POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Artistët reagojnë për mbylljen e 'Onufrit': Ky është një krim!

“Në kuadër të dinamikave në të cilat zhvillohen shkëmbimet artistiko-kulturore ndërkombëtare sot, dhe si pasojë e problematikave që janë shfaqur ndër vite me Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri”, aktivitet ky që ka patur mision primar realizimin e këtij shkëmbimi në Shqipëri, Galeria Kombëtare e Arteve ka vendosur në mbylljen e “Onufrit””.

Me këtë vendim të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Ministrisë së Kulturës për mbylljen e edicionit të 24-të të ekspozitës ndërkombëtare “Onufri” në këtë fundvit nuk janë pajtuar. Artistët që përherë kanë ngritur shqetësimin e tyre lidhur me këtë konkurs, e konsiderojnë një mbyllje dashakeqëse, që drejtuesit e kulturës po u bëjnë arteve pamore

Me një paturpësi kanë mbyll ‘Onufrin’ edhe kanë dhënë shpjegimin në një kohë, që askujt nuk i duhet. Një nga arsyet që është mbyll ‘Onufri’ është se është mbyll keq, ndërsa çdo vit kanë thënë të kundërtën. Kjo ka qenë një gënjeshtër e madhe, se ne vazhdimisht kemi thënë që ‘Onufri’ duhet të ndërtohet me idenë e saj fillestare, që të gjithë artistët të ballafaqoheshin. Pasi ne nuk dimë fare se ku artistët shkojnë dhe humbasin. Ndërsa, tjetra ishte që pas disa vitesh artistët shqiptarë do të shihnin se çfarë po ndodh me artin pamor ndër vite,”- u shpreh piktori Gazmend Leka.

Ka qenë vendim i marrë. Kumbaro tentoi edhe para katër vitesh, por dështoi nga reagimi i artistëve, e paska pas në agjendë për ta mbyll. Nuk e di se ku e ka merakun, por as Ministra dhe as Galeria s’mund ta bëjnë këtë. Janë artistët që duhet ta vendosin këtë. Në një farë mënyrë ‘Onufri’ përcakton edhe reagimet politike. Ky centralizim edhe i jetës kulturore është ky rezultati. Kjo bën që ‘Onufri’ të jetë edhe viktima e radhës e kësaj politike,”- tha Andi Tepelena, një kurator arti.

Ata e mendojnë se “Onufri” duhet që të vijonte, pasi detyra e drejtorit nuk është që të mbyll “Onufrin”, por të vërë stafin ta realizojë atë

“Cilin qëllim nuk arriti “Onufri”, qëllimi i tij është që të vazhdojë tërë kohës. Për njerëz që  duan vendin e tyre, ku nuk kishte qëllim. ‘Onufri’ duhet të ishte në tërësinë e vet që t vijonte, por  unë e di se ‘Onufri’ është bërë nga ministri i Kulturës, Anagnosti, ka hapur ‘Onufrin’, Ministra edhe është e vetmja që mund ta mbyll ‘Onufrin’. Drejtori ka detyrë që të jap sallën edhe të vërë stafin e vet që të ndërtojë ‘Onufrin’. Nëse do që të bëjë galerinë muze, ‘Onufri’ mund të shkonte tek muzeu. Këtu ka një dashakeqësi të madhe, për këtë vend që është copë-copë pikërisht nga këto mendime të sofistikuara për artin modern. Këto janë të gjitha dokrra,”- shtoi piktori Leka.

Artistët mendojnë se kjo ishte e vetmja dritare për artistët e rinj, që çdo ditë edhe më tepër po marrin udhën e emigrimit

“Jam shumë i trishtuar me këtë gjë që po ndodh. ‘Onufri’ ishte një dritare shumë e madhe. Por unë nuk e kuptoj logjikën, aq më tepër që në stafin e GKA-së janë disa persona që unë kam konsideratë. Por nuk kanë kuptuar asgjë nga përgjegjësia që kanë. Ata duhet që ta shkarkojnë këtë përgjegjësi, duke mos e quajtur të vlefshme, aty të dalë vetëm firma e ministres së Kulturës. Këta bëjnë krime, kam shumë studentë që rrinë zgëqeve, janë njerëz që ikin nga Shqipëria. Nëse i kanë veshët me dyllë ka doktorë që ti shërojë, nëse e kanë në tru, kjo nuk ka zgjidhje,”- tha Leka.

“Ministria e Kulturës nuk ka ende një zyrë edhe as fonde të dedikuara për këtë punë, ‘Onufri’ s’mund të bëhet me frymën e shenjtë, duhet investuar për këtë. Por gjëja më e rëndë është se në këtë situatë që ndodhet arti sot fajtorë janë edhe disa artistë qokaxhinjë të pushtetit”,- e mbylli Andi Tepelena.

Vendimi për mbylljen e “Onufrit” është marrë nga bordi Artistik i Galerisë Kombëtare të Arteve përbëhet nga 7 anëtarë dhe kryetare Eleni Laperi.  Ndërsa, Ministria e Kulturës ka shprehur dakordësinë e saj mbi këtë vendim.

ke.mu./r.k.
Komento