Arrestimi, burgimi, internimi dhe harrimi historik i Fetah Butkas

Arrestimi, burgimi, internimi dhe harrimi historik i Fetah Butkas

Baba Zylfo dhe Sali Butka ulur, në këmbë Sabri Panariti, Fetah Butka dhe Muharrem Butka

Në rast se tek vëllimi i parë i “Veprave” të tij Enver Hoxha e pati cituar Safet Butkën nëntë herë (sigurisht për keq), emri i Fetah Butkës nuk pikaset në asnjë faqe. Mirëpo tek libri me kujtime “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” Hoxha i godet që të dy. Tek libri tjetër me kujtime “Kur lindi Partia” nuk ka asnjë fjalë për Safetin, por kjo nuk ndodh për Fetahun. Në faqet 279-280, tek analizon “Grupin e Zjarrit” mëshon edhe këto fjalë kërcënuese: “Kjo “parti” e kalbur mbante në gji plehra të njohura, si Andrea Zisin, Niko Xoxin, Aristidh Qendron, Hysni Lepenicën, Fetah Butkën dhe të tjerë, që në realitet ishin agjenturë e fashizmit”.

Kur u shkruan këto rradhë me akuzë të rëndë me ligjet e kohës të barasvlefshme me pushkatim, Fetahu pati ndërruar jetë që në 1978. Ja pse mund të thuhet se nipi i Sali Butkës dhe vëllai i arkitektit të shumë njohur në Shqipëri, Turqi, Egjipt dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fund të viteve tridhjetë edhe kryetar i bashkisë së Tiranës, Qemal Butkës, përbën një figurë të rëndësishme të historinë lokale të Korçë-Kolonjës, por edhe në atë nacionale. Të qe hiç Enver Hoxha as kishte për ta përfillur.

Ndërkohë që për një gjysmë shekulli roli i Fetah Butkës u fshi nga kujtesa kombëtare, madje u shkel dhe u shtyp brutalisht, harrimi vijoi edhe pa rënies së “diktaturës së proletariatit”. Nuk ishte thjesht inerci.

Në vetëm këto dy faqe të “Shqiptarja.com” do të mundohemi t’i paraqitim lexuesin një përvijim të shkurtër të kësaj dhune shtetërore gjatë një regjimi të mbyllur dhe shmangieje përgjatë regjimit të tanishëm të hapur për ta mbajtur larg një monopoli trashëgimie të emrit të mirë të familjes Butka dhe themeluesit të këtij reputacioni, Saliut. 

“Në ditët e para të shtatorit, shkruan në kujtimet e tij Fetahu, më vjen në Butkë Taqi Skëndi dhe më thotë: “Të kam sjellë një ftesë për të marrë  pjesë në konferencë, në Pezë, dhe je i vetmi nga Kolonja. Aty marrin pjesë edhe nacionalistë, zogistë e ne. Kjo bëhet për një bashkim në luftë të përbashkët”. Nga Korça për në Pezë u nisa me Nexhip Vinçanin. Qëndruam dy ditë”.

Ftesa thoshte:

“5 shtator 1942

I ndershëm Zotni,

Në këtë çast të rëndësishëm për vendin t’onë, ku historia e popullit shqiptar po shkruhet me gjak dhe kur gjithë bota ësht’ në luftë, ne kemi vendosë të mbledhim një konferencë të Shqiptarëve të ndershëm që duan të luftojnë për lirinë e vendit.

Populli shqiptar që ka për traditë luftën për liri, duhet sot kur ka për aleat gjith popujt e shtypun dhe aleancën e madhe të tre popujve të mëdhenj e ma të organizuem të botës-Amerikën, Ingliterën dhe Bashkimin Sovjetik-të mos qëndrojë mbrapa, po t’i përvishet me hov dhe pa humbur kohë luftës për lirinë e vet.

Në këtë luftë duhet të marrë pjesë i gjithë populli shqiptar i bashkuem si një bllok, pa dallim klase, feje e tendence politike,

Kemi një armik të përbashkët, të gjithë duhet të bashkohemi dhe nën hijen e flamurit Kuq e zi të Skënderbeut t’a çojmë popullin shqiptar në liri.

Duke pas besim në ndershmërinë e patriotizmin t’uaj jemi të sigurt se ju nuk do të mungoni me marrë pjesë në këtë mbledhje me rëndësi historike për popullin shqiptar.

Konferenca do të bëhet në PEZË TË MADHE më 14 shtator 1942.

Me përshëndetje shqiptare

KËSHILLI INISIATOR për mbledhjen e Konferencës për ÇLIRIMIN KOMBËTAR”.

Sipas këtyre kujtimeve, në Pezë “u takuam me shumë nacionalistë të ardhur nga Tirana dhe nga mjaft vende të tjera. Në mbarim të ditës u hap një debat i madh nga propozimi për të shpallur Abaz Kupin e Mestan Ujanikun për dekorim. Futja e Mestanit u kundërshtua me të madhe. Enveri këmbëngulte se nëpërmjet tij nxirrte luftën e tij. Në këtë grindje e kish marrë fjalën edhe Fetahu: “Unë për Abazin jam dakord se ka aktivitet të gjatë që nga 7 prilli i Durrësit deri sot, ndërsa për Mestanin ka kohë se ky do të krijojë xhelozi e në letrat e tjera që kanë dalë. Enveri e pranoi këtë duke parë rezistencën e shumë njerëzve”.

Një fragment i dytë shpjegon se ditën e dytë të mbledhjes qenë mbldhur tek një familje pezake shumë nacionalistë dhe patën thirrur edhe Fetah Butkën. Ata kishin thënë: “Të kini kujdes nga kjo lojë komuniste dhe për këtë ta studiojmë më mirë me Mit’hatin e nacionalistë të tjerë në Tiranë”. Një episod i tretë nga konferenca: “Ditën e  dytë më thërresin në shtëpinë e Shyqyri Pezës, kushëri i Myslim Pezës, por me shumë respekt nga të tjerët, se Myslimi e shumë të tjerë nacionalistë. Këtu vendosëm që të mos bashkoheshim, se në Pezë qe edhe Miladini, “një jugosllav që Enveri merr udhëzime nga ay e na flet ne. Ne s’mund të punojmë me jugosllavët”. Ju thashë “Të bëjmë bashkim për luftë të përbashkët, jo për mendimet e njerëzve, komunist o tjetër. Bashkim vetëm për luftën e çlirimit të Shqipërisë”. Disa folën e më pas morën fakte mbi formimin e PK nga jugosllavët e komunizmin. Mësova shumë gjëra, por edhe u turbullova më shumë”.

Në vazhdim: “Mbas dy ditësh erdha në Tiranë. Xhemali Meçja, Xhelal Rusi e Vasil Konomi në shtëpinë e Xhelalit më qortuan që pse vajta pa pyetur ata, se nga “Zjarri” nuk ishin thirrur. Sa mbaronte njeri fillonte tjetri. Unë ca e kisha mendjen me Pezën, siç tregoj më lart, e ca këta më nxehën: “Mor kush jeni ju që më kërkoni kaq llogari?” “Jemi miqtë e tu, thotë Vasili, e ne të quajmë tonin, Zjarrist”. “Po, jeni miqtë e mi dhe kam pranuar të punoj me ju, por unë s’e njoh as komunizmin tuaj dhe as të atyre. Unë jam shqiptar e dua çlirimin e Shqipërisë e jo komunizmin”. Dhe u ngrita të dal. S’më lanë të tre, filluan ndryshe e më vonë më thanë të dërgonin në çetën time Andrea Varfin, Hamdi Frashërin, nipin e Medi Frashërit, oficer, Meleq Gostinishtin e Kapo Frashërin. Për Andrean ta bëja komisar ja u pranova dhe u nisa për në Butkë”.

Sërish episod nga kujtimet e Fetah Butkës: “Mbas këtyre takohem me Mitat Frashërin, i cili kish dijeni për Kreshovën dhe Pezën. I tregova edhe për takimin me zjarristët. Vendimet e Kreshovës dhe pranimin e zjarristëve e pëlqeu, por më porositi që “Ki kujdes, se zjarristët kanë qëllimet e tyre dhe Andrea është i përgatitur dhe me kulturë!”

Një dosje për Konferencën e Pezës, e cila ruhet në Arkivin e Shtetit, është hapur në maj 1963 dhe ka numrin 1. Ndodhet tek Fondi 40. Prej saj mësojmë se në 22.9.1959, në kuadër të rregullimit të arkivit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, arkivit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës i është dërguar një listë me emrat e delegatëve, e cila është hartuar nga kujtimet e Haxhi Lleshit, të Ramadan Çitakut, Koço Tashkos dhe Myslim Pezës. Me këtë rast arkivi i Kuvendit i lutet atij të Partisë që kjo listë të verifikohet dhe më pas t’i ridërgohet me të dhënat më të plota që kanë ata. Por pikërisht në këtë dosje gjendet edhe një listë tjetër. Ajo është vetëm një fije letre, e daktilografuar. Në fund të saj, shkruar me bojë stilografi, ka të shënuar datën “23 maj 1960”.

Në të radha e rreshtimit të delegatëve prej komunistëve dhe nacionalistëve nis me Enver Hoxhën. Më pas vijojnë Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Koço Tashko, Nexhmije Hoxha, Nako Spiru, Baba Faja, Dr. Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Ndoc Çoba, Abaz Kupi, Halim Begeja, Ramazan Jarani, Naim Starova, Ismail Petrela, Ramadan Çitaku, një partizan i çetës së Pezës (përfaqësues i fshatarësisë). Kjo do të thotë plot 17 vetë.

Kur rreshton emrat e Skënder Muços dhe të Hazis Çamit shton se ata “Erdhën me vonesë, por u solidarizuan me punimet e Konferencës”. Mustafa Kaçaçin e shënon “si dëgjues”.

Më poshtë në fletëlistën e ruajtur, nën kreun “Nuk muarën pjesë në Konferencë”, gjenden teksti “1. Lumo Skëndo (kishte dërguar si përfaqësues Halim Begejën), 2. Skënder Muço (erdhë me vonesë), 3. Azis Çami (erdhë me vonesë), 4. Musa Puka, 5. Kamber Qafmolla”.

Më poshtë nën shënimin “Kanë marrë pjesë pa të drejtë vote” ndodhet ky reshtim personash: “1. Mustafa Kaçaçi 2. Sekretar i çetës së Pezës – Pandi Dardha (është vrarë) 3. Një partizan nga çeta e Pezës”. Në të ndarën “Këshilli Antifashist Nacional- Çlirimtar” rreshtohen një për një “1. Kamber Qafmolla Kryetar, 2. Mustafa Gjinishi sekretar, 3. Enver Hoxha anëtar, 4. Dr. Ymer Dishnica anëtar, 5. Myslim Peza anëtar, 6. Ndoc Çoba anëtar, 7. Abaz Kupi anëtar”.

Emri i Fetah Butkës, nën çdo lloj statusi të qe, nuk përmendet fare. Ndërkohë prej disa historishkruesve, njerëz të Nacionalçlirimtares apo edhe të Ballit Kombëtar (si sekretari i kësaj organizate Faik Quku) thonë se në Konferencën e Pezës ishte Muharrem Butka, i biri i Sali Butkës që u lidh me komunistët. Këtë sajim e gjen edhe në enciklopedinë online Wikipedia.

Kështu shfarrosja e faktit real bëhet e plotë.

