“Arkivat e Napolit e Vatikanit zbulojnë qytezat e Varkut e Artivojës në Tropojë”

“Arkivat e Napolit e Vatikanit zbulojnë qytezat e Varkut e Artivojës në Tropojë”

Studiuesi Mark Palnikaj duke eksploruar në rrënojat e Nikaj-Merturit

Profili i Skënderbeut dhe historia e Arbërit mungon në kërkimet arkeologjike. Dokumentet dhe arkivat e ruajtura mirë në Vatikan, Napoli, Dubrovnik, Stamboll e më gjerë nuk mjaftojnë.

Një tjetër histori fshihet nën rrënojat brenda territoreve shqiptare, ku Gjergj Kastrioti Skënderbeu zhvilloi aktivitetin e tij si udhëheqës i principatave të Arbërit dhe i betejave kundër pushtuesve otomanë.

Në dy intervista të njëpasnjëshme në “Shqiptarja.com”, të zhvilluara me arkeologun Skënder Muçaj dhe më pas me studiuesin Mark Palnikaj, është ngritur problemi për rrënojat arkeologjike të paidentifikuara dhe të pagërmuara, që duhet të plotësonin studimin e historisë së Skënderbeut dhe të Arbërit në Mesjetë. Në pjesën e dytë të intervistës me Mark Palnikaj (pjesa e parë u botua një ditë më parë në “Shqiptarja.com”) mësojmë se ka një përputhje të veçantë të rrënojave arkeologjike nga Mati deri në Shkodër e Tropojë me dokumentet e zbuluara në Arkivat e Napolit e të Vatikanit.



Arkivi i Propagandes Fide APF, SC Albania 5, f.95, Relacion i Filipit nga Shkodra, date 8 korrik 1698. Me rendesi per gjetjen e fshatrave arkeologjike

Mark Palnikaj vijon të rrëfejë për “Shqiptarja.com” se çfarë ka zbuluar për pasuritë e terrenit arkeologjik të Tropojës e më gjerë.

Zoti Mark, ju jeni një studiues që mblidhni arkiva nga Vatikani dhe më gjerë. Keni gjetur ju një përputhje të veçantë të këtyre arkivave me rrënojat që ndodhen në terrenet e paeskploruara të arkeologjisë?

-Përputhje të veçantë kam gjetur, sepse në arkivin e Napolit dhe në arkivin e Vatikanit është një dokument me 125 faqe, i cili konsiderohet dokumenti më i rëndësishëm për shekullin e 17-të, që është bërë në vitin 1671. Janë 125 faqe me informacione të shumta, dhe përveç kësaj studiuesi Barth ka botuar 76 dokumente në Arkivin e Vatikanit dhe përveç atyre 76 dokumenteve unë kam marrë edhe 120 dokumente të tjera që hedhin dritë mbi zonën e Tropojës dhe dokumentimi është i bollshëm, ku nëpërmjet këtyre mund të studiohet jashtëzakonisht mirë historia. Por shteti nuk sponsorizon asnjë lekë. Ato janë shumë të kushtueshme. Për shembull për Skënderbeun kam marrë në Vatikan 32 faqe dhe më kanë kërkuar 3986 euro për t’i publikuar, domethënë 103 euro për faqe dhe asnjë institucion nuk i sponsorizon, ndaj jemi pa mbështetje dhe më vjen keq që shteti nuk ka interes për këto dokumente.  

Si e keni mësuar ekzistencën e terreneve arkeologjike?

-Nga të dhënat që kemi, studiuesi nga Austro-Hungaria, Karl Shtainmec (Carl Steinmetz), në vitin 1905 ka kryer disa gërmime të vogla në qytetin e rrënuar të Varkut dhe punimet e veta i ka publikuar në një libër të botuar në vitin 1916 në Sarajevë në gjuhën gjermane. Ky libër dhe këto punime deri tani nuk janë përkthyer. Mbas këtij, deri sot, asnjë arkeolog ose ekspeditë arkeologjike nuk ka bërë punime për zbulimin e të fshehtave që ruan nëntoka e kësaj zone. Mbas botimit të librit për dioqezën e Pultit, iu kërkuam institucioneve shtetërore dhe fetare të na ndihmonin për të vazhduar kërkimet, por askush nuk na ofroi asnjë lloj mbështetje ose ndihme.

Ku ndodhet qyteza e Varkut?

-Qyteza e Varkut ndodhet në lagjen Kotec të fshatit Palç të komunës Lekbibaj. Ajo është rrënuar nga turqit në vitin 1480 dhe rrënojat e saj u fshinë nga faqja e dheut në vitin 1967, duke humbur pjesë me rëndësi të historisë sonë kombëtare. Por nëse do të vinin ekspedita arkeologjike të specializuara dhe të bënin gërmime e kërkime të specializuara me siguri rezultatet nuk do të mungonin. Qyteti i Artivojës, sot rezulton i zhdukur dhe, megjithëse përmendet në shumë punime të studiuesve të ndryshëm, deri sot nuk është përcaktuar saktësisht vendi se ku ndodhej. Nëse kryhen fare pak gërmime në fshatrat Brashtë, Sermë dhe në vendin që quhet Karron në fshatin Salcë të Lekbibajve, pa ndonjë vështirësi do të përcaktohej vendndodhja e këtij qyteti. Në Karron rrënojat duken qartas edhe pa kryer gërmime, por duhen kryer studime nga profesionistët dhe të arrihet në konkluzione shkencore. Rrënoja të dukshme edhe me sy të lirë ka edhe në fshatrat Curraj i Poshtëm, Curraj i Epërm dhe Mulaj. Ato quhen Lami i Qytetit, Qyteti i Grykës së Vogël, Qyteti i Grykës së Madhe, Rrahi i Shehrit, Qyteza, Shkami i Forcesë (Fortesës), etj por askush nuk është marrë me studimin e tyre. Në fshatin Dakaj të komunës së Shalës ndodhen rrënojat e qytetit të Mauriqit. Ky qytet ka qenë shumë i zhvilluar dhe në shkrimet që kemi gjetur thuhet se ky është ndërtuar nga Maorët e ardhur nga Azia e Vogël dhe nga ata e ka marrë edhe këtë emër.

Kur i keni marrë dokumentet, ju i keni diskutuar temat e tyre dhe me historianë dhe arkeologë të njohur. Për herë të parë dalin në dritë?  

-Konkretisht unë kam diskutuar me historianët e periudhës së Mesjetës që në Shqipëri është Pëllumb Xhufi dhe në Kosovë është Jahja Dançolli, siç është edhe Gjon Berisha, që punojnë për mesjetën dhe ata thonë që është ditur që ekzistojnë ato dokumente në përgjithësi, por nuk ka pasur interes nga historianët për t’u marrë me zonën e Tropojës, dhe ndaj ata nuk i kanë përpunuar dhe nuk i kanë tërhequr. Tërheqja është me kosto, sepse kushtojnë shumë, duan kohë dhe “paratë nuk kemi ku i gjemë”, thonë.

Zakonisht Tropoja është përmendur për bukurinë e egër të natyrës, por nuk është menduar shumë se ka edhe pasuri arkeologjike, është interesante kjo që thoni, por kujt mund t’i drejtoheni për ta parë ndryshe historinë e Tropojës?

-Për këtë duhet bërë një apel në të gjitha institucionet, sepse janë pesë qytete të pazbuluara. Mes tyre është qyteti i Artivojës, i cili ndodhet në zonën e Nikaj Mërkurit, është i pazbuluar dhe i paidentifikuar edhe si vendndodhje. Me fare pak investime nga Instituti i Arkeologjisë ose nga Ministria e Kulturës mund të dërgohet një ekspeditë dhe me lehtësi, me njohuritë që kemi për zonën, ne mund ta zbulojmë qytetin. Që në vitin 1905 është gërmuar pak aty, siç thashë më sipër, nga Shtainmec dhe janë gjetur disa gjëra të rëndësishme, dhe që nga viti 1905 nuk pati asnjë interes për gërmime, përveçse në ’67-n, kur s’mund të thuhet vërtetë se është gërmuar, por se është shkatërruar. Kanë humbur shumë gjëra me vlerë atje. Me gjithë shkatërrimin që ka ndodhur, një gërmim i kujdesshëm do të nxirrte të dhëna me rëndësi për qytetin e Varkut. Ajo është një zonë e rëndësishme, shumë e zhvilluar. Ishte një nga zonat ku prodhohej dhe shpërndahej mëndafshi. Kam një dokument të vitit 1416, që tregon për tatimet dhe taksat doganore që paguheshin për eksportin e mëndafshit në këtë zonë.

Cili është motivi që sakrifikoni për të zbuluar arkivat dhe historinë në mënyrë vullnetare?

-Unë kam lindur në atë vend dhe di që ka shumë histori. Historiografia shqiptare ka heshtur dhe Historia e Shqipërisë me katërqind faqe me dy volume e ka përmendur vetëm si emër, dhe ka shkruar vetëm gjashtë rreshta për historinë e asaj zone 2300 vjeçare. Kam parë se kjo zonë është e braktisur. Ndaj unë kërkoj me ambicien për të nxjerrë të vërtetën.

Kam vënë pasurinë time në dispozicion dhe kam shkuar pesë javë në Napoli, në Vatikan. Ato dokumente përpiqem t’i përkthej vetë, sepse trankrptimi dhe përkthimi nga specialistët  është 65 euro çdo faqe, nëse i bënë me pagesë.

Rëndësia historike e studimit të së kaluarës së këtij qyteti për historikun e Shqipërisë është e madhe, por asgjë nuk është bërë deri më sot. Me mundësitë që kemi, me miqtë e pasionuar pas historisë së vendit tonë, ne do ta vazhdojmë punën për të bërë aq sa kemi mundësi për evidentimin e çdo vlere historike të kësaj treve.

Ne iu bëjmë thirrje së pari, organeve të specializuara të Qeverisë Shqiptare, siç janë Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe katedrave të historisë pranë Universiteteve tona që të merren edhe me historikun e kësaj treve, sepse edhe kjo trevë i përket kombit dhe shtetit shqiptar. Zbardhja e të vërtetave që fshihen në nëntokën e kësaj treve do të jetë një kontribut i madh për historinë tonë dhe një provë e pa kundërshtueshme e përpjekjeve të historianëve në luftën e tyre kundër falsifikatorëve të historisë, në dëm të interesave të kombit shqiptar dhe të historisë së tij.

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dhoma e Përfaqësuesve voton këtë javë për ndihmën për Ukrainën dhe Izraelin

Dhoma e Përfaqësuesve voton këtë javë për ndihmën për Ukrainën dhe Izraelin