Basha në Washingon: Terrorizmi kërcënim për demokracinë, të kemi qëndrim unik në NATO

Kreu i PD, Lulzim Basha ndodhet në Washingon, ku ka marrë pjesë në eventin e institutit Hudson. Në këtë takim janë diskutuar sfidat kryesore të NATO-s dhe të pranishëm kanë qenë anëtarë të Kongresit amerikan si dhe Senatorë.

Gjatë fjalës së tij, Basha tha se terrorizmi dhe korrupsioni janë një kërcënim për demokracinë, ndërsa NATO është një mekanizëm me rëndësi për paqen dhe stabilitetin. “Terrorizmi, korrupsioni, kërcënim për demokracinë. NATO është një mekanizëm me rëndësi për paqen dhe stabilitetin. Përkushtimi i vendeve është i nevojshëm dhe i shërben stabilitetit dhe paqes. Duhet të kemi një qëndrim unik në NATO dhe të përpiqemi që aleancën ta bëjmë më të fortë”- ka thanë Basha. 

Diskutimi i Bashës në Institutin Hudson:
Unë vij nga një vend i vogël, nga një rajon që në të kaluarën ka qenë më shumë në luftë sesa në paqe dhe formon një rajon që konsiderohet si vija ndarëse midis Perëndimit dhe Lindjes. Nga këndvështrimi ynë, por jam i sigurt se edhe nga ai i vendeve të tjera, çdo diskutim rreth bashkëpunimit transatlantik duhet të përballet së pari me disa fakte të rëndësishme.

1. Ka kërcënime të qarta dhe aktuale që e bëjnë NATO-n një domosdoshmëri si gjithmonë.

Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, kërcënimet nuk janë zhdukur por thjesht kanë ndryshuar.

Së pari, ka ende kërcënime ushtarake në dyert e NATO-s. Kjo u dëshmua nga agresioni rus kundër Gjeorgjisë, aneksimi i Krimesë dhe lufta në Ukrainë, si dhe luftëra të tjera të tilla. Në veçanti, vendet më lindore pjesë të NATO-s janë nën një kërcënim të përhershëm ushtarak, veçanërisht vendet e vogla, si Republikat Baltike, por nuk do të përjashtoja vendet e Ballkanit. Këto vende kanë një nevojë thelbësore dhe kritike për mbrojtjen e NATO-s.

Së dyti, janë llojet e reja të kërcënime: terrorizmi, sidomos ekstremizmi i dhunshëm; sulmet kibernetike; korrupsioni, krimi i organizuar, rrjetet kriminale transnacionale dhe pastrimi i parave; por gjithashtu fushatat propagandistike dhe dezinformuese. Qëllimi i tyre është të shkatërrojnë sistemet tona, shoqëritë tona, vlerat tona përmes ndërhyrjeve jo-ushtarake. Sepse ne në rradhë të parë jemi një aleancë vlerash, jemi një aleancë politike – ushtarake dhe jo një aleance ushtarake – politike. Ato dobësojnë dhe shkatërrojnë shoqëritë tona duke minuar demokracinë, sundimin e ligjit, besimin social dhe vlerat shoqërore.

NATO mund të luajë një rol themelor në mbrojtjen nga këto kërcënime. E ngre këtu edhe si pyetje: A mendoni se NATO mund të luajë një rol thelbësor për raujtjen e vlerave ndaj këtyre kërcënimeve, dhe nëse jo, kush mund ta bëjë? Unë besoj se NATO është një kontribues kryesor për mbështetjen e demokracisë dhe institucioneve themelore perëndimore si: të drejtat dhe liritë e njeriut, zgjedhjet demokratike dhe tregjet e lira. Së treti, ekziston nevoja për të balancuar fuqinë në rritje dhe ndërhyrjen ekonomike nga fuqitë jo-perëndimore, të cilat po luftojnë për dominimin ekonomik dhe politik në Evropë në veçanti në rajone si Ballkani.

Ballkani është sot, me sa duket, një skenë kryesore ku po ndodh rivaliteti midis Lindjes dhe Perëndimit; nga njëra anë kemi vendet perëndimore dhe nga ana tjetër kemi Rusinë, Kinën dhe vendet e tjera, duke përfshirë, Lindjen e Mesme që rivalizojnë për ndikim politik, fetar dhe kulturor por edhe për depërtim ekonomik. NATO mund të shërbejë si një fuqi balancuese për të garantuar paqen, stabilitetin dhe demokracinë në këtë rajon.

Në Ballkan, NATO ka një avantazh të qartë për të adresuar kërcënimet që në burim. Shqipëria është anëtare e NATO-s, Mali i Zi është anëtar i NATO-s, Maqedonia do të bëhet anëtare së shpejti, Kosova qartë dëshiron të bashkohet nëse i jepet mundësia. Kjo e vendos NATO-n në një pozicion unik dhe i jep të gjitha levat dhe mjetet për të adresuar të gjitha kërcënimet që vijnë nga ky rajon në burim, në veçanti konfliktet etnike, ekstremizmi fetar, rrjetet e krimit të organizuar, kapjen e shtetit.

2. Me këto kërcënime, angazhimi në NATO duhet të jetë i qartë dhe i vërtetë

Kur Margaret Theçer u zotua për forcimin e NATO-s pas përfundimit të luftës së ftohtë, tha një shprehje: "Ju nuk e anulloni sigurimin e shtëpisë tuaj vetëm se ka pasur më pak vjedhje në rrugën tuaj gjatë 12 muajve të fundit!". NATO është e domosdoshme për të njëjtat arsye që ishte më parë, edhe pse natyra dhe burimi i kërcënimeve ka ndryshuar. Për ta mbajtur atë të fortë, duhet angazhim serioz. Dhe angazhimi më efektiv është kontributi financiar i nevojshëm për të përmirësuar infrastrukturën, teknologjinë, armatimin dhe personelin; për të kontribuar në forcimin e kapaciteteve të aleancës; dhe si rezultat në fuqinë e saj në përmbushje të misionit.

Arritja e objektivit 2% të GDP-së është e nevojshme dhe riangazhimi dje nga udhëheqësit e NATO-s për këtë objektiv është me të vërtetë një lajm i mirë. Për shumë vende të mëdha kjo është një sasi e madhe parash për të paguar, dhe disa prej tyre me të vërtet besojnë se NATO nuk është prioriteti për të përdorur këto para.

Veçanërisht, një përdorim alternativ i tyre ka qenë përdorimi në kontribute të tjera ndërkombëtare, në veçanti ndihma për zhvillim. Për shembull, Gjermania dhe Italia kanë investuar miliarda euro për të ndihmuar zhvillimin e Shqipërisë në tre dekadat e fundit. Ata kurrë nuk kanë ndalur së na mbështeturi për një ditë të vetme. Ndihma e tyre është një kontribut i vërtetë për paqen dhe prosperitetin.
Nuk ka dyshim për këtë.

Por kjo nuk mund të jetë një zëvendësim për atë që NATO sjell në Shqipëri dhe vende të tjera në Ballkan. Aleanca sjell garanci për sigurinë dhe për stabilitetin; sjell siguri për investime; sjell siguri për angazhimet politike. Nëse historia na ka mësuar diçka rreth Ballkanit është se siguria dhe rendi janë gjithmonë të brishta dhe të përkohshme. Për të forcuar paqen dhe stabilitetin në Ballkan, NATO mbetet mekanizmi kryesor. Çdo boshllëk i krijuar nga mungesa e vëmendjes dhe mungesa e përfshirjes apo angazhimit të vendeve të Ballkanit nga NATO, do të mbushet nga forca jo aq miqësore dhe liderë jo aq demokratikë, që nuk kërkojnë stabilitet, që nuk kërkojnë vlera demokratike, të cilët nuk kërkojnë paqe në vende të tjera. Forca të tilla mund të jenë aktorë shtetërorë, organizata kriminale ose rrjete terroriste.

Së fundmi, çdo para që mendohet se po kursehet duke mos investuar më shumë në NATO, duke dobësuar fuqinë balancuese të NATO-s, do të çojë në destabilizim dhe probleme, rregullimi i të cilave do të kushtojë më shumë sesa kursimet e mos investuara në NATO më herët. Pra, s’mund të kursehet një qindarkë sot për të humbur 100 fish më shumë nesër.

3. Uniteti i NATO-s është veçanërisht i rëndësishëm për vendet më të vogla. Kur djemtë e mëdhenj debatojnë, djemtë e vegjël janë të frikësuar. Një gjë është shumë e rëndësishme nga perspektiva e vendeve të vogla si i imi: lidhjet e forta dhe qëndrimet e unifikuara të aleatëve amerikanë dhe evropianë janë një domosdoshmëri. NATO do të minonte fuqinë e saj, të perceptuar dhe reale, nëse ka ndarje, nëse ka përplasje dhe nuk ka qëndrime të unifikuara për çështjet më të rëndësishme.

Ju e ngritët çështjen se si po komentoen këto diskutime të NATO-s në Teheran apo në kryeqytete të tjera të cilët po analizojnë se ç’po ndodh në familjen tonë, ndaj kjo nuk i shërben qëllimit tonë dhe në veçanti nevojës për tu unifikuar në çështjet më të rëndësishme.
Nëse kjo nuk tingëllon si një problem për vendet dhe fuqitë e mëdha, atëhere është me të vërtetë kritike për vendet e vogla, si Shqipëria, Mali i Zi dhe shtetet Baltike. Riangazhimi për të njëjtat qëndrime të unifikuara është po aq i rëndësish`m sa financimi për forcën e NATO-s. Ajo që shpresojmë është se debatet brenda NATO-s do të çojnë në ndryshime të rëndësishme që do të sjellin aleatët më pranë dhe do ta forcojnë NATO-n. 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Highlanderi: 12/07/2018 21:55

    A ka me terrorsit se ty o kaqol?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet