëndësi lëvizjes dhe kohës së personazhit. Për shembull: si jeton ai, dhe si jeton koha e tij. Mendojmë se është më shumë se një marrëdhënie. Shpesh, është kredo e shkrimtares. Këtë e gjejmë në rrëfimin përrallor të procesit krijues të saj. Si model po marrin përsëri figurën e Xhois-it. Nëpërmjet kësaj marrëdhënieje çdo vjershë bëhet e afërt dhe e thjeshtë. Autorja rrëfen për personazhin. Zgjedh fjalë, shprehje, situata; ofron struktura dhe detaje me ngjyresa sa më figurative, të cilat brenda një konteksti të caktuar përcjellin mesazhin e vjershës. Kjo është dhe arsyeja që, në krijimtarinë poetike të shkrimtares zë vend të dukshëm sa sistemi figurativ, si: metaforat, epitet, krahasimet, simbolet, anaforat, enumeracioni etj., aq dhe sistemi metrik (i larmishëm).

Gjithashtu, në këtë marrëdhënie, përveç lëvizjes dhe kohës së personazhit, autorja kujdeset në mënyrë të veçantë në zgjedhjen e një gjuhe figurative që vihen në funksion të saj. I  beson personazhit, aq sa shpesh “dorëzohet” para tij!.. Kjo është arsyeja se autorja i takon asaj aradhe poetësh që gjuhën metaforike në vjershë e kanë njëherësh element parësor të kumtit artistik dhe marrëdhënia mbetet themel komunikimi me lexuesin e vogël.

Në një vjershë si kjo, sistemi figurativ është i “përhapur” në tërë strukturën e poezisë, por ruan edhe një shpirtëzim (metaforë) të dyfishtë (në formë inversi): një fëmijë-lule, një lule-fëmijë (e pse jo njëjtëzim). “Kjo lule ka çelur që të jetojë / Ashtu si ti. / Kjo lule pret të rritet, / Si pret dhe ti. // Kjo lule i gëzohet diellit, / Si i gëzohesh ti. / Kjo lule i përkëdhelet puhizës, / Si prindërve ti. // Kjo lule ka dëshirë të jetojë, / Se, jetë ka si ti. / Oh!.. Po e këpute, / Ti, / Nuk je më ti!”  

Raporti shkrimtar - lexues
Adelina R. Mamaqi i takon atij grupi shkrimtarësh që “bisedojnë” brenda tekstit ekzistues. Për rrjedhojë, raporti shkrimtar – lexues, ka vlerën e jetëgjatësisë në hapësirat librore, ku “lëviz” pareshtur loja, plot fantazi e magjike, e cila: “..., në fakt, përbën veprimtarinë më të dendur e më kënaqësi-prurëse të fëmijës.” dhe “... fëmija arrin të vendosë fare mirë një vijë dalluese mes kësaj botësie ( dhe është fjala për krijimin e botës përmes lojërave të tij, - nënvizimi im, - Xh. B.) dhe realitetit, dhe argëtohet duke i ndërlikuar objektet dhe situatat e imagjinatës së tij me objektet e prekshme dhe të dukshme të realitetit.”

Dua të kujtoj edhe një dukuri tjetër të krijimtarisë poetike të Adelinës. Shumë poezi të saj kanë në thelb embrione përrallash. Shumë poezi janë vetë përralla. Sepse bujaria dhe lavdia e përrallës kanë dhe fshehin universin e një bote mrekulli-madhe të fantazisë së saj. Shumë urtësi janë thënë për këtë gjini të moçme, që quhet përrallë.  Për shembull, Mitrushi i Madh shprehej kështu: “Ne të gjithë e thithim, të magjepsur, në vegjëli, që në djep ose sapo të  ngritur nga djepi, e dëgjojmë me ëndje të madhe në mituri e në të ri dhe e shijojmë rishtas e rishtas, me mall, në moshë të thyer dhe në pleqëri.” 

Kjo është arsyeja që shumë poezi të Adelinës ngjajnë si piktura me fabula përrallash, ku spikat natyrshëm karakteri figurativ (imazhi) që është në natyrën e poezisë së autores. S’mund të kuptohet pa të. Në të kundërt nuk mund të flasim më për ngjyrë, dritë e emocion, që gjithashtu janë  karakteristika të poezisë së Adelinës, e krijimtarisë së saj që “... përvijohet në afinitetin e saj për të poetizuar e rrëfyer fenomene, ngjarje e situata të ndryshme që i vrojton, i zbulon dhe portretizon në çaste të caktuara frymëzimi.” 

            Po sjellim një fragment poezie, që ngjan herë si akuarel e herë si magji përralle:

            “Diellin e mbuloi reja

            Me çarçaf të madh te koka.

            Zogjtë struken te foleja

            Edhe kafshëzat te strofka.

            ........................................
            ........................................
            Flenë fluturat mbi lulet,

            Flenë drurët nëpër pyje.

            Hëna i mbështolli supet

            Me tantellëzën plot yje. 

            .....................................
            .....................................

Përveç karakterit figurativ, poezia e Adelinës shikohet dhe perceptohet edhe në këto drejtime:  *te thjeshtësia, *te ndjenja e humorit dhe optimizmi, *te karakteri pyetës. Kurse studiuesi Hasan Ulqini spikatjen e vlerave të krijimtarisë së autores e shikon edhe: “... në mënyrë të veçantë (te) humori i lehtë (kujtoni “Goni trazovaçi”) në të cilin me aq pasion dhe dashuri përshkruhet bota e bukur e fëmijës, gjallëria dhe optimizmi i tij. Një vazhdim i tillë në ngjitje, gjejmë edhe tek libri “Bregu i kaltër”. 

Lidhja autore – lexues ndeshet edhe në ato vjersha, ku trajtesat artistike janë në formë pyetjeje. Me të drejtë studiuesi Hasan Ulqini, thotë: “... Po mbi të gjitha fëmijën e karakterizojnë pyetjen që bën. Ai duke hyrë në jetë me hap të sigurt për ta njohur atë, vazhdimisht pyet.  ... Adelina Mamaqi e njeh këtë natyrë të fëmijës... Tek Adelina Mamaqi, fëmijët kanë gjetur poeten e dashur dhe të mirë. Ata i pëlqejnë me dëshirë vjershat e saj, gjejnë botën e tyre (ajo është plot poezi).”

Shkodër, janar 2018

[gallery]25483[/gallery]

l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët