POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Ekskluzive/ Artan Fuga: Mbledhja e datës 10 janar në Akademi të Shkencave, puç institucional

Akademiku Artan Fuga bën publike platformën, që ka dorëzuar në Ministrinë e Arsimit, që prej muajt maj të vitit 2018-të. Në një bisedë telefonike nga Franca për “RepotTV” profesori ndalet tek disa nga pikat, ku nuk pajtohet me platformën e prezantuar nga grupi i punës që ngriti Ministria e Arsimit, që kryeson nga akademiku Skënder Gjinushi.

Profesor, ju sapo keni publikuar platformën (projekt-ligjin) që propozoni për reformimin e Akademinë e Shkencave. Por a është dorëzuar kjo platformë në Ministrinë e Arsimit, nëse po, kur?
Është dorëzuar në format elektronik dhe në letër në protokollin e Ministrisë së Arsimit. Është depozituar në mënyrë zyrtare, që prej muajit maj.

Një nga pikat e platformës suaj shkruani, “Statuti i Akademisë hyn në fuqi pasi firmoset nga ministri i arsimit për të shmangur konfliktin e interesit kolektiv midis akademikëve”. Përse pikërisht nga Ministria e Arsimit?
Për arsyen, sepse unë siç ju kam thënë në taktikat e Akademisë ka një lloj administrimi brenda anëtarëve të Asamblesë. Çfarë ka sjellë kjo? Kjo ka sjellë që asambleja të hyjë në konflikt interesi, që do të thotë të ndërtojë ato procedura edhe ta mbajë statutin në atë mënyrë, siç i intereson një ekipi drejtues apo një grupi donimues brenda Asamblesë. Unë mendoj se duke vendosur këtë nen, që është Akademia si autonome sigurisht, që bën statutin e vet, ka një detyrim që këtë statut ta ketë të njohur edhe të rinjohur, të miratuar nga një fuqi ekzekutive. Unë them që në nivelin e ministrit të Arsimit do ishte mirë, por mund të jetë edhe në nivelin e kryeministrit, kjo nuk ka rëndësi.  Rëndësi ka që një institucion publik që funksionon me fonde publike, duke e ruajtur pavarësinë të ketë mundësinë edhe që të prodhojë një dokument bazë, i cili të miratohet nga fuqitë publike. Ndryshe ne rrezikojmë të ndodhemi para këtij problemi, që ligjin për akademinë e bën parlamenti, ndërkohë mund të kemi një statut që e bëjnë akademikët brenda, aq sa kanë ngelur, një grusht kanë ngelur. Edhe askush nuk na siguron që vërtet ky statut e zbërthen si duhet ligjin. Edhe e fundit, për arsye krahasuese. Nëse shihni Ligjin për Arsimin e Lartë, do të shihni se statutet e universiteteve në kuadrin e autonomisë së tyre i bëjnë senatet, i bëjnë strukturat universitare, por ministri i Arsimit bën një miratim, për të zbardhë përputhjen me ligjshmërinë.

“Akademikët, me përjashtim të dy anëtarëve të kryesisë që i cakton vetë kryesia nuk do të punojnë në administratën e akademisë. Ndahet realisht administrata nga asambleja e akademisë”. Ku konsiston kjo pikë?
Ne sot kemi shtatë anëtarë të asamblesë, të cilët janë të punësuar në strukturat e brendshme të Akademisë, që sigurisht janë vende që drejtojnë punën shkencore, por janë administrative. Kryetari, nënkryetari, sekretari, kryetari i seksionit, sekretari i seksionit etj. Unë mendoj se në këtë mënyrë, çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që ky grup prej shtatë anëtarësh që janë të punësuar në administratë krijojnë në mungesë funksionimi. Ku nuk dallohet mirë se ku është organi ekzekutiv edhe ku është Asambleja. Aq më shumë këto në fondin e pagave kanë një disbalancë, midis fondit të pagave, që shkojnë për anëtarët e Akademisë që punojnë në administratë edhe tërë fondit të pagesave që bëhet për të gjithë anëtarët e tjerë të Akademisë. Asambleja e ka shumë të vështirë që të gjykojë jashtë konfliktit të interesit. Çfarë mund të them unë, kur kryetari i Akademisë sot edhe kryetari i Akademisë edhe kryetari i këshillit ekzekutiv të Akademisë është edhe kryetari i këshillit të botimeve edhe merr honorarë për të gjitha këto. Konflikti i interesit është i jashtëzakonshëm. Çfarë mund të them unë kur edhe sekretari shkencor i një seksioni sot është anëtar i Asamblesë, që në fakt duhet që të jetë në shërbim të akademikëve. Unë mendoj se për t’i zhveshur anëtarët e Asamblesë nga konflikti i interesit, nga burokratizimi, administratën ta drejtojnë administratorët edhe të tërë anëtarët e Akademisë, duke përfshirë edhe kryeson me përjashtim të një apo dy vetëve, mund të jenë me kohë të plotë pune, madje jo medomoes edhe kryetari.

“Akademiku del në pension krahas me daljen në pension si profesor. Atij i akordohen jo më shumë sesa dy vjet të tjerë përtej moshës të pensionit për të kryer veprimtari si “akademik”, pa u konsideruar si “akademik në pension”, por vetëm mbi bazën e një projekti të rëndësishëm reflektues mbi veprimtarinë e tij shkencore”. Çfarë syoni me këtë pikë, kur nga akademikët tanë e kanë kaluar këtë moshë?
Në institutet e sotme shkencore edhe në universitete ku aktualisht zhvillohen puna shkencore, puna shkencore zhvillohen kryesisht e integruar në grup edhe jo vetëm, këta kërkuesit shkencorë edhe profesorët në Shqipëri dhe jo vetëm dalin në pension në moshën 65 vjeç, ndërsa vazhdojnë që të jenë anëtarë të akademisë deri në moshën 75 vjeç, pra 7-8 vitet e  fundit akademiku, anëtari i asamblesë nuk është më i integruar në punën shkencore. Brenda një kohe të shkurtër ai e sheh veten jashtë strukturave të kërkimit shkencor në Shqipëri edhe nga ana tjetër duhet që të pretendojë, që ai është në forumin më të lartë të drejtimit të punës shkencore në Shqipëri apo të strategjive të kërkimit shkencor, në atë kur ai është jashtë sistemit. Kjo sjell në radhë të parë, faktin që Asambleja plaket. Anëtari i Asamblesë edhe akademiku në këtë periudhë kanë një krijimtari kërkimore shkencore origjinale shumë të dobët. Nuk drejton më kërkim shkencor, sepse ka dalë në pension. Si do të vazhdojë që të jetë ky anëtar i Akademisë së shkencave funksional, kur ka dalë në pension në institut? Prandaj unë them në momentin që del në pension në institut, laborator, universitet etj., del edhe në pension edhe në Akademi me një diferencë dy vjet, por jo më shumë, se pastaj bëhet parazit. Nëse shihni kërkimin shkencor të Akademisë do të shihni se është jashtë ekipeve, jashtë drejtimit të kërkimit shkencor, atje ku drejtimi shkencor bëhet. Dy vjet mjaftojnë. Për çfarë? Për të bërë sintezën e punës shkencore që ka bërë gjithë jetën. Dy vjet mjaftojnë për të lënë atë që thuhet, traktatin e fundit të reflektimit të tij, edhe pastaj të vazhdojë punën e tij, por në pension.

“Zëvendëskryetari zgjidhet nga Kryesia dhe jo nga Asambleja që të mos ketë dyzim drejtimi, as solidaritete të sëmura, ose rrotacione farsë”. Përse e sugjeroni këtë?
Po, sepse dihet që prej 15 vitesh në Akademi kryetari bëhet nënkryetar, nënkryetari bëhet kryetar, kryetari bëhet nënkryetar edhe pushteti mbetet tek disa njerëz, futet në ujëra të kalbura edhe kalbëzon gjithë sistemin siç e ka kalbëzuar. Atëherë ka një zgjidhje kjo shumë të mirë.

