Baron Nopça: Ja si martohen
shqiptarët e veriut të Shqipërisë

Baron Nopça: Ja si martohen <br />shqiptarët e veriut të Shqipërisë
Para pak ditësh u botua në shqip vepra e Baron Franc Nopçës "Pikpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së madhe. Me disa veçori nga krahina e Zadrimës dhe nga Shkodra". E botuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, vepra u përgatit për botim dhe u redaktua nga Akad.Assoc Marenglen Verli dhe dr. Edmond Malaj, ndersa është përkthyer nga Mihal Zallari, i cili edhe e gjeti dorëshkrimin në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë. Nga kjo vepër e veçantë, kemi shkeputur për lexuesit tanë një fragment nga kapitulli mbi martesën dhe vdekjen në malsinë e veriut të Shqipërisë. Fragmenti lidhet pikërisht me traditën e martesës në këto zona.


Martesa në MalciPërmbi martesat në Malcinë e Shqipërisë së Veriut kemi shumë përshkrime veçanërisht të Durhamit dhe të Cozzit, që kanë të mirën, se mbështeten mbi të dhëna të shumë viteve. Të tjera të dhëna kemi nga Hahni përmbi zakone dasme në Mirditë dhe së fundi është materiali, që kam mbledhur vetë.

Janë ndaluar martesa midis fiseve ose familjeve, që vinë prej të njëjtit stërgjysh, qoftë vija mashkullore edhe prej 10 brezash. Farefisëri nga vija femërore as merret parasysh në Shqipëri. Vindish përmend kelmendasit e Syrmisë dhe thotë që përbëhen prej shtatë fiseve që martohen midis tyre. Pikëpamja që njerëzit janë farefis, kur kanë pasur në vijën e meshkujve përpara shumë brezash një stërgjysh të përbashkët, ka ekzistuar edhe në kohën e mesme në Evropën Qendrore, dhe Perëndimore. Zakoni i përdorshëm në lidhje të mëdha fisesh të Malit të Zi, që të martohen brenda lidhjes së fiseve, ka filluar të hyjë në Shqipëri.

Kur i propozova mëmës së Prenk Bib Dodës ta martonte të birin me një zonjushë të quajtur Marta, që kishte qenë dikur shoqe me të bijën Davidika dhe, sipas kuptimit tonë, nuk mund të quhej farefis, si e vetmja katolike e Shqipërisë së Veriut me shkollë evropiane, atëherë plaka u zëmërua fort, duke thënë se Marta ishte e një gjaku me Prenkën dhe se më parë do ta vriste të birin me duart e saj sesa të pranonte një gjë të këtillë. E vërtet që më vonë më kanë thënë, që pa e ditur ishte propozuar një martesë, që edhe në rrethe të tjerë çmohet si incest. Pra rasti nuk është një provë e fortë. Kumbaria ose vëllamëria me farefisin e nuses çmohet gjithashtu si "impedimentum matrimonii" (ndalesë e martesës-E.M.).
Fejesa e fëmijëve, dhe veçanërisht kur është fjala për të shuar armiqësi të vjetra, midis dy familjeve, bëhet bile para lindjes së tyre, është pra në radhë të parë çështja e prindërve. Kur bëhet fejesa, duke qenë fëmijë të rritur, atëherë është punë e atit ose e kryetarit të familjes, që e bën vetë, ose në fillim të bisedimeve me një ndërmjetës. Propozimi i një fejese bëhet gjithmonë nga i ati i djalit. Nusja dhe dhëndëri nuk pyeten. Por fundit ky nuk është një zakon specifik shqiptar, se sot e kanë kuçovllahët, martesa e të cilëve me bullgarët është e zorshme pikërisht nga shkaku i këtij zakoni.
Kur nuk dihet, nëse një familje e jep vajzën, dërgohet një shkues, ose ati i dhëndrit, te familja e vajzës, që dëshiron të fejojë të birin dhe e bisedon çështjen. Kur merren vesh, atëherë vendosin në shtëpinë e nuses ditën e martesës. Për këtë shkak shkon përsëri zëvendësi i dhëndrit te shtëpia e nuses dhe e bisedojnë datën edhe afatin në të cilin duhet të dorëzohet çmimi i nuses. Për nder të kësaj marrëveshjeje jepet një gosti, në të cilën ftohen njerëz të farefisit. Gotën e parë e pinë për miqësinë e re, që u lidh midis të dy shtëpive, pastaj shkuesi dorëzon pjesën e parë të çmimit, d.m.th. paret e unazës. Shkuesi e kalon mbrëmjen në shtëpinë e nuses; kur largohet i dhuron nuses disa groshë dhe zbrazen pushkë, për të ngritur rëndësinë e festës.

Nuk kam mundur të mësoj nëse në Shqipëri, sikurse në Maqedoni, kanë zakon të lidhin fejesa dhe martesa në kohën kur shtohet hëna. Pasi është bërë njëherë fejesa dhe është paguar një pjesë e të hollave për nusen, atëherë nuk lejohet më zgjidhja e fejesës nga ana e nuses, ose e farefisit të saj dhe fejesa me një person të tretë. Kjo do të ishte një çnderim për familjen e dhëndrit dhe, megjithëqë ky nuk e njeh të fejuarën, do të jepte shkak për hakmarrje të rëndë. Tërheqja e fejesës mund të mos ketë pasoja të këqija vetëm kur ajo betohet solemnisht, që nuk do të martohet dhe që do të mbetet çupë. Në kapitullin përmbi kanunin do të bëhet fjalë për këtë betim.Meqenëse e fejuara në më të shumtën e herëve nuk e ka parë të fejuarin e saj, dhe mund ta përfytyrojë vetëm në bazën e lajmeve me gojë, atëherë shkaku nuk mund të jetë përgjithësisht aversioni (antipatia). Lëshimi i fejesës bëhet më tepër, se vajza dëshiron të mos martohet, që kështu (veçanërisht në Shkodër ndodh kjo) të mund ta gëzojë jetën plotësisht, pa pengesa. Për të fejuarin prishja e fejesës do të ishte më e lehtë me humbjen e parapagesës, por unë nuk njoh asnjë rast të këtillë.
Në vitin 1908 bëri përshtypje të madhe kur, me ndërhyrjen time, i biri i Marka Gjonit pa në fotografi të fejuarën e tij, bijë nga Kelmendi dhe m'u lutën ta ruaj të fshehtë, se ndryshe familja e vajzës do ta merrte për fyeje (ofendim). Duke mos e njojtur të fejuarit njeri tjetrin, vjen vetiu që martesat nuk bëhen me dashuri, të cilën nuk e njohin në malcitë e Shqipërisë Veriore dhe për të cilën gjuha shqipe nuk e ka foljen "dashuroj". Në vend të foljes dashuroj, përdoren "me dashtë" ose "me lypë".Mosha e martesës për femra është 15-20 dhe për meshkuj 18-20 vjet. Për të fejuarën paguhen 70-140-600 korona. Shuma varet në radhë të parë nga gjendja ekonomike e familjes së vajzës, por edhe nga ajo e familjes së djalit, prandaj varet nga vendi i malcisë.
Pjesa më e madhe e çmimit paguhet, shumë a pak, një vit para martesës, në shtëpinë e dhëndrit dhe në praninë e shkuesit. Natyrisht këtë herë i takon familjes së nuses të përgatisë një gosti të pasur (oppulente). Vetë dorëzimi bëhet pas sofrës. Në vend të hollave në Malcinë e Vogël marrin edhe kafshë shtëpiake ose armë; në Malcinë e Madhe vetëm armë.Një ditë pas dorëzimt të mergjurit , prindërit e të fejuarve shkëmbejnë përsëri dhurata; ati i vajzës dhuron një kafshë të imtë 50-100 grosh dhe i ati i djalit i kthen 100 grosh, për t'ia dhënë mëmës së vajzës. Pak para martesës dhëndëri vetë i dërgon së fejuarës djathë, raki dhe disa dele, ose dhi. Martesa lidhet me shumë ceremonira. Katolikët kanë perioda të caktuara nga kisha. Më të shumtat herë martesa bëhet të hënën.Meqenëse nuk ndodh kurrë që dhëndëri të vendoset në rrethin, ose bile në oborrin e nuses, atëherë grumbullohen në mbrëmje, para martesës, në shtëpinë e nuses burra, nganjëherë edhe gra, të cilët e përcjellin nusen te shtëpia e dhëndrit. Dasmorët priten dhe përshëndeten me zbrazje pushkësh, pastaj për nder të tyre shtrohet sofër, ku janë ftuar natyrisht shumë mysafirë dhe ku nuk duhet të mungojnë rakia dhe dashi i pjekur në hell.Në Maqedoninë greke dhe në luginën e Rekës shqiptare luhet një përpjekje për dasmorët. Duket se në Malcinë e Shqipërisë veriore nuk e njohin këtë gjoja përpjekje me pushkë. Meqenëse mungon dhëndëri bien vetiu edhe ceremonitë, që përdoren në Maqedoni në lidhje me përpjekjen. Dasmorët flenë në shtëpinë e nuses dhe të nesërmen e shoqërojnë nusen në banesën e re. Kryetarin e grupit, që shoqëron nusen e quajnë krushk ose, sipas Cozzit, edhe gjeveri. Është mirë që nusja, siç ndodh në Bullgari dhe Maqedoni, kur vinë krushqit, të fillojë të rënkojë dhe të qajë dhe t'i përsëritë të nesërmen në mënyrë më të theksuar. Pajën e nxjerrin bashkë me nusen. Kjo merr si pajë, në Malcinë e Madhe një pjesë të mergjurit dhe petka, por në viset e tjerë vetëm veshmbathje. Në mbledhjen e pajës marrin pjesë të dy familjet: familja e dhëndrit blen veshmbathje, d.m.th. shaminë shumë-ngjyrëshe, një stoli koke, vathë, një jelek, opinga dhe një brez, pastaj disa sende luksi, si sapun, etj. dhe, eventualisht, një pasqyrë të vogël, për pjesën tjetër kujdeset familja e nuses. Krushqit e kalojnë mbrëmjen me këngë dhe zbavitje në shtëpinë e nuses. Në mëngjes gratë fillojnë të krehin, të veshin të stolisin, shkurt të nisin nusen. Duvakun që i mbulon kokën dhe arrin gjer mbi gji, ia hedh një fëmijë, por që nuk duhet të jetë jetim. Në Malcinë e Madhe i venë nuses mbi kokë një rrobë, që ka formën e një hinke të lartë. Në Malcinë e Vogël kjo është krahasisht e ulët. Kështu të nisur dhe stolisur e marrin atë krushqit në dorëzim. Kur krushka është gati ta marrë nusen nga shtëpia e prindërve të saj e kap me dorë nga krahu i saj i djathtë dhe e detyron atë tri herë të ngrihet nga vendi. I tërë farefisi, që ndodhet aty i thonë "Çohu, çohu!". Duke lënë shtëpinë e prindërve kapet, duke qarë, pas zinxhirit të kazanit, që varet nga tavani dhe ku të mundet, por së fundi e ndjek krushkun. Shkurt, para se të dalë nga shtëpia, ndahet nga prindërit. Mëma rri prapa në shtëpi, të tjerët nga farefisi e përcjellin akoma një cope rrugë.

Dalja e nuses nga shtëpia pritet me batare pushkësh. Nusja vetë rënkon, qan dhe shumë herë ndalet, për t'i hedhur një shikim shtëpisë së prindërve. Pas disa qindra hapash ndahen edhe njerëzit e fundit të farefisit dhe krushqit me nusen vazhdojnë rrugën e tyre. Nusja shtrëngon në grushtet e saj fundin e duvakut dhe ankohet dhe qan. Në Malci e bën këtë gjatë gjithë rrugës, por në Malcinë e Madhe sa arrin te kufiri i fisit të dhëndrit pushon së qari. Sa kohë rruga është e mirë për kuaj dhe mushka, nusja e bën atë hipur mbi kalë, ndryshe e zbresin dhe ecën në këmbë me krushqit e tjerë.I ka hije çdo udhëtari, që i takon krushqit, të zbrazë disa pushkë dhe të thotë "për hair!". Atëherë njëri nga krushqit i jep raki të pijë dhe bile ndodh, që i japin edhe fishekët, që harxhoi për nder të dasmorëve. Meqenëse një grup krushqish kalon shumë herë nëpër toka fisesh me të cilët njeri ose tjetri nga dasmorët është në gjak, duhet atëherë të sigurohet besa për të kaluar pa rrezik.Ndërsa njerëzit e nuses e shpien atë në vendbanimin e ri, mblidhen në shtëpinë e dhëndrit dasmorët, numri i të cilëve arrin nganjëherë në 100 gjer në 200 veta dhe në Malcinë e Vogël, kur i afrohen njerëzit e nuses shtëpisë së dhëndrit, iu del përpara një pjesë e këtyre dasmorëve. Kur të dy grupet ndodhen ballë për ballë, ndalen dhe fillon një batare e përgjithshme pushkësh, në të cilën marrin pjesë edhe kullat e fqinjëve, pastaj bashkohen të dy grupet, ulen përdhe, kapin gotat dhe çdonjëri, pasi e pi atë gjer në fund, zbraz pushkën e tij. Nuk do ta harroj kurrë një takim të këtillë nënë Qafën e Nermajt në Shalë. Në perëndim shkëlqente qielli ar dhe zjarr, deti dhe horizonti shkriheshin në dritën e diellit perëndonjës, majat e Dolomitëve të vargut të Nermajnës ndriçonin lart përmbi kokat tona si hekur i skuqur, Lugina e Shalës ishte zhytur në ngjyrë të kaltër të errët, si yj me ngjyrë portokalli xixëllonin qitjet e pushkëve nga kullat e banorëve, që përshëndetnin krushqit dhe përpara nesh qëndronin 30-40 trima shaljanë me trup të mrekullueshëm në petkat e tyre më të mira, në tirq të bardhë me gajtanë të zezë, në xhamadanë të kuq të qëndisur me ar dhe argjend. Batare pas batare e krisnin në ajër gjersa jehona u kthye nga Nermaja në veshët tanë. Pasi pinë mirë krushqit u vunë përsëri në lëvizje dhe, kur arritën, nga larg lajmëruan ardhjen e tyre me një "mirë mbrëma!" të fortë. Në hyrjen e nuses në shtëpinë e dhëndrit përdoren ceremonira të ndryshme. Në Kelmend është zakon ta sjellin nusen tri herë rrotull shtëpisë, pastaj, si kuçovllahët, hedhin një mollë përmbi çati; nuses i japin një dorë me grurë, pastaj, pa u penguar, i duhet të kapërcejë pragun me këmbën e djathtë, merr pastaj, pjesërisht si në Bullgari, një djalë të vogël në krahë dhe sillet tri herë rrotull vatrës. Dua të përmend, që në Maqedoni nusja ul kokën tri herë përpara shtëpisë së re. Në Bogë, siç është zakon te Osetët, krushku e sjell nusen tri herë rrotull vatrës, por në Shqipëri e lënë të ulet mbi një kolltuk, sa herë vjen rrotull. Gjurmë të këtij zakoni gjejmë edhe në Bullgari.
Në Malcinë e Vogël gjeveri e shpie nusen drejt në shtëpi, atje ajo ulet, merr në krahë një djalë 2-3 vjeç, e puth dhe i dhuron një palë çorape, pastaj dy gra e shpien në një qoshe të dhomës, ku duhet të nusërojë sa kohë zgjatin sofrat, që shtrohen për burra dhe për gra veç e veç. Ceremonia maqedonase, që e detyron nusen, kur hyn në shtëpinë e dhëndrit, të shkelë mbi një plug, ka një analogun në Krujë, ku e vënë të ecë përmbi një kobure të argjendtë. Pas buke këndojnë, nganjëherë edhe kërcejnë, pastaj shkojnë të pushojnë. Fqinjët shkojnë në shtëpitë e tyre dhe nusja e kalon natën në shoqërinë e një dasmoreje. Të gjitha këto ceremonira janë shumë të vjetra. Sjelljen rrotull vatrës e kanë pasur edhe indusit dhe gjermanët e vjetër, edhe në Kaukaz, ceremonia me djalin 2-3 vjeç është si mjet magjik për të lindur djem edhe në Azinë e Vogël dhe në Rumani, duvaku i nuses ka qenë zakon i romakëve, i grekëve dhe i gjermanëve të vjetër dhe sot akoma i grekëve të veriut. Zakonin romak ta mbartin në krahë nusen përmbi pragun e shtëpisë, nuk e kanë shqiptarët. Kuçovllahët çorapet ia japin të ftuarve dhe nënës së dhëndrit.
Në të gjitha këto ceremoni dhëndëri nuk merr pjesë. Në sofrat në mbrëmjen e ditës së parë nuk marrin fund ceremonitë e martesës. Heqja e duvakut bëhet të nesërmen në mëngjes. Nusen e vënë përsëri, si në Trapani të Sicilisë, në qoshen e dhomës dhe gjeveri i heq duvakun në sy të mysafirëve, që janë mbledhur. Të gjithë e admirojnë nusen dhe ndërsa jashtë zbrazen pushkë e urojnë atë me zë të lartë: "për hair e me nafakë!" Tani fillon mbledhja e dhuratave më të holla për nusen. Buka e dasmës, që lot një rol kaq të madh në Bullgari dhe në Maqedoni, në Shqipëri, duket se është gati e panjohur, se unë kam gjetur vetëm një lajm, që ka lidhje me të. Në Planti ka qenë zakon, gjatë kohës së sofrës, që një grua kalonte radhën e sofrës me nusen, që mbante një kulaç në dorë, falënderonte secilin nga të ftuarit në emër të nuses dhe njëkohësisht bënte pyetjen stereotipe: "Po thotë nusja lumja e kush na ka ardh e kush më ka prit N.N. ça po i çon nuses n'kulaç?" Meqenëse kjo mënyrë lypse nuk i pëlqen shaljanëve, një shaljan u mor vesh me kryetarin e Plantit, që ta tallnin këtë zakon dhe prandaj pyetjes iu përgjigj me: "ia fal p.. të saj". Dasmorët morën shumë inat dhe deshën ta vrisnin, por kryetari i Plantit, i cili ishte marrë vesh me të më pare, ndërhyri dhe kështu ky shpëtoi. Përfundimi qe që zakoni i kulaçit u prish.Normalisht duhej, që ditën kur bëhej heqja e duvakut të bëhej edhe kurorëzimi i çiftit, siç bëhet kudo në malcitë e Shqipërisë veriore, por kjo nuk ndodh gjithmonë, se të dy palët mundohen me këtë fushë ta shtyjnë martesën kishtare sa të jetë e mundur, meqenëse ajo nuk mund të prishet. Veçanërisht me qejf e bën këtë pala e nuses, se shpreson, që kur të mos jetë e kënaqur me martesën, të gjejë rast më lehtë për arratisje. Por edhe ana e dhëndrit e shtyn martesën kishtare sa mundet, gjersa nusja të ketë lindur një djalë; kur gruaja nuk bën fëmijë është më lehtë, që burri të marrë një gra të dytë. Nuk ndodh kurrë që dhëndri ta ndajë nusen kur ajo refuzon të vërë kurorë kishtare, por Durhami tregon një rast në lidhje me këtë. Shtyrja e martesës mund të bëhet sidomos në Shalë shumë dendur, nganjëherë edhe dy javë dhe atëherë i kushton famullitarit shumë mundim, për t'i mbushur mendjen çiftit të shkojë në kishë.Shumë të vlefshëm janë në këtë pikë shënimet në raportin e vizitës së kryepeshkopit të Shqipërisë veriore nga viti 1763. Kryepeshkopi lajmëron, që bashkë me hakmarrjen dhe vrasjen, mëkat i popullsisë është konkubinati me bashkëshorten e ardhshme, dhe kjo ndodh se bashkëshortët presin dy tre vjet, gjersa të lindë një djalë, për të bërë kurorëzimin në kishë. Mënyra e "koitus" siç e paraqet figura në brezin e metaltë kelto-ilirian quhet në shumë vise të Ballkanit: "mënyra shqiptare".Edhe Shtern përmend, që në Gadishullin Ballkanik janë tre lloje të koitus-it. Mënyra dalmatine, italiane nga prapa, mënyra bullgare dhe ajo serbe, në të cilën burri i vë këmbët e gruas mbi supe. Kjo e fundit është identike me atë, që në Rumani e quajnë "mënyra shqiptare".
Në Malcinë e Vogël, pas natës së parë të çiftit, e nxirrnin nusen te dera e shtëpisë për të admiruar yjet dhe zbrazin pushkë, si duket ka lidhje me besëtytninë, që çdonjëri ka yllin e tij. Një analogon gjendet në ceremonialin e vjetër indian, se në Indi i duhej çiftit pas martesës të soditë yllin polar, simbolin e qëndrue-shmërisë. Nga zakonet e tjera pas martesës dua të përmend, që sënduku i pajës gjatë një viti nuk duhet të lëvizë nga vendi se kjo do të sillte fatkeqësi, pastaj që nusja disa muaj pas martesës vishet si për festë dhe viziton prindërit e saj. Nga ceremonitë e martesës sllave dhe ato rumune, që iu përngjajnë atyre, ceremonitë shqiptare ndryshojnë kryekëput nga shkaku se të fejuarit gjer pas martesës, si me thënë, nuk duhet të shikohen. Të njëjtin zakon e kanë edhe sicilianët dhe kuçovllahët.

Në martesat shqiptare nuk është zakon në fejesë, që të takohen nusja dhe dhëndëri kur dorëzohen dhuratat e dhëndrit, që në Shqipëri bëjnë një pjesë të mergjurit; pra bie poshtë vizita e dhëndrit dhe natyrisht edhe vallja pas fejesës. Shqiptarët nuk njohin as zakonin e grekëve të Maqedonisë, d.m.th. ta përcjellin çiftin në dhomën e fjetjes dhe aq më pak të kontrollojnë këmishën e nuses, ose t'i dërgojnë nënës së saj një shishe me raki me ngjyrë të kuqe.Kemi përmendur se në Shqipëri, veçanërisht në malci, ndodh që e rrëmbejnë vajzën kur prindërit nuk duan të japin pëlqimin e tyre. Ndërsa në Bosnje dhe në Rumani e rrëmbejnë vajzën, me pëlqimin e prindërve, për të shpëtuar të dy palët nga shpenzimet e fejesës, por në Shqipëri kjo përjashtohet, se atje grabitja e vajzës shkakton hakmarrje, gjë që nuk ekziston në Bosnje dhe Rumani. Në Shqipëri nuk njihen martesat, që lidhen duke e zëvendësuar mergjurin në shërbim. Në Bosnje dhe bile edhe në Rumani gjenden gjurmë të martesave me grabitje dhe në Bosnje edhe teprica të martesave me shërbim. Në Shqipëri mungon ky zakon, se kanuni e ndalon kryekëput "hyrjen dhëndër" në shtëpinë e nuses (kollovar). Në gojëdhënën e fisit të Kelmendit ka gjurmë të martesës me shërbim. Shumë nga ceremonitë shqiptare i gjejmë edhe në vende të tjera, si p.sh. në Zibenbyrgen, në Maqedoninë greke dhe në Rumani, nusja kthehet te prindërit pas martesës për një kohë. Ardhja e nuses tri herë rrotull vetes praktikohet pjesërisht në Gjermani për shërbëtorët. Përveç në Shqipëri, ku dhëndëri shumë herë nuk fle me nusen e tij në një shtrat, këtë zakon e kanë edhe në Indi, Armeni, Zvicër, Shvaben dhe në Oberpfalz (Gjermani). Interesant është, që në Shqipëri nuk ekzistojnë gjurmë të një tregu vajzash, megjithëqë Herodoti përmend, që ilirët kishin pasur. Në Zibenbyrgen ka pasur gjurmë të këtij institucioni gjer në mes të XIX-it shekull.Në lidhje me sa thamë përmbi martesat, është mirë të përmendim shenjat e këqija, që tregojnë fatkeqësira në jetën e martesës, siç është shkelja e kurorës. Kur i zgjidhet brezi një burri, dhe ky e tërheq zvarrë pa e pikasur, atëherë kjo është shenjë se gruaja e tradhton. Në këtë rast në Bullgari kujtojnë që gruaja e ka së paku mendjen te një burrë tjetër. Në Greqi kujtojnë se në këtë rast një nga gratë e familjes ka lindur fëmijë. Në Knittelfeld të Shtajermarkut (Austri) besojnë se kur një vajzë humbet përparësen, është shenjtë, që i dashuri e tradhton. Kur e ndan burri gruan për tradhti e pret brezin në dy copë. Natyrisht ka të ngjarë që paralelja e Knittelfeldit ka lidhje të vjetra më të thella. Duke përmendur lindjen e një gruaje na kujtohet cingulumsi (petrahili) i priftit.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Drogë me postë nga Kalifornia në Tiranë, dy të arrestuar! Sekuestrohet 3.2 kg kanabis

Drogë me postë nga Kalifornia në Tiranë, dy të arrestuar! Sekuestrohet 3.2 kg kanabis