“Amaneti” i poetit Viktor Gjikola

 “Amaneti” i poetit Viktor Gjikola

Viktor Gjikola

Treva e Mirditës ka qenë dhe është një nga trevat më të njohura në Shqipëri dhe më gjërë ku kanë lindur dhe rritur figura të shquara të kombit tonë, kontributi i të cilëve ka patur dhe ka peshë kombëtare si në lëvizjet patriotike, atdhetare, letrare, artistike dhe krijuese. Vite të shkuara, po kërkoja një vepër të një poeti mirditor dhe si për çudi më ra në dorë “Këndo Mirdita ime” e poetit Pal Përlala. Vargje të bukura, plot ndjenjë dhe mendim artistik, ndoshta ndërmarrja e parë në poezi. Sot nuk është e vështirë të gjesh qindra poetë nga kjo trevë, madje poetë elitare që zënë vend me dinjitet në letërsinë kombëtare, një prej të cilëve është edhe poeti i mirënjohur Viktor Gjikolaj.

 Me Viktorin më ka njohur miku ynë i përbashkët shkrimtari Ndue Dedaj këtu e 25 vite më parë. Kisha dëgjuar për krijimtarinë e tij, pasi aso kohe merresha me krijimtari dhe mbledhje folklorike, por dëshiroja ta njihja më shumë, pasi ansamblin “Mirdita”, një nga më të njohurit në vendin tonë në fushën e folklorit e “ushqenin” me tekste poetët Gjokë Beci dhe Viktor Gjikolaj. Kur u takova me të vetvetiu më vinin në mendje tituj këngësh shkruar nga dora e tij, madje kujtoja edhe vargje nga këngët e tij. Në fakt, njerëz të tillë ishin gjeni në fushën ku krijonin. Respektoheshin dhe nderoheshin të paktën nga ana morale nga shoqeria. Edhe mua, në takimin e pare me la pershtypjen e një gjeniu të vërtetë në fushën e krijimtarisë poetike dhe nuk isha gabuar.


Libri, Amanet i poetit Viktor Gjikolaj

Poeti Viktor Gjikolaj vinte nga fshati Selitë i Kurbneshit, rajon malor i Mirditës, i njohur për minierat e famshme të nxjerrjes së kromit. Ishte familje e persekutuar, pasi shumë njerëz nga fisi i tij ishte burgosur, ekzekutuar dhe internuar. Ishte kjo arsyeja që poeti i ardhshëm nuk do të lejohej nga organet e pushtetit komunist as të shkruante dhe as të vazhdonte shkollën. Dhe kur shkruante ndonjë këngë për vendlindjen, atdheun, njeriun, punën etj, ishte i detyruar ta firmoste si autor anonim. Ndërsa shkollën, e kishte mjaft pasion dhe nuk e la pas dore. Ka mbaruar Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në qytetin e Shkodrës, fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

I qetë, fjalëpakë, njerzorë, i matur dhe gjithmonë të buzëqeshur e takon rrugëve të qytetit të Lezhës. Pasi punoi vite të tëra në kooperativën bujqësore të Selitës malore dhe pak kohë minierën e bakrit në Kurbnesh, madje atje thellë në galeri, sepse të persekutuarit “atje e kishin vendin”, sipas porosive të partisë, Viktori atë pak kohë të lirë që kishte kërkonte motive për këngët e tij të bukura që sot janë kthyer në hite. Edhe sot, jo pa emocion, ai tregon për vështirësitë e mëdha në jetë, për gjendjen e mjeruar të familjes, për vëshirësitë e medha dhe rreziqet e shumta në punë. Madje, pikërisht atje në frontin e punës, në mes bukurive të maleve të Kurbneshit, ne gurgullimën e burimeve të Urakës, linden motivet dhe u rritën poezitë dhe këngët e tij.

Këtu u strukturua dhe u botua vite më vonë edhe vepra e tij e parë “E kam shtëpinë e vogël” 1998, në të cilin poeti i njohur përmblodhi disa nga poezitë e tij të rinisë së hershme, duke sjellë para lexuesit motivet e vendlindjes, jetën e fshatit, atmosferën e punës dhe jetën e vështirë të minatorit apo edhe të ushtarit. Shtëpia e Viktorit në realitet ishte e madhe, ashtu si sofra dhe zemra e tij bujare, po i vogël ishte respekti i organeve shtetërore të asaj kohe për njeriun, punëtorin, krijuesin. Puna në bujqësi dhe minierë e kaliti, e njohu me vështirësitë, e rrahu me jetën. Tani ai ka krijuar profilin e tij perfekt, si njeri, si poet, si krijues. Prandaj në fillimet e epokës demokratike zgjidhet për dy mandate Kryetar i Komunës së Kurbneshit, detyrë të cilën e kreu me përkushtim dhe korrektesë, pa lënë menjëanë këngën dhe poezinë.

