Audienca TV, “Thyhet” akulli,
AMA mbledh grupet e interesit

Audienca TV, “Thyhet” akulli,<br />AMA mbledh grupet e interesit<br /><br>
Autoriteti i Mediave Audiovizive mblodhi dje të gjithë operatorët mediatikë dhe agjencitë e reklamave për trajtimin e problematikave të shfaqura nga procesi i matjes së audiencës televizive. Në këtë takim u ngritën shqetësime për të dhënat kontradiktore të ofruara nga kompanitë e audiencës dhe mungesa e transparencës mbi procedurat e ndjekura. Në takim morën pjesë edhe perfaqësues të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.

Kjo është hera e parë që AMA mbledh në një tryezë të gjithë aktorët mediatikë në Shqipëri për të diskutuar e vendosur rregulla për mënyrën e funksionimit të tregut përballë ndikimit dhe informacioneve të nxjerra nga kompanitë e audiencës. Operatorët mediatikë kanë kujtuar në këtë takim se i takon AMA-s, si detyrim ligjor, për të bërë rregullimin dhe shmangur abuzimet sa i përket shifrave të publikuara të audiencës.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe agjencitë publicitare dhe përfaqësues të dy kompanive që masin audiencën në vendin tonë. Nga ana e agjencive të marketingut u ngrit shqetësimi se të dhënat e audiencës që serviren nga dy kompanitë kanë përplasje me njëra-tjetrën. Ky fakt u pranua edhe nga kompanitë e audiencës.

Sa i përket zgjidhjes së kësaj situate, në takim u propozua që të ndërtohet një sistem i përbashkët për matjen e audiencës, ku pjesë e bordit të jenë, si operatorët mediatikë, ashtu edhe AMA, që është institucioni, i cili duhet ta rregullojë këtë treg.

I pranishëm në aktivitet, drejtori i AMA-s, Gentjan Salaj, u shpreh se ky takim u shërben të gjithë aktorëve që janë pjesë e tregut. Në këtë takim të parë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës. AMA është treguar e vendosur për rregullimin e tregut, duke pohuar se, për të zbatuar këto propozime, duhet një angazhim i të gjitha palëve dhe ekspertizë ndërkombëtare. Për këtë, u njoftua që shumë shpejt do të mbahet edhe një takim i dytë për të diskutuar hapat e mëtejshëm.

Denoncimi
Ka qenë një denoncim, i publikuar në disa artikuj të Shqiptarja.com, që ka vënë në lëvizje AMA-n. Artikujt treguan me fakte se si një kompani në nivel kioske përcjell aktualisht të dhëna të pasakta përmes matjes së audiencës televizive, duke deformuar një treg shumëmilionësh të reklamave.

Shqiptarja.com tregoi se kompania shqiptare “ABACUS”, që shet në treg raporte mbi matjen e audiencës, realisht ka një kapital prej vetëm 800 eurosh, ka vetëm një të punësuar, zero investime në teknologji dhe deklaron të ardhura prej më pak se 10.000 eurosh në vit. Nxjerrja prej saj e raporteve periodike, ku paraqiten të dhëna krejtësisht të pabesueshme matjesh të shikimeve televizive, ka kontribuar në dëmtimin e interesave të operatorëve të ndryshëm, të pranishëm në këtë treg.

Në fokus të aktivitetit rregullator të AMA-s, matja e audiencës televizive është një aspekt mjaft i rëndësishëm për rregullimin e tregut audioviziv dhe bën pjesë në grupin e veprimtarive që AMA organizon, mbështet dhe promovon, në përputhje me dispozitat ligjore te ligjit 97/2013 “Për Mediat Audiovizive ne Republikën e Shqipërisë”, nenet 19 dhe 23. Por deri tani ky institucion nuk kishte ndërhyrë asnjëherë për të kërkuar që të vendosen rregulla të munguara ligjore në këtë sektor.   

Në artikujt e Shqiptarja.com të muajit janar të këtij viti u tregua qartë mungesa e rregullave në këtë sektor strategjik, të braktisur në anarkinë më të plotë, që ka bërë të mundur që të krijohen shoqëri fantazma, të cilat spekulojnë, duke shitur raporte mbi audiencën televizive pa asnjë bazë dhe pa asnjë kontroll dhe duke dëmtuar kështu rëndë tregun e komunikimeve, për t’u pasuruar apo vetëm për t’u pajisur me një pushtet, që nuk do ta kishin arritur dot ndryshe. 

Duket se AMA është angazhuar pas kësaj seriozisht për të riparuar një aspekt themelor, jo vetëm në rregullimin e konkurrencës së ndershme mes operatorëve televizivë, por edhe në shpërndarjen e reklamës, që është pjesë përbërëse e një ekonomie moderne tregu.

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët