Astrit Patozi kundër djegies së 
mandateve: Vetëvrasje për PD

Astrit Patozi kundër djegies së <br />mandateve: Vetëvrasje për PD<br>
Ish-kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, shprehet në një Intervistë për Report Tv, se kundërshtari duhet të mundet në betejë. Kjo është përgjigjja për dilemën e lindur në PD pas propozimit të ish-kryeministri Sali Berisha për djegien e mandateve të deputetëve opozitarë, pas zgjedhjes me votë të njëanshme të kryeprokurores së përgjithshme të përkohshme, Arta Marku.

Zoti Patozi, si mendoni cili është bilanci i Partisë Demokratuke për këtë fundvit?
Për të bërë një bilanc duhen shumë fjalë, duhet analizë, duhen fakte, prova por nëse do ta përshkruaja me një fjali është një bilanc dëshpërues, është më i keqi që Partia Demokratike ka pasur gjatë gjithë historisë së saj, që nga themelimi e deri sot që po flasim. Këtë nuk e them vetëm për shkak të shifrave, të cilat janë katastrofike. Ne në këtë vit korrëm një humbje nga më të thellat e historisë, por mbi të gjitha për pozitën për një krizë shumë dimensionale që PD ka dhe mungesën e perspektivës. Më shumë se sa bilancin dëshpërues në numra unë shoh që perspektiva e PD është e kërcënuar për shkak se ende nuk ka asnjë lloj reflektimi për të gjithë gabimet që ndodhën, sidomos në katër vitet e fundit.

Keni një autor për këtë situatë?
Autori i vetëm, në mos i vetmi është kryetari aktual Lulzim Basha, i cili që nga viti 2013 e deri më sot ka drejtuar në mënyrën më të keqe forcën politike e cila duhet të ishte sot pushteti moral i shoqërisë shqiptare.

Kryedemokrati Basha ka nisur që dje takimet për organizimin e bazës për një protestë në janar. Si e shikoni këtë vendim të PD?
Nuk e di sa e vërtetë është kjo pasi në dijenin time zoti Basha nuk është në Shqipëri por në rast se kjo është e vërtetë, më duket gjë për të kaluar radhën, pra një gjë artificiale. Nëse vendi kishte nevojë për reagim ky reagim duhet të vinte në çastin që ngjarja ndodh. Por në rast se ky reagim do të vijë për zgjedhjen e kryeprokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, ti nuk mund të presësh që ta bësh protestën pas një muaji apo dy muajsh. Është një mënyrë e zotit Basha për ta kapërcyer këtë situatë, është strategji e tij që të mos ketë një projekt për të ardhmen por thjeshtë të zgjidh problemin e çastit dhe të momentit, në politikë kjo nuk çon gjatë. Kjo është një nga arsyet pse ne jemi në një bilanc dëshpërues.

Ju nuk e shihni të justifikuar aksionin e protestës?
Jo! Unë shoh që reagimi i shoqërisë nuk mund të konservohet, nuk mund të jetë kuti konservash që sot ta fusësh në frigorifer dhe ta rikthesh për servirje në tavolinë pas një muaji apo dy muajsh. Në rast se shoqëria është e prirur për të pasur një protestë, ajo duhet të ndodhte atëherë kur hekuri është i nxehtë. Pra, e quaj një lloj zvarritje të aksionit opozitar dhe kjo është tipike për lidershipin e zotit Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka parë si të mundur propozimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për djegien e mandateve të deputetëve, pas zgjedhjes së Krueprokurores vetëm me votat e PS. Çfarë komenti keni lidhur me këtë? Personalisht, mendoni se duhet ndërmarrë një hap i tillë ekstrem nga ana e opozitës?
Edhe sikur vetëm këtë të shqyrtojmë është një tregues shumë i qartë i katandisjes së PD. Unë do ta çoj pak më thellë. Partia Demokratike e nisi këtë vit me idenë e bojkotit të zgjedhjeve dhe po e mbyll këtë vit me mundësinë e djegies së mandateve. Pra, një lloj vetëvrasje politike sepse mesa duket është i vetmi instrument që i ka ngelur në raport me kundërshtarin. Ndërkohë që detyrimi i PD-së ndaj shoqërisë shqiptare, ndaj vendit dhe ndaj demokratëve në veçanti, është që ta mundi kundërshtarin dhe ta mundi në betejë dhe jo duke vrarë veten se mbase dëmton edhe kundërshtarin. Edhe kjo besoj është një reflektim i katandisjes së PD-së.

Mes PD dhe LSI po shikohet një bashkëpunim të afërt në aksionin opozitar. Çfarë komenti keni lidhur me këtë?
Në të gjitha rastet që do të ketë një koalicion apo një aleancë me LSI-në gjithmonë është kjo e dyta që përfiton, si në rrafshin strategjik, ashtu edhe në rrafshin numerik. Historia e ka treguar qartazi këtë, që PD ka qenë e dëmtuara e madhe. Por unë nuk e shtroj problemin tek numrat, tek morali sigurisht që po. Partia Demokratike nuk kishte asnjë urgjencë që ta ndante opozitën, pra pushtetin moral të shoqërisë ta ndante me LSI-në kaq shpejtë, ndërkohë që asaj ende nuk i është tharë boja e vendimeve që ka marrë për 8 vjet resht duke qenë në qeveri herë me ne dhe herë me PS. Pra, ishte shumë e parakohshme si shpallje të aleancës. Unë nuk kam paragjykime për asnjë forcë politike dhe mendoj se Partisë Demokratike i takon që të ishte lokomotiva e një fronti opozitar ku mund të përfshihej edhe LSI apo ndonjë parti tjetër. Por shpallja e kësaj aleance dhe ndarja e pushtetit moral të opozitës kaq shpejtë me LSI-në ishte një gafë dhe shumë e parakohshme.

Sipas meje, LSI duhet realisht të kalojë në opozitë. Ka ende drejtorë të saj që nuk janë shkarkuar, që ende vazhdojnë të kryejnë detyra në qeveri për të mos thënë që ende ka shenja që LSI-ja një dorë e ka në revani dhe tjetrën në bakllava. Shohim votimet e këshillat bashkiak ku LSI është me qeverinë kryesisht. Pra, duhet të jap prova që realisht kalon në opozitë dhe pastaj sigurisht që mund të shikohen edhe mundësitë e koalicionit, aleancave etj.

Duket sikur PD-ja dhe LSI-ja nuk ka ndarje sa i përket aksionit opozitar që do të ndërmarrin, reagimet apo idetë...
Nuk janë të njëjta, janë shumë të ndryshme dhe koha do të tregojë që ky nuk është një koalicion i mirëbesimit. Të dy palët pavarësisht se sot mund të jenë në një front, kanë ndryshimet e tyre si për shkak të historisë por dhe për prespektivën që nuk është kaq e ndritur, e që i pret të dyja.

Në 27 vjetorin e themelimit të PD, në fjalën e tij Lulzim Basha kërkoi bashkim të të gjithë demokratëve. Keni menduar një përgjigje lidhur me thirrjet e Bashës për bashkim e ringritje, në një kohë që ju përfaqësoni një lëvizje brenda PD
Në rast se ju e keni lexuar ashtu, e keni lexuar gabim sepse përpara se ne të kemi një përgjigje për zotin Basha duhet të ketë përgjigje zoti Basha për ne për dy arsye; e para sepse zoti Basha është shkaktari i frakturës dhe problematikës së rëndë që përjeton sot PD-ja dhe si përgjegjësi kryesor duhet të ketë një qëndrim reflektues, gjë që nuk ka ndodhur deri më sot. E dyta, ne në tryezën e zotit Basha kemi depozituar një platformë politike që sipas nesh dhe besoj edhe të shumë të tjerëve, është e vetmja mënyrë që PD-ja të bashkohet dhe të bëhet më e fortë, më e madhe. Nëse zoti Basha mendon që duke e injoruar apo duke e vonuar përgjigjen e kapërcen problemin, është keqkuptim i tij.

Pra, ju ende nuk keni një përgjigje për platformën?
Nuk jemi ne të ftuar për të pasur një përgjigje por është zoti Basha. Ai është njeriu që duhet të jap një përgjigje, si e mendon ai perspektivën e PD-së por edhe të opozitës në tërësi, pasi të ketë pranuar më parë gjithë përgjegjësitë e veta, që është shkaktari kryesor për këtë gjendje që jemi sot.

Ndërkohë që Basha ka deklaruar që të gjithë mund të propozojnë anëtarët e tyre në momentin që do të bëhen zgjedhje në PD për kupolën drejtuese?
Ka shumë raste që fjala në politikë ka vlerë. Ka raste të tjera që fjala nuk ka asnjë vlerë sidomos për njerëzit që kanë demonstruar që nuk e mbajnë fjalën. Zoti Basha sot është në një pozitë të pafavorshme sepse çdo gjë që thotë nuk çon automatikisht në besim, sepse ka treguar që ndryshe flet dhe ndryshe bën. Zoti Basha tani i kërkohet që të bëjë akte dhe gjeste të forta politike që të jetë i besueshëm sepse tek fjala, siç thotë edhe ai vetë: Gënjeve një herë është faji yt, më gënjeve dy herë është faji im.

Nuk shihni mundësi bashkëpunimi?
Unë refuzoj që të them fjalën e fundit dhe nuk dua që intuitën time apo pritshmërinë time ta bëj publike për sa kohë që është në dorën e zotit Basha që të marrë një vendim se si do e zgjidhin problematikën shumë të rëndë që po kalon PD, kryesisht për shkak të tij. Sa kohë që nuk ka një përgjigje ne rezervohemi që të shprehemi por kjo nuk mund të shkoj në kalendat greke, pra nuk mund të ketë një pritje pafund. Ne kemi një projekt politik, të cilit i qëndrojmë dhe ky projekt politikë do apo nuk do zoti Basha funksionon sepse është e vetmja mënyrë që mund ta bashkojë demokratët dhe mund ta bëjë PD konkurruese.

Gjatë 2018 cili do të jetë roli juaj dhe i mbështetësve tuaj për të realizuar atë që ju e keni cilësuar si nevojë emergjente për reformimin e Partisë Demokratike?
Unë nuk hyj tek njerëzit që kam dëshirë të flas në mënyrë të detajuar për projektet e në nesërmes sepse prirem tek realizimi. Unë nuk mund të them sot asnjë më shumë se sa që, ne jemi të vendosur dhe i qëndrojmë një projekti politik i cili sipas nesh ka mbështetjen e shumë demokratëve në mbarë vendin dhe çdo veprim apo aksion politik ne do ta marrim në përputhje me dy momente: momenti i parë është qëndrimi i zotit Basha ata që e mbështesin sepse ne jemi pjesë e PD dhe nuk mund ta bëjmë në mënyrë të njëanshme aksionin politik por më e rëndësishme se kjo është që ne çdo lëvizje do ta bëjmë pas një konsultimi dhe komunikimi të vazhdueshëm me demokratët që e mendojnë si ne zgjedhjen.

Temë e nxehtë ku është përfshirë politika shqiptare është dhënia e shtetësisë shqiptare kryepeshkopit Janullatos. Vendim i drejtë i Presidentit Meta?
Mendoj që është një vendim normal, i cili nuk kishte nevojë për kaq shumë deklarime dhe ndjeshmëri të lartë politike. Mund të ishte bërë edhe më përpara. Unë besoj se ky vend ka nevojë që ne të flasim për çështjet jetike që shqetësojnë shoqërinë dhe jo për çështje të tjera të cilat janë më pak apo aspak të rëndësishme. Duke folur në i takon apo nuk i takon shtetësia kryepeshkopit apo jemi apo s’jemi për Jeruzalemin kryeqytet i Izraelit ne i largohemi problematikës reale që kjo shoqëri ka. Unë do të doja që ne të vinim gishtin mbi plagë dhe kjo është detyrë e opozitës në radhë të parë sepse nuk ka predispozitë qeveria që të tregoj se cilat janë problemet qeë po kalon vendi, i takon opozitës që ta udhëheq debatin. Kur opozita nuk e bën këtë marrin valencë më të madhe se ç’duhet tema të tilla si nënshtetësia e Janullatosit apo gjëra të ngjashme.

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Balla takon Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammed Bin Zayed Al Nahyan: Zgjerim i bashkëpunimit në fushat e policisë dhe sigurisë

Balla takon Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammed Bin Zayed Al Nahyan: Zgjerim i bashkëpunimit në fushat e policisë dhe sigurisë