Unaza e Re/ Veliaj: 7 familjet e para janë paraqitur për bonusin, pres fitore spektakolare pa kapsolla

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nga asambleja e FRESSH-it është shprehur se pret një fitore spektakolare në kryeqytet në zgjedhjet lokale të 30 qershorit të 2019. Ai u bëri thirrjeve qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste edhe për Këshillin Bashkiak për të mos e kthyer bashkinë ne minitepësira. Duke komentuar protestën e banorëve të Unazës së Re, Veliaj tha se PS mund të fitojë pa asnjë kapsollë duke punuar dhe respektuar kundërshtarin.

Ne mund të fitojmë pa asnjë kapsollë, duke punuar, respektuar kundërshtarin, duke i bashkuar me alternativa dhe jo duke i përçarë. Mezi pres që me ekipin e ri të kemi një fitore spektakolare në Tiranë. Kësaj here nuk na duhet vetëm fitorja, na duhet një fitore absolute, kemi nevojë që të mos e kthejmë Bashkinë e Tiranës në ‘minitepsi’. Këta që sot shkojnë e protestojnë aty s’janë fare nga ajo zonë. Kur i shikoj këshilltarët bashkiakë që i futen bashkisë duke i gjuajtur derës, them: “Po mirë ore, ju e keni aty vendin, kemi tre vjet që ju presim, për çfarë shtyheni? Keni vendin tuaj në Këshillin Bashkiak. Nuk vijnë për të votuar ndihmën ekonomike dhe këtej thonë që janë të shqetësuar për varfërinë. A ka njeri që e beson këtë hipokrizi? Nuk vijnë për të votuar pagesën për aftësinë e kufizuar. Si mund të flasësh për nevojat e këtij vendi dhe të përgjërohesh për varfërinë dhe të mos vish të votosh dhe të jesh pjesë e vendimit për të çliruar varfërinë? Jam i bindur se me garën dhe ekipin që del nga FRESSH-i, me fushatën dinjitoze që Partia Socialiste do të bëjë në Tiranë, nuk ka asnjë arsye në botë që ky qytet mos të na japë më shumë besim për të çuar më përpara punën për transformimin e Tiranës dhe gjithë vendit

Erion Veliaj

Ai shprehu bindjen se minoranca e zhurmshme nuk do të pengojë shumicën, e cila dëshiron zhvillimin e qytetit. “Shumica e popullit mund të jetë e heshtur, mund të mos jetë një minorancë e zhurmshme, por kori i njerëzve që duan që vendi të eci përpara, që të zhvillohet, është i madh. Ne mund të fitojmë pa asnjë kapsollë, Partia Socialiste mund të fitojë vetëm duke qenë një parti që punon, duke respektuar kundërshtarin, duke u sjellë me etikë, duke i thënë komunitetit alternativa, duke i bashkuar dhe jo duke i përçarë njerëzit. Forca më e madhe që është investuar në bashki, që është investuar në paqtimin e popullsisë, që është investuar tek puna dhe rezultatet konkrete, është kjo ku jemi sot, familja jonë, Partia Socialiste e Shqipërisë”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Referuar protestës së banorëve të Unazës së Re, kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se sikurse është vepruar edhe në projekte të tjera të ngjashme, edhe për rastin e banorëve të Unazës së Re, do të ofrohet një paketë sociale. “Partia Socialiste është e vetmja që ndërhyrje të tilla i bën me një paketë sociale. Në rastin e Unazës së Re është shumë inkurajuese që banorët e vërtetë, jo mitingashët, jo ata që vijnë me autobusë nga Kamza për lodrat dhe për teatrin nga Mamurrasi, pra është një lajm i shkëlqyer që ata që kanë letrat e pronës po shkojnë te ARRSH për të marrë kompensimin. Kjo është e vetmja forcë në qeveri edhe në bashki që ka një ofertë sociale”, tha ai.

Pas protestës së dhunshme, në zyrat e Bashkisë së Tiranës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar janë paraqitur të tjera familje për të aplikuar mbi përfitimin e bonusit të qirasë për tre vite apo shpronësimin e pronës. “Shtatë familjet e para i falenderoj për besimin që i kanë dhënë Bashkisë së Tiranës. Gjysma e familjeve do të trajtohen nga ARRSH-ja me pagesën ‘cash’ për çfarë vlen prona e tyre dhe gjysma tjetër nga Bashkia e Tiranës, si këta shtatë të parët. Të hënën përgatitemi të presim pjesën tjetër dhe t’u japim një ofertë, ose pagesën, ose një shtëpi sociale”, theksoi veliaj.

Nga protesta e banorëve të Unazës së Re para dy ditësh u lënduan 15 policë mes tyre efektivja Ina Nuku që humbi dy gishta nga një kapsollë dhe u dërgua në Turqi për mjekim, ndërsa u shoqëruan 25 persona (Lexo këtu).

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Çuçi: Komision parlamentar kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja

Çuçi: Komision parlamentar kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja