Ahmetaj: INSTAT do t'i kalojë Parlamentit, implementojmë taksën e re për pronën

Ahmetaj: INSTAT do t'i kalojë Parlamentit, implementojmë taksën e re për pronën

Arben Ahmetaj

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka deklaruar se deri në fund të këtij mandati INSTAT do të kalojë në varësi të Parlamentit, duke i garantuar pavarësinë këtij institucioni të rëndësishëm.

Ahmetaj ka treguar se kur ka qenë punonjës i administratës publike ka parë situata të tmerrshme, ku rritja ekonomike përcaktohej në zyrat e Këshillit të Ministrave. Për këtë, ministri theksoi se ajo kohë ka mbaruar dhe deri në fund të mandatit INSTAT do të fitojë pavarësinë totale, duke kaluar në varësi të Parlamentit për t’u bërë akoma më i besueshëm.

Për ne si qeveri, garantimi i pavarësisë së INSTAT ka qenë një nismë e rëndësishme tek e cila kemi besuar që në fillim të mandatit tonë të parë dhe sot është realitet. Duke qenë se kam qenë dhe punonjës i administratës publike vite më parë, në pozicione shumë periferike, kam parë situata të tmerrshme ku rritja ekonomike përcaktohej në zyrat e Këshillit të Ministrave. I duhej 12 %, vendosej 12 %, i duhej 8 %, vendosej 8 %. Ajo kohë fatmirësisht ka mbaruar. Sot Instituti i Statistikës është një institucion i besueshëm dhe shifrat janë të konsoliduara dhe cilësore. Ligji i statistikave, i ndryshuar së fundmi, tashmë bën të mundur që gradualisht, në fund të këtij mandati, varësia institucionale e INSTAT t’i kalojë Parlamentit. Besoj që është një lëvizje që e konsolidon pavarësinë e institucionit, përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë.

Arben Ahmetaj, ministër i Financave

Më tej, në prezantimin e projektit SALSTAT, ministri Ahmetaj theksoi se po punohet për implementimin e metodologjisë së re të taksës së pronës.

Pas ndërmarrjes së reformës administrative-lokale të vitit 2015, viti 2017 ishte viti i parë i implementimit të Ligjit të ri të Financave Vendore që ka dhënë tashmë rezultate të dukshme në performancën dhe transparencën e njësive të qeverisjes lokale. Nga ana tjetër, ne jemi duke punuar për implementimin e metodologjisë së re të taksës së pronës, e cila gjithashtu kërkon një sistem dhe databazë shumë të mirë të dhënash nga bashkitë.

Arben Ahmetaj, ministër i Financave

Fjala e Ministrit Ahmetaj në prezantimin e projektit SALSTAT (Strong Albanian Local Statistics)
Përshëndetje të gjithëve, Përshëndetje Ambasador, faleminderit për mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Ju përgëzoj për projektin që lançoni sot. Është gjithnjë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, për një ekonomi, të flasim dhe të debatojmë për shifrat dhe statistikat, aq më shumë kur bëhet fjalë për tregues që lidhen drejtpërsëdrejti me ekonominë, me financat, apo dhe me ekonominë e financat lokale.

Ekonomia është perceptim patjetër por, kur gjykojmë për ekonominë, është shumë e rëndësishme të flasim me fakte dhe shifra, përtej emocioneve dhe ndjeshmërive. Siç e tha dhe Drejtoresha, është e lehtë të gënjesh me statistikat, por është shumë e vështirë të thuash të vërtetën pa to.

Ju mund ta keni ndjekur debatin që kemi në vazhdimësi kur flasim për rritjen ekonomike, për punësimin, për borxhin publik, për konsumin, për eksportet e importet, për inflacionin gjithashtu. Interpretimet mund të jenë shumë të ndryshme, por në finale, e vërteta reflektohet vetëm tek shifrat.

Ka një tjetër anë të rëndësishme tek statistikat. Janë instrumenti më i drejtpëdrejtë dhe përfaqësues kur gjykojmë mbi eficencën e politikave dhe reformave të ndërmarra, ose orientimin e politikave të reja të mira, siç iu referua dhe Ambasadori Graf.

Në 2013-ën ne trashëguam fatkeqësisht një skenar, në këndvështrimin tim, të parapërgatitur, atë të një falimenti të mundshëm të ekonomisë. Dhe çfarë thonin shifrat? Rritja ekonomike në kufijtë pranë zeros; varfëria në rritje, besoj të gjithë ata që punojnë me statistikat e mbajnë mend dhe i referohen vitit 2012 si viti me kulmin e varfërisë; konsumi në rënie dhe papunësia në nivele rekord, 17.6 %.

Reagimi normal i çdo qeverie të përgjegjshme ndaj vendit dhe qytetarëve është ndërmarrja e reformave në sektorët më problematikë, sikurse bëmë me energjinë, pensionet, financat publike, klimën e biznesit, reformën territoriale dhe sigurisht reformën në drejtësi.

Çfarë thonë shifrat sot? Rritja ekonomike është në kufirin rreth 4 % (3.84 %), është ndër më të lartat në rajon; që borxhi publik ka konsoliduar tashmë trajektoren e vet rënëse, në nivelet e 69.9 %; që kombinimi i duhur i politikave makroekonomike ka prodhuar vende pune në ekonomi, janë rreth 220 mijë vende të reja pune në katër vite, ku unë i referohem rëndom borderosë së tatimeve, pra listë pagesës; që papunësia në vitin 2017 është në nivelet më të ulëta historike në 10 vitet e fundit, apo që politikat fiskale, duke iu referuar dhe raportit të fundit të Bankës Botërore, kanë ndihmuar në uljen e pabarazisë dhe varfërisë në vend, e ka sjellë një statistikë, koeficentin GINI.

Thënë kështu, tingëllon sikur këto janë shifrat e një realiteti ekonomik rozë apo të një realiteti ekonomik tjetër dhe në fakt nuk është kështu. Ka probleme ende të mëdha në terrenin ekonomik dhe këtu vijmë tek një tjetër element që dua ta ndaj me ju, edhe për të “provokuar” diskutimin më tej: Cilësia e statistikës. Kemi arritur në një stad që përtej shifrave, statistika që prodhohet do të duhet të reflektojë cilësinë e politikave? Pra, nëpërmjet cilësisë së shifrave të reflektohet cilësia e politikave të ndërmarra.

Pra po, rritja ekonomike është përshpejtuar, por a ka qenë ajo rritje cilësore? Kjo është një pyetje dhe ky është një debat që besoj nuk shteron as sot këtu, as në një takim në Parlament, as në një konferencë, sigurisht. Debati është politik, debati është qytetar, por debati është statistikor. Nuk mund ta themi dot të vërtetën pa iu referuar statistikave cilësore.

Prandaj, Instituti i Statistikave është në rolin dhe rëndësinë e tij, thelbësor, për të garantuar informacion të paanshëm, të besueshëm, të saktë dhe në kohë. Ka patjetër sfida që lidhen me kapacitetet, me metodologjinë, unë me drejtoreshën debatoj pafundësisht për kapacitetet, pothuajse çdo gjashtë mujor dhe betejën sigurisht e fiton drejtoresha kundrejt konsolidimit fiskal dhe uljes së borxhit, dhe sigurisht që ka sfida dhe nevoja në aspektin teknologjik apo të automatizimit, si edhe të pavarësisë së institucionit.

Në këndvështrimim tim si anëtar i kabinetit, si Ministër i Financave dhe Ekonomisë, unë sot besoj pa asnjë shtesë klisheje politike që Instituti i Statistikës është tërësisht i pavarur. Pra, ajo që unë ndiej si përdorues statistike është vendosja e statistikave mbi tryezë pasi kanë kaluar një proces cilësor metodologjik brenda institutit, apo në nivelet e domosdoshme në bazë të metodologjisë dhe të ligjit, por asnjëherë më, dhe kjo është gjë shumë e mirë, nuk mund të influencohen statistikat sipas dëshirës.

Të dhënat më të rëndësishme për një vend, si censusi i popullatës, statistikat demografike, statistikat ekonomike, të ndërmarrjeve, të dhënat sociale etj., prodhohen vetëm përmes INSTAT, duke e kthyer në një përgjegjësi të shtuar garantimin e së drejtës publike për informim, si një institucion me integritet, kredibilitet dhe profesionalizëm të pacënuar. Për ne si qeveri, garantimi i pavarësisë së INSTAT ka qenë një nismë e rëndësishme tek e cila kemi besuar që në fillim të mandatit tonë të parë dhe sot është realitet.

