Artur Miler dhe fati tragjik i emigrantëve

Artur Miler dhe fati tragjik i emigrantëve

Foto ilustruese

Në një kohë që në ishujt fundorë të Egjeut mbrijne ende trupa e kufoma nga vendet e largëta matanë detit, do ta shihja këtë fenomen tragjik përmes amerikanit Miler, në skenën e Teatrit Kombëtar Grek në Athinë, po në një trajtë alarmuese të spektaklit “Pamje nga Ura”.

Në sallën mbretërore, të mbushur me një publik të kulturuar që nuk pipëtiu gjatë tri orëve të një tensionimi të lartë të atmosferës skenike, ishim edhe tre spektatorë shqiptarë (një aktor, një inspektor skene dhe një kritik teatri), që 30 vjet më parë kishim ardhur këtu përmes kufirit të hapur, bile duke ecur më këmbë dhe që merreshim po me teatrin e një kohe të trishtë. Në një version ca  më drithërues do të shihnim kështu edhe pjesëza të vetë jetës sonë, si edhe të atyre që erdhën nga toka e nga deti e të atyre që mbetën në fund të detit apo të të tjerëve që u vranë, pa e kapërcyer dot kufirin midis dy shteteve e pa mundur të gezojnë pakëz liri e pakëz jetë njërëzore.

Vetëm se, pasi kisha parë shfaqjen e Pirro Manit, 57 vjet të shkuara,-një spektakël tronditës i nivelit të lartë profesional, nuk mendoja se do të gjeja diçka më të mirë e më superiore. Por do të provoja diçka tjetër : që arti skenik ka e do të ketë mundësira të pafundme shprehjeje, versione të ndryshme të së njëjtës dramë, koncepte e mesazhe po kaq të fuqishme, edhe kur fizionomia e spektaklit do të ndryshojë nga regjisorë e aktorë të ndryshm. Nuk pata fatin që t shihja edhe spektaklin e Bert Minges me Timo Fllokon, po më kanë thënë se adhe ky Edi Karbone i Fllokos pati nota tragjizmi në psikologjinë e botën e tendosur të kësaj figure të dimensioneve të gjera. Po, ndërsa Pirro Mani, si regjisor-aktor dhe interpretuesi kryesor, na dha një spektakel tepër jetesor, me një atmosferë dramatike të elektrizuar gjatë gjithë kohës, me një prirje drejt teatrit të egërsisë, spektakli i Athinës merr një aktualizim bashkëkohor, me imazhe e mesazhe të forta.

Qysh në përballjen e parë ne do të shihnim një grupim emigrantësh që dalin të trembur e të nxituar nga anijet e shpëtimit, si të delnin prej ferrit dhe që hynin nën këmbët e një ure, ku varen 40 çengela gjigandë prej çeliku të ndritshëm. Krijohet menjëherë përshtypja ekspozicionale se këta emigrantë, midis të cilëve ndodhen  edhe dy personazhet e dramës, Markoja me Alfjerin, edhe pse erdhën në dyert e parajsës nga Italia e drobitur e asaj kohe të pasluftës, do t’i presë një jetë e vështirë e do të jenë paskëtaj “të varur” nga 40 çengela të përhershëm si me qenë të vdekur të gjallë “se nuk qe e thënë që vëllai të gjente vëllanë e djaloshi të dashurën e tij (e të dy bashkë parajsën e dëshiruar), po një “xhungël”, ku edhe emigranti i parë Edi Karbone është tjetërsuar e kthyer në një bishë njërëzore, i mbushur me inçeste kafshërore e që do të përfundojë më në fund nga thika që deshi t’i ngulte të vëllait të porsa ardhur e atij djaloshi që gjeti dashurinë tek e mbesa e tij e re, që ai e lakmonte për vete e që do të therrorizohej për të!

Kjo dramë tronditëse, me psikologji të thellë, do të ndodhte në një familje emigranti dhe përbrenda një shteti të civilizuar me demokracinë më të përparuar në botë, ku as këtu nuk është e përjashtuar “gjuetia e shtrigave!” e ku Artur Miler do të rikthehet , me një tjetër drame , po kaq tronditëse.

Mirëpo tani jemi tek pamja që duket nga ura e basifondeve të një qyteti të madh, poshte së cilës gëlon një jete e ndyre, i atyre që këtu i quajnë “mbeturina” të një shoqerie te perparuar, Dhe ku kriza shpirterore e individit është e mpleksur me krizen shoqerore. Trajtimi regjisorial, imazhi i skenografise dhe interpretimi i aktorëve, shprehin pikrisht këtë atmosfere krize, ku tragjizmi bëhet i pashmangshëm…Autorët e këtij spektakli hyjnë në të fshehtat e jetës e të shpirtit njerëzor, ashtu thjesht e me vertetesi organike, duke zbuluar e zhbiruar ngadalë caqet e egocentrizmit e të ligësise, që i përmban e i servir shoqeria e ligjet e politikëbërësve të një shteti.

Nga pikpamja e tempo-ritmikës e të kompozicionit, ky spektakël i ndërtuar bukur në vizionin e vet, vuante dukshëm në trajtimin e realizimin artistik, por imazhet e mesazhet megjithatë jepeshin e ngjisnin, sidomos pas pjesës së dytë të shfaqjes , ku interpretimi i aktorëve, bëhej më i hapët e më dinamike dhe tragjedia e këtyre njerëzve vjen tek dera e tyre dhe “pëlcet”. Dyluftimi vellazeror përte drejten e neperkembur dhe prishja e dashurisë së dy të rinjve, që afrohen shpirtërisht me njëri- tjetrin, vijnë natyrshëm në skenë e me aksentin tragjik që i përket kjo ngjarje e dhimbshme. Por ep-endi regjisorial (filmik) i pasvdekjes do të dukej i pavend, i sheqerosur, në kundërshti me atë finale masive  të vdekjes së heroit të degraduar, poshtë kësaj ure e nën këto çengela që mbajne varur jetën e emigrantëve të konsideruar të jashtligjshëm.

          Regjisoria Niketa Kunduri është kujdesur të krijoje atmosferën e një geto emigracioni përbrenda një shteti të madh, ku varfëria e pasiguria e jetesës janë gjithmonë të pranishme. Nenura përreth familjes së Edi Karbones është e mbushur me hije refugjatësh varfanjakë që e kanë atë për strehë dhe që duhet të shfaqen hera-herës kur bie dita e alarmi  bastisjes. Duhet të mbarojë spektakli që në paraskenë të dalin edhe ata për të përshëndetur publikun. Drama e familjes së Edi Karbones është edhe drama e tyre. Te të gjashtë personazhet e Milerit dhe avokati shtatë janë gjithmonë të rrethuar vazhdimisht prej ketyre njërezve të nenurës. Por ata që bien në sy me tepërjanë aktorët që interpretojnë Edin,dhe dy të rinjtë e dashuruar. Të tjerët, si Beatrice, Marku e avokati, ndonëse korrektë me linjat e roleve të tjera, nuk e arrijne dot të lënë të njëjtën gjurmë, si tre të parët. Mungon zbërthimi i plotë i botës së tyre të brendshme, i reagimeve të diferencuara dhe i mbresëlënies emocionale të figurave të tyre.

         Edi Karbone i Jorgo Kimunit është më afër personazhit milerian, me atë pështjellim psikologjik që i ka sjellë jeta në mërgim, me atë parqitje të dërrmuar fizike, me një shpirt që ndizet e digjet përbrenda vetes, si edhe me një egersi të mbarsur me revoltë kundër gjithçkaje që i prish ekuilibrin e vetvetes, për të shkarë deri në inceste të papranueshme. Në pjesën e parë të spektaklit ka një vetësiguri inerte që në pjesën e dytë do të behet shkatërronjëse e me pasoja tragjike  Dashuria e tij për mbesën e re dominon në veteshkaterrimin, jo vetem të tij si individ, po edhe të bërthamës së familjes se tij të ngritur me aq mundim, deri sa të mbërrijë në tehun e thikes së të kunatit, që ai arrin ta denoncojë në polici për ta deportuar, bashke edhe me djaloshin e pastër në ndjenja Alfieri, që ai do ta poshtëroje po përmes një incesti të kundërt. Dhe nëse në këto  linja do të ishte më i natyrshëm, pa aq shumë britma të panevojshme, aktori në fjale do ishte edhe më i plotë në karakterin milerian.

Do ta quaja po aq të denjë edhe interpretimin e aktores se re Iliana Mavromati në rolin e Katrinës, e cila është thuajse e shpërfillur në botën e saj rinore, plot ëndrra e ndjenja të përflakura, me një thjeshtesi e organicitet të admirueshem. Është pikërisht kjo ndijesi e çiltër që do të krijojë më pas atë keqkuptim të Edi Karbones për t’iu afruar asaj seksualisht e për ta përdorur. Në këtë trajektore të interpretimit të saj, është shumë e bukur kthesa që do të bëjë ajo në të kundërtën, po ashtu edhe zhgënjimi i tmerrshëm që i vjen natyrshëm, se toku me shpërthimin e revoltës ndaj tij, me një neveri fort të përligjur. Dhe përreth këtyre dy figurave do të zërë vend patjetër personazhi i tretë, Alfieri, me një interpretim të pastër e të sinqertë të  Niko Haxhopulos, me kthesa e reagime të besueshme, të cilin e vret së tepërmi zhgënjimi në prishjen  e asaj endrre të lumtur, në brigjet e së cilës vjen e përplaset.

Në mesin e këtij rrethi është gjithmonë Beatricja e aktores Maria Xeagjogllu, që nuk mundet të mbajë dot deri në fund ekuilibrin e nevojshëm, qetësinë e mëparshme, ca me tepër dramën që pëlcet në familjen e saj si një bombë me hidrogjen. Gjithsesi, me interpretimin e aktores në fjale, është e mbetet një grua familjare e përkushtuar. Personazhi i Markos,  i interpretuar nga Stathi Panajotidhis, është tepëri heshtur në pjesën e parë, gati inaktiv, ndofta i mbingarkuar nga hallet që “mban mbi shpine”, ndërsa në pjesën e dytë të spektaklit, i dërmuar nga gjesti i Edi Karbones, duke shfaqur befas temperamentin e tij Italian, deri në hakmarrjen e egër ndaj të vëllait. Kurse aktori që loz avokatin është më tepër një sphiegues që më tepër pengon ecurinë e ngarjeve se sa ndikon në ecurine natyrale të tyre,  nëse nuk gabohem.

Gjithsesi spektakle të tilla ndihmojnë në ngritjen lart të prestigjit të këtij shteti në krizë që pranoi në gjirin e vet turma të mëdha emigrantësh nga bota e tretë, pa përmendur këtu gjestin e tyre fisnik që u bënë strehë për afro një milion emigrantesh shqiptarë në ditët e tyre më të vështira.  Kështu që “Pamje nga Ura” e Artur Milerit” në skenen e Athinës  percjell një mesazh edhe me të gjere nga kjo vepër që tronditi botën në kohen e vet edhe sot e kësaj dite…..

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Masakra në Moskë me 143 të vdekur, Ankaraja: Sulmi i ISIS i pamundur pa ndihmën e shërbimeve të huaja

Masakra në Moskë me 143 të vdekur, Ankaraja: Sulmi i ISIS i pamundur pa ndihmën e shërbimeve të huaja