POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Artan Hoxha rikthen videon: Karathano në mes të Himarës nën sigurinë e 'Agimit të Artë', duhet të ishte në burgjet shqiptare

Gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha në Facebook-un e tij ka postuar një video teksa Babis Karathano shoqërohej nga skuadra e sigurisë së "Agimit të Artë" në qendër të Himarës ditën e zgjedhjeve lokale më 8 maj 2011.

Në postimin e tij, Hoxha shkruan se Karathano del në ditën me diell kundër autoriteteve shqiptare dhe banorëve të Himares, duke mbështetur Vasil Bollanon.

Vetëm për kaq ai nuk duhej lejuar dje, të kalonte traun e doganes në Kakavijë, për të mos thënë që pasi organizoi maskaradën e Bularatit duhej arrestuar urgjentisht që të mos e shihte dritën e diellit për disa vite në burgjet shqiptare.

Artan Hoxha, gazetar 

Babis-Harallambos Karathanos është ekstremisti grek i arrestuar ditën e djeshme në Bularat, pasi organizoi një turmë të ardhur nga Greqia me autobusë për në ceremoninë e Konstandinos Kaçifas, të bllokonte për rreth 10 minuta, aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë, duke shkaktuar kaos dhe trafik. Në pranga janë vënë edhe tre persona të tjerë, bashkëpunëtorë të Karathanos.  

Postimi i Artan Hoxhës në Facebook:

Po kush është Babis Karathanos:

Emri i Babis-Harallambos Karathanos është i lidhur me një ngjarje tragjike në jug të vendit. Në prill 1994 sulmohet në mesnatë posta policore kufitare në Gjirokastër dhe për pasojë vriten dy ushtarakë shqiptarë, një oficer dhe një pjesëtar i FA i cili u ekzekutua në vendroje. Karathanos arrestohet një vit më pas në Greqi, pasi akuzohej nga autoritetet shqiptare si njeriu që hyri në territorin shqiptar bashkë me një grup të armatosur prej shtatë personash të cilët kryen masakrën. Mes të arrestuarve ishte edhe Fredi Beleri, një personazh i njohur në Himarë, kandidat edhe për kryetar bashkie. Por të gjithë të arrestuarit u liruan dhe sot e kësaj dite masakra e Peshkëpisë nuk ka autorë pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për zbardhjen e kësaj ngjarje. 

Karathanos njihet edhe si bashkëpunëtor i afërt me kreun e PBDNJ, Vangjel Dule. Të dy ata janë fotografuar në disa aktivitete të OMONIA-s dhe PBDNJ-së në Greqi me karakter kryesisht antishqiptar dhe me thelb të ashtuquajturin Vorio-Epir. Aktivitete politike Karathanos ka zhvilluar edhe në Shqipëri përkrah Vangjel Dules apo dhe Vasil Bollanos.

Harallambos ka lindur në Greqi, por prindërit e tij janë me origjinë nga Dropulli. Babis-Harallambos Karathanos nga viti 1982-1989 ka qenë kryetari i SFEVA - (Bashkimi i Studentëve për Luftën e Vorio-Epirit). 

Babis-Harallambos Karathanos ka qenë ish-deputet i partisë Demokracia e Re, më tej i partisë ekstremiste të djathtë greke, LAOS. Babis-Harallambos Karathanos ka shkaktuar tensione edhe në Himarë disa vite më parë, duke e cilësuar edhe këtë zonë si minoritare në funksion të tezës së Vorio-Epirit.

ke.mu./b.ha.
Komento

Komente

  • Atehere: 09/11/2018 22:25

    ..po pse nuk futin brenda Dulen e Tavon

    Përgjigju