POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Nënshkruhet marrëveshja, gjiganti italian SNAM mirëmban gazsjellësin

Nga punimet për gazsjellësin TAP

Kompania shtetërore shqiptare e gazit Albgaz dhe ajo italiane SNAM firmosën në Tiranë marrëveshjen e krijimit të një shoqërie të përbashkët e cila do të ketë si objektiv mirëmbajtjen e tubacionit të gazsjellësit TAP për pjesën që kalon në territorin e Shqipërisë. Struktura e aksioneve ndahet në raportin Albgaz 75% dhe SNAM 25%.

Kompania italiane SNAM garanton kualifikimin e punonjësve të Joint Venture dhe transferimin e njohurive teknologjike sipas standarteve të sektorit por në veçanti edhe të TAP. Gjatë procesit të negociatave, qeveria shqiptare u ndihmua nga konsulentët e kompanisë “Roland Berger” falë mbështetjes financiare që qeveria e Konfederatës Zvicerane ka dhënë përmes SECO-s me qëllim asistencën teknike për rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

“Kjo marrëveshje erdhi pas një negociate shumë intensive, pas një procedure mbi të gjitha të hapur e ndërkombëtare mes kompanive më të mira europiane të cilat shprehën interesin për tu bërë partnere me Albgaz-in shqiptar duke demonstruar se interesi ka qenë shumë i lartë. Ne përzgjodhëm sipas meritës një nga kompanitë më të mëdha botërore SNAM e Italisë që është dhe aksionere në konsorciumin TAP”, u shpreh Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.

Më tej, ai sqaroi se angazhimi i Albgaz në mirëmbajtjen e TAP u arrit falë rinegocimit të marrëveshjes në vitin 2016. “Administrimi i mirëmbajtjes së gazsjellësit TAP nuk qe një e drejtë që i takonte Shqipërisë. Përkundrazi, ka qenë këmbëngulja e kësaj qeverie por dhe vullneti i mirë i konsorciumit që ne të fusnim në lojë një nga kompanitë shqiptare. Për këtë arsye, meqenëse ne na mungonin eksperiencat, kërkohej që të kishim një partner ndërkombëtar. Jemi të lumtur që zgjidhëm SNAM-in e Italisë dhe tanimë fusim një shërbim të ri në Shqipëri. Pra, një kompani shqiptare bashkë me kompaninë italiane por që në përspektivë e gjithë kjo dije e njohuri do ti transferohet kompanisë shqiptare do të jetë në gjendje të ofrojë një shërbim të mirënjohur nga pikëpamja ndërkombëtare”, insistoi Gjiknuri.

I pranishëm në ceremoninë e fimrosjes, ambasadori italian Alberto Cutillo shprehu kënaqësinë për këtë marrëveshje. “Si ambasador i Italisë jam shumë i kënaqur për firmosjen sot të kësaj kompanie të përbashkët. Një punë e gjatë e bërë këto kohë nga SNAM e Albgaz për të ardhur deri tek kjo firmosje.

Mendoj se kur u mor vendimi për TAP-in, Shqipëria kishte përpara një zgjedhje nëse do të lejonte thjesht kalimin e këtij tubi përmes vendit apo të bënte të mundur shndërrimin e këtij tubacioni në një burim ekonomie dhe zhvillimi. Mendoj se gjatë muajve dhe viteve të ardhshme bashkëpunimi me SNAM do të funksionojë dhe do të mund të zhvillohet në Shqipëri sektori i gazit edhe me ndihmën italiane”, u shpreh Cutillo.

Ndërmarrja
Joint Venture parashikon të punësojë në fazën fillestare 45-60 punonjës, të gjithë të kualifikuar në asetet e SNAM në Itali dhe në vijim në vet asetet e TAP në Shqipëri duke nisur nga Korriku 2018 deri në Korrikun e 2019. Pra, aktiviteti pritet të fillojë menjëherë pas tre apo katër javësh. Volumet fillestare të shërbimeve pritet të jenë fillimisht 4-6 milion euro në vit.

