Artan Fuga: Media drejt kolapsit
Bollino: Të bëhet dekriminalizimi

Artan Fuga: Media drejt kolapsit<br />Bollino: Të bëhet dekriminalizimi<br /><br>
Marrëdhënia e medias me politikën, lajmi ‘bombastik’, dekriminalizimi, ofendimet e Ramës, cilësia dhe kriza që ndodhet media në Shqipëri ka qenë tema e emisionit ‘Repolitix’ sonte në Report Tv. Akademiku Artan Fuga, gazetari dhe pronari i Report Tv Carlo Bollino, pedagogu i Komunikimit Ilir Yzeiri dhe gazetari Gjergj Erebara ishin të ftuarit e gazetarit Denis Minga.

Bollino u shpreh se media në Shqipëri është në krizë, ndërsa arsyet janë ekonomike, politike dhe profesionale. “Bomba’ e parë referohet më shumë për situatën e medias, sesa për një lajmin. Situata e medias është në krizë, arsyet janë ekonomike, politike dhe profesionale.

Ka 2 mijë portale, gazeta dhe TV, secila kërkon gazetarë, por nuk janë kaq profesionistë në treg. Jemi të detyruar të marrim në punë gazetarë, që nuk plotësojnë kushtet minimale. Në Shqipëri nuk ka seleksionim, media ka humbur kredibilitetin, pasi ka mbrapa mungesë profesionaliteti” tha ai.

Për profesor Fugën, mediat po shkojnë drejt kolapsit. “Sistemi i medieve masive në Shqipëri është në atë pikë që po shkon drejt një kolapsi total. Në atë gjendje që është shtypi në letër, nesër do të jetë TV linear. Nëse nuk zhvendoset në një model të ri TV.

Shenjat e kolapsit janë që produkti dhe gazetaria ka një rënie. Kohën që i kanë kushtuar TV ia kalojnë telefonit, ka një braktisje të informacionit. Nëse vazhdon kështu, situata është dramatike. Modeli i financimit nga reklama do të shkojë në një situatë të rëndë. Do të kthehet të një model që do të subvencionohet ose shikuesi do të verë dorën në xhep”.

Pedagogu Ilir Yzeiri thotë se një pjesë e medias ka bërë përparime, por fajëson qeverinë duke marrë shembull TVSH. “Shqiptarët paguajnë 1.2 mld lekë për TVSH, por të gjitha qeveritë e kanë mbajtur pa prodhuar asgjë. Media u la në dorë të rrugës dhe atyre që kishin para, pa rregulla loje” tha ai.

Gazetari Gjergj Erebara deklaron se media është shkëputur nga lexuat dhe jo lexuesi nga media. “TV dhe mediat që janë hapur, por edhe te fakti që gazetat falas nuk lexohen vjen ngaqë në Shqipëri politika e korrupton median”.

Një tjetër pikë e rëndësishme e debatit ishte edhe financimi i medias. Gazetari Bollino kërkon që të bëhet dekriminalizmi, ndërsa parashikon se do të ketë shumë surpriza. “Ka ardhur koha për të bërë dekrimianlizmin e medias. Ka ligje që lejojnë të verifikohen burimet financiare të media. Kush dhe si financohet media në Shqipëri. Nëse i zbatojmë këto rregulla dalin shumë surpriza” tha ai.

Episodi i një jave më parë kur Rama ofendoi gazetarët u komentua nga të ftuarit si rrjedhojë e mungesës së mbrojtjes nga pronarët.  “Asnjë nga gazetarët nuk iu drejtua Ramës “Zoti Kryeministër mos më fyej”. E di pse nuk i tha? Sepse nuk është i mbrojtur nga pronari” tha Fuga.

Ndërsa Carlo Bollino u shpreh se “Nëse kryeministri na cilëson si kazan, ne duhet të punojmë dhe në rastin më të mirë ta injorojmë totalisht. Unë nuk mund të mbaj mikrofonin para kryeministrit që më shan”.

Kryeministri refuzoi që t’u përgjigjej disa pyetjeve në konferencën e sotme, ndërsa u shpreh se unë jam ‘ushqimi’ dhe se nuk bëni dot pa mua, por si e komentojnë të ftuarit? “Pa Ramën nuk bëjmë dot se është kryeministri i vendit. Protesta më e madhe që të bëjë një gazetar është që të raportojë” thotë Erebara.

Heshtja e pushtetit është dhurata më e madhe, thotë Bollino. “Unë nuk jam skandalizuar nga mungesa e përgjigjes, ai tregon se nuk ka kurajo të përgjigjet dhe kjo ka një kosto politike. Ne duhet të vijojmë të bëjmë pyetjen. Pastaj, pas mund të interpretojmë. Dhurata më e madhe që të bëjë pushteti është heshtja. Ne duhet të tregojmë të flasim”.

Bollino u shpreh gjithashtu se një tjetër faktor që e varfëron fuqinë dhe besimin te opinioni është mungesa e besimit të medieve te njëra tjetra duke sjellë si shembull tenderin e dixhitalizimit të RTSH.

VIDEO/ Pse sot media  është në krizë ? Pjesa e parë



VIDEO/ Pse sot media  është në krizë? Pjesa e dytë

Report Tv dhe gazeta Shqiptarja.com e kanë denoncuar tenderin e RTSH për kalimin e transmetimeve nga analoge në numerike që ka kushtuar 25 milionë euro, ndërsa vlera reale nuk i kalon 10 mln euro. Nuk ka pasur një media, që e ka ndjekur. Vetëm nëse ishte politika që e nxjerr si cështje. Asnjë media nuk ka besuar një tjetër dhe kjo varfëron fuqinë dhe besimin te një media”. Bollino kujtoi edhe ngjarjen e 1996 kur u dëbua nga Shqipëria, por asnjë media nuk shkroi asnjë fjalë.

Në fund, analisti Ilir Yzeiri bëri përgjegjëse edhe opozitën për situatën ku ndodhet media në Shqipëri. "Për krizën që ka media dhe shoqëria unë bëj përgjegjëse edhe opozitën, pasi i takon për të nxitur shpresën. Opozita nuk ngjall besim, që qeveria të mendohet mirë kur të dalë para gazetarëve. Përderisa nuk e kemi këtë, gjërat i shikoj të zymta në Shqipëri".

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

I dehur në timon, arrestohet efektivi i policisë në Rrogozhinë

I dehur në timon, arrestohet efektivi i policisë në Rrogozhinë