Aleksandër Moisiu, personaliteti që lidh dy vende dhe dy kultura, Austri – Shqipëri

Aleksandër Moisiu, personaliteti që lidh dy vende dhe dy kultura, Austri – Shqipëri

Aleksandër Moisiu

Këto ditë, në Vjenë, në kuadrin e vitit kulturor Austri/Shqipëri, në Theatermuseum, në pallatin e famshëm Lobkowitz, u organizua një mbrëmje kulturore në nderim të figurës së aktorit austriak me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu. Mbrëmja u mbajt në sallen e koncerteve Eroica (vendi ku kanë lojtur gjenitë e muzikës botërore Beethoven, Mozart, Haydn etj) dhe u shoqërua me një Ekspozitë të sendeve personale të aktorit. Programi i këndshëm i këtij aktiviteti u ndoq nga dhjetra të ftuar, në mesin e të cilëve ishin dhe përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Trupi diplomatik e përfaqësues të biznesit shqiptar dhe austriak, si dhe shumë qytetarë vjenezë e shqiptarë të diasporës.

Nën moton “Të rizbulojmë të përbashkëtat”, u arrit një koordinim i suksesshëm në mes Ambasadës Shqiptare në Vjenë dhe Muzeut Kombëtar të Teatrit Austriak, të cilët përkrahën idenë time për realizimin e projektit mbi “Ekspozimin për publikun e gjërë të rreth 15 objekteve personale të Aleksander Moisiut”.

Edhe kësaj herë, figura e aktorit të famshëm Moisi, shërbeu: si simbol i marrëdhënieve të ngushta dhe tradicionale në mes të Austrisë dhe Shqipërisë, si dhe për të hedhur një shikimin pas në histori për të rikujtuar pikat e takimit kulturor në mes dy vendeve tona. Në hapje të mbrëmjes kulturore, të pranishmit u përshëndeten nga mikpritësi Dr. Thomas Trabitsch drejtor i Teatermuzeut, nga Drejtoresha e Departamentit të Kulturës në Ministrinë për Europen, Integrimin dhe Punët e Jashtme Ambasadorja Teresa Indjein dhe nga Ambasadori shqiptar z. Roland Bimo.

Programi i mbrëmjes u pasurua me pjesë koncertale për violinë dhe kitarë klasike të luajtura me mjeshtri nga studentja e violinës në Universitetin e Arteve në  Vjenë Janela Nini dhe mjeshtri i njohur ndërkombëtar i kitarrës klasike Franz Gjoni. Referati “Moisiu, Shqipëria dhe Shqiptarët”, një punim i imi i bazuar në materialet e arkivës si dhe gazetat e ndryshme të kohës mbi karrierën dhe kontaktet e Moisiut me bashkëatdhetare e studentë shqiptar në Vjenë dhe Europë, ishte tema e ditës.

Për të informuar sa më mirë lexuesit e gazetës, po sjell këtu disa pasazhe nga fjala ime në këtë aktivitet:

Zonja dhe zotërinj, mirë se keni ardhur në këtë event të veçantë, për gjeniun e skenës gjermane dhe botërore, ALEKSANDER MOIUN, një figurë që, sikurse Gjergj Kastrioti e  Nënë Tereza, bën krenar çdo shqiptar. Shërbej viti i Kulturës Austri Shqipëri, që në bashkëpunim me Ambasaden Shqiptare në Vjenë dhe Muzeun e Teatrit, të organizojmë këtë aktivitet ku emëruesi i përbashkët që lidh dy kulturat e vendet tona, është origjina shqiptare e aktorit austriak Aleksander Moisiu.

Siç e shikoni, në sallë janë të vendosura objektet personale të aktorit, pronë e Muzeut Kombëtar të Teatrit austriak, shumë nga të cilët së bashku me dokumente shkresorë apo korrespondencën e tij personale, janë dhuruar në vitin 1958 nga bashkëshortja e tij Johanna Terwin, e cila përveç se bashkëshorte dhe kolege në skenë, për Moisiun kishte dhe rolin e sekretares e të menaxheres. Në vitin 1971, këtij koleksioni ju shtua dhe trashëgimia dokumentare që kish mbledhur për Aleksandrin, adhuruesja e tij, Maria Dobrozensky. Përveç këtyre objekteve, në Fondin Moisiu, ka dhe shumë vepra të tjera, si të shkruara, ashtu dhe nga arti pamor të cilat mungojnë këtu, për arsye teknike apo pse i përkasin koleksioneve private.

Si katër vjet më parë, pata fatin të isha shqiptari i parë që pat kontakt me koleksionin e Moisiut dhe objektet personale, për të cilat kam bërë disa botime në shtypin periodik shqiptar, por sot, për mua është një ditë e veçantë, pasi arrita të realizoj qëllimin tim, që objektet të demostrohen dhe të vizitohen nga shumë shqiptarë.

Por kjo Ekspozitë u bë e mundur me ndihmen e personelit të Muzeut e kryesisht të drejtorit Dr. Trabitsch si dhe Ambasadorit shqiptar Bimo që financoj projektin. I falenderoj përzemërsisht.

Edhe pse Moisiu u ndesh me shumë vështirësi në fillimet e integrimit të tij në Vjenë, më pas, kontaktet me yjet e përsonalitetet e artit, që pastaj u bënë miqtë e tij, i pat të shumtë. Shumë prej tyre e fiksuan Moisiun në vepra pamore, libra apo shkrime të ndryshme. Gjithashtu, ai pat, ruajti dhe zhvilloj kontakte me shumë bashkëatdhetarë shqiptare, e jo vetën në Vjenë, por në shumë vende të botës ku demostronte artin e tij. Përveçse i jashtëzakonshëm profesionalisht, ai ishte i jashtëzakonshëm dhe si njëri. Ai nuk u shmang apo refuzoj asnjëherë  ftesat për takime që komuniteti shqiptar i dërgoj.

Një ndër mbrëmjet që la gjurmë në komunitetin e studenteve shqiptar të Vjenës ishte takimi i 29 qeshorit 1920, që u pasqyrua gjërësisht nga revista social kulturore DIALËRIA, një organ i Shoqërisë të Studentëve Shqipar në Vjenë.

“Këndonjës të dashurë të Dialëriës, mund të kuptojmë edhe të ndiejm leht gëzimin që kanë studentët shqiptar të Vjenës duke pasur në mes të tyre bashkatdhetarin e madh, Aleksander Moisiun. Pershtypja që lë biseda me të nuk është gjë që përshkruhet, ajo vetëm ndjehet. Mendimet e tij të qarta e bëjnë çdo problem të jetës të lehtë e jeta nga pikëpamjet e tija, të merr nje shijë tjetër. Njeriu ndahet prej tij krejt i ndëruar, më i naltë, më fisnik”, shkruhet në artikullin “Një natë me Moisiun”.

Ftesës për një darkë me studentet, që ju bë gjatë një takimi për çaj në Kafe Greilinger në Vjenë nga Dr. Gjergj Pekmezit dhe  Rexhep Mitrovica, Moisiu ju pergjigj me këto fjalë: Po, vij me gjithë zemër, me shumë gëzim, por për darkë ska nëvojë, mjafton ca gota verë, vetëm të jemi bashkë. Natën e takimit, studentet e shoqërisë ALBANIA, pasi ndoqën shfaqjen e Moisiut në teatrin “Neue Wiener Buhne”, i dërguan atij një tufë të madhe trandafilash lidhur me kordelë kuq e zi me shkrimin: “Birit të ndëgjuar të Shqipnies, artistit të madh A. Moisiu, si shenjë adhurimi e mirënjojtësie. ALBANIA”, pastaj hypur mbi pajtonë, morën rrugën nga teatri drejt Restaurantit “Zum weissen Hahn”. Për herë të parë, atë natë, publiku i teatrit mësoj që Moisiu ishte shqiptarë.

Aktori u prit me nderime nga kryetari i shoqërisë Albania Fuat Asllani ndërsa studenti Jani Basho në fjalën përshëndetëse tha: ...Mundet që shumë popuj duan të ju quajnë të vetin, po ne e dinë se Ju.... jeni i yni; djalëria shqiptare mburret me ju dhe ju është mirënjohëse... Ndërsa atdhetari Nush Bushati ju drejtua aktorit me këto fjalë: ...para disa vjetësh doli një djaloç prej atdheut tonë në boten e hapët..., ishte plot entuziasmë për artin dhe aktrimin... E kush duhej ta donte e ta admironte ma shumë se na, bashkëatdhetarët e tij?

Moisiu i prekur thellë nga ngrohtësia e pritjes dhe dashuria e bashkëkombasve foli: “Miq të dashur, ju faleminderit shumë për nderimet që më rrëfeni. Jam ndodhur në shumë gostira, në shumë mbledhje, kam ndierë shumë gëzime, por ky i kësaj nate, është tjetër gëzim. Ju lutem të më besoni që asnjëherë gjer më sot nuk jam gëzuar si sonte. Nuk mund të ju tregoj dot kënaqësinë që ndiej kur dëgjoj prej jush kaq gjëra të bukura mbi përparimin e zhvillimin e popullit shqiptar... Atë natë, festa vazhdoj deri në orën 2.30 të mëngjesit. Moisiu tregoi shumë gjëra për Tolstoin e njërëz tjerë të mëdhenj. Ai tha pikëpamjet e veta mbi mbretin, qeverinë e presidentin e republikës, mbi kulturën dhe përhapjen e arësimit në Shqipëri dhe kërkoj nga  studentët shpjegime mbi gjendjen e sotme të Shqipërisë...

Një takim tjetër i çiftit Moisiu me komunitetin shqiptar ishte ai i dhjetorit 1921. Me ftesë të Drejtorit të Teatrit të Bukureshtit, Viktor Eftimiut, ata udhëtuan drejt Bukureshtit. Shtypi i kohës i bëri jehonë deklaratës që Moisiu bëri mbi origjinën e tij shqiptare. Në pritjen për nder të aktorit, të organizuar me 17 dhjetor 1921 nga kolonia shqiptare e Romanisë, çifti Moisiu për të respektuar bashkëatdhetarët u shfaq i veshur me ngjyrat kombëtare, kuq e zi.

Shumë herë ai i kishte shfaqur dëshirën konsullit shqiptar Pekmezit për një vizitë në Shqipëri si dhe për të pasur shtetësinë shqiptare. Në një njoftim që konsullata shqiptare në Vjenë i dërgon MPJashtme në Tiranë shkruhet: ...me 7 nëntor 1933 u paraqit në konsullaten shqiptare në Vjenë, artisti i famshëm Aleksander Moisiu, i cili bëri kërkesën për marrjen e shtetësisë shqiptare për vehte dhe bashkëshorten Johanna Terwin Moisiu. Ky refuzoj gjithë shtetësitë e tjera dhe dëshiron të pranohet vetëm si shtetas shqiptar, siç ka qenë dhe familja e tij e dalun me kohë prej Kavaje...

Me 14 mars 1934, mbreti Zog dekretoj dhenien e shtetësisë çiftit Moisiu, duke i kërkuar më pas që të ishte “MJESHTER I CEREMONISË”i mbretërisë, gjë të cilën Moisiu e kundërshtoi me zëmërim. Por dhe para kësaj ngjarje, në një festim të 28 nëntorit 1930, i ftuar nga komuniteti shqiptar i Vjenës, ai do të shprehej: Kujdes,...Monarkia pengon zhvillimin historik. Një sistem republikan, ku të mos ketë shumë të pasur dhe shumë të varfër është më demokratik.

Me 27 prilli 1934, pas një takimi në Romë me çiftin Moisiu, korrespondenti i gazetës Vatra Mejdi Kamberi, boton në organin e komunitetit shqiptar të Amerikës, gazetën Vatra, një intervistë ku Moisiu kujton me nostalgji qytetin e Kavajes e të Durrësit. Ai përshkruan rrugët e ngushta të Kavajës...tregon për Kishën e Xhaminë. Kujton Durrësin ku kishte bërë shkollën fillore, largimin nga Kavaja kur ishte 7 vjeç e rikthimin pas 10 vitesh për dasmën e motrës Melanie...

Kurdoherë, shqiptarët kanë vlerësuan me krenari këtë figurë madhore të artit skenik botëror duke e nderuar atë me titujt më të lartë kombëtarë si dhe e përjetësuar emrin e tij në Institucione, Organizata, Shoqata të ndryshme kulturore, brenda vendit dhe në diasporë, si dhe rrugë e sheshe në të gjitha trevat shqiptare. 

Lavdi kujtimit e veprës së tij.

Vjenë, me 15 qershor 2018

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Mbështetësi i Belerit e pështyu, reagon Vangjel Tavo: Interesat e vogla kanë marrë peng komunutetin himariot

Mbështetësi i Belerit e pështyu, reagon Vangjel Tavo: Interesat e vogla kanë marrë peng komunutetin himariot