Duke qenë se kam qenë dhe punonjës i administratës publike vite më parë, në pozicione shumë periferike, kam parë situata të tmerrshme ku rritja ekonomike përcaktohej në zyrat e Këshillit të Ministrave. I duhej 12 %, vendosej 12 %, i duhej 8 %, vendosej 8 %. Ajo kohë fatmirësisht ka mbaruar. Sot Instituti i Statistikës është një institucion i besueshëm dhe shifrat janë të konsoliduara dhe cilësore.

Ligji i statistikave, i ndryshuar së fundmi, tashmë bën të mundur që gradualisht, në fund të këtij mandati, varësia institucionale e INSTAT t’i kalojë Parlamentit. Besoj që është një lëvizje që e konsolidon pavarësinë e institucionit, përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë.

Dua ta mbyll duke nënvizuar se projekti që lançohet sot vjen në një moment shumë të përshtatshëm, i përputhur me të gjithë logjikën që kemi ne si qeveri për forcimin dhe përmirësimin e qeverisjes lokale.

Pas ndërmarrjes së reformës administrative-lokale të vitit 2015, viti 2017 ishte viti i parë i implementimit të Ligjit të ri të Financave Vendore që ka dhënë tashmë rezultate të dukshme në performancën dhe transparencën e njësive të qeverisjes lokale. Nga ana tjetër, ne jemi duke punuar për implementimin e metodologjisë së re të taksës së pronës, e cila gjithashtu kërkon një sistem dhe databazë shumë të mirë të dhënash nga bashkitë.

Dhe, nëse do t’i referohesha sërish asaj që tha Ambasadori Graf, imagjinoni që mungesa e të dhënave cilësore lokale na bën ne si qeveri apo politikbërësit, në një moment, dhe shurdh, dhe memec për të bërë politikat e duhura lokale, për të luftuar varfërinë apo për të stimuluar zhvillimin ekonomik, e të dyja, edhe niveli i varfërisë, edhe niveli i zhvillimit ekonomik, nuk janë të njëjta në të njëjtat territore të Shqipërisë, në të njëjtat njësi vendore. Ajo që ndodh në Kukës nuk ndodh në Gjirokastër, ajo që ndodh në Tiranë nuk ndodh në Korçë. Niveli i papunësisë në Tiranë është ndryshe nga niveli i papunësisë në Kukës, apo diku tjetër, konsumi diku tjetër, numri i ndërmarrjeve ndryshe. Pra, të gjitha këto kanë nevojë më në fund të skanohen drejt, të kenë një metodologji shumë transparente dhe cilësore, në mënyrë që së pari të dimë se çfarë ndodh, së dyti të dimë se si promovohet një proces pozitiv dhe si luftohet një proces negativ që duhet të luftohet në vazhdimësi, siç është varfëria apo papunësia.

Ky projekt që prezantohet sot për krijimin e një regjistri statistikor në nivel lokal dhe në nivel kombëtar, gjithashtu do të ndihmojë në përmirësimin e administrimit të bashkive duke siguruar efiçencë, efektivitet dhe pjesëmarrje të qytetarëve të tyre, bazuar në përmirësimin e mbledhjes dhe analizimin e të dhënave sipas standardeve të Eurostat-it.

Pra, një sërë instrumentesh të rëndësishëm, në fusha të ndryshme, po i vijnë në ndihmë pushtetit vendor, nga njëra anë për të forcuar rolin dhe autonominë e tyre, nga ana tjetër për të rritur cilësinë dhe eficencën për procese që koordinohen edhe me institucionet e pushtetit qendror.

Unë në emër të qeverisë gjej rastin të falenderoj Zyrën Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe qeverinë zviceriane, për mbështetjen e vazhdueshme që japin në një sërë projektesh të rëndësishëm për Shqipërinë. Suksese në implementimin e projektit, Faleminderit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Juventusi në garë për Mario Mitaj, Lokomotiva rrit çmimin e mbrojtësit të Kombëtares

Juventusi në garë për Mario Mitaj, Lokomotiva rrit çmimin e mbrojtësit të Kombëtares