Cila është?
Është që kryetari zgjidhet nga Asambleja. Por kryetari i Akademisë nuk është edhe administratori i Akademisë siç është sot, sepse unë parashikoj që të ketë një administrator Akademia, që të përcaktojë pikërisht administrimin financiar të përditshëm etj., me radhë të Akademisë edhe kryesia të zgjedhë nënkryetarin, që të merret në një kuptim më të ngushtë me funksionimin e kryesisë. Edhe në vend të kësaj, unë propozoj pesë figura kryesore në asamble, që janë të zgjidhshme, të rinovueshme, që janë kryetarët e seksioneve të asamblesë, që sot nuk ekzistojnë, propozoj që asambleja, nga një asamble Akademi e Shkencave, nga një asamble që është marrë peng edhe sot po të shikosh nga 30 anëtarë, që duhet të ketë të rregullt asambleja, ka 28. Edhe nga 15 të asociuar nga pesë apo gjashtë, pra nuk janë më shumë se 35 veta, ndërkohë që duhet që të jenë 45. Unë jam që Akademia nga një grup i vogël njerëzish brenda vetes që nuk japin edhe as marrin me shoqërinë, as me shoqërinë brenda në Shqipëri, as me institucionet shtetërore në Shqipëri, as me Akademi perëndimore unë them që akademia të hapet tek shkencëtarët shqiptarë, prandaj në projektin tim kemi së paku krijimin e 100 vendeve, të akademikëve korrespondentë, sipas tërë praktikave botërore nga Italia në SHBA nga Franca në Belgjikë, nga Anglia në Novergji, ku pa harxhuar fonde të kthehet Akademi e Shkencave e në një shtëpi të përbashkët të intelektualëve, kërkuesve shkencorë, universitarëve të lartë, në kuadrin e kërkimit shkencor, pra në një shtëpi të përbashkët, ku gjithë mendja e kombit të sjellë prurjet e veta, jo për të bërë shkencën siç është sot, apo e koncepton projekti rival. Shkenca bëhet në laboratorë, apo institute kërkimi, por kjo shtëpi të jetë e hapur për dhjetëra e qindra intelektualë, që me statusin e akademikut korrespondent të kenë mundësi që të bashkëpunojnë me pushtetin ekzekutiv, me tërë shoqërinë, në mënyrë që të përgatitet strategjitë e kërkimit shkencor në Shqipëri.

“Burimet financiare të Akademisë kanë burime të pluralizuara dhe gradualisht synojnë të rrisin buxhetin autonom të Akademisë fituar nga buxhete shërbimesh dhe projektesh, në krahasim me grantet shtetërore. Dhe Granti buxhetor i ardhur nga shteti shqiptar figuron si zë më vete në buxhetin e aprovuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Përsa më sipër Akademia bën një raportim vjetor në Komisionin përkatës të Kuvendit”.  Si mund të realizohen këto?
Asnjëherë asnjë anëtarë i Akademisë apo një kërkues shkencor nuk thotë, që ka boll fonde që vijnë nga buxheti publik për akademitë, universitet, institutet kërkimore etj. Edhe unë do të sugjeroja që këto gradualisht të rriten. Por nuk është ky problemi. Mënyra se si e shtron sot Akademia këtë, është një mënyrë manipuluese edhe që fsheh keqmenaxhimin e parasë publike, që është bërë deri tani. Unë për këtë arsye i ripërsërisë Ministrisë së Arsimit, Kontrollit të Shtetit, vet zotit Rama që të dërgojë auditin për të parë keqmenaxhimin e fondeve publike nga ana e Akademisë së Shkencave në vitet e  fundit. Ky është problemi. E para ato fonde që janë të përdoren në mënyrë racionale, optimale edhe ashtu siç duhet me transparencë. Të mos abuzohet edhe mos të ketë disbalancime në përdorimin e këtij buxheti. Sa është fondi i pagave që shkon për administratën në Akademinë e Shkencave për të gjithë administratën, plus për shtatë anëtarët e Asamblesë, shtatë akademikët që punojnë me kohë të plotë pune, edhe pastaj sa harxhon Akademia e Shkencave për projekte të mirëfillta të natyrës shkencore. Do të shihni një disekuilibër që do t’ju trembë. Të zgjidhim këtë njëherë. Ta bëjmë Akademinë jo vetëm të kërkojë, por edhe të ketë produkt që ta komercializojë, që t’i thotë ministrisë që: Kam një raport vjetor për kërkimin shkencor.

Zoti kryeministër e ka thënë disa herë, se çfarë fondesh tërheq Akademia e Shkencave nga buxhetet europiane për kërkimin shkencor? Pra kështu shtrohet çështja. Jo sikundër e shtrojnë njerëz të mykur që kanë marrë peng Akademinë e Shkencave edhe që duan ta marrin peng me mbledhjen e datës 10 janar në kundërshtim me statutin e Akademisë, duke organizuar zgjedhje për Akademinë me një numër të reduktuar akademikësh, pa u bërë ligji për reformimin. Përse? Për të rrëmbyer pushtetin akademikë, në mënyrë që Akademia të mbetet ashtu siç është. Edhe në momentin që mbetet ashtu si është: Ç’kuptim ka, që thua që nuk kam para prandaj s’mundem që të jem në një model më të mirë. Jo madje të ndërtojmë një model më të mirë edhe të menaxhojmë se si duhet buxhetet publike.

Dhjetë anëtarë të Akademisë kanë firmosur një kërkesë drejtuar këshillit drejtues, që të bëhet një mbledhje e Asamblesë, ku do të diskutohet për datën e zgjedhjeve. Si e vlerësoni këtë?
Ka një shkresë zyrtare, nga zoti Vasil Tole, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave edhe nga dy përgjegjësit e seksioneve në Akademi që lajmërojnë në mënyrë krejt zyrtare, që në datë 10 janar do të bëhet mbledhja e Asamblesë së Akademisë së Shkencave për të përcaktuar renditet, periudhën që do të jetë brenda shkurtit, të caktimit të datës së zgjedhjeve, ngritjen e komisionit zgjedhor edhe kalendarin e  prezantimit të platformave për zgjedhje. Pra është një mbledhje që kërkon që brenda shkurtit të bëhen zgjedhje.  Kjo mbledhje është një puç institucional, një tentativë e shëmtuar e një grup njerëzisht për të rrëmbyer edhe një herë drejtimin e Akademisë së Shkencave pa pritur reformimin e saj, njerëz të cilët kanë pasur detyrë që të reformojnë Akademinë e Shkencave, një mbledhje që është në kundërshtim me tërë statutin e Akademisë, e paligjshme, ku i njëjti grup njerëzish kërkojnë që të mbajnë peng Akademinë, duke i bërë sfidë pushtetit ekzekutiv, kryeministrit, komisionit parlamentar, të arsimit edhe edukimi, vet ligjëvënsit shqiptar, tërë shoqërisë shqiptare që pret reformimin.

Unë po ju them se të gjithë ata që do të marrin pjesë në atë mbledhje, do të jenë me dëshirë apo pa dëshirën e tyre, pjesëtarë apo të manipuluar në një takim të paligjshëm, që përbëjnë një puç institucional. Ajo shkon në kundërshtim me statutin e Akademisë? Kush është në gjendje që ta thërrasë asamblenë e Akademisë së Shkencave, veç kryesisë. Kryesia nuk e mbledh dot se nuk ekziston, ka vetëm një anëtar, sepse dy të tjerët kanë dhënë dorëheqjen. E dyta, mund të jenë dhjetë anëtarë të asamblesë.

Kjo mbledhje vjen nga një letër e nënshkruar nga 13-të persona, nga të cilët gjashtë kanë mbushur moshën  edhe nuk janë anëtarë. Nuk është bërë as numri dhjetë. Mbi këtë bazë, jo mbi dhjetë anëtarë, por ata që mund të kenë firmosur nuk janë në numrin e duhur. Këshilli ekzekutiv i kryesuar nga Vasil Tole ka bërë thirrjen e mbledhjes, ndërkohë që në statut këshilli ekzekutiv nuk ka asnjë kompetencë për të thirrur asamblenë. E fundit, ne kemi vendimin e 22 dhjetorit të vitit 2017, ku thuhet se asambleja vendosi që në procesin e reformimit të përgatitet ligji për reformimin e Akademisë së Shkencave, që të kalojë në kuvend edhe mbi këtë bazë të bëhet reformimi i Akademisë.

Pa pasur akoma një statut të ri, që në mbledhjen e dhjetorit 2017-të thuhet se do bëhet statuti i ri, pra do bëhen zgjedhjet, pa i pritur të gjitha këto Akademia hynë në zgjedhje. Pra është një vetëvrasje. Mbledhja e dhjetë janarit është pika e fundit, ku akademia e shkencave, ka hyrë në atë që quhet vetëvrasje institucionale. Uroj që kolegët e mi akademikë, të mos hynë në këtë kurth, në këtë lojë që e rrëzon përfundimisht Akademinë. E kuptoj se ka një problem firme, sepse në shkurt të vitit 2019 ka një ngjarje, mbaron mandati i sekretarit shkencor. Por kjo nuk përbën asnjë problem, sepse Akademia ka dy mundësi për ta zgjidhur qartë këtë problem.

E para, këshilli ekzekutiv që statuti e ngarkon me drejtimin e brendshëm aktualisht ka tre anëtarë. Nëse sekretari i përgjithshëm shkencorë Vasil Tole mbaron mandatin, janë dy të tjerët, ku njëri prej tyre mund të autorizohet për një periudhë kohe të ketë të drejtë firme. E dyta, mundet që zoti Vasil Tole, nga ana e asamblesë të marrë një afat shtyrje kohore prej tre apo katër muajsh, që të kryejë të gjitha veprimet administrative, që procesi të menaxhohet shumë kollaj. Një nga nenet e platformës sime unë e parashikoj edhe këtë, duke thënë se fare mirë Asambleja mund të bëjë një shtyrje afati, deri në momentin që ligji i ri do të jetë i aprovuar. 

d.ba./r.k.
Komento