Aleanca e Artistëve thirrje për rezistencë për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

Aleanca e Artistëve thirrje për rezistencë për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

Aleanca e Artistëve për Mbrojtjen e Teatrit

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dalë sot sërish në protestë për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Regjisori Kastriot Çipi, organizator i këtyre protestave e quan një akt të paprecedentë dhe antikushtetues faktin që qeveria ka filluar procedurën e prishjes së Teatrit Kombëtar!

Duke shmangur procedurat ligjore ekzistuese për menaxhimin e pronës publike, si dhe ligjin ekzistues të partneritetit publik-privat, qeveria shqiptare ka propozuar një projektligj të jashtëzakonshëm për t'i dhënë kompanisë Fusha sh.p.k pa garë tokën e Teatrit Kombëtar. Si mundet te grabitet toka publike dhe t’i jepet me koncesion një kompanie private? Pse nuk bëhet një tender ndërkombëtar? Pse nuk zbatohet ligji i prokurimit publik? Pse nuk zbatohet ligji i koncesioneve?  Ne nuk jemi dakord!

Regjisori Kastriot Çipi

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë ftesë për përshkallëzimin e mëtejshëm të protestave për t’iu bashkuar anëtarëve të saj përpara godinës së Teatrit Kombëtar. Me këto protesta ata pretendojnë mbrojtjen jo vetëm të godinës historike, por edhe mbrojtjen e trashëgimisë, historisë dhe identitetit kulturor dhe kombëtar.

Në protestën e sotme artistët kanë deklaruar se:

Ka mbi 4 muaj që komuniteti i artistëve së bashku me një grup të gjerë intelektualësh dhe qytetarësh, ka dalë hapur kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Në çdo komunikim me publikun si edhe me politikanët apo të zgjedhurit, përfshirë Ministren e Kulturës, Kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe Kryeministrin e Shqipërisë, si palë të njëanshme vendimmarrëse, kemi artikuluar qartë, jo vetëm nevojën e ruajtjes të paprekur të godinës ekzistuese, por edhe domosdoshmërinë e restaurimit të godinës historike të Teatrit Kombëtar, të lënë qëllimisht në harresë.

Nuk jemi lodhur së shpjeguari të gjithë aktorëve vendimmarrës se pse nuk duhet shembur Teatri Kombëtar për të ndërtuar kulla, u kemi folur mbi vlerat arkitekturore të godinës së projektuar nga arkitekti i njohur italian, kemi artikuluar pafund mbi nevojën e teatrove të tjerë dhe jo për shembjen e atyre që kemi, kemi shprehur qartë argumentet tona në mbrojtje të interesave publike për mostjetërsimin dhe uzurpimin e pronës publike nga oligarkët e lidhur me pushtetin dhe mafia e ndërtimit.

Artistët në mbrotje të Teatrit Kombëtar

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit këmbëngul që përmes protestave të vazhdueshme të bind vendimmarrësit dhe kryeministrin Rama të heqë dorë nga ideja për të shembur teatrin. Kjo duke kujtuar se prej pak ditësh “qeveria shqiptare ka propozuar një projektligj të jashtëzakonshëm për t'i dhënë një kompanie të vetme private, kompanisë Fusha sh.p.k, pa asnjë garë tokën e Teatrit Kombëtar, duke i hapur rrugë shembjes së godinës historike.

Mjaft më! Mjaft më! Mjaft më!Ne nuk do lodhemi t'ju shpjegojmë asgjë më tej! S'ka asgjë për të shpjeguar që ju nuk e kuptoni! Ju thjesht nuk doni. Ose më mirë doni të mbushni xhepat tuaj dhe të privatit në dëm të pasurisë publike. Nga fjala tek akti, nga ligjërimi tek rezistenca!Ne nuk do t'ju lejojmë të na grabisni një tjetër pasuri kombëtare, në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e këtij vendi!

Thirrja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit

Më tej artistët kanë deklaruar se nëse nuk merret në konsideratë protesta e tyre e vazhdueshme ata nuk do të tërhiqen: “Do na keni përballë tek prona jonë publike që doni të na e rrëmbeni! Nëse nuk tërhiqeni, do na keni përballë me protesta edhe tek ministria, tek baskia, tek kryeministria e tek parlamenti”. Kjo është deklarata e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ndërkohë që kësaj proteste i janë bashkuar edhe aktorë e personalitete të njohura. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit deklaron se protestat nuk do të ndalen, por do të vijojnë çdo të hënë në orën 20.00 para Teatrit Kombëtar.

Reagimet e artistëve: Deri të premten i lëmë kohë Kumbaros për reflektim

Projekti i qeverisë për të shembur Teatrin Kombëtar për llogari të një kompanie private, e cila ka në plan të ndërtojë një bllok pallatesh, ka hasur kundërshtitë e forta të komunitetit të artistëve, të cilët argumentojnë se projekti i të ashtuquajturit “Teatër Kombëtar” që shoqëron pallatet shumëkatëshe nuk është një teatër funksional në shërbim të teatrit, por një sajesë për të justifikuar përvetësimin e një sipërfaqeje prej mijëra metrash katrore tokë publike.

Shqetësime ka gjithashtu për shkatërrimin e ndërtesave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, të cilat janë ndërtuar në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe që shumë ekspertë mendojnë se duhet të ruhen si trashëgimi historike e vendit.

Reagime ka pasur edhe nga Partia Demokratike.  “Ministria e Kulturës në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ka publikuar për konsultim projektligjin për përcaktimin e një procedure të veçantë negocimi me Kompaninë Fusha Sh.pk, të cilës do t’i jepet falas e gjithë qendra historike e Tiranës, për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për të ndërtuar kulla biznesi”, ka deklaruar Albana Vokshi, deputete e Partisë Demokratike.

Aktorët Robert Budina, Alfred Trebicka, Kastriot Çipi kanë mbajtur fjalim para protestuesve për çështjen e ruajtjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Ndërsa Alfred Trebicka është shprehur “Po u shemb Teatri, ne nuk do të kemi më teatër!”.

Robert Budina ka shpallur në emër të artistëve një ultimatum “Deri të premten datë 15, ora 19.00 ne do t’i lëmë kohë Kumbaros, Bashkisë dhe kryeministrit kohë që të reflektojnë e të ulen të flasin me ne, ndryshe protesta nuk do të ndalen”, tha Budina.

“Ne nuk duhet të lejojmë të na grabitet një tjetër pasuri kombëtare, nëpërmjet procedurave totalisht të jashtëligjshme e në kundërshtim me kushtetutën e këtij vendi!”, tha Çipi. I pranishëm në këtë protestë ishte edhe aktori i mirënjohur Robert Ndrenika, i cili tha se u qëndronte fjalëve të një dite më parë, duke u shprehur se “kam folur një ditë më parë për këtë çështje. I bie që të përsëris veten. Duhet të presim reflektimin nga qeveria para se ta flasim. Ata këtë gjë duan të flasim e pastaj të lodhemi e të mos japin përgjigje”, tha Ndrenika.

Ndërsa një ditë më parë aktori i shquar Ndrenika e ka krahasuar kryeministrin Edi Rama me Erdoganin.

S’marr vesh çfarë po ndodh. Kemi qenë te Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit që na ka dhënë plotësisht të drejtë, opozita është me ne dhe jam shumë i bindur që ka shumë nga Partia Socialiste që janë me ne, por nuk flasin. Nuk flasin se kanë hallet e tyre. Këtu u bë puna si te ‘Tre Musketierët’, ku Kardinali Reshelje më vete dhe të mbretit më vete. Nuk ka lezet kështu, në vitin 2018. Unë them që edhe Prokuroria ta shohë këtë punë, ta hetojë. Përse duhet ta marrë “Fusha shpk”, se ka dhe “Kodra shpk”…, ç’janë këto preferenca? Të vjen keq që nuk e kanë përfillur fare komunitetin teatror, përveç Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Kuvendit, kurse Kryeministria na ka përbuzur. Duhet të hyjmë në bisedime, nuk vazhdohet me gjëra arbitrare. Vetëm Erdogani i bën këto punë.

Robert Ndrenika, aktor

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë