Ali Pashë Tepelena dhe diplomacia ruse

Ali Pashë Tepelena dhe diplomacia ruse

Ali Pashë Tepelena

...I biri Myftari drejt Tunës po nget, Gjaurët leshverdhë ta dinë ç'i pret; Kur turren Delinjtë mbi lumin me gjak, Të gjallë Moskovit i kthehen fort pak! Lord Byron, Childe Harold,  Tamburxhi, Tamburxhi

Ndërkohë që Ali Pashë Tepelena fitonte qeverisjen e Janinës dhe hidhte themelet për të ndërtuar Pashallëkun e Janinës, pushteti perandorak osman pësonte një goditje të rëndë pas paqes së imponuar në luftën Ruso-Turke 1787-1792. Gjatë luftës Ruso-Turke (1787-1792), Ali Pasha hyri në letërkëmbim me princin Potjomkin. Princi Potjomkin i premtoi një marrëveshje të favorshme dhe e inkurajoi të punonte me pashallarët shqiptarë për të penguar dërgimin e forcave ushtarake në luftë kundër Rusisë.

Në shkurt të vitit 1791, Ali Pasha zhvilloi bisedime me një diplomat rus, të cilit i deklaroi se ishte gati të merrte anën e Rusisë, nëqoftëse i jepeshin garanci se pas luftës do të mbetej i pavarur. Kurse në muajin qershor i kërkoi komandantit të flotiljes ruse në detin Mesdhe t’i dorëzonte princit Potjomkin propozimet e veta për një aleancë ushtarake dhe për të diskutuar për fatin e mëtejshëm të Pashallëkut të Janinës pas dëbimit të osmanëve nga Gadishulli Ballkanik. Ali Pasha premtoi të merrte pjesë në një kryengritje antiosmane të shqiptarëve dhe grekëve.

Për këtë qëndrim ai kërkoi sigurime për njohjen e tij si zot e sundues i pashallëkut, për njohjen e kufijve të territorit, që do të zotëronte dhe për ushtrimin e lirë të besimit nga ana e myslimanëve. Nga ana e vet ai u zotua t’i trajtonte njëlloj si myslimanët ashtu dhe të krishterët në administratë e në ushtri dhe pranonte që Rusia të kishte të drejtën e mbrojtjes së të krishterëve në shtetin e tij. Ali Pasha kërkoi gjithashtu që në rast se kryengritja do të dështonte, Rusia ta merrte nën mbrojtjen e saj për t’i shpëtuar ndëshkimit të sulltanit. Më në fund ai pranoi që si garanci të dërgonte peng në Sankt Petërsburg njërin nga djemtë e vet, i cili të mësonte atje artin ushtarak rus.( Historia e popullit shqiptar, Toena, Tiranë:2002, fq 641)  Si shikohet qartë nga teksti i propozimeve që i dërgonte rusëve, Ali Pasha Tepelena synonte konsilidimin e pashallëkut të tij edhe në formë trashëgimtare, njohjen e kufijve të pashallëkut të tij dhe një tolerancë fetare tepër të përparuar për kohën.

Mirëpo propozimet e tij nuk u pranuan, së pari sepse ato nuk përkonin me rolin meseanik që kishte ndërmarrë Rusia për të krishterët ortodoksë në Ballkan, por edhe pse në 3 janar 1792 u nënshkrua paqja në Jash midis Perandorisë Otomane dhe Rusisë dhe politika ruse nuk ishte më e interesuar për diversione të tilla politike brenda Perandorisë Otomane. Në të njëjtën kohë situata politike dhe rendi nuk kishin qenë të qeta brenda Pashallëkut të Janinës. Popullsia suliote në vazhdën e traditës së hershme të mercenarizmit e banditizmit, që lëvronte gjithandej në Ballkan, por edhe si bartëse e politikave  destabilizuese brenda Perandorisë Otomane, që nxiteshin nga Rusia, kishte shpërthyer një valë të papërmbajtur plaçkitjesh, që arriti kulmin aty nga pranvera e vitit 1791. Përveç fshatrave dhe rrugëve tregtare, suliotët sulmuan dhe plaçkitën krahinat e Paramithisë, Margëlliçit dhe Artës.

Këto veprime nxitën kundërshtarët e Ali Pashë Tepelenës, si Ibrahim Pashën e Beratit dhe bejlerët çamë, që kësaj here të organizoheshin në një besëlidhje ushtarake kundër suliotëve. Në këtë beslidhje morën pjesë dhe krerët e armatolëve të fshatrave të dëmtuara. Por, nën nxitjen e agjentit rus në Korfuz L. Benaqi, kjo besëlidhje u shndërrua në një aleancë të re, së cilës iu bashkuan edhe suliotët, që tani drejtohej kundër Aliut. Gjithsesi, edhe kjo beslidhje nuk arriti të konsolidohej, pasi me ndërhyrjen e Portës së Lartë, marrëdhëniet midis qeveritarëve të Janinës dhe Beratit u paqtuan duke lidhur edhe krushqi mes tyre.(Historia e popullit shqiptar, Toena, Tiranë:2002, fq 642)

Në këtë mënyrë, suliotët mbetën të vetëm përballë zëmërimit të Ali Pashës. Kushtet në Pashallëkun e Janinës njohën një zhvillim të ri kur në horizont ndodhën ngjarje të mëdha ndërkombëtare. Në vitin 1796 filloi fushata e Napoleon Bonapartit në Itali dhe si rezultat i betejave të fituara ndaj shteteve italiane, ai nënshtroi dhe Republikën e Venedikut, e cila zotërontë Korfuzin, Ishujt Jonianë dhe katër qytete në stere përballë tyre: Prevezën, Butrintin, Vonicën dhe Pargën. Me nënshkrimin e Traktatit të Kampio Formios, më  1797, iu dha fund sundimit të shtetit venedikas, zotërimet e të cilit në ishuj dhe stere u vendosën nën sundimin francez. Kështu kufijtë e Francës u shtrinë deri në kufijtë e Pashallëkut të Janinës.(Historia e popullit shqiptar, Toena, Tiranë: 2002, fq. 642).

Për të lehtësuar fushatën ushtarake në Egjipt, Franca përkrahu fuqizimin e pashallarëve të Rumelisë dhe prirjet e tyre vetqeverisëse në dëm të pushtetit qendror të Sulltanit. Në këtë kuadër, komandanti francez i Korfuzit u urdhërua të përkrahte Ali Pashë Tepelenën dhe forcimin e pushtetit të tij brenda pashallëkut dhe jashtë tij. Ali Pasha Tepelena e shfrytëzoi shumë mirë këtë përkrahje për të realizuar synimet e tij territoriale drejt Çamërisë dhe bregdetit të Jonit. Ai mundi t’u shkëpuste francezëve lejen për të pasur flotiljen e tij në kanalin e Korfuzit dhe në këtë mënyrë bëri të mundur, që në gusht të vitit 1797 të ndërmerrte një sulm të befasishëm kundër bregdetit të Himarës. Si rrjedhim Ali Pasha shtiu në dorë pjesën kryesore të këtij bregdeti nga Butrinit deri në Porto Palermo.( Historia e popullit shqiptar, Toena, Tiranë: 2002, fq. 642).

 Ndërkohë pas fushatës franceze në Egjipt, ishte krijuar një aleancë e re politike ushtarake, ku Perandoria Otomane iu bashkangjit Anglisë dhe Rusisë. Ali Pasha e shfytëzoi këtë konjukturë të re për të avancuar interesat e veta. Kundër dëshirës së francezëve, ai mori pjesë në fushatën e Sulltanit kundër rebelimit të Paasvan Ogllusë, që po i shkaktonte shqetësime Portës së Lartë. Nga ana tjetër, ai punoi për të rregulluar marrëdhëniet me pashain e Delvinës dhe me bejlerët fqinjë. Pa pritur që të mbërrinte flota e aleancës së re, që do të dëbonte trupat franceze nga Ishujt Jonianë, trupat e tij sulmuan garnizonet franceze në Butrint, të cilin francezët kishin refuzuar t’ia jepnin, dhe më vonë Prevezën dhe Vonicën. Qytetin e Pargës nuk arriti ta merrte dot për shkak të kundërshtimit të banorëve, por edhe sepse arritën forcat ruse të cilat e morën qytetin. Pukëvili njofton për një betejë të pabarabartë midis forcave shqiptare dhe franceze. Gjithsesi, përveç Butrintit e Prevezës, Ali Pashë Tepelena arriti të siguronte edhe dy skela më të vogla, Vonicën dhe Sajadhën.  Për Ali Pashën, Butrinti dhe Preveza kishin rëndësi të madhe strategjike. Zotërimi i Butrintit siguronte kontrollin mbi kanalin e Korfuzit dhe mbi vetë ishullin, kurse Preveza në duart e Pashait të Janinës do të thonte dalje në jug, në Gjirin e Ambrakisë, duke iu afruar ishullit Santa-Maura. Pushtimi i Prevezës pati një jehonë edhe në qarqet diplomatike evropiane.

Admirali anglez Nelson, pasi e ndali flotën në mes të detit Egje, dërgoi një nga oficerët e tij ta përgëzonte për fitoren në Prevezë dhe ta bindtin se ai vet kishte dëshirë për të zbritur në brigjet e Nikopolit për të përqafuar heroin e Epirit. Për fitoret e arritura Porta e Lartë e shpërbleu më 1799 me gradën e vezirit, por kjo gradë ishte vetëm një akt ngushullimi sepse me këmbënguljen e rusëve, të cilët e shihnin Ali Pashë Tepelenën si një pengesë ndaj synimeve të tyre për të sunduar në Gadishullin Ballkanik, qytetet bregdetare iu hoqën nga dora dhe iu dhanë portës së Lartë për administrim. Porta e lartë caktoi për administrimin e tyre një nëpunës të saj, Abdullah Beun, i cili e kishte qendrën e vet në Prevezë.  Konventa ruso-osmane e muajit prill 1800 krijoi Republikën e Shtatë Ishujve dhe me këtë sanksionoi vendosjen e rusëve në Ishujt Jonianë. Kjo konventë vendoste, që edhe qytetet e bregdetit të pushtuara nga forcat e Ali Pashë Tepelenës, të konsideroheshin si prona të Sulltanit, por Ali Pasha Tepelena edhe pse largoi forcat e veta nga këto qytete, arriti ta manipulonte të dërguarin e sulltanit.  Prania e rusëve në Ishujt jonainë,  ndërhyrja e mëparshme e tyre në Pargë si dhe përpilimi i konventës i ashpërsoi marrëdheniet diplomatike midis dy palëve.

Diplomatët rusë filluan të ndjekin politikën e mëparshme të venedikasve, duke nxitur e përkrahur elementin e krishterë shqiptar, si suliotët dhe himariotët, si dhe bllokun feudal të Shqipërisë së Jugut të udhëhequr nga veziri Ibrahim Pasha i Beratit, Mustafa Pashë Koka i Delvinës dhe bejlerët e Çamërisë. Në vitin 1798, Mustafa Pashë Koka iu ishte drejtuar për ndihmë rusëve për të rifituar Pashallëkun e Delvinës, mirëpo në tetor 1799, Ali Pashë Tepelena e detyroi t’i nënshtrohej me forcën e armëve. Kur rusët e detyruan Portën e Lartë të nënshkruante traktatin e 21 prillit 1800, ata kërkuan që drejtimi i sanxhakut të Delvinës t’i jepej agjentit të tyre, Mustafa Pashës.( Historia e popullit shqiptar, Toena, Tiranë: 2002, fq. 643)

 Të gjitha këto ndërhyrje të rusëve në Pashallëkun e Janinës si dhe përkrahja e hapur ndaj kundërshtarëve të Ali Pashë Tepelenës, u dhanë zemër suliotëve. Këta shkelën ujdinë, që kishin arritur më parë me Ali Pashën dhe të ndihmuar prej rusëve, filluan veprimet plaçkitëse brenda Pashallëkut. Nga ana e tij, Ali Pasha Tepelena u informua nga rrjeti i tij i zbulimit se pas rezistencës së organizuar suliote dhe lëvizjeve himariote qëndronin misionarë rusë, që zbarkonin në mënyrë të fshehtë dhe të paligjshme, që prisnin kapedanë të rezistencës suliote, kundërshtarë të Aliut, në bazat e tyre në Korfuz, Lefkadhë, Zaqintho, Santa Maura dhe i nxisnin për komplotuar dhe përmbysur pashanë e Janinës. (Irakli Kocollari, Policia sekrete e Ali Pashës, Adel Print, Tiranë: 2009, fq. 24-25)

Në këto kushte Ali Pasha Tepelena intesifikoi përpjekjet e tij për të eliminuar qëndresën suliote. Ndaj, në muajin qershor 1800, pasi siguroi përkrahjen e agallarëve kryesorë çamë, filloi ekspeditën kundër Sulit,  por këtë herë duke përdorur një taktikë të re, atë të një rrethimi në formë dare, që sa vinte dhe ngushtohej.(Historia e popullit shqiptar, Toena, Tiranë: 2002, fq. 643).  Në fakt, qëndresa e suliotëve erdhi duke u mpakur dhe paprekshmërinë e Sulit kësaj radhe nuk e shpëtoi as përkrahja e rusëve dhe as organizmi i një besëlidhje të re. Por përparimet e Aliut shqetësuan bejlerët fqinjë të Çamërisë, të cilët në vitin 1802  nxituan edhe njëherë të organizonin një besëlidhje me Suliotët kundër tij. Në këtë lidhje morën pjesë Islam Pronjoja i Paramithisë, Dematët dhe Sejkatët e Filatit, Çeparenjtë e Luaratit, Daljanenjtë e Konispolit, bejlerët e Margëlliçit, bejlerët e Delvinës dhe të Beratit.(Hajredin Isufi, Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947, Dudaj: 2002, fq. 13)

Gjithësesi, dara e vendosur nga Ali Pasha rreth Sulit u shtrëngua derisa në datën 25 dhjetor 1803 luftëtarët suliotë nënshkruan aktin e kapitullimit para Veli Pashës, i cili pranoi kushtin që ata të largoheshin jashtë kufijve të pashallëkut. Por Ali Pasha dëshironte që suliotët të vendoseshin brenda kufijve të pashallëkut, i bindur se po të largoheshin, ata do të ishin kundërshtarë të përjetshëm të tij. Ndaj u premtoi atyre lehtësira e kushte të mira jetese, të cilat u refuzuan nga suliotët, që insistonin të largoheshin nga kufijtë e pashallëkut. Malësitë e Sulit u rrethuan edhe njëherë nga forcat e Aliut. Në luftimet e ashpra, bashkë me burrat edhe gratë e Sulit treguan trimëri të pashoqe, deri sa në çastin e fundit, për të mos të rënë në dorë të sulmuesve, sakrifikuan veten e tyre sëbashku me gjithë fëmijë, duke u hedhur në rrëpirën e shkëmbit të Zalongut. Suljotët që i shpëtuan masakrës së trupave të Aliut, u vendosën në Ishujt Jonianë dhe në Pargë, ku themeluan dhe regjimentin shqiptar dhe ashtu siç kishte parashikuar Ali Pasha Tepelena, vazhduan luftën kundër tij, duke marrë pjesë në inskursione të herëpashershme plaçkitëse në Pashallëk. Në vitet pasardhëse 1803, 1804, 1808 besëlidhjet e agallarëve të Çamërisë me Suliotët u ripërtëritën.

Ndërhyrja ruse u itensifikua më tepër pas emërimit të Kontit Mocenigo (1765-1836) si përfqësues të Rusisë në Ishujt Jonianë. Konti Mecenigos ishte nga Zakintho, pasardhës i një familje shumë të njohur venedikase që kishte nxjerrë dhe Dozhë dhe diplomatë. Ai i përkiste degës së familjes Mecenigo që kishte sunduar për një kohë të gjatë në Zakintho, kur Ishujt Jonianë kishin qenë nën sundimin venedikas.  Në 16 gusht të vitit 1802,  Konti Mecenigo zbarkoi në Ishujt Jonianë për ti vendosur nën kurorën ruse. Menjëherë ai nxorri një shpallje që i njoftonte qytetarët e Republikës së shtatë ishujve se ishte i dërguari i Carit të Rusisë për të vendosur rregullin dhe qetësinë në Ishujt Jonianë.( Enciklopedia Greke : Zëri Georges Mecenigos). Interesat ruse në rajon por edhe të klasës drejtuese të Ishujve Jonianë ishin që të kishin një territor sa më të gjerë influencash në bregun përballë, në mënyrë që të siguronin furnizime të vazhdueshme me grurë dhe drithëra.

Në pranverën e vitit 1804, Ali Pasha u përgatit të dërgonte ushtritë e vet  në viset bregdetare me pretekst se do të vilte taksat e skelave, që kishte marrë në sipërmarrje nga Kapudan Pasha. Qëllimi i tij ishte të rrethonte Çamërinë, që ta nënshtronte me lehtësi. Në qershor të atij viti, me nxitjen e Mocenigos, përfaqësuesit rus në Korfuz, bejlerët çamë formuan “Lidhjen e Çamërisë”. Në këtë hynë dhe të mërguarit suliotë të Korfuzit. Mes të besëlidhurve shquheshin emrat e bejlerëve të Çamërisë: Pronjatëve, Balo Husos të Margëlliçit, Dajlanenjëve të Konispolit, Abdurrahim Zigurit të Varfanjit, Dematëve dhe Sejkatëve të Filatit. Kjo lidhje udhëhiqej nga Mustafa Pasha i Delvinës. Në dispozitat e marrëveshjes, që u nënshkrua më 27 qershor 1804, parashikohej që gjatë kohës që këta bejlerë do të luftonin kundër Ali Pashës, qeveria ruse do ti furnizonte çdo muaj me 100 fund barot, 200 fund plumb dhe 1000 kg drithëra.

(Irakli Kocollari, Policia sekrete e Ali Pashës, Adel Print, Tiranë: 2009, fq. 32) Këtyre forcave iu bashkangjitën edhe luftëtarët e Regjimentit Shqiptar të Korfuzit, me suliotë, himariotë dhe të tjerë shqiptarë të dëbuar nga territoret e kontrolluara nga Ali Pashë Tepelena. Këto forca ishin të organizuara në 6 kompani të këmbësorisë së lehtë nën komandën e Gjeneralit Anthres të kombinuara me katër kompani himariotësh nën komandën e Kolonelit Beckendorf.(Irakli Kocollari, Policia sekrete e Ali Pashës, Adel Print, Tiranë: 2009, fq. 35).  Por, ndryshimi i beftë në politikën e Portës së Lartë si dhe shpërthimi i luftës Ruso-Turke 1806-1812, e minimizoi rrezikun rus dhe i dha mundësi Ali Pashë Tepelenës, që të hidhej në sulm për të nënshtruar bejlerët e Çamërisë. Kësaj radhe edhe Sulltani mori anën e Aliut, duke i lënë dorë të lirë mbi qytetet bregdetare të Prevezës, Vonicës e Butrintit dhe duke i urdhëruar agallarët çamë t’i nështroheshin autoritetit të tij.

Kështu, pas rënies së Sulit dhe shpërnguljes së dhunshme të suliotëve, ra dhe Paramithia dhe në vitin 1808, Ali Pasha mundi të shtinte në duart e tij Filatin dhe Sajadhën. Të gjitha këto avancime të Ali Pashë Tepelenës u realizuan përmes përpjekjeve të dhunshme mes trupave të tij dhe trupave të Beslidhjes Çame ku sipas Pukëvilit, filaqiotët ndryshe nga korfiatët u shquan për guximin dhe trimërinë e tyre të madhe dhe i nxorrën shumë punë Ali Pashës.(Hajredin Isufi, Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947, Dudaj: 2002, fq. 14)

Ndërkohë, Perandoria Otomane po ftohej me dy aletatët e mëparshëm, Anglinë dhe Rusinë dhe po afrohej me Francën. Këtij ndryshimi gjeostrategjik po i përgjigjej dhe diplomacia e këtyre shteteve ndaj Ali Pashë Tepelenës. Oborri i Sankt Petërsburgut i kërkoi Kont Mocenigos të ndiqte një politikë paqësore, ndërsa Franca  i premtoi për ta njohur si sundimtar të pavarur, nëse trupat frënge do të pushtonin gadishullin Ballkanik dhe se do ta merrte në mbrojtje kundër sulltanit. Kur Fransua Pouqueville i emëruar konsull i përgjithshëm i Francës, mbrriti në Janinë në 1806, i solli Ali Pashë Tepelenës dhe premtimin e Napoelonit se do t’i jepte nën administrim ishullin e Korfuzit nëse do të angazhohej në luftë kundër rusëve.

Tashmë Ali Pasha Tepelena zotëronte gjithë bregdetin e Çamërisë dhe po shikonte që të merrte në zotërim dhe Korfuzin dhe Ishujt Jonianë. Në dhjetor 1806, Porta e Lartë i hapi luftë Rusisë dhe Ali Pashë Tepelena nxitoi të përfitonte duke arrestuar konsujt rusë në territoret e veta dhe me artilerinë, që kishte marrë nga francezët u përpoq të sulmonte ishullin e Shën Maurës, por rusët ngritën kundër tij feudalët çamë dhe armatolitë e Thesalisë. Ali Pasha u pajtua me feudalët çamë, kurse i biri i tij Myftari e mbyti në gjak kryengritjen e armatolive në Thesali. Paqja e Tilsitit në vitin 1807 midis Francës dhe Rusisë bëri të mundur largimin e rusëve nga ishujt jonianë, zotërimin e tyre sërish prej Francës dhe largimin e rrezikut rus për të minuar pushtetin e Ali Pashë Tepelenës në Epir dhe More.

Bibliografia:
1-   Irakli Kocollari, Policia sekrete e Ali Pashës, Adel Print, Tiranë: 2009
2-   Hajredin Isufi, Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947, Dudaj: 2002
3-   Historia e popullit shqiptar, Toena, Tiranë: 2002
4-   Enciklopedia Greke : Zëri Georges Mecenigos

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Gjendet i pajetë emigranti nga vendet e Lindjes (VIDEO)

Korçë/ Gjendet i pajetë emigranti nga vendet e Lindjes (VIDEO)