 Me Viktor Gjikolajn më lidhin shumë faktorë si puna krijuese, jeta artistike, vlerat shoqërore dhe miqësia e hershme. Është nga ata njerëz të rrallë që e vlerësojnë shoqërinë dhe e njohin mirë atë. Ke dëshirë të kalosh pak kohë me të, të bisedosh, të mësosh prej tij. Atje në Lezhë, punoi në administratën e Qarkut, në sektorin e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median. Shpesh ka organizuar dhe ideuar mjaft aktivitete artistike duke pasqyruar punën e mirë të këtij institucioni në fushën e artit. Aktivitetet i moderonte vetë, sepse ishte njeri i artit, i letërsisë. Ka organizuar dhe moderuar dhjetra prezantime librash, ekspozita në pikturë, aktivitete artistike, etj. Madje me inisiativën e tij, u iniciua edhe cmimin vjetor “Gjergj Fishta” në krijimtari letrare. Pikërisht në këtë ambjent të vrullshëm artistik u ngjiz edhe libri i tij i dytë “Shira dhe Ylbere” 2010, me të cilin Viktori tashmë ishte afirmuar dhe kishte zënë vend nderi në letërsinë e shkruar.

Per këtë liber të bukur, Viktori qe nderuar me çmimik kombëtar – letrar “Serembe’ në vitin 2012. Poezitë e tij të bukura ruajnë si margaritarë mallin dhe dashurinë për vendlindjen, Kurbneshin malorë, dikur qytet i minatorëve, sot vend i braktisur, por që poetit i zgjon kujtime të bukura dhe mbresëlënëse. Kjo poezi e trazon shpirtin e tij, por edhe e lumturon atë. Lexojmë poezitë “Kroi i bardhë”, “Te suka e gjollëve”, “Lumi mallë”, “Ka 100 vjet”, “Minatorëve të Kurbneshit”, “Gryka e Selitës”, “Është një mollë në Kurbnesh” etj. Përmes këtyre poezive kundërmon aroma dehëse e vendlindjes, bjeshkëve krenare të Mirditës ku poeti Viktor, u ngjiz si krijues. Poezitë e Viktor Gjikolës mbartin peshën e viteve të mundimshme, jetën plot tallaze të poetit. Çdo varg, çdo tingull ka të pranishëm botën e pasur poetike, grishjen artistike, por dallohet edhe për formën moderne të të shprehurit poetik, për elegancën, ritmin dhe muzikalitetin emocional.

Në poezitë e tij gjen të dashurën, nënën, djalin, bariun, minatorin, malësorin, por edhe kroin, kalin, lulen, lëndinat, lumin, zogjtë, permes të cilave hyn thellë në qënien poetike duke dhënë sublimen, emocionalen apo drithëruesen përmes artit poetik. Poerti ngrihet madhështor, përmes dëshpërimesh, sepse ka karakter të fortë poetik, karakter malësori. E kapërcen ftohtësinë dhe kthehet në zjarr ngrohës kur shkruan poezinë lirike. Lirizmi i tij të rinon, të jep krah, të jep jetë: “. . . Më dritëronin sytë kah binin Ylbere,/ Ecja në shteg dimri me një këngë pranvere,/ Une isha i njomë e ti krejt e re,/ Shekulli i njëzetë – Viti shtatëdhjetë e tre. Seç po vjen nga Lindja, fryn një erë e ftohtë,/ Mbi qërpik më ngrin, lotin tim të ngrohtë…”, ndërsa tek poezia “Dhorkë moj Dhorkë e vogël”, poeti shprehet:

“…Deti leshterikët sillte mbi tallaz,/ Trok i hapit tënd, bregut më ndjek pas,/ Ç’i hip atij kali ngarkuar me ëndrra,/ Mos i thuj ushtarit, atë që t’thotë zemra. Unë zbres nga Mirdita, nga bjeshkët vij unë,/ Kur shkrep syri i çikës, ndizet një furtunë. Eci përgjatë bregut, deti ka tallaz,/ Ç’ke moj Dhorkë e bukur, përse më ndjek pas?!. . . ”Siç shihet, fjalët e tij janë si mineralet e çmuara të nentokës së Mirditës të nxjerra nga galeritë e vështira të Kurbneshit dhe të vendosura në kurorën e maleve krenare, mishëruar në vargje perms krahasimeve, metaforave, simboleve. Kështu, me këtë vëllim poetik Viktor Gjikolaj “betonoi” themelet e krijimtarisë së tij poetike për nje liber të ri poetik edhe më të bukur, më të thellë dhe më me nivel artistik, të cilin lexuesi e ka tashmë në duar.

 Para ca ditësh e takova në lulishten para Pallatit të Kulturës në Lezhë. Si gjithmonë i qeshur, plot humor. Më zgjati librin e tij të tretë botuar kohët e fundit. Mbushur me vjersha, ndjesi të padiskutueshme shpirtërore dhe impresione nga jeta dhe natyra e bukur e vendlindjes. I këndonte poeti Mirditës, rolit të saj në historiografinë kombëtare, vajzës së bukur mirditore, maleve krenare të krahinës së tij, aktit burrërorë të qindra minatorëve të Kurbneshit që për hir të së vërtetës hynin në galeri, por shpesh nuk dilnin, bukurive mahnitëse të trojeve shqiptare, heroizmit të popullit martir kosovar kundër shovinistëve serb etj. Një libër i kompletuar me nivel të lartë artistik dhe me vlera të veçanta njohëse me një titull mjaft domethënës “Amaneti”, një term tradicional, që populli ynë, vecanërisht ai mirditorë e ka përdorur për të transmetuar traditat, zakonet, vlerat krahinore brez pas brezi.

Këtë ka synuar edhe poeti dhe ia ka arritur qëllimit. Janë vargje të bukura, plot bukuri, emocion dhe vlera artistike. “Amaneti” për më tepër është edhe një vepër lapidare kushtuar të madhit Gjokë Beci, poetit të njohur mirditorë, me të cilin Viktor Gjikolajn e lidhnin shumë kujtime dhe mbresa të pashlyeshme. Vëllimi poetik “Amaneti” është konceptuar si përmbledhje me këngë popullore, që autori ka shkruar ndër vite, interpretuar nga solistët më të shquar të ansamblit “Mirdita” dhe vënë në pentagram nga muzikantët më në zë të trevave të Veriut si Mark Gjoka – Mjeshtër i Madh, Kolë Susaj, Servet Caraj, Kolë Zefi, Agim Velaj, kënduar nga solistët më në zë të këngës folklorike të trivet së njohur të Mirditës si Mark Gjoka – Mjeshtër i Madh, Fran Vorfi, Nikollë Deda, Nikollë Preçi, Kastriot Kola, Gjin Dona, Tone Gjoka, Prena Beci, Gjela Duka dhe i mirënjohuri Arif Vladi.

Është një punë padyshim e mundimshme, por që poetit i dha një emër që do të mbetet në kujtesë edhe pas shumë vitësh. pasi këngët e tij janë si ata lulet e bukura të vendlindjes së tij Selitës malore, mbledhur me kujdes nëpër lëndina. Përmes kësaj poezie tejet të bukur, pasqyrohen luftrat shekullore, rolin parësorë të burrave të shquar të Mirditës, përpjekjeve të popullit tonë për të ruajtur dhe transmetuar brez pas brezi gjuhën, zakonet, traditat. Kjo poezi ka sjellë deri në ditët e sotme, madje vazhdon të pasyrojë forma të larta artstike te gjeniu krijues duke sjellë para popullit kurdoherë melodi e ritme të papërsëritshme popullore si dhe vargje, ngjyra dhe motive të mahnitshme. Kështu poet ii madh Viktor Gjikolaj mbetet bard i këngës popullore, mjeshtër i vargut, përvijues i qartësisë, thjeshtësisë dhe lakonizmit të rrallë të krijimit dhe mendimit popullor.

 Poezitë e këtij vëllimi janë produkt i veprimtarisë njerëzore, pasqyrimi i fenomeneve të ndryshme shoqërore, që ndodhin në jetën e përditshme duke dhënë realitetin artistik shoqërorë. Autori, në shumë raste, sidomos para viteve 1990, detyrohej të shkruante dhe të firmoste krijimtarinë e tij artistike, si autor anonim. Për fat të mirë, shumica e ketyre krijimeve janë ruajtur në fondin e artë të muzikologjisë dhe arkivat e folklorit shqiptar. Këngët e “Shtegut të Bjeshkës”, “Në këtë jetë s’ka moshë meraku”, “Brigjeve të Urakës”, “Falmi Zot edhe dy sy”, “Në një mal, dy kedhe vetëm” etj, u kthyen në hit për kohën. Një numër i madh mbledhjesh folklorike nga goja e popullit janë bërë pjesë e volumeve “Mbledhës të hershëm të Folklorit Shqiptar”, nga Instituti i Kulturës Popullore, gjithnjë si autor anonim, por masa dhe specialistët e vargjeve popullore e identifikonin, sepse njihnin stilin e tij. Poezitë e Viktor Gjikolës, janë një tribunë e vërtetë e pasqyrimit të aspiratave dhe vlerave kombëtare të masave, pa mohuar rolin e rëndësishëm edukativ dhe frymën atdhetare.

Kjo poezi është pasqyrim i gjallë i aktualitetit patriotic të ngjarjeve të ndodhura në periudha të ndryshme historike, janë kronikë poetike për dokumentimin e të dhënave historike. Mjafton të lexojmë këngën “Nga Stambolli vjen një letër”, ku poeti thotë: “Nga Stambolli vjen një letër,/ Pyet Prengë Biba kulln e vjetër,/ -N’ato shkrepa, n’ato grigja,/ A ka lanë dimni filiza,/ A vec delet rrinë në mriza,/ Edhe lahutat var në lisa?. . . Ka brof n’kamë Preng Marka Prenga,/ -Sa t’na rrjedhë gjaku ndër rrema,/ Pushkë për shpi, shpi e flamurë,/ Dheun e t’parëve se lshojmë kurrë… ose “Qesin pushke djemt e Selitës”, ku shkruan: “- C’janë kta krisma n’bjeshkë t’Mirditës,/ Qesin pushkë djemt e Selitës,/ Zjarm tek zemrat, flakë tek armët,/ Mbë kët tokë si lajmë nizamët. Mbi Valmor për pa u ngrit flaka,/ Për pa u mbush me gjak Uraka,/ Pa ua u shtërrë gurrat e bjeshkës,/ Nuk kalojnë urditë e nepses…”, bie në se edhe kënga e bukur kushtuar Prengë Markolës bajraktarit të Oroshit, për të cilin poeti ngre vargje lapidare: “…Sa të jetë dita e sat ë jetë moti,/ Se harron t’birin Oroshi,/ Sa ti bjeri dielli tokës,/ Do t’rrojë emir i Prengë Markolës”. Të kësaj natyrë tejet patriotike janë edhe këngë të tjera si “”Nuk e ndrroj vllaun me mbretin”, “Martirëve të Selitës”, “Qielli i Arbnit plot me yje”, “Gjokë Dodë Lleshi si rrem drite, etj, ku u skalitën në artin e këngës, për të mos u harruar kurrë figura patriotësh, luftëtarësh dhe gnjarje me vlera historike.

 Një nga motivet më të spikatura në krijimtarinë e poetit Viktor Gjikolaj është edhe ai i dashurisë. Kush më mirë se mirditori ia ka kënduar kësaj ndjenjë të mrekullueshme njerëzore, që e ka shoqëruar shoqërinë njerëzore ndër shekuj. Janë vargje të thjeshta, plot bukuri artistike dhe emocionale sic është edhe vetë autori i këtyre këngëve plot pathos artistik dhe vlera njerëzore. Dashuria lind natyrshëm, përmes dhe aktivitetit shoqëror, pasi vajza dhe djali vlerësojnë tek njëri-tjetri virtytet më të qenësishme njerëzore. Tek kënga “Brigjeve të Urakës”, autori pasqyron me thjeshtësi lindjen e dashurisë mes dy të rinjve malësorë. “Brigjeve të Urakës fryn veri i hollë,/ Përmbi flakë të vajzës, ra një lulemollë. Zgjati dorën djali, lulen me ta hjekun,/ Pa ty gushëgastare, nuk jam gjallë as dekun. Mos e merr atë lule, se ma kan falë brigjet,/ Merre zemrën time, se për ty po digjet”. Në këtë poezi tepër kuptimplotë, simboli është lulja, ashtu sic janë vajzat e bukura mirditore.

Më tej autori kërkon të sakrifikojë artistikisht për këtë njenjë sublime njerëzore, “Falmi Zot edhe dy sy,/ E të cmallen tue t’pa ty,/ At’rrem floku derdh mbi ballë,/ Gris tek gjoksi këmishën e bardhë,/ Buzët pjeshkë me tu shkri n’gojë,/ Manej deka të vijë kur t’dojë…”, madje kjo ndjenjë fisnikërie e ka shoqëruar mirditorin ndër shekuj. Ja si shprehet poeti për momentin e dasmës mes të rinjve: “Ajo vjeshtë e bardhë,/ Më shfaqet si andërr,/ Ty të bani nuse,/ Mua m’bani dhandërr,/ Dita e bekuar,/ Nuk harrohet kurrë,/ Unë të bana grua,/ Ti më bane burrë…”, por përshkruan edhe mënyrën si lindi dashuria: “…Matanë bregut në një kodër, Cucat korrin grunin,/ Vrik e vrik njaj cucës vogël,/ Djali ja lshon synin…”, ku vlerat shpirtërore ndërthuren me ata njerëzore duke krijuar një model të përkryer shoqërore dhe njerëzorë. Një vend të vecantë në vëllim zënë edhe këngët popullore humoristike të cilat poet ii përpunon dhe jep një nivel të lartë artistic dhe edukativ. Mbështeten këta këngë në realitetin jetësor, duke krijuar atmosferë gazmore dhe vlera emocionale krahas vlerave shoqërore. Ja disa vargje: “…Qeshi plaka ha, ha, ha,/ N’dorën tanë paca ra, Tjetër gja Zotit si due,/ Veç me ty me hokatue. Fjalët s’vonojnë, ulet shamata,/ Kuvendojnë plaku e plaka,/ C’ka tha plaka, e tha plaku,/ Në këtë jetë s’ka moshë meraku”.

Vlera të tilla artistike kanë edhe këngët “Plaku i Lezhës ra n’dashtni”, ose “Kanga e pijetarit”. Vlera të vecanta ka edhe cikli i këngëve të mbledhura në vendlindje që autori i titullon “Kangë që këndohen edhe në Selitë”, ku mblidhen një numër i kufizuar këngësh patriotike, dasme, dhe në vajë të krahinës ku ka jetuar, duke synuar që këta perla të folklorit tonë të ruhen dhe trashëgohen ndër breza. Jashtë vëmendjes së poetit nuk mbeten edhe figurat e njohura të artit dhe skenës qe hodhën themelet e zhvillimit të letersisë dhe kulturës në këto anë. Vargjet kushtuar poetit të paharruar Gjokë Beci, janë tëpër prekëse dhe me vlera të veçanta emocionale, madje edhe ky vëllim duket si një homazh për poetin e madh:”…Amanet kam prej poetit,/ Amanet Gjok Beci m’la,/ Një zambak shkule prej shkrepit,/ Falja qiellit mbi kala…Merr nje shkulm n’gurrat e thella,/ Me legjenda e kangë motmotit,/ I ka rujt Lokja ndër breza,/ Si Kristal me pika lotit…”. Edhe rapsodi i mirënjohur Fran Vorfi vjen në këtë vëllim i përkujtuar në disa vargje mjaft të bukura dhe me vlera, ”Rend nji shqipe n’qiell t’Ndërfanës,/ I thotë diellit, i thotë hanës,/ Dheut të Arbnit, tokës Zotit,/ Nder i dha, kanga e Fran Vorfit. Zani i tij si valë kristali,/ Si fllad bjeshke e ushtimë mali,/ krah për krah me vllazën bashkë,/ E ka shtang kalanë e lashtë…”, duke e bërë rapsodin të kujtohet me nderim dhe respekt ndër breza.

Duhet theksuar se vepra më e fundit e poetit të mirënjohur Viktor Gjikolaj është prirur vazhdimisht në atë lloj poezie ku gërshetohet epikja, lirikja dhe heroikja e popullit heroik të Mirditës. Në tërësi vepra dëshmon për një pasurim të figuracionit poetik që karakterizohet nga vecoritë estetike dhe mënyra direkte e shprehjes së mendimit që dallohet për fuqinë e jashtëzakonshme e mendimit artistik dhe të fjalës poetike dhe të muzikalitetit të vargut. Kësisoji, poeti Viktor Gjikolaj është futur natyrshëm në radhën e krijuesve më të shquar të vendit tonë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Pse Meta sulmon Dumanin? Sot në oren 21.00 në 'Frontline' në Report Tv

Pse Meta sulmon Dumanin? Sot në oren 21.00 në 'Frontline' në Report Tv