Artizania e pedonales: Burrat
shfaqin interes për punimet e dorës

Artizania e pedonales: Burrat<br />shfaqin interes për punimet e dorës<br /><br>
Nëse prej kohësh po kërkonit nëpër rrugët e Tiranës të shihnit një njeri të qeshur, që punon po me këtë pozitivitet ju prezantoj me artizanen Rajmonda Cano, e cila prej 3 vitesh qëndron në dalje te pedonales me punimet e saj te dorës. Tek zonja Rajmonda, e vjetra me modernen ndërthuren përsosmërisht.

-Ky këtu është vendi ky qëndron çdo ditë Rajmonda Cano. Rajmonda faleminderit që pranuat të flisnit për kamerën e Report Tv. Si nisi dashuria juaj për punimet e dorës?
Unë kisha një dyqan në Laprakë dhe vjen një ditë vajza e më thotë “O ma kam parë një bluzë, mu duk si punim dore. Sa lekë bënte i thashë? 47... Mirë ikim  e shohim dhe e marrim. I thashë ‘qyqja ta bën mami këtë’.  Po më tha ‘ti s’di’.. Di, di mami thashë.

-Po ju nga dinit? Kishit punuar më përpara?
Kur kisha qenë 15 vjeçe që na mësonte mami si fillohej. Vetëm këtë dija. Edhe aty para dyqanit ishin nja dy gra të vjetra që shisnin në rrugë, atyre u thashë më ndihmoni pak që t’i bëj triko gocës. Nga mënyra si shpjegonin ato, unë i kapja shumë shpejt... edhe ato thoshin ‘Po ti dinke, c’na pyet ne’... Kjo është pjesë e imja pastaj që i kap shpejt. Ja bëra gocës, e kam dhe sot trikon, e kam kujtim.

-Si reagoi goca?
E pëlqeu, por goca është njëcik kritizere.. Nuk i pëlqen që në fillim gjërat, i kritikon njëherë gjërat. Po dha okay-in ajo, unë jam në rregull. Fillova unë, do ti më hyri në qejf të punoja. Ishte moda e golfave pa mëngë kur ishte goca në gjimnaz, edhe ja bëja gocës. Dhe gratë që vinin të blinin thoshin ‘o Monda sa bukur punonke ti”, të gjitha që vinin ‘o sa bukur’.. unë po mësoja dorën, ato sa bukur. Thashë këtu është diçka, o vërtet unë punoj bukur, o këto ja fusin kot. Kështu zbulova tek vetja se unë kisha intuitë për kapjen e modeleve. Pastaj e futa në dyqan një pjesë të punimeve të dorës dhe bëra goxha punë atëherë, por flasim për vitet 2000. Ndërsa tani, kërkesa është ulur jo se spëlqehen punimet e dorës por nuk e di pse, ju duken shumë shtrenjtë.

-Më pas si vendosët të bëheshit pjesë e pedonales?
Pjesë e pedonales është një histori pak e trishtë për mua, u bëra për arsye se m’u shemb shtëpia.Kisha dyqanin atje, por unë jam tip që nuk mund të rri dot pa punë dhe i thashë burrit që do dal me punimet e dorës.

-Si e priti familja juaj këtë?
Hmm nuk e pritën mirë, edhe sot e kësaj ditë... djali psh: Oo na turpërove ti, të shikojnë shokët e shoqet atje. Por i them që mami nuk po bën turp, ske pse turpërohesh ti. Burri më tha, ulemi bisedojmë pak bashkë. ‘Ti ke 40 vjet në tregti, të njeh gjithë Tirana. E ke problem?’  Jo, c’problem i thashë unë do shes art. Gjërat e mia art, nuk janë gjëra demode. Njerëzit që kalojnë,edhe ata që s’blejnë ndalojnë dhe thonë “Sa gjëra të bukura që ke blerë”. Për mua kjo është më shumë kënaqësi...

-Sa vite keni që qëndroni këtu?
3 vjet kam. Edhe kur bie shi, vij shikoj situatën si është koha pastaj ike.

monda

-Si ju duket, sa e qasur është shoqëria shqiptare ndaj punimeve të dorës?
Të them të drejtën punimet  e dorës pëlqehen shumë, janë blerë por ka nja një vit e ca dhe mund të them që shumë pak blejnë përvecse të huajve.

-Po të ndalemi pak edhe këtu, të huajt si reagojnë kur shikojnë punimet e dorës, kur ju shikojnë ju teksa punoni këtu?
Unë edhe punimet e mia kemi bërë xhirot e botës me foto, se vijnë të huajt edhe fotografojnë ose marrin leje. Një italiani një ditë, i thashë ’10 euro një foto’.. “O zot më tha, nuk e dija që fotot ishin me lekë”. Bëj shaka i thashë.

-Përvec italianit, ç’reagim të bukur mbani mend?
Reagimin më të bukur e kam me Aldo Bumçin dhe i bleu një kapele të punuar me grep. Ishte një bjonde shumë simpatike zonja e Aldos edhe i thashë që nga 15 euro do e marrësh 15 mijë lekë. Edhe ajo e vuri në kokë e pëlqeu shumë dhe Aldo bëri një zgjidhje të logjikshme. I thashë që ti je një person publik dhe dua të ta jap 15 mijë lekë. Edhe Aldo tha do bëjmë një konsensus bashkë. Po i thashë, unë jam për paqe jo për luftë. Do e marr 18 mijë lekë tha.. 3 mijë nga unë, 3 mijë nga ti. Kjo është një ngjarje shumë sinjikative, një deputet që erdhi bleu dhe mënyra si e zgjidhi çmimin mua më ka ngelur në mendje dhe kam respekt për të.

artizania

-Çfarë pëlqehet më shumë zonja Rajmonda?
Tani kukullat shiten më shumë. Kukullat kanë atë që unë i bëj në Shqipëri, nuk di a ka të tjerë..

-Kukullat e zonja Rajmonda...
Po, dhe të vajzës sime Nida.

monda
(Punime të punuara nga dora e znj.Monda)

-Ja keni trashëguar dhe vajzës?
Po dhe vajzës, edhe ajo me herën e parë pa kapur grep me dorë e bëri një qenush shumë të bukur.

-Po sa kohë ju duhet që të punoni, për shembull një kukull për sa kohë bëhet?
Një kukull do gati dy ditë.

-Duhet shumë durim për të punuar me shtiza apo me grep?
Unë kam qenë shumë nevrike por shumë, jashtë normave, ndërsa te kjo gjeja qetësi. Këto më japin relaks, qetësi nuk rri dot pa to. Mendoj se kam krijuar vartësi nga to...

-Çfarë emri do i vendosnit?
Hmmm dashuria e jetës sime. Këto janë të pakonpensueshme nga asgjë.

-Si është një ditë e zakonshme e juaja zonja Rajmonda. Kur fillon dhe kur mbaron?
Fillon në orën 5 e gjysmë, pi kafen në mëngjes, bëj punët, bëj gjellën dhe vazhdoj pastaj porositë deri në orën 10.. Pastaj vij këtu. Në shtëpi bëj porosi tjetër, këtu bëj tjetër se kam një gjë, nuk e di a e kanë të tjerët por  unë nuk bëj dot një punim njëherësh, unë lë dy tre punime të hapura. Këtu rri deri nga ora 4 e gjysmë 5, pi një kafe me burrin . Ahh, mbasdite nuk punoj dot më se lodhem. Në 9 fle gjumë pastaj.

-Po fitimet janë të mira për të jetuar?
Nuk është se bëhet ndonjë punë e madhe, plus që çmimet kanë rënë. Unë para dy vitesh e shita 18 Aldos, ndërsa tani e shes 10 mijë lekë.

-Zonja Rajmonda po burrat shqiptarë sa të interesuar janë për punimet e dorës?
Janë shumë të interesuar, gjëja që më bën më shumë përshtypje është se burri i thotë gruas “ua shih sa gjëra të bukura që janë dhe gruaja që ja bën (shtrëmbëron turinjtë)” dhe një ditë i thashë çfarë ke moj zonjë burri yt e pëlqeu pse bën ashtu dhe zotëria m’u përgjigj ta them unë “këto shohin telenovela dhe kanë inat të shohin punën tënde”. Kjo më ka bërë përshtypje jo vetëm në këtë rast por në shumë raste të tjera. Por tani, klientët kështu janë do i pranojmë.

-E shoh që jeni shumë e qeshur, shumë optimiste. Do na tregoni cili është sekreti juaj?
Sekreti im? Më kape mat tani... Hmm më pëlqen mënyra që rri këtu, më pëlqen kur takoj njerëz, i shikojnë punimet dhe i pëlqejnë. Kjo më bën entuziate,plus nga natyra jam optimiste nuk vrenjtem për shembull pse s’bëra lekë. Kur vij këtu, tek ky stoli nuk e di po më jep relaks... 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Finalja' kundër Real Madrid, Pep Guardiola: Respekt për kundërshtarët, i urojmë nëse na mundin

'Finalja' kundër Real Madrid, Pep Guardiola: Respekt për kundërshtarët, i urojmë nëse na mundin