Në varësi të nevojave për mirëmbajtje që janë të parashikuara në bazë të një programi rigoroz monitorimi, apo me investimin e tubacioneve të tjera TSO në Shqipëri si IAP apo ALKOGAP shoqëria pret të rrisë volumin e shërbimeve në operim e mirëmbajtje minimalisht 10-15 milion Euro në vit.

Kompania 
SNAM është një nga operatorët shumë të rëndësishëm europiane të gazit natyror. Assetet e SNAM janë mbi 41 mijë kilometra tubacione transmetimi gazi natyror, nga të cilat 33 mijë ne Itali dhe afro 8 mijë në 7 vende të tjera jashtë Italisë. Qarkullimi vjetor i SNAM është i rendit 2.5 miliardë Euro me një vlerë tregu kompanie të kapitalizuar në bursë të rendit 13 miliard Euro.

Vendimi
Më 20 mars të këtij viti u mësua për herë të parë se kompania shqiptare Albgaz do të kishte një partnere të madhe të huaj, SNAM-in. Ka qenë Këshilli i Ministrave që vendosi partneritetin mes entit të ri shtetëror, “Albgaz” që do të jetë operatori i cili do të ketë përgjegjësinë e mirëmbajtjes së rrjetit të transmetimit të gazit të ndërtuar nga TAP-i në Shqipëri me operatorin italian të Transmetimit të Gazit Natyror, SNAM s.p.a. Kompania italiane është shpallur fituese gjatë procedurës së konkurrimit dhe tani do të kujdeset për ndertimin dhe kontrollimin e rrjetit të brendshëm të gazit ne Shqipëri. SNAM-i zotëron 20 përqind të të gjitha aksioneve edhe të vetë projektit TAP.

Problematika
Para se të krijohej kjo “joint-venture”, kompania shtetërore e gazit Albgaz duket se e kishte nisur aktivitetin e saj me kërkesa për rritje të mëdha tarifore. Ajo i nisi një kërkesë Entit Rregullator të Energjisë për të miratuar për vitin në vazhdim një çmim transmetimi prej 40 lekësh/metër kub gaz natyror, nga 25 lekë/metër kub, që ishte më parë.

Pasi u nda nga Albpetroli dhe pa filluar mirë nga puna, Albgaz kërkoi rritje të konsiderueshme të çmimit për shërbimet e saj për të tretët. Faktikisht, në kërkesën e mbërritur pranë ERE-s, ajo kërkoi një çmim 60% më të lartë nga shifra e vendosur në pjesën e fundit të vitit të kaluar. Këtë e justifikon me një rrjet aktual që është totalisht i amortizuar, i cili përdoret në pak zona të vendit si në Kuçovë, Ballsh, Fier apo Patos, por të gjitha llogaritjet e bëra për të arritur tek kjo kërkesë rezultojnë shumë larg standardeve që janë vendosur me ligj.

Kompania duket se paraqiti një kërkesë nisur nga vlerësime “aforfe’”. Kështu, psh, ERE ka konstatuar se shoqëria nuk e ka shoqëruar kërkesën për rritje çmimi me Planin e Investimeve për vitin 2018, që do të justifikonte çdo ndryshim, aq më tepër një ndryshim kaq të madh të kërkuar. Po kështu, mungonte një llogaritje e amortizimit të linjave dhe pajisjeve aktuale dhe analizat e llogaritjes së amortizimit të parashikuar për vitin 2018.

Gjithashtu, mungon një vlerësim mbi konkurrueshmërinë e çmimeve të gazit për klientët fundorë, që të pasqyrojë tarifat e rrjetit në vendet fqinje dhe çmimet e klientëve fundorë të cilët furnizohen me gaz natyror në Shqipëri. ERE miratoi një çmim vetëm 28 lekë për metër kub dhe jo 40.

l.q./d.co.
Komento