Një letër qortuese për udhëheqjen e Ballit Kombëtar

Në kujtimet e tij Fetah Butka nuk thotë asnjë fjalë për një letër që ka shkruar në fund pranverë të vitit 1943, ndoshta në muajin maj ose e shumta qershor. Këtë dëshmi të veçantë e ka gjetur historiania Sonila Boçi. Ndodhej në Fondin e Këshillit Nacional Çlirimtar të Qarkut të Korçës, strehuar në ndarjen për krahinën e Mokrës. Janë pesë faqe të shkruara me dorë. Në fletën e parë, treguesen, të shkruar prej Fondit të Këshillit Nacional Çlirimtar të Qarkut të Korçës thuhen pa ndonjë respektim drejtshkrimor, këto fjalë: “Përmbajtja: Letër e Feta Butkës komandanti i çetës zjariste dhe Ballit Kombëtar ku deponon mbi organizimin e çetave balliste në qarkun e Korçës prej tij, mbi Safet Butkën, luftën kundër okupatorit fashist e njofton se largohet nga organizata e Ballit Kombëtar kur mësoi qëllimet e saj reaksionare etj dhe bashkohet me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Gjithashtu njofton se komisari i kësaj çete Andrea Varfi largohet prej çetës dhe për pasojë edhe prej Ballit Kombëtar”. 

Letra nis kështu: “Duke pasur gjithnjë dhe kurdoherë përpara-sysh të mirën e kombit, i bindur se vetëm me bashkimin e plotë të forcave të popullit, pa dallim idesh, mendimesh e simpathish, drejt një ideali të përbashkët dhe një qëllimi të lartë që është shlirimi i Shqipëris prej armikut, dyke ndjekur pikërisht udhëzimet e Qëndrës dhe të organit të “Ballit kombëtar si Lufta e Shlirimit Kombëtar” që thërret kurdoherë për bashkim, për vëllazërim dhe për luftë kundër armikut, për formimin e një Shqipërie jo të plogët dhe feudale, por të lirë dhe demokratike, të qeverisur jo prej dallaverexhinjsh dhe tregtarë flamujsh por se prej njerëzish të ndershëm dhe të provuar për kuxim dhe patriotizmë, unë Fetah Butka me të gjithë fuqit dhe mundësitë e mija jam përpjekur, që kurse kam dalur në ilegalitet bashkë me çetën t’ime të ve në sbatim programin e mësipërmë”.

Vijon më poshtë: “Që prej muajit Janar e gjer më sot kam vizituar dhe kam propoganduar në rrethin e Kolonjës në këto fshatëra..., Në rethin e Korçës..., Në rethin e Gorës..., Në rethin e Oparit..., Në rethin e Mokrës...

Janë mbi gjashtëdhjetë fshatra në të cilat Fetah Butka deklaron se ka vepruar për të mobilizuar popullin në zbatim të vijës së Ballit Kombëtar për bashkim dhe vëllazërim me komunistët dhe këdo tjetër të gatshëm për luftën kundër pushtimit të huaj.

Në letrën e tij platformë por edhe kredo politike, po ashtu ai shënon: “Kam formuar këto çeta: ....

Janë pothuaj njëzetë çeta të ngritura në këmbë me nismën e Fetah Butkës

Në letrën e tij ai qortpon pasaktësinë e shtypit të Ballit Kombëtar: “Anarki në propogandim. Njëri i bije gozhdës, tjetri patkoit. Jemi të mejtimit se po nuk u ndryshua mënyra e propogandës, e cila sot-për-sot ka një karakter thjesht antikomunist, dyke shkelur krejtësisht direktivat që shprehen në programin dhe shtypin e Ballit Kombëtar (Shif f.v Lufta e shlirimit Kombëtar, Nr.4, vit I, Fruar 1943) që janë për bashkim të plotë të forcave shqiptare pa asnjë dallim ideologjie, ne në vend të një veprimi patriotik, do të harijmë pa derman në vëlla-vrasje dhe pse në tradhëtim dhe njollën më të zezë që do të përmendë historija e Shqipërisë së lirë”. Dhe pasi qorton organet eprore të Ballit Kombëtar këmbëngul: “Si përfundim: Unë pyes dhe kërkoj përgjigje:

a) a jemi sinqerisht për bashkimin e popullit shqiptar në luftë kundër armikut....? b) Përse nuk demaskohen me shtyp dhe përpara popullit intrigantët, njerëzit e falimentuar, kompromisaxhinjtë, dhe bashkëpuntorët e Qeveris tradhtore të Maliq Bushatit, të cilët dita ditës përçajnë popullin dhe paraqiten kudo si pjestarë të organizatës “Balli Kombëtarë”?”

Menjëherë pas kësaj Fetahu deklaron soleminisht: “Luftoj si shqipëtar dhe si bir i popullit. Po kështu luftojnë dhe shokët e mi.

Bashkë me ‘ta kemi për të luftuar pa pushim gjersa më në fund mbi tokën e shumëvuajtur të Arbërit të shkrepë rezja e lirisë dhe e drejtësisë.

Rroftë Shqipëria e lirë!

Fetah Butka...”

Ditën e shënuar të Flamurit, më 28 nëntor, Fetahu do ta festonte në një klub të qytezës së Maliqit. Ishte me tre kolonjarë të tjerë si edhe dy oficerët nga Skrapari. Qenë të pestë prej atyre që kishin braktisur formacionet luftarake jo komuniste dhe bashkuar me partizanët. Kur dolën jashtë i rrahu një erë e lehtë dhe kjo i bëri të ndiheshin edhe të shpenguar. Ndërsa që të pestë ecnin dhe po bënin humor me njëri-tjetrin, përballë u ndeshën me një shok të tyre, N. S., i cili qe bashkë me dy partizanë. Nesimi ishte prej dikur njësive jo të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Qenë të hipur mbi biçikleta dhe po shkonin për në Korçë. U përshëndetën mjaft miqësisht dhe shkëmbyen shkurt fjalë të ngrohta. Fetah Butka kur e pa Nesimin me yll të kuq në ballë vuri buzën në gaz, më shumë nga e papritura. I tha: “Qënke bërë komunist!” Aty për aty tjetri nuk shqiptoi asnjë tingull pakënaqësie, por kur u kthye në Korçë ia raportoi një për një ngjarjen Nevzat Haznedarit, më të ashprit eksponent komunist që kishte jo vetëm Korça dhe Kolonja, por edhe tërë vendi.

Të nesërmen, më 29 nëntor, ditën kur u njoftua se qe çliruar edhe qyteti i Shkodrës dhe me këtë edhe tërë Shqipëria, një skuadër partizanësh u shkuan në banesë dhe i çarmatosën që të pestë. Ishte mëngjes. I lidhën me litar dhe i transportuan për në Korçë, drejtpërsëdrejti në burg. Një ditë më në fund i thanë edhe akuzën: kishte vrarë pa dashje në fshatin Desnik një luftëtar të çetës së tij, bashkëfshatarin A.L. dhe pas kësaj i qe fshehur përgjegjësisë. Kjo nuk ishte e vërtetë. Ajo vetëvrasje pa dashje gjatë kontrollit rutinë të armës, nuk kishte të bënte fare me të. As pati qenë i pranishëm, ndodhej në një fshat tjetër.

Gjyqi kundër Fetah Butkës u bë në fundmars 1945. Gjatë procesit dëshmitarët në favor të tij nuk u lejuan të flisnin. U dënua me pushkatim. Pas shumë ndërhyrjesh për të sqaruar të vërtetën, u ndëshkua me burgim të përjetshëm. U mbyll në burgun e Burrelit sapo ky u hap. Në vitin 1956, pas edhe një amnistie, Fetah Butka më në fund u lirua. Pas disa muajsh i erdhi masa e internimit: një pasmali afër Borshit. Pasi e përfundoi periudhën e internimit u vendos fillimisht në Lushnjë, ku në estradën e qytetit i punonte vajza. Kur kjo u transferua në teatrin e Fierit, pas plenumit të tretë të PPSH, në 1974, u dëbua përfundimisht nga puna.

Atëherë Fetahu i shkroi një letër Enver Hoxhës. Kërkoi takim sqarues përse vijonte pa fund ndëshkimi i familjes dhe i tij pa kryer asnjë faj. Më në fund i erdhi përgjigja të vinte në Komitetin Qendror.

Shkoi, por nuk e pritën. As edhe e futën në godinë.

Ndërroi jetë në 8 prill 1978.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet