Banka e Shqipërisë: Bie për të tretin tremujor rresht ndjesia ekonomike

Banka e Shqipërisë: Bie për të tretin tremujor rresht ndjesia ekonomike

Banka e Shqipërisë

Të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë së vendit, si dhe konsumatorët duket se kanë perceptim krejtësisht të kundërt me notat pozitive - të certifikuara edhe nga ndërkombëtarët – të ecurisë së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë që ritmet e rritjes së PBB-së janë tanimë mbi 4 për qind, me ritmin më të lartë në këto 9 vitet e fundit dhe papunësia, madje, shënon nivelin më të ulët të gjithë periudhës pas vitit 1990, ndjesia ekonomike e bizneseve të anketuara nga Banka e Shqipërisë dhe e konsumatorëve është në rënie.

Besimi i konsumatorëve, ndërtuesve dhe tregtarëve kanë rënë edhe më poshtë se mesatarja historike, ndërkohë, nga ana tjetër, pavarësisht tendencës rënëse, në industri e shërbime kurba mbetet gjithnjë mbi mesataren historike.

Treguesi i besimit në ekonomi ka thelluar rënien në tremujorin e tretë. Banka e Shqipërisë raportoi dje se Treguesi i Besimit në Ekonomi (TNE) rezultoi në vlerën 102.1, duke shënuar një rënie me 4 pikë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018. Me gjithë këtë zhvendosje, TNE vazhdon të qëndrojë mbi mesataren e tij afatgjatë

Industria

Treguesi i besimit në industri (TBI) rezultoi 0.1 pikë përqindje poshtë nivelit të shënuar një tremujor më parë. Megjithatë, TBI-ja vijon të mbetet 6 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Por prodhimi dhe kontratat porositëse, u rritën me përkatësisht 4.6 dhe 1.1 pikë përqindje. Edhe balancat e tjera si gjendja financiare dhe pritjet për ecurinë e prodhimit rezultuan të përmirësuara. Në të kundërt, balancat e kontratave porositëse nga eksportet dhe pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm vijuan të bien në tremujorin në analizë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi rreth nivelit 74.8%, duke qenë 0.9 pikë përqindje mbi nivelin e një tremujori më parë dhe 1.2 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar të njëjtën periudhë një vit më parë. Kjo normë vazhdon të mbetet mbi mesataren historike të saj.

Ndërtimi

Edhe treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 1.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke vijuar prirjen rënëse të tre tremujorëve të mëparshëm. Kjo tendencë e ka zhvendosur treguesin rreth 9.6 pikë përqindje poshtë mesatares historike të tij. Dinamika rënëse e TBN-së në këtë tremujor u përcaktua nga rënia e balancës së aktivitetit ndërtues, me 6.2 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse e treguesit, kontratat porositëse, u rrit me 2.3 pikë përqindje. Edhe balancat e punësimit dhe të pritjeve për të në tremujorin e ardhshëm shënuan rritje në tremujorin në analizë. Lehtësisht me rënie rezultuan balanca e gjendjes financiare dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ra me 0.2 në terma tremujorë dhe me 2.0 pikë përqindje në terma vjetorë. Niveli i saj prej 60.2% mbetet 3.7 pikë përqindje nën mesataren historike.

Shërbimet

Po kështu, treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) vazhdoi të bjerë edhe gjatë tremujorit të tretë, me përkatësisht 3.2 pikë përqindje. Megjithatë, treguesi qëndron rreth 4.8 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Niveli më i ulët i TBSH-së u ndikua nga rënia e të dyjave balancave formuese të tij, me përkatësisht: 4.2 pikë përqindje balanca e ecurisë së biznesit dhe 2.2 pikë përqindje balanca e kërkesës. Rënie shënuan edhe balancat e punësimit dhe pritjeve për të në tremujorin e ardhshëm. Balanca të tjera të vrojtimit, si gjendja financiare dhe pritjet për kërkesën në tremujorin e ardhshëm rezultuan të përmirësuara.

Tregtia

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) vijoi gjithashtu të bjerë gjatë tremujorit të tretë. Rënia e TBT-së me 5.3 pikë përqindje e zhvendosi treguesin nën mesataren historike të tij. Kjo dinamikë tremujore e TBT-së u përcaktua kryesisht nga rënia e balancës së ecurisë së biznesit, me 8.4 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël nga rënia e balancës së pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm me 2.2 pikë përqindje. Në të kundërt, balanca të tjera të vrojtimit si gjendja financiare, punësimi në tremujorin në analizë dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm rezultuan të përmirësuara.

Konsumatorët

Treguesi i besimit konsumator (TBK) ka qenë gjithashtu në rënie, por e zbuti dinamikën rënëse gjatë tremujorit të tretë. Treguesi ra me 0.7 pikë përqindje dhe rezulton i zhvendosur rreth 0.8 pikë përqindje nën mesataren historike të tij. Rënia e TBK-së pasqyroi kryesisht rënien e balancës së blerjeve të mëdha, me 5.4 pikë përqindje. Treguesi u ndikua në kahun rënës edhe nga balanca e situatës financiare të pritur të familjes, e cila rezultoi lehtësisht më e ulët, me rreth 0.1 pikë përqindje, se vlera e një tremujori më parë. Ndërkohë, dy komponentët e tjerë përbërës të TBK-së, balanca e situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve dhe situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend u rritën me përkatësisht 2.3 dhe 0.4 pikë përqindje.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrën, sot sërish reshje shiu në gjithë vendin

Mos harroni çadrën, sot sërish reshje shiu në gjithë vendin